“35. Kujdesi për Shtëpitë e Mbledhjeve dhe Përdorimi i Tyre”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).
“35. Kujdesi për Shtëpitë e Mbledhjeve dhe Përdorimi i Tyre”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm
35.
Kujdesi për Shtëpitë e Mbledhjeve dhe Përdorimi i Tyre
35.1
Qëllimi
Kisha siguron shtëpi mbledhjesh në mënyrë që të gjithë ata që hyjnë të mund:
-
Të bëjnë dhe përtërijnë besëlidhjet nëpërmjet ordinancave të shenjta (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:75; 59:9–12).
-
Të mblidhen së bashku (shihni te 3 Nefi 18:22–23).
-
Të adhurojnë dhe të luten së bashku (shihni te Mosia 18:25; Moroni 6:9).
-
T’i japin mësim dhe shërbesë njëri‑tjetrit (shihni te Moroni 6:4–5).
-
Të marrin pjesë në përdorime të tjera të miratuara të shtëpisë së mbledhjeve siç përshkruhen në këtë kapitull.
35.2
Rolet dhe Përgjegjësitë
35.2.2
Përgjegjësi/ja për Godinat e Kishës
Përgjegjësi i punësuar nga Kisha për godinat, e ndihmon çdo kunj të përdorë shtëpitë e mbledhjeve. Ai ose ajo organizon riparime të mëdha, pastrime të thella dhe mirëmbajtjen rutinë të ndërtesave.
Sipas nevojës, përgjegjësi për godinat ndihmon që të udhëzohen përfaqësuesit e kunjeve dhe të lagjeve për ndërtesat mbi mënyrën se si ta pastrojnë ndërtesën dhe t’i kryejnë detyrat e tjera vendore. Ai ose ajo siguron udhëzime, materiale dhe pajisje.
Ai ose ajo gjithashtu mund të rishikojë me peshkopatat shpenzimet për ndërtesat.
35.2.7
Peshkopata
Peshkopata (ose përfaqësuesi i lagjes për ndërtesat) u mëson anëtarëve se si ta përdorin, ta sigurojnë ndërtesën dhe të përkujdesen për të. Peshkopata gjithashtu ua shpërndan udhëheqësve të lagjes çelësat e ndërtesës.
Ata sigurohen që veprimtaritë në ndërtesë dhe në mjediset përreth kryhen në mënyrë të sigurt (shihni te 20.7).
Ata komunikojnë me përgjegjësin e Kishës për godinat rreth mirëmbajtjes dhe nevojave operative. Ata gjithashtu mund t’i shqyrtojnë shpenzimet përkatëse me përgjegjësin për godinat.
35.2.9
Përfaqësuesi i Lagjes për Ndërtesën
Peshkopata përcakton nëse duhet të thërrasë një përfaqësues të lagjes për ndërtesën. Nëse vendosin ta japin këtë thirrje, peshkopata mund të thërrasë një anëtar ose anëtare në moshë madhore. Nëse nuk thirret një përfaqësues i lagjes për ndërtesën, peshkopi mund t’ia caktojë këtë përgjegjësi njërit prej këshilltarëve të tij, nëpunësit të lagjes ose ndihmësnëpunësit të lagjes apo sekretarit ekzekutiv.
Përfaqësuesi i lagjes për ndërtesën i organizon anëtarët dhe vullnetarët për ta pastruar dhe mirëmbajtur ndërtesën.
35.3
Pajisja me Shtëpi Mbledhjesh
Shtëpitë e mbledhjeve ndryshojnë nga madhësia dhe lloji nisur nga nevojat dhe kushtet vendore. Shtëpia e mbledhjeve mund të jetë një hapësirë e ndërtuar ose e blerë nga Kisha, shtëpia e një anëtari, një shkollë vendore ose një qendër e komunitetit, një hapësirë e marrë me qira ose një variant tjetër i miratuar.
Udhëheqësit e zonës dhe ata vendorë përpiqen fort t’i përdorin plotësisht shtëpitë ekzistuese të mbledhjeve dhe të tregohen të urtë në rekomandimin e hapësirës shtesë.
