“1 Samuelit 25: Shpëtimtari na Ndihmon të Falim”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“1 Samuelit 25: Shpëtimtari na Ndihmon të Falim”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
1 Samuelit 17–18; 24–26; 2 Samuelit 5–7: Mësimi 75
1 Samuelit 25
Shpëtimtari na Ndihmon të Falim
Gjatë gjithë jetës sonë, ka gjasa që njerëzit e tjerë të na lëndojnë ose fyejnë. Davidi u fye nga një njeri i quajtur Nabal. Si një simbol i Jezu Krishtit, gruaja e Nabalit, Abigaili, ndërhyri dhe e ndihmoi Davidin të falte. Ne mund të mësojnë më shumë rreth Jezu Krishtit dhe ndihmës që na jep Ai duke e krahasuar Abigailin me Të. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si mund t’i ndihmojë Jezu Krishti t’i falin të tjerët.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë, shikojnë ose dëgjojnë fjalimin “Diademë në Vend të Hirit: Shtegu Shërues i Faljes” nga Motra Kristin M. Ji (Liahona, nëntor 2022, f. 36–38). Ata mund ta studiojnë të gjithë fjalimin ose pjesë që ju i keni përzgjedhur paraprakisht. Ftojini nxënësit të vijnë në orën mësimore të përgatitur për të treguar idetë që fitojnë rreth marrjes së ndihmës së Shpëtimtarit për t’i falur të tjerët.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Shlyerja e Jezu Krishtit
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të Jezu Krishtit, të tillë si ajo në fillim të këtij mësimi. Shkruajeni në tabelë thënien vijuese të paplotë. Ftojini nxënësit të përdorin ditarët e tyre të studimit për të renditur disa mënyra se si mund ta përfundojnë atë. Mund të luani muzikë nderuese ndërkohë që nxënësit reflektojnë dhe shkruajnë.
Për shkak të Jezu Krishtit, unë mund …
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini nxënësit e gatshëm të tregojnë se si e plotësuan thënien. Ata mund të shprehin edhe ndjenjat ose bindjet e tyre rreth asaj që tregojnë. Paraqitni thënien vijuese për t’i përkrahur ose shtuar në listat që krijuan nxënësit.
Presidenti Rasëll M. Nelson përshkroi diçka që mund ta bëjmë të gjithë ne për shkak të Jezu Krishtit:
“Nëpërmjet Shlyerjes … të pafundme [të Shpëtimtarit] ju mund t’i falni ata që ju kanë lënduar dhe ata që mund të mos pranojnë kurrë përgjegjësi për mizorinë e tyre ndaj jush.
Është zakonisht e lehtë ta falni dikë që sinqerisht dhe përulësisht e kërkon faljen tuaj. Por Shpëtimtari do t’ju japë aftësinë që të falni çdo njeri që ju ka keqtrajtuar në çfarëdolloj mënyre. Atëherë veprimet e tyre lënduese nuk mund ta gërryejnë më shpirtin tuaj.” (“Katër Dhurata që Ju Ofron Jezu Krishti” [takim shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë, 2 dhjetor 2018], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit])
-
Çfarë bën të mundur Jezu Krishti nëpërmjet Shlyerjes së Tij?
Plotësojeni thënien në tabelë me të vërtetën vijuese: Për shkak të Jezu Krishtit, unë mund t’i fal njerëzit që më kanë lënduar. Mund t’i ftoni nxënësit ta shtojnë këtë të vërtetë në ditarët e tyre nëse nuk ishte pjesë e listës së tyre fillestare.
Davidi dhe Nabali
1 Samuelit 25 përmban një tregim në të cilin veprimet e gruas së Nabalit, Abigailit, mund të krahasohen me ato të Jezu Krishtit. Ky krahasim na ndihmon të mësojmë më shumë rreth Tij. Ndonjëherë këto lloj krahasimesh quhen simbole të Jezu Krishtit. Inkurajojini nxënësit ta ftojnë Frymën e Shenjtë t’i ndihmojë të kuptojnë simbolin e Krishtit në këtë kapitull. Mund të jetë e dobishme ta përmblidhni të gjithë tregimin para se nxënësit të fillojnë të studiojnë në mënyrë që ata të përqendrohen më mirë tek të kërkuarit e asaj që mësojmë nga ky tregim rreth Krishtit.
Ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij udhëtonin në shkretëtirë, ata takuan shërbëtorët e një njeriu të quajtur Nabal. Gjatë kohëve të betejës, ushtarët e lodhur shpesh e shkelnin ligjin për të marrë atë që u nevojitej. Davidi dhe njerëzit e tij kishin nevojë për ndihmë dhe përkrahje. Nabali ishte një njeri i pasur dhe kishte një numër të madh kopesh me bagëti të imët dhe të trashë. Në vend që t’i trajtonin shërbëtorët e Nabalit me ashpërsi dhe të merrnin atë që u nevojitej, Davidi dhe ushtarët e tij u treguan shpirtmirë me këta shërbëtorë dhe nuk morën asgjë prej tyre (shih te 1 Samuelit 25:7, 15–16). Davidi dërgoi 10 nga shërbëtorët e tij për t’i kërkuar në paqe Nabalit ushqimin dhe mjetet për të cilat kishin shumë nevojë (shih te 1 Samuelit 25:5–9). Nabali e fyeu Davidin dhe nuk pranoi ta ndihmonte atë dhe ushtrinë e tij (shih te 1 Samuelit 25:10–11).
Nën thënien e plotësuar në tabelë, mund të vizatoni dy fytyra. Emërtojeni njërën Davidi dhe tjetrën Nabali. Lini hapësirë për të vizatuar një fytyrë ndërmjet të dyjave më vonë në mësim. Nën fytyrën që përfaqëson Davidin, mund të shkruani: Shpirtmirë me shërbëtorët e Nabalit; Kërkoi ndihmë nga Nabali. Nën fytyrën që përfaqëson Nabalin, mund të shkruani: Fyeu Davidin; Nuk pranoi t’i ndihmonte. Mund t’i ftoni nxënësit t’i ndryshojnë emocionet e fytyrave ndërsa i lexojnë vargjet më poshtë.
Ftojeni gjysmën e klasës të lexojë rreth Nabalit dhe gjysmën tjetër të lexojë rreth Davidit.
-
Lexo te 1 Samuelit 25:3, 14, 17, 25, duke kërkuar karakteristikat e Nabalit.
-
Lexo te 1 Samuelit 25:13, 21–22, duke kërkuar reagimin e Davidit ndaj fyerjeve të Nabalit dhe refuzimit për t’i ndihmuar.
Kërkojini një vullnetari nga secili grup që ta shkruajë në tabelë atë që mësuan rreth personit që iu caktua. Për shembull, nën emërtimin Nabal, ata mund të shkruajnë I vrazhdë; I lig; I pandjeshëm. Nën emërtimin David, ata mund të shkruajnë I zemëruar; U ndie i keqtrajtuar; Kërkoi të merrte hak. Nxënësit mund t’i ndryshojnë emocionet në secilën fytyrë për të reflektuar atë që mësuan.
Jepuni nxënësve një mundësi për të menduar rreth rrethanave të tyre. Sigurojini ata se nuk do t’i tregojnë përgjigjet e tyre për këtë vetëvlerësim.
Përsiati përgjigjet e tua ndaj pyetjeve vijuese:
-
Kur të ka keqtrajtuar dikush tjetër?
-
Çfarë përpjekjesh, suksesesh ose vështirësish ke bërë ose ke pasur për ta falur këtë person për keqtrajtimin e tij?
Abigaili si një simbol i Krishtit
Përgatitini nxënësit të studiojnë rreth Abigailit duke paraqitur aftësinë e studimit të gjetjes së simboleve të Krishtit. Shpjegoni se nxënësit mund të kërkojnë gjërat që thotë ose bën Abigaili, që u kujtojnë atyre Jezu Krishtin, rolet e Tij dhe misionin e Tij në planin e Atit Qiellor.
Një shërbëtor i Nabalit dëshmoi konfliktin ndërmjet zotërisë së tij dhe Davidit. Shërbëtori e informoi Abigailin, gruan e Nabalit (shih te 1 Samuelit 25:14–17). Kur Abigaili mësoi për këtë konflikt, ajo ndërhyri në emër të Nabalit dhe i kërkoi Davidit ta falte atë (shih te 1 Samuelit 25:18–20, 23–28). Abigaili mund të shihet si një simbol i Krishtit. Ne mund të gjejmë simbole të Krishtit ndërsa i studiojmë shkrimet e shenjta dhe kërkojmë mënyrën se si individët, objektet ose edhe ngjarjet na ndihmojnë të mendojmë për Krishtin.
