“20. Aktivitetet”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).
“20. Aktivitetet”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm
20.
Aktivitetet
20.1
Qëllimet
Aktivitetet e Kishës i sjellin së bashku anëtarët e Kishës dhe njerëz të tjerë si “bashkëqytetarë të shenjtorëve” (Efesianëve 2:19). Qëllimet për aktivitetet mund të përfshijnë sa vijojnë:
-
Të ndërtojnë besim te Jezu Krishti.
-
Të sigurojnë argëtim dhe të kultivojnë unitet.
-
Të japin mundësi për rritje vetjake.
-
Të forcojnë individët dhe familjet.
-
T’i ndihmojnë anëtarët të marrin pjesë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shihni te 1.2).
20.2
Planifikimi i Aktiviteteve
Përpara se të planifikohet një aktivitet, udhëheqësit marrin parasysh nevojat shpirtërore dhe materiale të anëtarëve. Udhëheqësit kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit kur vendosin se çfarë lloj aktiviteti do t’i ndihmonte t’i plotësonin ato nevoja.
20.2.1
Përgjegjësia për Planifikimin e Aktiviteteve
Aktivitetet e lagjes mund të planifikohen në ndonjërën nga mënyrat vijuese, nisur nga nevojat vendore:
-
Këshilli i lagjes mund ta mbikëqyrë planifikimin.
-
Këshilli i lagjes mund të caktojë organizata të veçanta për të ndihmuar me planifikimin e një ose më shumë aktiviteteve.
-
Aty ku është e nevojshme dhe aty ku ka mjaft anëtarë, peshkopata mund të organizojë një komitet lagjeje për aktivitetet.
Për informacion rreth planifikimit të aktiviteteve të lagjes për rininë, shihni te 10.2.1.3 dhe 11.2.1.3.
20.2.2
Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që të Marrin Pjesë
Ata që i planifikojnë aktivitetet, duhet t’u drejtohen të gjithëve, veçanërisht anëtarëve të rinj, atyre më pak aktivë, rinisë, personave në moshë madhore beqarë, atyre me aftësi të kufizuara dhe njerëzve të besimeve të tjera.
Aktivitetet nuk duhet të shkaktojnë barrë të tepruara tek udhëheqësit dhe anëtarët.
20.2.3
Standardet
Aktivitetet e Kishës duhet të jenë lartësuese dhe të theksojnë atë që është e “virtytshme, [e] dashur ose me famë të mirë apo [e] denjë për t’u lavdëruar” (Nenet e Besimit 1:13). Në aktivitete nuk lejohet të përfshihet asgjë që është në kundërshtim me mësimet e Kishës.
20.2.6
Financimi për Aktivitetet
Pjesa më e madhe e aktiviteteve duhet të jenë të thjeshta dhe të kenë kosto të vogël ose të jenë pa kosto. Çfarëdo shpenzimi duhet të miratohet paraprakisht nga peshkopata ose presidenca e kunjit.
Anëtarët zakonisht nuk duhet të paguajnë për të marrë pjesë në aktivitete. Për rregulloret dhe orientimet rreth financimit të aktiviteteve, shihni te 20.6.
20.4
Konferenca për Rininë
Duke filluar nga janari i vitit që mbushin 14 vjeç, të rinjtë e të rejat ftohen të marrin pjesë së bashku në një konferencë për rininë. Konferencat për rininë zakonisht zhvillohen një herë në vit në nivel lagjeje ose kunji. Ato mund të zhvillohen edhe në nivel shumëkunjësh ose zonal. Në atë vit që të rinjtë e të rejat caktohen të marrin pjesë në konferencën e FSY-së, kunjet dhe lagjet nuk duhet të zhvillojnë konferenca për rininë.
Konferencat për rininë në lagje planifikohen dhe zhvillohen nga këshilli i lagjes për rininë, nën drejtimin e peshkopatës (shihni te 29.2.6). Peshkopata merr miratimin e presidencës së kunjit për planifikimet e konferencës për rininë në lagje.
