“1 Mbretërve 18: Zgjedhja për të Ndjekur Zotin”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“1 Mbretërve 18: Zgjedhja për të Ndjekur Zotin”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
1 Mbretërve 12–13; 17–22: Mësimi 82
1 Mbretërve 18
Zgjedhja për të Ndjekur Zotin
Sa i/e zotuar je për të ndjekur Perëndinë? Për të demonstruar se Perëndia i Izraelit ishte i vetmi Perëndi i vërtetë, Elija i sfidoi priftërinjtë e Baalit në një garë. Zoti iu përgjigj lutjeve të Elijas dhe triumfoi në garë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë më të madhe për të ndjekur Zotin.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për një ose më shumë raste në jetën e tyre kur ata e dinin se Ati Qiellor ose Jezu Krishti ishte i vërtetë, ose kur e ndien fuqinë e Tyre në jetën e vet. Ose mund të mendojnë për atë që mund të bëjnë për të zbuluar nëse Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë të vërtetë dhe nëse duhet t’i ndjekin plotësisht Ata.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
A mund të ndjekim dy ndikime në të njëjtën kohë?
Duke përdorur shirit ngjitës ose ndonjë mjet tjetër, bëni dy vija në dysheme në drejtime të kundërta siç tregohet më poshtë. Kërkojini një nxënësi që të qëndrojë në mes, aty ku afrohen skajet e vijave dhe të vendosë njërën këmbë në secilën vijë.
Kërkojini nxënësit të hedhë nja dy hapa, duke u përpjekur të ecë në të dyja vijat. Pyeteni atë se sa gjatë mendon se mund të jetë i suksesshëm. Nëse është e nevojshme, vini në dukje se, megjithëse është e mundur që dikush të mund të ecë mbi të dyja vijat për një distancë të shkurtër, ai ose ajo nuk do të kishte sukses për shumë gjatë, as nuk do të ecte mirë në asnjërën nga vijat.
Ftojeni nxënësin të kthehet në vendin e vet.
Për këtë mësim, një vijë mund të përfaqësojë udhët e Zotit dhe tjetra mund të përfaqësojë ndikimet e tjera që nuk përputhen me udhët e Zotit.
-
Cilat janë disa mënyra se si mund të përpiqemi të ndjekim Zotin dhe ndikimet e tjera në të njëjtën kohë?
Elija i sfidon priftërinjtë e Baalit në një garë
Përmblidheni paragrafin më poshtë, ose, nëse mendoni se do të ishte e përshtatshme për nxënësit tuaj, shfaqni materialin filmik “Elijah and the Priests of Baal” [“Elija dhe Priftërinjtë e Baalit”] (2:16), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 0:07 deri në 0:33.
Te 1 Mbretërve 18, Elija dëshiroi që mbretëria e Izraelit t’i zotohej plotësisht Zotit. Kishin kaluar rreth tre vjet që nga koha kur Elija e përdori fuqinë e tij vulosëse për të sjellë një thatësirë mbi vend (shih te 1 Mbretërve 17:1). Por Izraeli vazhdoi të adhuronte perënditë e rreme, duke përfshirë Baalin (shih te 1 Mbretërve 18:18). Elija i sfidoi qindra profetët e rremë të Baalit dhe profetët e Asherahut në një garë në malin Karmel për të vërtetuar a ishte Baali apo Jehova Perëndia i vërtetë (shih te 1 Mbretërve 18:19). Para se të fillonte gara, Elija foli me popullin.
Lexo te 1 Mbretërve 18:21, duke kërkuar fjalët e Elijas drejtuar popullit. Fjala lëkund në këtë rast do të thotë të ngurrosh ose të ndalosh.
-
Çfarë i kërkoi Elija popullit që të bënte?
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e riformuloi thënien e Elijas në këtë mënyrë:
“Sot Elia mund të thotë:
Ose Perëndia, Ati ynë Qiellor, ekziston, ose Ai nuk ekziston, por nëse ekziston, adhurojeni Atë.
Ose Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, Shëlbuesi i ringjallur i njerëzimit, ose Ai nuk është, por nëse është, ndiqeni Atë.” (“I Vendosur dhe i Paepur në Besimin te Krishti”, Liahona, nëntor 2018, f. 30)
-
Çfarë të bën përshtypje nga thëniet e Elijas dhe të Plakut Kristoferson?
Ftojini nxënësit të japin mendimet e tyre. Disa të vërteta që mund të mësojmë, janë:
Zoti na lejon të zgjedhim a do të ndjekim Atë apo perënditë e rreme dhe udhët e padrejta të botës.
Kur e dimë se Ati Qiellor ekziston dhe Jezusi është Krishti, ne duhet të zotohemi për t’i ndjekur Ata.
Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Sa fort besoj se e kam një Atë në Qiell dhe një Shpëtimtar?
-
Sa i/e zotuar jam unë për t’i ndjekur Ata?
-
Çfarë mund të më pengojë që të zotohem për t’i ndjekur Ata plotësisht?
