“Shpërndarja e Ungjillit në Mënyra të Natyrshme: Shpërndarja e Ungjillit Mund të Jetë Pjesë e Jetës së Përditshme”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Shpërndarja e Ungjillit në Mënyra të Natyrshme: Shpërndarja e Ungjillit Mund të Jetë Pjesë e Jetës së Përditshme”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Përgatitja e Misionarëve: Mësimi 197
Shpërndarja e Ungjillit në Mënyra të Natyrshme
Shpërndarja e Ungjillit Mund të Jetë Pjesë e Jetës së Përditshme
Si anëtarë të Kishës së Shpëtimtarit, është bekimi dhe përgjegjësia jonë t’i ndihmojmë “të gjitha familjet e tokës … të bekohen, madje me bekimet e Ungjillit” (Abraham 2:11). Ndonjëherë mund të duket e vështirë të gjesh mënyra për t’ua paraqitur të tjerëve ungjillin e Shpëtimtarit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ushtrojnë shpërndarjen e ungjillit të Jezu Krishtit tek të tjerët në mënyra të natyrshme.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin me lutje situatat ku ata mund të tregojnë diçka rreth Kishës ose ungjillit si pjesë e një bisede normale. Nxënësit mund të mendojnë rreth mënyrës se si kjo mund të bëhet në mënyrë të efektshme dhe të kërkojnë mundësi për ta bërë këtë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Shpërndarja e asaj që të pëlqen
Merreni parasysh ta filloni mësimin duke ftuar dy ose tre nxënës të përshkruajnë ose një pushim, ushqim të parapëlqyer, ose diçka tjetër që nuk është tepër vetjake. Ata mund të japin edhe arsyen përse do të rekomandonin që të tjerët ta provojnë atë.
Paraqitini mundësitë vijuese pasi secili nxënës të flasë. Kërkojini klasës të ngrejë numrin e gishtave që përshkruan më mirë mënyrën se si ndihen në lidhje me atë që u tha.
-
Tani jam shumë më tepër i/e interesuar për ta provuar atë që thanë ata.
-
Jam pak më i/e interesuar për ta provuar atë.
-
Interesi im për të nuk ndryshoi.
Mund të vini në dukje se mund të jetë e lehtë t’i tregojmë gjërat që i pëlqejmë, edhe kur të tjerët vendosin të mos e provojnë atë që u thamë.
-
Si mendon se mund të gjejë zbatim kjo veprimtari kur ua tregojmë bindjet tona rreth Shpëtimtarit dhe Kishës së Tij të tjerëve?
-
Nga një këndvështrim i përjetshëm, cilat janë disa nga bindjet më të rëndësishme që mund t’ua thuash shokëve dhe familjes sate? Përse?
Përse tregojmë
Për t’i ndihmuar nxënësit të dallojnë disa nga bekimet e Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij që mund të duam t’i tregojmë, merreni parasysh t’i ftoni grupet e vogla t’i studiojnë fragmentet vijuese. Çdo nxënës në grup mund të studiojë vargje të ndryshme dhe më pas t’ia raportojë grupit atë që zbuloi.
Studioji fragmentet vijuese, duke kërkuar arsyen përse do të doje që njerëzit e tu të dashur ta njohin Shpëtimtarin.
Isaia 1:18
Isaia 25:4, 8–9
Isaia 40:28–31
Isaia 43:25
Isaia 54:10
-
Cilën prej këtyre të vërtetave je më i emocionuar t’ua tregosh njerëzve të tu të dashur? Përse?
Mposhtja e ngurrimit
Bëjuani të ditur nxënësve se ndonjëherë është e natyrshme të ndihen në ankth në lidhje me shpërndarjen e ungjillit. Edhe profetëve të mëdhenj si Enoku (shihni te Moisiu 6:27, 31) dhe Jeremia iu desh të mposhtnin njëfarë ngurrimi.
Lexo te Jeremia 1:6, duke kërkuar mënyrën se si u ndje Jeremia kur u thirr për t’i dhënë mësim popullit.
