“22. Sigurimi i Nevojave Materiale dhe Krijimi i Mbështetjes te Vetja”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).
“22. Sigurimi i Nevojave Materiale dhe Krijimi i Mbështetjes te Vetja”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm.
22.
Sigurimi i Nevojave Materiale dhe Krijimi i Mbështetjes te Vetja
22.0
Parathënia
Anëtarët e Kishës përpiqen fort që të “mba[jnë] barr[ë]t e njëri-tjetrit … dhe të ngushëllo[jnë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:8–9).
Anëtarët e Kishës këshillohen gjithashtu ta forcojnë mbështetjen e tyre te vetja nëpërmjet punës së zellshme dhe me ndihmën e Zotit. Mbështetja te vetja është aftësia, zotimi dhe përpjekja për të siguruar për nevojat shpirtërore dhe materiale të jetës për vete dhe familjen.
PËRPJEKJET INDIVIDUALE DHE FAMILJARE
22.1
Krijimi i Mbështetjes te Vetja
Me ndihmën e Zotit, anëtarët e krijojnë mbështetjen te vetja në mënyrat vijuese:
-
Zhvillojnë forcë shpirtërore, fizike dhe emocionale.
-
Marrin arsimim dhe punësim.
-
Përmirësojnë përgatitjen materiale.
22.1.4
Përgatitja Materiale
Anëtarët këshillohen që të përgatiten në mënyrë që të mund të kujdesen për veten, familjet e tyre dhe për të tjerët në kohë nevoje.
Anëtarët e shtojnë përgatitjen e tyre financiare:
-
Duke paguar të dhjetën dhe ofertat (shihni te Malakia 3:8–12).
-
Duke zvogëluar borxhin sa më shumë që të jetë e mundur.
-
Duke jetuar brenda një buxheti.
-
Duke kursyer për të ardhmen.
-
Duke marrë një arsimim të përshtatshëm.
Përgatitja gjithashtu përfshin planifikimin për raste të ngutshme. Anëtarët nxiten të krijojnë furnizime afatshkurtra dhe afatgjata me ushqime, ujë dhe gjëra të tjera të nevojshme.
22.2
Jepuni Shërbesë Njerëzve me Nevoja Materiale dhe Emocionale
Dishepujve të Zotit u është dhënë mësim “të duan … dhe t’i shërbejnë njëri-tjetrit” dhe t’i “ndihmo[jnë] ata që kanë nevojë për ndihmë” (Mosia 4:15–16). Anëtarët përpiqen fort t’u japin shërbesë atyre që kanë nevoja materiale dhe emocionale. Këto nevoja mund të përfshijnë ushqim, veshje, strehim, arsimim, punësim, shëndet fizik dhe mirëqenie emocionale.
22.2.1
Shtëpia e Ruajtjes e Zotit
Të gjitha burimet që janë në dispozicion të Kishës për të ndihmuar ata që kanë nevoja materiale, quhen shtëpia e ruajtjes e Zotit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 82:18–19). Këto përfshijnë ofertat e anëtarëve të kohës, talenteve, dhembshurisë, materialeve dhe burimeve financiare për të ndihmuar njerëzit nevojtarë.
Shtëpia e ruajtjes e Zotit ekziston në çdo lagje dhe kunj. Udhëheqësit mund t’i ndihmojnë shpesh individët dhe familjet që të gjejnë zgjidhje për nevojat e tyre duke u mbështetur te njohuria, aftësitë dhe shërbimi i ofruar nga anëtarët e lagjes dhe të kunjit.
22.2.2
Ligji i Agjërimit dhe Ofertave të Agjërimit
Zoti ka vendosur ligjin e agjërimit për t’i bekuar njerëzit e Tij dhe për të siguruar një mënyrë që ata t’u shërbejnë njerëzve nevojtarë. Anëtarët afrohen më tepër me Zotin dhe e shtojnë forcën e tyre shpirtërore kur e jetojnë ligjin e agjërimit. (Shihni tek Isaia 58:6–12; Malakia 3:8–12.)
Agjërimi mund të bëhet në çdo kohë. Sidoqoftë, anëtarët zakonisht zbatojnë Shabatin e parë të muajit si ditë agjërimi. Një ditë agjërimi zakonisht përfshin sa vijon:
-
Lutjen
-
Të qëndruarit pa ushqim dhe pije për një periudhë 24‑orëshe (nëse e kanë të mundur fizikisht)
-
Dhënien e një oferte agjërimi bujare
Një ofertë agjërimi është një dhurim për të ndihmuar njerëzit nevojtarë. Kur anëtarët agjërojnë, ata ftohen të japin një ofertë që është të paktën e barabartë në vlerë me vaktet që nuk kanë ngrënë.
