Biblioteka
Të Mësuarit dhe Mësimdhënia e Ungjillit të Jezu Krishtit


“Të Mësuarit dhe Mësimdhënia e Ungjillit të Jezu Krishtit”, Tema dhe Pyetje (2023)

Jezu Krishti duke i dhënë mësim një grupi të vogël

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Të Mësuarit dhe Mësimdhënia e Ungjillit të Jezu Krishtit

Afrimi më shumë me Krishtin nëpërmjet doktrinës së Tij

Të mësuarit është diçka e fuqishme. Njohuria na e hap mendjen ndaj ideve të reja dhe mundëson shumë përvoja të mrekullueshme. Mirëpo të mësuarit e të vërtetave të ungjillit të Jezu Krishtit është edhe më e rëndësishme. Të mësuarit dhe zhvillimi janë disa nga arsyet më të rëndësishme pse erdhëm në këtë tokë. Të mësuarit është ajo që na mundëson të bëhemi njeriu që është e thënë vërtet të jemi dhe të arrijmë potencialin tonë si fëmijë të Perëndisë dhe trashëgimtarë të mbretërisë së Tij. Një nga qëllimet kryesore të ardhjes në këtë tokë, ishte të mësonim gjëra që përndryshe nuk do të kishim si t’i dinim.

Si ndjekës të Jezu Krishtit, ne kemi gjithashtu shumë mundësi ta japim mësim ungjillin e Tij dhe ta përhapim paqen dhe gëzimin e Tij tek të tjerët. Zoti u tha shenjtorëve të hershëm: “Caktoni mes jush një mësues dhe mos jini të gjithë zëdhënës në të njëjtën kohë; por njëri duhet të flasë në një kohë dhe të gjithë të dëgjojnë thëniet e tij, që kur të gjithë të kenë folur, të gjithë të jenë lartësuar prej gjithçkaje dhe që cilido të ketë një privilegj të barabartë” (Doktrina e Besëlidhje 88:122). Të gjithë ne bekohemi teksa ia vëmë veshin mesazhit të ungjillit dhe ushtrojmë besim në të, siç jepet mësim nga udhëheqësit e Kishës, mësuesit, prindërit, fëmijët e të tjerët. Të gjithë ne mund ta mësojmë e ta japim mësim ungjillin në kishë, shtëpi dhe kudo tjetër ku jemi.

Pse Është e Rëndësishme ta Mësojmë Ungjillin e Jezu Krishtit dhe t’ia Japim Mësim të Tjerëve?

Ne e studiojmë dhe e japim mësim ungjillin për të forcuar besimin tonë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe besimin e njerëzve që kemi përreth. Na ndihmon gjithashtu që të bëhemi më shumë si Ata dhe përfundimisht të kthehemi në shtëpinë tonë qiellore për të jetuar me Ta. Kur e japim mësim ungjillin, ndjekim shembullin e Jezu Krishtit, i cili ishte Mësuesi më i madh. Teksa e mësojmë dhe e jetojmë ungjillin dhe më pas ua japim mësim të tjerëve, të gjithë ne mund të vijojmë në shtegun që të kthen te Perëndia.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Mësimdhënia e Ungjillit

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Kthimi në Besim te Jezu Krishti, Profetët, Shkrimet e Shenjta, E Vërteta

Pjesa 1

Në Kërkojmë të Mësojmë me Anë të Studimit dhe të Besimit

grua duke studiuar shkrimet e shenjta

Nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit, ne mund të përparojmë shpirtërisht. Ne i mësojmë mësimet e ungjillit të Tij teksa i lexojmë shkrimet e shenjta duke i studiuar ato me anë të besimit dhe teksa e ndjekim “zëri[n] [e] shërbëtorëve të [Tij]” (Doktrina e Besëlidhje 1:38; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 88:118). Shpirti i Shenjtë mund të na i pohojë të vërtetat e ungjillit teksa i studiojmë dhe veprojmë sipas asaj që mësojmë, duke na ndihmuar të rritemi e të bëhemi më shumë si Perëndia (shihni te Doktrina e Besëlidhje 19:23).

