Seminari
Jeremia 36: Fjala e Perëndisë


“Jeremia 36: Fjala e Perëndisë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Jeremia 36: Fjala e Perëndisë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Jeremia 31–33; 36–38; Vajtimeve 1; 3: Mësimi 135

Jeremia 36

Fjala e Perëndisë

Old Testament Prophet writing on a scroll

Shkrimet e shenjta janë një pjesë thelbësore e lidhjes sonë me Jezu Krishtin. Të mësuarit nga shkrimet e shenjta i drejton mendimet dhe zemrën tonë drejt Tij, gjë që fton fuqinë e Tij në jetën tonë. Gjatë një kohe braktisjeje, Zoti e udhëzoi profetin Jeremia që t’i shkruante dhe t’i dërgonte fjalët e Zotit te populli i Judës që ata të mund të drejtoheshin drejt Tij dhe të merrnin faljen. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë mënyrën se si shkrimet e shenjta i ndihmojnë ata të drejtohen te Jezu Krishti për të marrë faljen e mëkatit.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shqyrtojnë synimet e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta dhe përparimin vetjak në pjesët e kërkuara të leximit për këtë vit. Ju mund t’i ftoni gjithashtu nxënësit të reflektojnë mbi mënyrën se si studimi i tyre i shkrimeve të shenjta po i ndihmon ata të drejtohen te Zoti.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Të flasësh hapur

Mendoni një mënyrë se si t’i ndihmoni nxënësit të përgatiten për të mësuar rreth mënyrës se si Zoti i përdor shkrimet e shenjta për të na korrigjuar me dashuri dhe për të na sjellë tek Vetja. Një mënyrë për ta bërë këtë është t’i vini nxënësit të mendojnë për situatat ku mund të jetë e sikletshme të flasësh hapur. Sipas nevojës, mund të përdorni situatat vijuese.

  • Si mund të reagojë dikush që interesohet për ty në situatat vijuese?

    • Pasi hani drekë, shoku yt vë re që të ka mbetur pak ushqim te dhëmbët.

    • Të kanë ftuar në një festë ku do të ketë veprimtari të papërshtatshme. Shoku yt është në dijeni të veprimtarive, por e di që ti mezi po pret të shkosh.

  • Çfarë mund ta shtyjë dikë të flasë hapur në këto situata?

  • Cili mund të jetë rezultati i të thënit të diçkaje ose i të qëndruarit në heshtje?

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dinë dhe shohin gjëra që ne nuk i dimë dhe nuk i shohim. Ata dëshirojnë më të mirën për ne dhe na flasin nëpërmjet shkrimeve të shenjta (shih te 2 Nefi 32:3; Doktrina e Besëlidhje 1:37–38). Ndërsa mëson sot, përsiat mënyrat se si shkrimet e shenjta mund ta bekojnë jetën tënde. Merre parasysh se si këto ide mund të ndikojnë në studimin tënd vetjak.

Një qëllim i shkrimit të shenjtë

Lexo te Jeremia 36:1–3, duke kërkuar arsyen përse Zoti e urdhëroi Jeremian t’i shënonte fjalët e Tij për popullin e Judës.

  • Çfarë dëshironte Zoti për popullin e Judës?

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth disa qëllimeve të shkrimit të shenjtë?

    Nxënësit mund të përcaktojnë një të vërtetë si shkrimet e shenjta na ndihmojnë të drejtohemi te Zoti dhe të marrim faljen e Tij.

    Mund të doni t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë frazat “secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe” dhe “kështu unë do të fal paudhësinë e tyre dhe mëkatin e tyre” (vargu 3). Ata mund ta shkruajnë të vërtetën që zbuluan krahas këtyre frazave në shkrimet e tyre të shenjta.

  • Si na ndihmojnë shkrimet e shenjta të drejtohemi te Zoti dhe të marrim faljen e Tij?

Merreni parasysh t’i renditni përgjigjet e nxënësve në tabelë. Ndërsa nxënësit flasin, ata mund t’u referohen ideve që gjenden në shkrimet e shenjta vijuese. Nëse dëshironi, mund të njiheni me këto shkrime të shenjta në mënyrë që të mund ta hapni librin tek ato ndërsa nxënësit flasin. Përndryshe, pasi nxënësit të japin disa përgjigje për pyetjen e mëparshme, mund të jepni udhëzimet vijuese dhe t’u kërkoni t’i shtojnë tek idetë në tabelë.

Lexoji fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë, duke kërkuar mënyra të tjera se si shkrimet e shenjta na ndihmojnë të drejtohemi te Zoti dhe të marrim faljen për mëkatet tona.