-
Përse ata që sot duan me të vërtetë që njerëzit e tyre të dashur të vijnë te Krishti, mund të ngurrojnë ende t’ua shpërndajnë ungjillin atyre?
Lexo te Jeremia 1:7–9 duke kërkuar këshillën dhe premtimet e Shpëtimtarit për Jeremian.
-
Si mendon se mund të gjejnë zbatim fjalët e Shpëtimtarit ndaj Jeremias te ne ndërsa shpërndajmë ungjillin e Tij?
Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këshillën vijuese që mund të na ndihmojë edhe ne të mposhtim ngurrimin ndaj shpërndarjes së ungjillit:
“Kudo që të jeni në këtë tokë, keni mundësi të shumta për ta përhapur lajmin e mirë të ungjillit të Jezu Krishtit te njerëzit që takoni, studioni e jetoni ose punoni dhe shoqëroheni. …
Ajo që po kërkoj është që gjithmonë të kërkoni mundësi për ta përmendur besimin tuaj në mënyra të natyrshme dhe normale me njerëzit – si personalisht ashtu edhe në internet. …
Në çfarëdo mënyre që duket e natyrshme dhe normale për ju, tregojuni njerëzve përse Jezu Krishti dhe Kisha e Tij janë të rëndësishme për ju.” (“Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Liahona, maj 2019, f. 15, 17)
-
Si do t’i përmblidhje premtimet e Zotit për Jeremian dhe mësimet e Plakut Uhtdorf me një pohim të thjeshtë të vërtete?
Duke përdorur fjalët e nxënësve, mund të shkruani një të vërtetë si vijuesja në tabelë: Shpëtimtari mund të na ndihmojë ta shpërndajmë ungjillin e Tij në mënyra të natyrshme dhe normale.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta diskutojnë sa vijon në grupe të vogla; më pas kërkojuni disa vullnetarëve t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.
-
Çfarë bën ndryshimin ndërmjet shpërndarjes së ungjillit duke u ndier “natyrshëm dhe normal” ose duke u ndier në siklet?
-
A të vjen në mend dikush që flet rreth ungjillit në një mënyrë të natyrshme? Nëse po, si e bën ai/ajo këtë?
Nëse nxënësit do të kishin dobi nga shembujt e tjerë të shpërndarjes së ungjillit të Jezu Krishtit në mënyrë të natyrshme, mund të shihni “Simple Ways to Love, Share, and Invite for Youth” [“Mënyra të Thjeshta për të Dhënë Dashuri, Treguar dhe Ftuar për të Rinjtë”], (2:50) në dispozicion në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
“Cilësia e pasqyrimit të bisedës”
Kjo pjesë e mësimit mund t’i ndihmojë nxënësit të ushtrojnë një mënyrë për ta përmendur natyrshëm Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij në biseda. Mund të ushtroni me nxënësit tuaj zotësi të ndryshme që mund të jenë më të dobishme për ta. Merreni parasysh të ngrini lart një pasqyrë dhe të paraqitni thënien vijuese.
Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi një mënyrë se si ti mund të krijosh bashkëbisedime rreth temave të ungjillit.
“Unë njoh një të diplomuar të UBJ-së që është një shembull shumë i mirë. Ai vë në dukje se ekziston një cilësi e pasqyrimit të bisedës. Nëse flasim rreth motit, njerëzit përgjigjen duke folur rreth motit. Nëse flasim rreth sporteve, ata përgjigjen duke folur rreth sporteve. Ky shok thotë se i pyet njerëzit që takon, në lidhje me shkollën e tyre dhe i dëgjon me vëmendje. Pasi përgjigjen duke e pyetur në lidhje me shkollën e tij, ai u tregon rreth UBJ-së dhe më pas jep dëshminë e tij për ungjillin. Më pas, në një mënyrë pozitive, ai ofron t’i lejojë ata të mësojnë më shumë nga misionarët. Ai ka qenë shumë i suksesshëm në shpërndarjen e ungjillit.” (“How to Be a Member Missionary”, New Era, shkurt 2015, f. 48)
-
Si do ta shpjegoje përdorimin e “cilësisë së pasqyrimit të bisedës” për t’ua përmendur ungjillin të tjerëve?
