“Ushtrimi 5 i Zotërimit Doktrinor: Mësimi Përmendsh i Fragmenteve dhe Zbatimi i Parimeve të Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Ushtrimi 5 i Zotërimit Doktrinor: Mësimi Përmendsh i Fragmenteve dhe Zbatimi i Parimeve të Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
1 Samuelit 17–18; 24–26; 2 Samuelit 5–7: Mësimi 76
Ushtrimi 5 i Zotërimit Doktrinor
Mësimi Përmendsh i Fragmenteve dhe Zbatimi i Parimeve të Marrjes së Njohurisë Shpirtërore
Zotërimi doktrinor i ndihmon nxënësit ta ndërtojnë jetën e tyre mbi themelin e Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i mësojnë përmendsh frazat kyç të shkrimit të shenjtë te fragmentet e zotërimit doktrinor dhe t’i zbatojnë parimet hyjnore të marrjes së njohurisë shpirtërore.
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të zgjedhin dhe të fillojnë të mësojnë përmendsh një fragment të shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor. Programi Kompjuterik Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor] mund të jetë një burim i dobishëm. Një listë e fragmenteve mund të gjendet te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023).
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përsëritja e zotërimit doktrinor: Mëso përmendsh
Mund ta filloni orën mësimore duke i ndihmuar nxënësit të shohin vlerën e mësimit përmendsh të referencave të zotërimit doktrinor dhe frazave kyç të shkrimit të shenjtë. Një mënyrë për ta bërë këtë mund të jetë duke bërë pyetjet vijuese.
-
Cila është gjëja e parë që mban mend ta kesh mësuar përmendsh? A e di ende atë?
-
A ke mësuar ndonjëherë përmendsh një shkrim të shenjtë? Çfarë dobie kishte nga mësimi përmendsh i tij?
-
A mund të mendosh për raste kur Shpëtimtari të solli në mendje shkrime të shenjta të mësuara përmendsh?
Nëse është e nevojshme, kujtojuni nxënësve se Jezu Krishti citoi shkrime të shenjta në disa rrethana, të tilla si kur u tundua nga Satani (shihni te Mateu 4:4, 7, 12), kur iu bënë pyetje të vështira (shihni te Mateu 9:13; 15:4, 7–9; Marku 10:7–8) dhe kur u dha mësim nefitëve (shihni tek 3 Nefi 22; 24–25).
Për t’i ndihmuar nxënësit t’i mësojnë përmendsh referencat e zotërimit doktrinor dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë, merreni parasysh të bëni sa vijon. Ose zgjidhni një veprimtari tjetër të mësimit përmendsh nga “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor” te shtojca.
Paraqitni një listë të fragmenteve të zotërimit doktrinor që nxënësit i kanë studiuar deri tani. Ftojini nxënësit të zgjedhin një fragment që do të donin ta mësonin përmendsh. Më pas ftojini nxënësit të përfundojnë sa vijon.
Shkruaji referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç në ditarin tënd (mundësisht me laps). Më pas lexoji për vete me zë të lartë. Pasi t’i lexosh, fshi ose hiq një ose dy fjalë apo numra. Lexoji me zë të lartë përsëri. Përsërite këtë proces derisa t’i kesh fshirë të gjitha fjalët dhe numrat. Më pas shih nëse mund t’i shkruash referencën dhe frazën kyç përmendsh.
Nëse ka kohë të mjaftueshme, nxënësit mund ta përsëritin procesin me një fragment tjetër.
Mësoji dhe zbatoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore
Mund të jetë e dobishme që nxënësit të kenë shumë mundësi për t’i përsëritur parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Përsëritja do t’i ndihmojë nxënësit t’i përvetësojnë parimet në mënyrë që të mund t’i përdorin në kohë nevoje. Merreni parasysh t’i përsëritni parimet duke përdorur një nga veprimtaritë e përsëritjes të sugjeruara nën kreun “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor” te shtojca. Përshkrimet e parimeve gjenden në paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” të materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023).
Sigurojuni nxënësve një skenar që i ndihmon ata të trajtojnë pyetjet rreth vlerës së secilit person si një fëmijë i Perëndisë dhe rëndësisë së të parit dhe të trajtuarit të të tjerëve në mënyrën që i trajton Shpëtimtari. Nxënësit kanë mësuar kohët e fundit të vërteta rreth identitetit tonë hyjnor (shihni te Zanafilla 1:26–27), mënyrës se si na sheh Zoti (shihni te 1 Samuelit 16:7) dhe mënyrës se si populli i Zotit duhet të jetë i bashkuar (shihni te Moisiu 7:18).