Anëtarët mund t’ia japin peshkopit ose njërit prej këshilltarëve të tij ofertën e tyre të agjërimit dhe një formular të plotësuar të Së Dhjetës dhe Ofertave të Tjera. Në disa zona, ata mund t’i bëjnë dhurimet e tyre nëpërmjet internetit.
PËRPJEKJET UDHËHEQËSE
22.3
Modeli për Krijimin e Mbështetjes te Vetja dhe Dhënien e Shërbesës ndaj Njerëzve Nevojtarë
22.3.1
Kërkojini Njerëzit Nevojtarë
Peshkopi ka një përgjegjësi të shenjtë për të kërkuar dhe për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:112). Të tjerë që kanë një rol të rëndësishëm në këtë përgjegjësi, përfshijnë:
-
Vëllezërit dhe motrat shërbestare.
-
Presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe kuorumit të pleqve.
-
Këshilltarët e peshkopit.
-
Anëtarë të tjerë të këshillit të lagjes.
22.3.2
Ndihmojini Anëtarët që t’i Vlerësojnë dhe Trajtojnë Nevojat Afatshkurtra
Anëtarët përpiqen fort t’i plotësojnë nevojat e tyre bazë me anë të përpjekjeve të veta dhe ndihmës nga rrethi familjar. Kur kjo është e pamjaftueshme, anëtarët mund të kenë nevojë që të ndihmohen nga burime të tjera, të tilla si:
-
Burimet qeveritare dhe komunitare (shihni te 22.12).
-
Ndihmë nga Kisha.
Ndihma nga Kisha mund të përfshijë ndihmë për plotësimin e nevojave afatshkurtra të tilla si ushqime, veshje, strehim ose nevoja të tjera bazë. Peshkopët mund të përdorin ofertat e agjërimit për t’iu përgjigjur këtyre nevojave. Atje ku fletëporositë e peshkopëve janë në dispozicion, peshkopët në përgjithësi i përdorin ato për të siguruar ushqime dhe artikuj të tjerë bazë (shihni te “Fletëporositë dhe Rekomandimet e Peshkopëve” te Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit BUN [LCR]).
22.3.3
Ndihmojini Anëtarët të Krijojnë Mbështetje Afatgjatë te Vetja
Anëtarët mund të kenë nevojë për përkrahje të vazhdueshme për të trajtuar sfidat afatgjata. Arsimimi, trajnimi profesional ose burime të tjera mund t’i ndihmojnë që të krijojnë mbështetjen te vetja dhe të sigurojnë për nevojat e tyre afatgjata.
Plani për Mbështetjen te Vetja i ndihmon anëtarët që të përcaktojnë anët e tyre të forta, nevojat dhe burimet e tyre. Ky plan duhet të përdoret çdo herë që merret në shqyrtim ndihma nga Kisha.
22.3.4
Jepuni Shërbesë Njerëzve me Nevoja Emocionale
Vëllezërit e motrat shërbestare dhe udhëheqësit e lagjes mund të jenë thelbësorë për t’i ndihmuar anëtarët që përjetojnë sfida emocionale.
22.4
Parimet për Dhënien e Ndihmës nga Kisha
Me ndihmën e Zotit, anëtarët kërkojnë të sigurojnë për veten dhe familjen e tyre.
Ndihma nga Kisha ka për qëllim t’i ndihmojë anëtarët të zhvillojnë pavarësi, jo varësi. Çdo ndihmë që jepet, duhet t’i forcojë anëtarët në përpjekjet e tyre për t’u bërë të mbështetur te vetja.
22.4.1
Nxitni Përgjegjësinë Vetjake dhe Familjare
Udhëheqësit japin mësim se individët dhe familjet kanë përgjegjësinë kryesore për mirëqenien e tyre.
Përpara se të japë ndihmë nga Kisha, peshkopi (ose një udhëheqës apo anëtar tjetër që ai cakton) shqyrton me anëtarët se çfarë burimesh po përdorin ata për të plotësuar nevojat e veta.
22.4.2
Jepni Ndihmë të Përkohshme për Nevojat Thelbësore
Qëllimi i ndihmës nga Kisha është të plotësojë përkohësisht nevojat bazë ndërkohë që anëtarët përpiqen fort të bëhen të mbështetur te vetja.
