“Roli i Frymës së Shenjtë në Punën Misionare: ‘Hape Gojën Tënde dhe Ajo do të Mbushet’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Roli i Frymës së Shenjtë në Punën Misionare: ‘Hape Gojën Tënde dhe Ajo do të Mbushet’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Përgatitja e Misionarëve: Mësimi 199
Roli i Frymës së Shenjtë në Punën Misionare
“Hape Gojën Tënde dhe Ajo do të Mbushet”
Ndërkohë që Ati Qiellor na ka kërkuar t’ua shpërndajmë ungjillin e Jezu Krishtit të tjerëve, Ai nuk pret që ne ta bëjmë këtë vetëm. Ndërsa mësojmë ta dallojmë dhe ndjekim Shpirtin, Ai do të na udhërrëfejë në përpjekjet tona misionare. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të eksplorojnë mënyrat se si Shpirti mund t’i ndihmojë t’ua shpërndajnë ungjillin e Jezu Krishtit të tjerëve.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i kërkojnë një misionari të kthyer nga misioni të tregojë një përvojë kur Fryma e Shenjtë e ndihmoi atë në punën e tij misionare. Ose nxënësit mund të reflektojnë mbi përvojat që kanë pasur kur Fryma e Shenjtë i ndihmoi t’ua shpërndanin ungjillin të tjerëve.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Fryma e Shenjtë është thelbësor
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke i dhënë një nxënësi të gatshëm një detyrë që nuk mund të kryhet pa një artikull të caktuar. Për shembull, mund të vendosni një vidë në një dërrasë dhe t’i kërkoni një nxënësi ta heqë por të mos i jepni një vegël për ta bërë atë. Më pas, kur nxënësi të mos jetë në gjendje ta kryejë detyrën, sigurojini atij artikullin e nevojshëm, si për shembull një kaçavidë.
-
Cilat janë disa detyra që nuk mund të bëhen pa një artikull specifik?
Krahas thënies vijuese nga Profeti Jozef Smith, mund të merrni parasysh t’i ftoni nxënësit të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 42:14, duke kërkuar të njëjtën nevojë.
Lexoje këtë thënie nga Profeti Jozef Smith (1805–1844), duke kërkuar diçka që na nevojitet për ta shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit në mënyrë të efektshme.
“Të gjithë duhet ta predikojnë Ungjillin, me anë të fuqisë dhe ndikimit të Frymës së Shenjtë; dhe asnjë njeri nuk mund ta predikojë Ungjillin pa Frymën e Shenjtë.” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 355)
-
Pse mendon se nuk mund ta predikojmë ungjillin e Jezu Krishtit pa Frymën e Shenjtë?
Në ditarin e studimit, rendit sa më shumë mënyra që të vijnë në mendje se si Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë të predikojmë ungjillin.
Sigurojini nxënësit se nuk ka problem nëse nuk mund t’u vijnë në mendje shumë mënyra. Kërkojuni atyre të shtojnë pika në listën e tyre ndërsa e studiojnë këtë mësim. Gjithashtu, inkurajojini ata të kërkojnë frymëzim për mënyrën se si Fryma e Shenjtë mund t’i ndihmojë në jetën e tyre tani, si edhe në të ardhmen.
Rolet e Frymës së Shenjtë
Zoti na ndihmon ta shpërndajmë ungjillin e Tij tek të tjerët duke na dërguar Frymën e Shenjtë (shih te Doktrina e Besëlidhje 79:1–2). Shkrimet e shenjta na mësojnë se si Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë në përpjekjet tona misionare.
Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruajini udhëzimet vijuese në tabelë. Merreni parasysh të caktoni dyshe të lexojnë vargje të ndryshme.