Ndërsa udhëheqësit dhe të rinjtë e të rejat planifikojnë një konferencë për rininë, ata duhet të respektojnë rregulloret në këtë kapitull dhe orientimet vijuese:
-
Tema vjetore e Kishës për rininë mund të përdoret si tema e konferencës.
-
Të planifikojnë aktivitete që përputhen me temën.
-
Të marrin miratimin e peshkopatës ose presidencës së kunjit për të gjithë folësit dhe aktivitetet.
-
Të sigurojnë mbikëqyrjen e duhur nga persona në moshë madhore gjatë gjithë kohës (shihni te 20.7.1).
20.5
Rregulloret dhe Orientimet për Përzgjedhjen dhe Planifikimin e Aktiviteteve
20.5.1
Aktivitetet Tregtare ose Politike
Nuk lejohet të zhvillohet asnjë lloj aktiviteti për qëllime tregtare ose politike (shihni te 35.5.2).
20.5.2
Mbrëmjet e Vallëzimit dhe Muzika
Në të gjitha vallëzimet, veshja, paraqitja, ndriçimi, stilet e vallëzimit, tekstet e këngëve dhe muzika duhet të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere ku Shpirti i Zotit të mund të jetë i pranishëm.
20.5.3
Mbrëmjet e së Hënës
Anëtarët inkurajohen të zhvillojnë aktivitete familjare të hënave ose në kohë të tjera. Nuk duhet të zhvillohet asnjë aktivitet, mbledhje apo shërbesë pagëzimi e Kishës pas orës 18:00 të hënave.
20.5.5
Aktivitetet me Fjetje Natën
Aktivitetet e Kishës me fjetje natën për grupet e ndërthurura të të rinjve dhe të rejave duhet të miratohen nga peshkopi dhe presidenti i kunjit. E njëjta gjë vlen edhe për aktivitetet për anëtarë beqarë meshkuj dhe femra.
Nuk miratohen aktivitete me fjetje natën në shtëpitë e mbledhjeve ose në oborrin e shtëpive të mbledhjeve të Kishës.
20.5.8
Respektimi i Ditës së Shabatit
Të dielave nuk duhet të planifikohet asnjë aktivitet me kamp, ngjarje sportive apo aktivitete argëtuese të Kishës. As grupet rinore dhe të tjerët nuk duhet të udhëtojnë për në kampet apo konferencat për rininë ose të kthehen prej tyre të dielën.
20.5.10
Vizitat në Tempull
Vizitat në tempull organizohen në nivel lagjeje ose kunji brenda distriktit të caktuar të tempullit.
20.6
Rregulloret dhe Orientimet për Financimin e Aktiviteteve
20.6.1
Aktivitetet e Paguara me Fondet e Buxhetit të Lagjes ose të Kunjit
Fondet e buxhetit të lagjes ose kunjit duhet të përdoren për të paguar për të gjitha aktivitetet, me përjashtimet e mundshme të renditura te 20.6.2.
20.6.2
Financimi për Kampet e Rinisë
Nëse buxheti i lagjes ose kunjit nuk ka fonde të mjaftueshme për aktivitetet e renditura më poshtë, udhëheqësit mund t’u kërkojnë pjesëmarrësve të paguajnë për një pjesë ose të gjithë shpenzimin për to:
-
Një kamp vjetor disaditor për Priftërinë Aarone ose një aktivitet të ngjashëm.
-
Një kamp vjetor disa ditor për Të Rejat ose një aktivitet të ngjashëm.
Shpenzimet ose udhëtimi për një kamp vjetor nuk duhet të jenë të tepruara. Mungesa e fondeve vetjake nuk duhet ta frenojë një anëtar/e që të marrë pjesë.
20.6.3
Financimi për Konferencat e FSY-së
Të rinjve e të rejave mund t’u kërkohet të kontribuojnë një tarifë për të frekuentuar konferencat për Forcën e Rinisë (FSY). Nëse shpenzimi do ta pengonte një të ri ose të re që të merrte pjesë, peshkopi mund të përdorë fondet e buxhetit të lagjes për të paguar të gjithë tarifën ose një pjesë të saj. Shihni te FSY.ChurchofJesusChrist.org.