Gjëra për t’i menduar

  • Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Çfarëdo pyetjesh apo problemesh të keni, përgjigjja gjendet gjithmonë në jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit. Mësoni më shumë për Shlyerjen e Tij, dashurinë e Tij, mëshirën e Tij, doktrinën e Tij dhe ungjillin e Tij të rivendosur të shërimit dhe përparimit. Drejtohuni tek Ai! Ndiqeni Atë!” Si kanë marrë përgjigje pyetjet dhe problemet tuaja teksa i keni studiuar jetën dhe mësimet e Shpëtimtarit? Si ju ka ndihmuar besimi të mësoni përgjigjet që ju nevojiten gjatë atyre rasteve? Merreni parasysh se çfarë mund të mësoni rreth Shpëtimtarit këtë javë me anë të studimit dhe të besimit, që mund t’ju ndihmojë për një pyetje apo shqetësim me të cilin përballeni sot. Mund të shkruani një plan dhe pastaj të vini kujtues për ta ndjekur ecurinë.

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Lexojeni dhe përsiateni këshillën e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 88:118. Cili është ndryshimi midis të mësuarit me anë të studimit dhe të mësuarit me anë të besimit? Si bashkëveprojnë këto dy parime? A i qasemi studimit të ungjillit ndryshe nga studimi në shkollë apo të mësuarit rreth diçkaje në internet? Pse? Çfarë nënkupton Zoti me frazën “librat më të mirë”? Secili prej jush mund të studiojë një pjesë nga “E vërteta do t’ju bëjë të lirë” te materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve dhe më pas të bisedoni rreth gjërave që mësoni lidhur me bekimet e marrjes së njohurisë. Merreni parasysh të vendosni një synim që lidhet me diçka që mësoni.

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Ne Ndjekim Shembullin e Jezu Krishtit teksa e Japim Mësim Ungjillin e Tij

grua duke dhënë mësim nga shkrimet e shenjta

Të gjithë ne kemi nevojë “të ushqehe[mi] nga fjala e mirë e Perëndisë” (Moroni 6:4) që të na ndihmojë ta arrijmë potencialin tonë të përjetshëm. Shpërndarja e ungjillit të Jezu Krishtit mund të na ndihmojë të gjithëve të përparojmë shpirtërisht përgjatë shtegut të besëlidhjeve. Teksa japim mësim me dashuri dhe udhëhiqemi nga Shpirti, të gjithë mund ta ndiejmë të vërtetën e mesazheve që japim dhe mund të dëshirojmë të ndryshojmë e ta ndjekim Jezu Krishtin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 42:12–14).

Ne e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit të mësimdhënies ndaj të tjerëve (shihni te Gjoni 7:14–18) teksa i duam ata që u japim mësim, teksa japim mësim me anë të Shpirtit, teksa japim mësim doktrinën e vërtetë të Krishtit dhe teksa ftojmë të mësuarit me zell. Ftesa për të mësuar me zell përfshin inkurajimin e nxënësve për të vepruar. “Që nga fillimi i shërbesës së Tij, Shpëtimtari i ftoi ndjekësit e Tij t’i përjetonin vetë të vërtetat, fuqinë dhe dashurinë që ofroi Ai. Ai e bëri këtë sepse ky është të mësuarit e vërtetë. Nuk do të thotë thjesht të dëgjosh ose të lexosh; do të thotë gjithashtu të ndryshosh, të pendohesh dhe të përparosh.”