35.4
Mirëmbajtja e Shtëpive të Mbledhjeve
35.4.1
Pastrimi dhe Mirëmbajtja e Shtëpive të Mbledhjeve
Udhëheqësit dhe anëtarët vendorë, përfshirë rininë, kanë përgjegjësinë për të ndihmuar për mbajtjen e çdo ndërtese të pastër dhe në gjendje të mirë.
Plani i pastrimit nuk duhet të jetë një barrë për anëtarët. Për shembull, nëse udhëtimi për te ndërtesa është sfidues, anëtarët mund ta bëjnë pastrimin si pjesë e veprimtarive javore kur të jenë tashmë në ndërtesë.
35.4.2
Bërja e Kërkesave për Riparime
Anëtarët e këshillave të lagjeve dhe kunjeve mund të raportojnë nevojat për riparime të ndërtesave. Kjo mund të bëhet duke përdorur mjetin Raportimi i Problemeve të Godinës (FIR [RPG]).
35.4.5
Siguria dhe Mbrojtja
Udhëheqësit dhe anëtarët duhet:
-
T’i mbajnë të lira korridoret, shkallët, daljet dhe dhomat e aparaturave për hyrje e dalje të sigurta.
-
Të mos përdorin ose mbajnë materiale të rrezikshme ose të djegshme në ndërtesa.
-
Të krijojnë dhe ndjekin procedurat për kyçjen e ndërtesave.
-
T’i ruajnë nga vjedhja aparatet që janë pronë e Kishës.
-
Të dinë se si t’i mbyllin pajisjet për shërbimet si uji, dritat, gazi ose lëndët djegëse.
Sipas nevojës, përgjegjësi për godinat mund të sigurojë një hartë që tregon se ku ndodhen pajisjet për fikjen e zjarrit, kutitë e ndihmës së shpejtë dhe vendndodhjet për të mbyllur dritat dhe ujin. Më shumë informacion për sigurinë është në dispozicion te “Procedurat e Sigurimit dhe të Mbylljes” në pjesën “Mirëmbajtja e Shtëpive të Mbledhjeve” (Udhëzuesi i Godinave të Shtëpive të Mbledhjeve). Shihni edhe te 20.7.
35.5
Rregulloret për Përdorimin e Shtëpive të Mbledhjeve të Kishës
35.5.1
Parimet dhe Kërkesat Bazë për Përdorimin e Shtëpive të Mbledhjeve
Të gjitha përdorimet e shtëpive të mbledhjeve të Kishës duhet të plotësojnë kërkesat e mëposhtme:
-
Të jenë në përputhje me doktrinën, rregulloret dhe praktikat e Kishës, përfshirë natyrën dhe qëllimet e shenjta të shtëpive të mbledhjeve të Kishës.
-
Të jenë brenda kufijve të ligjit.
-
Të jenë në përputhje me statusin e Kishës si e përjashtuar nga taksat, atje ku gjen zbatim.
-
Të ndërmerren hapat e duhur për të shmangur, pakësuar dhe trajtuar rreziqet ndaj sigurisë, përfshirë orientimet dhe rregulloret e Kishës për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinisë (shihni te 12.5.1 dhe 20.7.1)
-
Të pajtohen me kushte dhe kufizime të tjera, të caktuara nga presidenti i kunjit ose peshkopi.
35.5.2
Përdorimi nga Kisha i Shtëpive të Mbledhjeve
Mbledhjet, programet dhe aktivitetet e Kishës kanë përparësi mbi përdorimet e tjera të shtëpive të mbledhjeve nëse bien ndesh.