Përkufizo
Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për ta ushtruar këtë zotësi, tregojuni atyre sa vijon:
Të folurit për një pjesë të jetës sonë mund të vijë më natyrshëm nëse e pyesim në fillim dikë tjetër rreth së njëjtës gjë në jetën e tij. Për ta bërë këtë, ti mund:
-
Të zgjedhësh diçka që e ke bërë kohët e fundit ose do ta bësh së shpejti për të marrë pjesë në Kishën e Jezu Krishtit ose ungjillin e Tij.
-
Të mendosh për një pyetje që mund t’ia bësh dikujt, që do të ta bëjë më të natyrshme ta tregosh atë që zgjodhe rreth Kishës ose ungjillit të Shpëtimtarit.
-
Të bësh një pyetje, të dëgjosh me vëmendje përgjigjen e tij, më pas ta tregosh atë që zgjodhe.
Mund të shprehni gjithashtu rëndësinë e dëgjimit të të tjerëve me kujdes të sinqertë para se të flasim për veten tonë (shihni te Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit, f. 192).
Jepni Modelin
Jepni modelin e “cilësisë së pasqyrimit të bisedës” duke e pyetur një nxënës se çfarë bëri këtë fundjavë. Pasi ta dëgjoni me sinqeritet përgjigjen e tij, tregojini atij rreth fundjavës suaj dhe sigurohuni të përfshini diçka pozitive rreth përvojës suaj në kishë.
Mund të jepni edhe shembuj të tillë si vijuesit:
Pyesni: “Si ka qenë mëngjesi juaj?” (Dëgjoni përgjigjen e tij.) Më pas tregoni diçka si: “Unë pata përvojën më të mirë këtë mëngjes në të mësuarit në seminar …”
Pyesni: “A ke planifikuar diçka zbavitëse këtë fundjavë?” (Dëgjoni përgjigjen e tij.) Më pas, tregoni diçka si: “Unë do të mund të shkoj në tempull me familjen time të mërkurën në mbrëmje për të …”
Ushtrohu
Ftojini nxënësit ta ushtrojnë këtë zotësi. Në varësi të kohës në dispozicion, nxënësit mund ta ushtrojnë zotësinë me partnerë të shumtë, duke treguar çdo herë aspekte të ndryshme të ungjillit në jetën e tyre. Inkurajojini ata të kërkojnë mundësi për të folur rreth Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe bekimeve të ungjillit. Mund të jetë e dobishme të paraqitni hapat vijues.
Përgatitu për të shpërndarë ungjillin e Shpëtimtarit
Merreni parasysh t’u kujtoni nxënësve se suksesi në shpërndarjen e ungjillit nuk përcaktohet nga fakti nëse personi e pranon mesazhin e Shpëtimtarit. Fakti që ne u përpoqëm ta shpërndanim dritën e Shpëtimtarit, është gjithmonë një sukses.
Për ta përmbyllur orën mësimore, mund të paraqitni nxitjen vijuese dhe t’i ftoni nxënësit t’i shënojnë mendimet e tyre në ditarët e studimit.
Lexo te Jeremia 1:7–9 sërish dhe reflekto mbi mënyrën se si Zoti mund të të ndihmojë ta shpërndash ungjillin e Tij. Më pas, shpenzo disa minuta për të menduar rreth situatave në të cilat mund të ndodhesh këtë javë, ku mund ta diskutosh ungjillin me dikë. Kërkoji me lutje Atit Qiellor ndihmën e Tij për të dalluar mënyrat se si mund ta shpërndash natyrshëm mesazhin e Shpëtimtarit. Mbaj mend që ashtu siç Zoti e ndihmoi Jeremian, Ai do të të ndihmojë edhe ty në përpjekjet e tua.