Gjëra për t’i menduar

  • Parathënia te manuali Eja, Më Ndiq, na ndihmon të kuptojmë se pse mësimdhënia është një përgjegjësi e shenjtë. Aty thuhet: “Qëllimi i gjithë të mësuarit dhe mësimdhënies së ungjillit është që ta thellojë kthimin tonë në besim dhe të na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Jezu Krishti”. Mund të zgjidhni një pjesë për ta studiuar te materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, për t’ju ndihmuar që të jepni mësim më shumë si Jezu Krishti. Si mund ta jepni më mirë mësim ungjillin që t’ju udhëheqë ju dhe të tjerët për t’u bërë më shumë si Ai? Çfarë gjërash të vogla mund të bëni për ta dhënë më mirë mësim ungjillin në shtëpi, në kishë ose në mjedise të tjera? Si mund të synoni ta mësoni ungjillin më me zell që të mund t’ua jepni më mirë mësim të tjerëve?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Në mesazhin e tij të konferencës së përgjithshme “E Vërteta e Përjetshme”, Plaku Xhon C. Pingri i Riu dha mësim: “Synimi ynë është ta japim mësim të vërtetën në një mënyrë që e fton fuqinë kthyese në besim të Frymës së Shenjtë”. Më pas ai bëri pesë ftesa të thjeshta nga Zoti dhe profetët e Tij që mund të na ndihmojnë ta ftojmë Shpirtin teksa japim mësim. Mund t’i diskutoni këto shtatë parime dhe mënyrën se si mund të na ndihmojnë ta japim mësim ungjillin me fuqi me anë të Shpirtit. Ndoshta mund të sajoni një mënyrë zbavitëse për ta ndihmuar njëri‑tjetrin të mbani mend shtatë parimet që të mund t’i vini në zbatim, të tilla si një veprimtari me akronime ose teknika të tjera të thjeshta mësimore për të mbajtur mend.

  • Te materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, Presidenca e Parë bëri ftesë: “Mësoni më shumë për Jezu Krishtin dhe mënyrën se si Ai e dha mësim ungjillin. Studiojini me lutje fjalët e Tij, veprimet e Tij dhe cilësitë e Tij dhe përpiquni fort ta ndiqni Atë më nga afër.” Diskutoni për disa nga fjalët, veprimet dhe cilësitë e Shpëtimtarit. Si mund t’ju ndihmojnë ato për ta ftuar Shpirtin kur e jepni mësim ungjillin? Materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit flet edhe për këto katër parime të mësimdhënies si të Krishtit: Duajini ata të cilëve u jepni mësim, jepni mësim me anë të Shpirtit, jepeni mësim doktrinën dhe ftoni të mësuarit me zell. Bisedoni rreth mënyrave se si mund t’i vini në zbatim këto parime teksa i jepni mësim të vërtetat e ungjillit në shtëpi, kishë dhe kudo tjetër. Mund të përfundoni gjithashtu edhe vlerësimin vetjak te faqja 37 e materialit Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit. Mund t’i diskutoni pikëpamjet që merrni, dhe pastaj të merrni parasysh plot lutje nëse ka ndryshime që do të donit të bënit te mënyra se si e përgatitni dhe e jepni mësim ungjillin e Krishtit.

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Të Mësuarit dhe Mësimdhënia e Ungjillit Kanë më Shumë Efekt Kur Përqendrohen te Shtëpia

familje duke lexuar shkrimet e shenjta

Për t’u kthyer në besim te Zoti Jezu Krisht, ne kemi nevojë ta mësojmë ungjillin vetë. Ndër të tjera, prindërit janë përgjegjës për t’ua mësuar ungjillin fëmijëve të tyre (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:25–28). Kur është e mundur, shtëpia është mjedisi më i mirë për të mësuar të vërtetat e ungjillit. Gjithkush bekohet teksa udhëheqësit dhe mësuesit e Kishës e nxitin dhe përkrahin të mësuarit dhe mësimdhënien e ungjillit të përqendruar te shtëpia. Teksa e studiojmë me lutje ungjillin në shtëpitë tona, ne mund të shpenzojmë më shumë kohë dhe të kemi përvoja më të larmishme duke e mësuar ungjillin. Më pas, mund edhe ta përhapim në kishë atë njohuri që marrim, për t’i bekuar dhe mësuar të tjerët.

Plaku Devin G. Durrant dha këtë këshillë të mençur: “Për të gjithë ju që po përpiqeni fort të bëni më të mirën për të dhënë mësim në shtëpitë tuaja, uroj që të gjeni paqe dhe gëzim në përpjekjet tuaja. Dhe nëse ndieni se ka vend për përmirësim apo keni nevojë për një përgatitje më të madhe, ju lutem, përgjigjuni me përulësi kur Shpirti ju nxit dhe zotohuni për të vepruar.”