Lagjet dhe kunjet gjithashtu mund të ofrojnë programe të tjera të Kishës që janë dobiprurëse për anëtarët dhe komunitetin. Këto përfshijnë:
35.5.3
Përdorimi nga Anëtarët i Shtëpive të Mbledhjeve – Vetjak dhe Familjar
Anëtarët mund të kërkojnë që ta përdorin shtëpinë e mbledhjeve brenda kunjit të tyre për aktivitete personale ose familjare. Për të kërkuar miratim, ata vihen në kontakt me një anëtar të peshkopatës së një lagjeje që frekuenton atë shtëpi mbledhjesh (ose dikë që ai e cakton). Kushtet e mëposhtme gjejnë zbatim:
-
Përdorimi duhet të mbikëqyret personalisht nga një anëtar në moshë madhore i përgjegjshëm i një lagjeje që frekuenton atë shtëpi mbledhjesh.
-
Përdoruesit kanë përgjegjësi të plotë për ndonjë dëmtim të godinave ose ndonjë lëndim ose detyrim në lidhje me një përdorim të tillë.
-
Përdoruesit duhet t’i pastrojnë dhe t’i lënë godinat në gjendjen siç e gjetën para përdorimit.
-
Përdoruesit duhet të veprojnë në pajtim me udhëzimin dhe kërkesat nga udhëheqësit vendorë, përfshirë kërkesat nga udhëheqësit për ta vëzhguar përdorimin.
-
Udhëheqësit e Kishës mund t’i kërkojnë çdo individi ose grupi që ta ndalojë përdorimin e pronës nëse ata nuk janë në pajtim me orientimet.
-
Për aktivitete të miratuara, udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve duhet të bëjnë përshtatje për përdorimin e shtëpive të mbledhjeve. Çelësat e ndërtesës duhet t’u jepen vetëm anëtarëve të caktuar të lagjes ose të kunjit.
Shihni te 38.3.4 për përdorimin e shtëpive të mbledhjeve për martesat dhe festat e dasmave.
Shihni te 29.5 për përdorimin e shtëpive të mbledhjeve për ceremonitë mortore dhe shërbesa të tjera mortore.
35.5.4
Përdorimi i Shtëpive të Mbledhjeve të Kishës nga Organizatat Jofitimprurëse ose Grupe të Tjera apo Individë të Tjerë
Udhëheqja zonale mund të lejojë organizata jofitimprurëse, komunitetin dhe grupe të tjera (të tilla si ekipe sporti), apo individë që nuk përshkruhen te 35.5.3, për t’i përdorur shtëpitë e mbledhjeve të Kishës për aktivitete ose shërbesa të dobishme. Gjejnë zbatim kushtet e renditura te 35.5.3.
Për të kërkuar miratime nga udhëheqja zonale për një përdorim të tillë, presidenti i kunjit vihet në kontakt me përgjegjësin e godinave.
35.5.5
Urgjencat
Shtëpitë e mbledhjeve të Kishës mund të përdoren për shërbime thelbësore të komunitetit gjatë një rasti urgjence. Për shembull, një president kunji mund të lejojë që shtëpitë e mbledhjeve në kunjin e tij të përdoren nga agjencitë e ndihmës ndaj fatkeqësive dhe agjenci të tjera për përpjekjet që lidhen me to (shihni te 35.5.4).
35.5.6
Përdorimet e Shtëpive të Mbledhjeve që Nuk Lejohen
35.5.6.1
Përdorime për Tregti
Prona e Kishës nuk lejohet të përdoret për qëllime tregtare. Një përdorim i tillë nuk përputhet me qëllimet e pronave të Kishës. Ajo gjithashtu mund të bjerë ndesh me ligjet vendore ose kombëtare që mund të lejojnë përjashtimin e pronave të Kishës nga tatimet.
35.5.6.3
Qëllime Politike
Kisha është asnjanëse politikisht. Prona e Kishës nuk lejohet të përdoret për qëllime politike ose lobimi/interesi. Veprimtaritë e ndaluara përfshijnë mbledhjet politike dhe përdorimin nga fushatat politike dhe grupet e lobimit/interesit.
Megjithatë, përdorimi i pronave për regjistrim të votuesve ose votime mund të lejohet si përjashtim (shihni te 38.8.30). Presidentit të kunjit mund t’i miratohet një përjashtim i tillë nëpërmjet përgjegjësit të godinave (shihni te 35.5.4).