Seminari
2 Samuelit 11–12: Ne Nuk Mund t’ia Fshehim Mëkatet Tona Zotit


“2 Samuelit 11–12: Ne Nuk Mund t’ia Fshehim Mëkatet Tona Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“2 Samuelit 11–12: Ne Nuk Mund t’ia Fshehim Mëkatet Tona Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

2 Samuelit 11–12; 1 Mbretërve 3; 6–9; 11: Mësimi 77

2 Samuelit 11–12

Ne Nuk Mund t’ia Fshehim Mëkatet Tona Zotit

Portrait of Christ

Me Zotin në krahun e tij, Davidi e mundi Goliathin, doli fitimtar në betejë dhe u bë mbret i Izraelit. Megjithatë, në ndjekjen epshore të Bath‑Shebës, Davidi u largua nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe ra prej ekzaltimit të tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 132:39). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta pranojnë se nuk mund t’ia fshehin mëkatet e tyre Zotit, por mund t’i drejtohen Atij për ta mposhtur tundimin.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të bëjnë një listë të disa prej gënjeshtrave që përdor Satani për të na tunduar të mëkatojmë (për shembull, nxënësit mund të shqyrtojnë vargjet te 2 Nefi 28:6–9, 20–22). Më pas, ftojini ata të përsiatin mënyrën se si të vërtetat që jepen mësim në ungjillin e Jezu Krishtit, na ndihmojnë t’i drejtohemi Zotit kur përballemi me tundimin.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Vendimet që na drejtojnë te Zoti ose na largojnë prej Tij

A illustration showing two stick figures. one waslking away from Christ, the other, walking towards Christ

Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit me shigjeta që shkojnë drejt figurës dhe larg prej saj. Ftojini nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve vijuese. Nxënësit mund t’i shkruajnë përgjigjet e tyre nën shigjetat e duhura në tabelë.

  • Cilat janë disa gjëra që Zoti na fton t’i bëjmë për t’iu drejtuar Atij?

  • Çfarë gënjeshtrash mund të përdorë Satani për të na bindur të largohemi nga Zoti?

Nxënësit mund të tregojnë një larmi frazash të tilla si këto: “Nuk është ndonjë gjë me rëndësi”; “Mund të pendohesh më vonë” dhe “Nuk po lëndoj askënd”. Nëse nxënësit nuk e përmendin, shkruajeni frazën Askush nuk do ta dijë në tabelë. Paragrafi vijues është një ftesë që nxënësit të përfshijnë Shpirtin ndërsa i marrin parasysh mendimet që kanë kur bëjnë gabime.

Ndalu një çast për ta ftuar Frymën e Shenjtë të të ndihmojë t’i dallosh mendimet ose veprimet në jetën tënde që të drejtojnë ose të largojnë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ndërsa studion, kërko mbresat e Shpirtit që mund të të ndihmojnë të zgjedhësh t’u drejtohesh Atyre.

Vendimet e Davidit për t’u larguar nga Zoti

Ftojini nxënësit të kujtojnë historitë që kanë studiuar, që tregonin se Zoti po e udhërrëfente dhe drejtonte Davidin. Ju mund të tregoni se historia që ata do të studiojnë sot, demonstron atë që ndodhi kur Davidi mori një sërë vendimesh që e larguan atë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Ndërsa një nxënës lexon secilin varg të fragmentit vijues, të tjerët në klasë mund të ngrenë lart fjalën Ndal ose të shprehen me gjeste kur shohin Davidin të marrë një vendim që e largoi atë nga Zoti. Sa herë që ai ndalon, nxënësit mund të diskutojnë pyetjen e mëposhtme.

Lexo me kujdes te 2 Samuelit 11:1–5, duke kërkuar vendimet që mori Davidi, që e çuan atë në drejtimin e gabuar.

  • Çfarë vendimesh zbulove?

Ftojini nxënësit të krijojnë një listë në tabelë të vendimeve që mori Davidi në këto vargje dhe t’i shenjojnë ato në shkrimet e tyre të shenjta. Kolona e majtë e tabelës në këtë mësim përfshin shembujt e asaj që mund të gjejnë nxënësit.