Në tabelë, vizatoni një fytyrë ndërmjet Davidit dhe Nabalit. Emërtojeni këtë fytyrë Abigaili. Jepuni nxënësve kohë të mjaftueshme për ta studiuar sa vijon individualisht ose në grupe të vogla.
Lexo te 1 Samuelit 25:18–19, 23–28, 31, duke kërkuar ndonjë gjë që tha ose bëri Abigaili, që është e ngjashme me diçka që ka thënë ose bërë Jezu Krishti. Merre parasysh ta shenjosh atë që gjen.
Nën fytyrën që përfaqëson Abigailin, bëni një listë të gjërave që gjetën nxënësit. Përgjigjet e mundshme mund të jenë: Siguroi përkrahje të bollshme (vargu 18); I mori përsipër gabimet e Nabalit (vargu 24); I kërkoi Davidit ta falte atë për gabimet e Nabalit (vargu 28); Punoi për të larguar hidhërimin dhe fyerjen nga zemra e Davidit (vargu 31).
-
Në ç’mënyrë është Abigaili një simbol i Jezu Krishtit?
Motra Kristin M. Ji, e Presidencës së Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, dha pikëpamjen për aftësinë e Shpëtimtarit për të na ndihmuar të falim.
“Në këtë rrëfim, Abigaili mund të shihet si një model ose si simbol i fuqishëm i Jezu Krishtit. Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Ai mund të na çlirojë nga mëkati dhe pesha e një zemre plot mllef dhe të na japë përkrahjen që na nevojitet.
Ashtu siç ishte e gatshme Abigaili që të merrte mbi vete mëkatin e Nabalit, ashtu edhe Shpëtimtari, në një mënyrë të paperceptueshme, mori mbi Vete mëkatet tona dhe të atyre që na kanë lënduar apo fyer. …
Sjellja nga Abigaili e një sasie të bollshme ushqimesh dhe furnizimesh mund të na mësojë se Shpëtimtari u ofron njerëzve që janë lënduar dhe dëmtuar, përkrahjen dhe ndihmën që na nevojitet për shërim dhe shëndet të plotë. …
Ashtu siç e ndihmoi Abigaili Davidin që të mos mbetej me një ‘brejtje [të] ndërgjegjes’ [1 Samuelit 25:31] dhe të merrte ndihmën që i nevojitej, ashtu do t’ju ndihmojë ju edhe Shpëtimtari.” (“Diademë në Vend të Hirit: Shtegu Shërues i Faljes”, Liahona, nëntor 2022, f. 36, 37)
Ftojini nxënësit të tregojnë se çfarë është kuptimplotë për ta nga thënia e Motrës Ji. Ndërsa nxënësit tregojnë, mund ta zëvendësoni fytyrën që përfaqëson Abigailin, me figurën e Jezu Krishtit që paraqitët më herët në mësim, duke e vendosur figurën e Shpëtimtarit ndërmjet fytyrave të Nabalit dhe Davidit.
-
Si na ndihmon Shpëtimtari që t’i falim të tjerët?
Lexo te 1 Samuelit 25:32–35, duke kërkuar mënyrën se si ndikuan veprimet e Abigailit te Davidi.
-
Si mund të ndihemi njëlloj kur marrim ndihmën e Shpëtimtarit për t’i falur të tjerët?
Demonstro kuptueshmëri
Jepuni nxënësve një mundësi për ta shprehur atë që kuptojnë rreth aftësisë së Shpëtimtarit për t’i ndihmuar ata t’i falin të tjerët. Sa vijon është një mënyrë se si mund ta bëni këtë.
Plotësoje sa vijon në ditarin tënd të studimit:
-
Vizato një fytyrë që përfaqëson ndjenjat e tua kur dikush të lëndon ose të fyen.
-
Afër asaj figure, vizato një fytyrë që përfaqëson një person që mund të të ketë lënduar.
-
Ndërmjet dy vizatimeve, bëj një listë të asaj që kupton rreth Shpëtimtarit, që mund të të ndihmojë t’i falësh të tjerët.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta tregojnë atë që shkruan rreth Shpëtimtarit. Mund t’i inkurajoni gjithashtu t’ua tregojnë atë që kanë mësuar, të tjerëve jashtë klasës. Shtoni dëshminë tuaj për ndihmën që na ofron Shpëtimtari ndërsa përpiqemi t’i falim të tjerët.