Nëse dëshironi, mund t’u shpjegoni nxënësve se shkrimet e shenjta ndonjëherë i referohen Frymës së Shenjtë me emra të ndryshëm. “Emrat e tjerë që ndonjëherë i referohen Frymës së Shenjtë, janë Shpirti i Shenjtë, Shpirti i Perëndisë, Shpirti i Zotit, Ngushëlluesi dhe Shpirti” (shihni te Bible Dictionary, “Holy Ghost”).
Mund të jetë gjithashtu e dobishme të shpjegoni se përemri “ata” tek Alma 17:3 u referohet bijve të Mosias dhe “mua” tek 3 Nefi 28:11 i referohet Jezu Krishtit.
Përdori shkrimet e shenjta vijuese për të plotësuar thënien: Fryma e Shenjtë mund …
-
Mund t’i ftoni nxënësit të shkruajnë në tabelë mënyrën se si e plotësuan thënien. Ata mund të përshkruajnë role të Frymës së Shenjtë të tilla si vijueset: Fryma e Shenjtë mund …
-
Të na ndihmojë të dimë çfarë të themi (Moisiu 6:32, 34).
-
Ta çojë mesazhin e Zotit në zemrat e të tjerëve (2 Nefi 33:1).
-
Të na ndihmojë të japim mësim me fuqinë dhe autoritetin e Zotit (Alma 17:3).
-
Të japë dëshmi për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin (3 Nefi 28:11).
-
Të na ndihmojë të dimë çfarë të bëjmë dhe ku të shkojmë (Doktrina e Besëlidhje 31:11).
Pasi nxënësit të kenë shkruar në tabelë, mund t’i ftoni ata të tregojnë role të tjera që Fryma e Shenjtë mund t’i përmbushë ndërsa shpërndajmë ungjillin.
Mund të bëni një pyetje si vijuesja për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se kualifikimi për shoqërimin e Frymës së Shenjtë kërkon punë shpirtërore.
-
-
Çfarë veprimesh mund të ndërmarrim për të marrë shoqërimin e Frymës së Shenjtë?
Nxënësit mund të thonë gjëra si lutja e zjarrtë, studimi i vazhdueshëm i shkrimeve të shenjta, mbajtja e besëlidhjeve dhe bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë (shihni te Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit [2023], f. 101).
Përvoja vijuese nga Plaku Rasband mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë mënyrën se si këto role të Frymës së Shenjtë mund të na ndihmojnë të shpërndajmë ungjillin e Shpëtimtarit. Në vend që të lexoni historinë, mund të shfaqni një pjesë filmike nga materiali “Let the Holy Spirit Guide” [“Shpirti i Shenjtë na Udhëzoftë”], nga kodi kohor 4:43 deri në 5:59, duke e ndaluar atë dy ose tri herë për të diskutuar se ku e shohin nxënësit ndikimin e Frymës së Shenjtë.
Lexoje tregimin vijues nga Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar se ku e sheh ndikimin e Frymës së Shenjtë në përvojën e Plakut Rasband që shpërndan ungjillin e Jezu Krishtit.
“Një mëngjes të nxehtë korriku unë dhe shoku im i misionit ndiem nxitjen për të kërkuar [dikë], sipas një referimi, te Sheshi i Tempullit. Ne trokitëm në derën e banesës së Elud Shaferit. Zonja Shafer me mirësjellje nuk na pranoi.
Ndërkohë që po e mbyllte derën, unë ndjeva se duhej të bëja diçka që nuk e kisha bërë kurrë më parë dhe që nuk e kam bërë kurrë më që atëherë! E vendosa këmbën te dera dhe e pyeta: ‘A ka ndonjë tjetër që mund të jetë i interesuar për mesazhin tonë?’ Vajza e saj 16-vjeçare, Marti, ishte vërtet e interesuar dhe ajo qe lutur me zjarr për udhërrëfim pikërisht një ditë më parë. Marti u takua me ne dhe, me kalimin e kohës, nëna e saj mori pjesë në diskutime. Të dyja u bashkuan me Kishën.