Peshkopët duhet të ushtrojnë gjykim të mirë dhe të kërkojnë drejtim shpirtëror kur marrin në shqyrtim shumën dhe kohëzgjatjen e ndihmës së dhënë. Ata duhet të jenë të dhembshur dhe bujarë ndërkohë që nuk krijojnë varësi.
22.4.3
Jepni Burime ose Shërbime në Vend të Parave në Dorë
Nëse është e mundur, peshkopi duhet të shmangë dhënien e parave në dorë. Në vend të kësaj, ai duhet të përdorë ofertat e agjërimit ose fletëporositë e peshkopëve për t’iu dhënë anëtarëve sende ushqimore ose shërbime. Anëtarët më pas mund të përdorin paratë e tyre për të paguar për nevoja të tjera.
Kur kjo nuk mjafton, peshkopi mund të ndihmojë duke përdorur ofertat e agjërimit për të paguar përkohësisht faturat bazë (shihni te 22.5.2).
22.4.4
Ofroni Punë ose Mundësi Shërbimi
Peshkopët i ftojnë ata që marrin ndihmë, të punojnë ose të japin shërbim me aq sa munden. Kjo i ndihmon anëtarët të ruajnë ndjenjën e dinjitetit. Shton gjithashtu aftësinë e tyre për të qenë të mbështetur te vetja.
22.4.5
Mbani Konfidencial Informacionin për Ndihmën nga Kisha
Peshkopi dhe udhëheqësit e tjerë të lagjes e mbajnë konfidencial çdo informacion rreth anëtarëve që mund të kenë nevojë për ndihmë nga Kisha. Kjo mbron privatësinë dhe dinjitetin e anëtarëve.
22.5
Rregulloret për Dhënien e Ndihmës nga Kisha
Udhëheqësit e Kishës duhet të ndjekin rregulloret e përvijuara në këtë pjesë kur japin ndihmë.
22.5.1
Rregulloret Lidhur me Marrësit e Ndihmës nga Kisha
22.5.1.1
Ndihma për Anëtarët e Lagjes
Përgjithësisht, anëtarët që marrin ndihmë nga Kisha, duhet të jetojnë brenda kufijve të lagjes dhe ta kenë dokumentin e tyre të anëtarësisë në lagje. Ndihma mund të jepet pavarësisht nëse anëtari merr pjesë rregullisht ose nuk merr pjesë rregullisht në mbledhjet e Kishës apo nëse i ndjek ose nuk i ndjek standardet e Kishës.
22.5.1.2
Ndihma ndaj Peshkopëve dhe Presidentëve të Kunjeve
Kërkohet miratimi me shkrim i presidentit të kunjit përpara se një peshkop të mund t’i përdorë ofertat e agjërimit ose të miratojë një fletëporosi të peshkopit për veten ose familjen e tij.
22.5.1.4
Ndihma ndaj Personave që Nuk Janë Anëtarë të Kishës
Personat që nuk janë anëtarë të Kishës, zakonisht referohen te burimet vendore të komunitetit nëse ata kanë nevojë për ndihmë. Në raste të rralla, siç udhërrëfehet nga Shpirti, peshkopi mund t’i ndihmojë ata me ofertat e agjërimit ose fletëporositë e peshkopit.
22.5.2
Rregulloret për Përdorimin e Ofertave të Agjërimit
22.5.2.1
Kujdesi Mjekësor ose Kujdese të Tjera Shëndetësore
Çdo zonë e Kishës ka vendosur kufizime miratimi për përdorimin e ofertave të agjërimit për të paguar shpenzimet mjekësore, dentare apo të shëndetit mendor.
Për shuma të miratuara dhe orientime, shihni te “Përdorimi i Ofertave të Agjërimit për Shpenzimet Mjekësore”.
22.5.2.3
Shlyerja e Ofertave të Agjërimit
Anëtarët nuk e shlyejnë ndihmën nga ofertat e agjërimit që marrin nga Kisha.
22.5.2.4
Shumat e Shpenzimeve të Ofertave të Agjërimit të Lagjes
Peshkopëve nuk u kërkohet ta kufizojnë ndihmën nga ofertat e agjërimit për anëtarët e lagjes prej sasisë së dhurimeve që mblidhen brenda lagjes.