Ne të gjithë përballemi me tundime të cilave është e nevojshme t’u bëjmë qëndresë. Duke e ditur këtë, Zoti dha një siguri të fuqishme te 1 Korintasve 10:13. Lexoje këtë varg duke kërkuar ndihmën që na ka premtuar Zoti.

  • Çfarë zbulove?

Veprimtaria vijuese është një mënyrë për t’i ndihmuar nxënësit të shohin se edhe me tundime si ato me të cilat u përball Davidi, Zoti ka siguruar mësime që mund të na ndihmojnë ta shmangim tundimin dhe t’i shpëtojmë mëkatit. Mund të paraqitni udhëzimet e mëposhtme që nxënësit t’i ndjekin në grupe të vogla ose individualisht. Në varësi të aftësive të nxënësve tuaj, nëse doni, mund t’i paraqitni shkrimet e shenjta në kolonën e dytë dhe ta përshtatni hapin e dytë për t’i vënë nxënësit të lexojnë shkrimin e shenjtë ose shkrimet e shenjta në vend që t’i gjejnë ato.

Plotësoji udhëzimet vijuese:

  1. Përzgjidh një ose më shumë nga vendimet që mori Davidi, që e larguan nga Zoti.

  2. Gjej një shkrim të shenjtë që përfshin ose ilustron një nga mësimet e Shpëtimtarit që mund të na ndihmojë ta shmangim tundimin dhe t’i shpëtojmë një zgjedhjeje të ngjashme.

  3. Përgatitu ta tregosh atë që gjete.

Vendimi i Davidit

Mësimet e Shpëtimtarit dhe profetëve të Tij

Vendimi i Davidit

2 Samuelit 11:1 – Davidi qëndroi në Jerusalem kur mbretërit shkuan në fushën e betejës me ushtritë e tyre.

Mësimet e Shpëtimtarit dhe profetëve të Tij

Alma 7:22; Doktrina e Besëlidhje 42:42

Vendimi i Davidit

2 Samuelit 11:2 – Davidi pa Bath‑Shebën duke u larë dhe nuk ia ndau sytë.

Mësimet e Shpëtimtarit dhe profetëve të Tij

Mosia 4:30; 3 Nefi 12:28–29

Vendimi i Davidit

2 Samuelit 11:3 – Davidi hetoi për të.

Mësimet e Shpëtimtarit dhe profetëve të Tij

Doktrina e Besëlidhje 63:16

Vendimi i Davidit

2 Samuelit 11:4 – Duke e ditur se Bath-Sheba ishte e martuar, Davidi kërkoi që t’ia sillnin në pallatin e tij.

Mësimet e Shpëtimtarit dhe profetëve të Tij

Zanafilla 39:9

Vendimi i Davidit

2 Samuelit 11:4 – Davidi shkeli ligjin e dëlirësisë.

Mësimet e Shpëtimtarit dhe profetëve të Tij

Doktrina e Besëlidhje 42:23–25

  • Çfarë të bëri përshtypje?

  • Çfarë mësove rreth Zotit nga kjo veprimtari studimi?

Për t’i përmbledhur vargjet te 2 Samuelit 11:6–13, mund të shpjegoni se kur mësoi se Bath‑Sheba ishte shtatzënë, Davidi thirri bashkëshortin e saj, Uriahun, që të kthehej në shtëpi nga beteja. Davidi e urdhëroi Uriahun të kalonte natën me Bath‑Shebën që të dukej se Uriahu ishte përgjegjës për shtatzëninë e saj.

Lexo te 2 Samuelit 11:14–17, 26–27, duke kërkuar atë që bëri Davidi kur plani i tij për të fshehur shkeljen e kurorës nuk pati sukses.

  • Çfarë mendimesh ose ndjenjash pate teksa i lexove këto vargje?

Referojuni listës së vendimeve të Davidit në tabelë dhe shtoni Davidi u përpoq t’i fshihte mëkatet e tij.

Shpjegojuni nxënësve se pas vdekjes së Uriahut, Zoti dërgoi profetin e Tij, Nathanin, te mbreti David. Ndërsa lexojnë shëmbëlltyrën vijuese, nxënësit mund ta ilustrojnë historinë në tabelë ose në ditarët e tyre të studimit.