Gjëra për t’i menduar

farë dhe pemë
  • Mendoni për mrekullinë e një fare të vogël që bëhet një pemë e madhe teksa lexoni dhe përsiatni vargjet tek Alma 32:28–31. Pastaj lexoni këtë këshillë nga Vëllai Xhen E. Njuman: “Fëmijët trashëgojnë shumë gjëra nga prindërit e vet, por një dëshmi nuk është njëra prej atyre gjërave. Ne nuk mund t’u japim fëmijëve tanë një dëshmi ashtu si nuk mund të bëjmë që një farë të rritet. Por mund të sigurojmë një mjedis ushqyes, me dhe të mirë, të pastruar nga gjembat që do ta ‘mbys[n]in fjalën’. Ne mund të përpiqemi fort të krijojmë kushtet ideale që fëmijët tanë – dhe të tjerët që i duam – të mund të gjejnë vend për farën, ta ‘dëgjo[jnë] fjalën, [ta] kupto[jnë]’ [shihni te Mateu 13:18–23] dhe ta zbulojnë vetë ‘se fara është e mirë’ [Alma 32:30].” Çfarë do ta ndihmonte shtëpinë tuaj që të ishte një mjedis më ushqyes ku ju ose familja juaj të mësoni të vërtetat e përjetshme? Si mund ta ndihmoni njëri‑tjetrin të mësoni rreth mirësisë së ungjillit? Çfarë mund të bëni për t’i ushqyer dhe forcuar dëshmitë e njëri‑tjetrit për Krishtin?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Nëse gjithçka që ju ose unë dimë rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij të rivendosur, është ajo që na mësojnë ose na thonë njerëzit e tjerë, atëherë themeli i dëshmisë sonë për Të dhe për veprën e Tij të lavdishme në ditët e mëvonshme është ndërtuar mbi rërë [shihni te Mateu 7:24–27]. Ne nuk mund të mbështetemi vetëm te drita dhe njohuria e ungjillit e njerëzve të tjerë ose t’i marrim ato hua nga të tjerët – madje as nga ata që i duam dhe që u mirëbesojmë.” Mendoni rreth fjalëve të Plakut Bednar teksa lexoni së bashku te Helamani 5:12. Mund të përsiatni dhe të bisedoni rreth këtij citimi dhe vargu teksa shikoni një fotografi të një plazhi ose bregdeti (ose teksa ecni anash një pellgu, rrëkeje ose liqeni). Mendoni rreth arsyes pse njerëzit nuk i ndërtojnë shtëpitë e tyre mbi rërë. Mbi çfarë lloj themelesh ndërtojnë ata? Çfarë mund të bëni për ta ndërtuar dëshminë tuaj mbi një themel të fortë? Çfarë zakonesh të të mësuarit të ungjillit mund të filloni ose të zotoheni sërish të ndiqni që sot? Mund të këndoni së bashku një këngë si: “Burri i Urt’ dhe Burri Pa Mend ose “Sa i Fort’ një Themel, teksa mendoni rreth ndërtimit të jetës suaj mbi një themel të fortë të ungjillit të Jezu Krishtit.

  • Bisedoni shkurtimisht se pse njerëzit zgjedhin ta rimodelojnë shtëpinë e tyre. Madje mund të shihni edhe disa pamje shtëpish tek të cilat janë bërë shumë restaurime. Cili është rezultati i një rimodelimi shtëpie që ka efekt? Presidenti Nelson dha mësim se të mësuarit e ungjillit “ka fuqinë ta çlirojë forcën e familjeve, teksa secila familje vijon me vetëdije dhe me kujdes që ta shndërrojë shtëpinë e vet në një shenjtërore besimi. Ju premtoj që, teksa ju punoni me zell për ta shndërruar shtëpinë tuaj në një qendër të të mësuarit të ungjillit … fëmijët tuaj do të ngazëllehen që t’i mësojnë dhe jetojnë mësimet e Shpëtimtarit. … Ndryshimet në familjen tuaj do të jenë thelbësore dhe mbështetëse.” Bisedoni me familjen tuaj ose me të tjerë me të cilët jetoni, rreth ndryshimeve që të gjithë do të donit të shikonit. Si mund ta “shndërr[oni]” shtëpinë tuaj për të qenë një qendër më e mirë e të mësuarit të ungjillit? Si mund t’ju forcojë ju të gjithë një studim i përmirësuar i ungjillit dhe i përqendruar te shtëpia? Çfarë mund të bëni për të bërë ndryshimet që dëshironi dhe si mund ta matni përparimin tuaj?

Mësoni më shumë