2 Timoteut 3:16

Alma 37:8

Helamani 15:7

ikona e seminarit Pyetjet që i ndihmojnë nxënësit ta vlerësojnë atë që po mësojnë mund t’ju ndihmojnë të përcaktoni kohën kur ata janë gati për të kaluar në pjesën tjetër të mësimit. Për shembull, ju mund të bëni pyetje si ato që vijojnë:

  • Çfarë po mësoni?

  • Çfarë pyetjesh keni për ato që lexoni?

Përgjigjet e nxënësve mund ta ftojnë Frymën e Shenjtë t’ju ndihmojë të dalloni mënyrën se si të reagoni ndaj nevojave të tyre.

Për trajnim shtesë mbi bërjen e pyetjeve për të vlerësuar të mësuarit, shihni pjesën “Always be ready to respond to spiritual promptings about the needs of the learners” [“Jini gjithnjë gati t’u përgjigjeni nxitjeve shpirtërore rreth nevojave të nxënësve”] te Teacher Development Skills [Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve].

Mbreti dhe rrotulla

Ju mund ta përmblidhni ose ta lexoni paragrafin vijues.

Jeremia bëri atë që i urdhëroi Zoti dhe i kërkoi një njeriu me emrin Baruk që t’i shkruante fjalët e Zotit në një rrotull. Për shkak se Jeremia ishte i burgosur, ai i kërkoi Barukut t’ia lexonte fjalët e Zotit popullit të Judës, duke përfshirë disa princave. Pasi e bëri këtë, Baruku ia dha rrotullën princave për t’ia lexuar Jehojakimit, mbretit të Judës (shih te Jeremia 36:4–10, 14–15, 20–21).

Lexo te Jeremia 36:20–24, duke kërkuar mënyrën se si reagoi mbreti Jehojakim kur dëgjoi fjalët në rrotull, siç gjendet në vargun 23.

  • Përse mendon se mbreti reagoi në këtë mënyrë?

Lexo te Jeremia 36:25, duke kërkuar mënyrën se si disa princa u përpoqën të ndikonin te mbreti.

Ftojini nxënësit të imagjinojnë sikur të ishin princat në vargun 25. Duke përdorur atë që kanë mësuar në orën mësimore sot, kërkojuni nxënësve të përgatitin një përgjigje për mbretin që do ta ndihmonte atë të kuptojë mënyrën se si shkrimet e shenjta mund ta bekojnë jetën e tij.

Një mënyrë për ta bërë këtë veprimtari është ta organizoni klasën në grupe me nga tre veta. Çdo nxënës mund të përfaqësojë një nga princat, me grupet që i përgatitin përgjigjet e tyre së bashku. Më pas mund të ftoni një grup të dalë përpara klasës dhe të interpretojë me role ndërveprimin e tij me mbretin. Ju mund të ftoni një nxënës tjetër të luajë rolin e mbretit ose ju si mësues mund ta luani atë rol. Mund të sugjeroni që nxënësit të interpretojnë me role një fund ndryshe për historinë ku mbreti bindet të mos e djegë rrotullën.

  • Cila është një situatë e ditëve të sotme ku mësimet nga përgjigjja jote mund ta ndihmojnë një të ri?

Reflekto mbi atë që ke mësuar

Ju mund të jepni thënien vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi atë që mësuan nga studimi i tyre i kapitullit te Jeremia 36.

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Portrait of Elder D. Todd Christofferson.  Photographed in March 2020.

“Nëpërmjet shkrimeve të shenjta Perëndia vërtet ‘[tregon] … fuqinë e tij’ [shihni tek Alma 37:14] për të shpëtuar dhe ekzaltuar fëmijët e Tij. Me anë të fjalës së Tij … Ai zgjeron kujtesën tonë, hedh dritë mbi pavërtetësinë dhe gabimin e na shtyn të pendohemi dhe të gëzojmë për Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë.” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 33)

Mund të ndihmojë t’u jepni nxënësve kohë për të përsiatur ose shënuar përgjigjen e tyre për pyetjen vijuese para se t’ia thonë klasës.

  • Si mund të ndikohet studimi yt vetjak kur e di se shkrimet e shenjta mund të të ndihmojnë të drejtohesh te Zoti dhe të marrësh faljen dhe udhërrëfimin e Tij?

Kjo mund të jetë një mundësi e mirë për nxënësit që të reflektojnë mbi synimet e tyre për studimin vetjak dhe leximin e detyruar për kreditet e seminarit. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i rishikojnë synimet e tyre dhe të mendojnë rreth mënyrës se si mund të përqendrohen më shumë tek të drejtuarit te Jezu Krishti si pjesë e studimit të tyre vetjak të shkrimit të shenjtë.