22.5.3
Rregulloret për Bërjen e Pagesave
Nëse është e mundur, pagesat duhet t’i bëhen drejtpërdrejt biznesit që jep mallra dhe shërbime.
22.5.4
Rregulloret për Pagesat që do t’i Sillnin Përfitim një Peshkopi ose Presidenti Kunji
Kur një peshkop u ofron ndihmë anëtarëve nga ofertat e agjërimit, nuk i lejohet që ai t’i përdorë fondet për të paguar për mallra ose shërbime në një mënyrë nga e cila do të përfitonte ai personalisht.
Nëse nga një pagesë e ofertave të agjërimit për një anëtar do të përfitonte presidenti i kunjit ose një biznes që ai zotëron, kërkohet miratimi i Presidencës së Zonës.
22.6
Rolet e Udhëheqësve të Lagjeve
22.6.1
Peshkopi dhe Këshilltarët e Tij
Peshkopi ka një mandat hyjnor për të kërkuar dhe për t’u kujdesur për njerëzit me nevoja materiale (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:112). Ai ia delegon shumicën e kësaj pune presidencës së Shoqatës së Ndihmës dhe presidencës së kuorumit të pleqve. Sidoqoftë, disa detyra i kryen vetëm peshkopi. Për shembull, peshkopi:
-
Përcakton llojin, shumën dhe kohëzgjatjen e çdo ndihme të ofruar përkohësisht.
-
Miraton ndihmën nga ofertat e agjërimit (shihni te 22.4 dhe 22.5) dhe fletëporositë e peshkopëve (shihni te 22.13).
-
Rishikon personalisht planet e anëtarëve për mbështetjen te vetja. Cakton udhëheqës të tjerë të lagjes që të ndjekin ecurinë e atyre planeve sipas nevojës.
Peshkopi dhe këshilltarët e tij kanë përgjegjësitë vijuese:
-
Të japin mësim parimet dhe bekimet që lidhen me 1) kujdesin për njerëzit të cilët kanë nevoja materiale dhe emocionale, dhe 2) krijimin e mbështetjes te vetja (shihni te 22.1).
-
Të japin mësim ligjin për agjërimin dhe t’i nxitin anëtarët që të japin një ofertë bujare agjërimi (shihni te 22.2.2).
-
Të mbikëqyrin mbledhjen dhe llogaritjen e ofertave të agjërimit (shihni te 34:3.2).
22.6.2
Presidencat e Shoqatave të Ndihmës dhe Kuorumeve të Pleqve
Nën drejtimin e peshkopit, presidencat e Shoqatave të Ndihmës dhe të kuorumeve të pleqve kanë një rol kyç në kujdesin për njerëzit nevojtarë në lagje (shihni te 8.2.2 dhe 9.2.2). Këta udhëheqës u mësojnë anëtarëve të lagjes:
-
T’u japin shërbesë njerëzve nevojtarë.
-
Ta jetojnë ligjin e agjërimit.
-
Të krijojnë mbështetjen te vetja.
-
Të shtojnë përgatitjen vetjake dhe familjare.
22.6.3
Vëllezërit Shërbestarë ose Motrat Shërbestare
Ndihma për nevojat shpirtërore dhe materiale shpesh fillon me vëllezërit shërbestarë dhe motrat shërbestare (shihni te 21.1). Ata/ato ua raportojnë nevojat e atyre të cilëve u shërbejnë, presidencave të kuorumeve të tyre të pleqve ose të Shoqatave së Ndihmës në intervistat për dhënien e shërbesës dhe në raste të tjera. Ata/ato mund t’ia shprehin drejtpërdrejt peshkopit nevojat që janë konfidenciale.
22.7
Roli i Këshillit të Lagjes
Një rol i rëndësishëm i këshillit të lagjes është të planifikojë se si të kujdeset për njerëzit nevojtarë dhe t’i ndihmojë ata të bëhen të mbështetur te vetja (shihni te 4.4) Kur diskuton për nevojat e anëtarëve, këshilli respekton dëshirat e kujtdo që kërkon konfidencialitet.
22.8
Roli i Këshillit të Lagjes për Rininë
Një qëllim i këshillit të lagjes për rininë është t’i ndihmojë të rinjtë e të rejat që të bëhen pasues të përkushtuar të Jezu Krishtit (shihni te 29.2.6).
Nën drejtimin e peshkopatës, këshilli i lagjes për rininë planifikon mënyra për t’u shërbyer njerëzve në nevojë në lagjen dhe komunitetin e tyre.