Ndërsa e vazhdon studimin tënd, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të të ndihmuar të dish se si mund ta kapërcesh çdo pengesë që mund të të pengojë t’i ndjekësh plotësisht Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Gara ndërmjet Baalit dhe Jehovës
Lexo te 1 Mbretërve 18:23–24, duke kërkuar kushtet e garës ndërmjet Elijas dhe profetëve të rremë të Baalit.
Priftërinjtë e Baalit e provuan të parët, duke i thirrur për orë të tëra perënditë e tyre të rreme. Lexo te 1 Mbretërve 18:26–29, duke kërkuar atë që ndodhi.
-
Çfarë gjete?
Nëse nxënësit e kanë të vështirë t’i kuptojnë këto vargje, merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Elijah and the Priests of Baal” [“Elija dhe Priftërinjtë e Baalit”] nga kodi kohor 0:33 deri në 1:19.
Për veprimtarinë vijuese, merreni parasysh t’u jepni nxënësve një afat kohor rreth pesë minuta për të lexuar vargjet dhe për të kryer udhëzimet vijuese. Theksoni se nuk është e nevojshme që vizatimi të jetë i ndërlikuar.
Për të mësuar atë që ndodhi kur Elija i thirri Perëndisë, lexo te 1 Mbretërve 18:30–39. Më pas, merr një copë letër dhe ndaje atë në gjysmë. Në njërën gjysmë të letrës vizato një figurë të asaj që ndodhi kur Elija e përgatiti sakrificën e tij dhe i thirri Perëndisë.
-
Çfarë do të mendoje dhe ndieje po të ishe atje?
-
Si mund të ndikojë ajo në dëshminë tënde për Zotin dhe në gatishmërinë tënde për ta ndjekur Atë?
Për veprimtarinë vijuese, merreni parasysh t’u jepni nxënësve një afat kohor prej rreth pesë minutash. Nëse do të ishte e dobishme të jepni një shembull të dikujt që arriti të mësonte se Perëndia ishte i vërtetë ose të asaj që bëri për të arritur ta mësonte atë, merreni parasysh të shfaqni një nga materialet filmike vijuese, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
“His Grace: Choosing to Believe in God” [“Hiri i Tij: Zgjedhja për të Besuar te Perëndia”] (4:07)
Në gjysmën tjetër të letrës, shkruaj ose vizato një figurë të një ose më shumë rasteve në jetën tënde kur e kuptove se Ati Qiellor ose Jezu Krishti ishte real, ose kur e ndjeve fuqinë e Tyre në jetën tënde. Ose mund të shkruash ose vizatosh një figurë të asaj që mund të bësh për të zbuluar nëse Ata janë realë dhe nëse duhet t’i ndjekësh Ata plotësisht.
Pasi nxënësit të kenë mbaruar, merreni parasysh t’u jepni kohë shumë vullnetarëve për ta treguar atë që vizatuan ose shkruan nëse nuk është tepër vetjake. Inkurajimi i shumë nxënësve që të shprehen, mund të japë këndvështrime të ndryshme dhe t’i ndihmojë nxënësit e tjerë të kuptojnë se si mund të ndikojnë tek ata të vërtetat që po mësojnë. Mund të jetë gjithashtu e dobishme të bëni pyetje si ato më poshtë.
-
Si të ndihmon reflektimi mbi përvojat e tua kur e ke parë fuqinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit në jetën tënde, në zotimin tënd për t’i adhuruar dhe ndjekur Ata?
-
Si mendon, pse ia vlen t’i ndjekësh plotësisht Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin, Jezu Krishtin?
Vëzhgojini cilësitë e ngjashme me të Krishtit te nxënësit dhe tregojeni atë që keni vënë re. Ju mund të ndihmoni që nxënësit të motivohen që të vazhdojnë të përpiqen fort për t’iu afruar më shumë Zotit, kur vini në dukje mënyrat se si ata janë përmirësuar ose kanë bërë zgjedhje të mira. Për këtë mësim, merreni parasysh t’i vini në dukje mënyrat se si i keni vënë re nxënësit të zgjedhin t’i ndjekin Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Kjo mund të përfshijë përgëzimin e tyre për zgjedhjen për të marrë pjesë në seminar, për të studiuar fjalën e Zotit dhe për të kërkuar t’i afrohen më shumë Atij. Kjo gjithashtu mund të përfshijë cilësi si të Krishtit që i keni vënë re te nxënësit. Për të mësuar më shumë rreth kësaj, shihni te “Help learners intentionally strive to be more like Jesus Christ” [“Ndihmojini nxënësit të përpiqen qëllimisht që të jenë më shumë si Jezu Krishti”] tek Teacher Development Skills [Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve].
Për ta përfunduar këtë mësim, shkruaj në ditarin tënd të studimit se si ndihesh në lidhje me ndjekjen e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit plotësisht. Kërkoje udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të të ndihmuar t’i kujtosh dhe shprehësh ndjenjat e tua. Mund të përfshish atë që do të doje të bëje ose kujtoje për shkak të këtij mësimi.
Jepni dëshminë tuaj për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe bekimet prej ndjekjes së Tyre plotësisht.