Lexo te 2 Samuelit 12:1–10, duke kërkuar atë që Nathani i tha Davidit.

  • Çfarë të bën përshtypje te kjo shëmbëlltyrë?

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojë dikush nga historia e Davidit?

    Krahas të vërtetave të tjera që mund të përcaktojnë nxënësit, theksoni se ne nuk mund t’ia fshehim mëkatet tona Perëndisë.

    Mund t’i ftoni nxënësit të bëjnë referencë‑kryq ose të lidhin vargjet te 2 Samuelit 12:7–9 me vargjet te 2 Nefi 9:20 dhe Alma 39:8.

  • Në ç’mënyrë është bekim që e kemi të pamundur t’i fshehim mëkatet tona nga Ati ynë i dashur Qiellor?

  • Si mund të na ndihmojë të kuptuarit e kësaj të vërtete që të drejtohemi tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe të pendohemi?

Nëse është e nevojshme, mund t’i referoheni vargut te Doktrina e Besëlidhje 132:39, duke treguar se urdhri për vrasjen e Uriahut ishte përpjekja e fundit e Davidit për t’i fshehur mëkatet e tij. Me këtë vendim, Davidi e humbi ekzaltimin e tij. Sigurojini nxënësit se Zoti e donte ende Davidin, por kishte bekime që Davidi nuk mund t’i merrte si pasojë e vendimeve të tij.

Ne mund të kthehemi sërish te Zoti

Ftojini nxënësit ta përsiatin në heshtje atë që mësuan dhe ndien nga historia e Davidit. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se, për shkak se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na njohin përsosurisht, Ata i kuptojnë rrethanat tona, përse bëmë zgjedhjet që bëmë dhe se si të na ndihmojnë të kthehemi sërish tek Ata.

Disa nxënës mund të ndihen të shkurajuar nga gabimet që kanë bërë. Për t’i ndihmuar të përqendrohen te dëshira e Zotit për t’i falur, mund të shfaqni materialin filmik “The Savior Wants to Forgive” [“Shpëtimtari Dëshiron të Falë”] (5:50) ose “I Stand All Amazed” [“Qëndroj Plot Habi”] (5:15). Të dyja janë në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.

5:50
5:16

Tregoje atë që ke mësuar

Për t’i ndihmuar nxënësit të japin kuptueshmërinë e tyre për të vërtetat që jepen mësim, merreni parasysh të përdorni figurën nga fillimi i orës mësimore. Mund t’i ftoni nxënësit të vizatojnë diçka të ngjashme në ditarët e tyre të studimit. Më pas, paraqitni udhëzimet vijuese që nxënësit t’i përmbushin.

Në ditarin e studimit, përzgjidh një nga vendimet që mori Davidi ose një tundim me të cilin mund të përballet një adoleshent sot. Imagjino sikur po i jep këshillë dikujt që po mendon ta marrë atë vendim. Zgjidh të paktën dy mundësi nga lista vijuese për ta treguar atë që ke mësuar.

  1. Një përmbledhje të asaj që ke mësuar sot rreth mosfshehjes së mëkateve dhe, përkundrazi, të drejtuarit tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

  2. Një fragment të shkrimit të shenjtë që ilustron atë që kanë dhënë mësim Shpëtimtari dhe profetët e Tij rreth mposhtjes së tundimit që përzgjodhe.

  3. Një përvojë që e ke pasur ti ose dikush që e njeh, që të ka ndihmuar t’u drejtohesh Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit kur përballesh me tundim.

  4. Një dëshmi të shkurtër të fuqisë së Shpëtimtarit për të na ndihmuar ta mposhtim tundimin dhe të pendohemi kur mëkatojmë.

Merreni parasysh ta përmbyllni orën mësimore me dëshminë tuaj që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i njohin dhe i duan nxënësit përsosurisht. Mund t’i siguroni nxënësit se, pavarësisht se me cilat vështirësi përballemi, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na duan dhe mezi presin të na ndihmojnë të pendohemi.