Si rrjedhojë e pagëzimit të Martit, 136 veta, përfshirë shumë prej familjarëve të saj, janë pagëzuar dhe kanë bërë besëlidhje të ungjillit. Sa mirënjohës jam që dëgjova Shpirtin dhe e vendosa këmbën te dera atë ditë të nxehtë korriku.” (“Shpirti i Shenjtë na Udhëzoftë”, Liahona, maj 2017, f. 94)
-
Si e sheh ndikimin e Frymës së Shenjtë në përvojën e Plakut Rasband?
Para se të bëni pyetjet vijuese, merreni parasysh të thoni diçka si: “Pasi të bëj secilën prej pyetjeve të radhës, do t’ju jap 30 sekonda për të reflektuar para se të përgjigjeni”. Bëjeni pyetjen e parë dhe ose shihni një orë ose numëroni në heshtje me vete para se të bëni ftesë për komente. Pasi nxënësit të flasin, përsëritni të njëjtin proces me pyetjen e dytë. Dhënia e qëllimshme e kohës që nxënësit të reflektojnë mbi pyetjet para se të bëni ftesë për komente, mund të ftojë Frymën e Shenjtë, mund t’u japë më shumë nxënësve një mundësi për të menduar për një përgjigje dhe shpesh bën që të dëgjojmë nxënës që mund të mos flasin rregullisht.
-
Kur të ka ndihmuar Zoti ty ose dikë që ti njeh, ta shpërndash ungjillin e Jezu Krishtit me ndihmën e Frymës së Shenjtë?
-
Kur e ke ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë kur dikush ta ka shpërndarë ty ungjillin?
Kërkimi i Frymës së Shenjtë ndërsa e shpërndajmë ungjillin e Jezu Krishtit
-
Cilat janë disa mundësi që mund të kesh për t’ua shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit të tjerëve?
Nxënësit mund të thonë gjëra si: kur bindjet e tyre fetare vihen në dyshim nga një shok, kur po ngushëllojnë një pjesëtar të familjes, kur japin një mësim në kishë, kur publikojnë diçka në rrjetet sociale e me radhë. Ndërsa nxënësit përgjigjen, mund t’i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë.
Merreni parasysh ta ndani klasën në grupe të vogla dhe t’i ftoni ata të plotësojnë veprimtarinë vijuese. Nxënësit mund të japin një shkrim të shenjtë, si ata më herët në mësim, që mund t’i ndihmojnë të kujtojnë mënyrën se si Shpirti mund t’i ndihmojë në këto situata.
Përzgjidh dy situata ku mund të jesh në gjendje t’ua shpërndash ungjillin e Jezu Krishtit të tjerëve. Diskutoji pyetjet vijuese për secilën situatë:
-
Si mund ta kërkosh dhe ta ndjekësh ndikimin e Frymës së Shenjtë në këtë situatë?
-
Si mund të të ndihmojë Zoti ta shpërndash ungjillin e Jezu Krishtit në këtë situatë nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
Ftojini pjesëtarët e secilit grup të tregojnë diçka nga diskutimi i tyre në grup. Mund t’i pyesni nxënësit se çfarë i ka ndihmuar ata të mësojnë se si Fryma e Shenjtë u flet atyre. Merreni parasysh të jepni dëshmi për rëndësinë e Frymës së Shenjtë ndërsa shpërndajmë ungjillin e Jezu Krishtit.
Mund t’u shpjegoni nxënësve se materiali Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit jep mësimin se të mësosh të dallosh ndikimin e Frymës së Shenjtë “është një proces i përshkallëzuar që kërkon përpjekje të zellshme, të durueshme” (f. 102). Inkurajojini ata të jenë të duruar ndërsa bëjnë përpjekje çdo ditë për ta dalluar dhe për t’u mbështetur te Fryma e Shenjtë. Ndërsa e bëjnë, ata do të bëhen misionarë të fuqishëm në dorën e Zotit.