Mund ta jepni skenarin vijues siç është, ose mund ta përshtatni atë për t’i plotësuar më mirë nevojat e nxënësve. Një mundësi tjetër është të përdorni materialin filmik “Bullying – Stop It” [“Bullizmi – Ta Ndalojmë Atë”] (10:22), që gjendet në ChurchofJesusChrist.org. Shfaqeni materialin filmik nga kodi kohor 0:00 deri në 6:50. Më pas ndalojeni materialin filmik dhe vazhdoni me veprimtaritë e mësimit.
Merre parasysh skenarin vijues:
Joni i përket një grupi shokësh që shpesh tregohen jodashamirës me të tjerët në shkollë dhe në rrjetet sociale. Ata mendojnë se ajo që po bëjnë, është thjesht për të qeshur dhe argëtuese. Një ditë, ndodh që Joni sheh që po ngacmojnë motrën e tij më të vogël. Ai e sheh se sa e lënduar është motra e tij. Ai shqetësohet se si mund të ndikojë bullizmi tek ajo. Të parit se si e bullizojnë motrën e tij e shtyn Jonin të dallojë diçka që nuk e ka parë më parë. Ai dallon mënyrën se si ai dhe shokët e tij i bëjnë të ndihen të tjerët. Ai ndihet i shkurajuar dhe pyet veten se çfarë duhet të bëjë tani.
-
Çfarë vendimesh të vështira rreth mënyrës se si ai duhet t’i trajtojë të tjerët mund të mendojë të marrë Joni? Përse mund të jetë e vështirë t’i bësh këto ndryshime?
Për t’i ndihmuar nxënësit t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në skenar, mund t’i ftoni ata të bëjnë sa vijon.
Zgjidh një nga tre parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore që ti mendon se mund të ishin të dobishme për Jonin. Përfundoje veprimtarinë më poshtë që përkon me parimin që zgjodhe.
Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm
Bëj një listë të gjithçkaje që ti mendon se do të donte Ati Qiellor që të dinte Joni. Mendo rreth mësimeve të shkrimeve të shenjta, të tilla si Zanafilla 1:26–27 dhe 1 Samuelit 16:7 që mund ta ndihmojnë atë ta shohë veten dhe të tjerët në mënyrë më të saktë.
Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore
Bëj një listë të shkrimeve të shenjta ose bisedave të konferencave të përgjithshme që Joni mund t’i studiojë për ta ndihmuar të zgjedhë të pendohet dhe të ndryshojë.
Mund të shkosh te nënndarja “Konferenca e Përgjithshme” te programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Shko tek “Temat” dhe zgjidh një temë që lidhet me situatën e Jonit, e tillë si dashuria hyjnore, dhembshuria, shembulli ose pendimi. Kërko në një bisedë dhe gjej një thënie që mund ta forcojë ose udhëzojë Jonin.
Nëse të nevojitet ndihmë për të gjetur një shkrim të shenjtë, mund të përsëritësh fragmentet e shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor.
Vepro me besim
Për të treguar se çfarë mund të bëjë Joni, krijo një tregim vizatimor me tre deri në gjashtë figura, që ilustron mënyrën se si ai mund të veprojë me besim te Jezu Krishti. Si pjesë e tregimit tënd vizatimor, merr parasysh mënyrën se si Joni mund ta përdorë njohurinë e tij për Jezu Krishtin.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta tregojnë atë që studiuan. Kërkojuni nxënësve të tregojnë mendimet që kanë ndërsa dëgjojnë bashkëmoshatarët e tyre.
Nëse e shfaqët materialin filmik, mund të doni të shfaqni pjesën tjetër të materialit filmik nga kodi kohor 6:51 deri në 10:23. Mund t’u kërkoni nxënësve të shohin mënyrën se si i riu pati dobi nga parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore, ose i zbatoi ato.
Nëse e përdorët skenarin, mund t’i ftoni nxënësit të krijojnë pjesën tjetër të historisë në grupe të vogla. Ftojini grupet të krijojnë dy pjesët vijuese të historisë:
-
Reagimi i Jonit ndaj njerëzve me të cilët u tregua jodashamirës
-
Reagimi i Jonit ndaj shokëve të tij
Jepuni nxënësve kohë të mjaftueshme për ta përfunduar skenarin. Më pas mund t’i ftoni nxënësit të bëjnë diçka sot për ta zbatuar një ose më shumë nga parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në një situatë me të cilën po përballen ose do të përballen.
Përmbylleni duke dhënë dëshminë tuaj për mënyrën se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do t’i ndihmojnë nxënësit në sfidat vetjake ndërsa shohin tek Ata për drejtim.