20.6.5
Ngjarjet për Mbledhjen e Fondeve
Shpenzimet për aktivitetet e kunjit dhe të lagjes zakonisht paguhen me fondet e buxhetit. Megjithatë, një president kunji ose peshkop mund të autorizojë një ngjarje për mbledhje fondesh çdo vit vetëm për qëllimet vijuese:
20.7
Rregulloret dhe Orientimet mbi Sigurinë për Aktivitetet
20.7.1
Mbikëqyrja nga Persona në Moshë Madhore
Të paktën dy persona në moshë madhore duhet të jenë të pranishëm në të gjitha aktivitetet e Kishës ku marrin pjesë fëmijët dhe rinia. Mund të nevojiten edhe persona të tjerë në moshë madhore në varësi të madhësisë së grupit, zotësive që kërkohen për aktivitetin, ose faktorëve të tjerë. Prindërit nxiten që të ndihmojnë.
Të gjithë ata që punojnë me fëmijët dhe rininë, duhet të kryejnë trajnimin për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinisë. Shihni te ProtectingChildren.ChurchofJesusChrist.org.
20.7.2
Kriteret e Moshës për Pjesëmarrjen në Aktivitetet për Rininë
Me miratimin e prindërve të tyre, të rinjtë e të rejat mund të frekuentojnë kampe me fjetje duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 12 vjeç. Ata mund të frekuentojnë mbrëmje vallëzimi, konferenca rinie dhe konferenca FSY‑je duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 14 vjeç.
20.7.4
Leja Prindërore
Fëmijët dhe të rinjtë e të rejat nuk lejohen të marrin pjesë në një aktivitet të Kishës pa leje nga prindërit ose kujdestarët e tyre. Për aktivitetet e Kishës që përfshijnë qëndrim me fjetje, udhëtime të gjata ose rreziqe më të mëdha se ato të zakonshmet, është i nevojshëm një miratim me shkrim.
Prindërit dhe kujdestarët e japin këtë miratim duke nënshkruar formularin Permission and Medical Release [Autorizim dhe Lejim për Trajtim Mjekësor].
20.7.5
Raportimet për Keqtrajtimin
Çdo keqtrajtim që ndodh gjatë një aktiviteti të Kishës, duhet të raportohet tek autoritetet civile. Duhet të viheni menjëherë në kontakt me peshkopin. Udhëzimet për anëtarët jepen te 38.6.2.7. Udhëzimet për peshkopët jepen te 38.6.2.1.
20.7.6
Masat Paraprake të Sigurisë, Përgjigjja ndaj Aksidenteve dhe Raportimi i Aksidenteve
20.7.6.1
Masat Paraprake të Sigurisë
Udhëheqësit dhe pjesëmarrësit i shqyrtojnë me kujdes aktivitetet për të siguruar rrezikun minimal të lëndimit ose sëmundjes. Aktivitetet gjithashtu duhet të përfshijnë rrezikun minimal të dëmtimit të pronës. Gjatë aktiviteteve, udhëheqësit bëjnë çdo përpjekje për të krijuar siguri.
20.7.6.2
Përgjigjja ndaj Aksidenteve
Nëse ndodh një aksident ose lëndim në pronën e Kishës ose gjatë një aktiviteti të Kishës, udhëheqësit respektojnë orientimet vijuese, si të jetë e zbatueshme:
-
Jepni ndihmën e parë. Nëse një person ka nevojë për kujdes të shtuar mjekësor, vihuni në kontakt me shërbimet mjekësore të urgjencës. Vihuni në kontakt edhe me prindin, kujdestarin ose një të afërm tjetër dhe me peshkopin ose presidentin e kunjit.
-
Nëse dikush humbet ose vdes, njoftoni menjëherë forcat vendore të zbatimit të ligjit.
-
Jepni përkrahje emocionale.
-
Mos e inkurajoni ose shkurajoni veprimin ligjor. Mos bëni zotime në emër të Kishës.
-
Mblidhni dhe mbani shënim emrat e dëshmitarëve, informacionin e tyre të kontaktit, rrëfimet për atë që ndodhi dhe fotografitë.
-
Raportojeni aksidentin (shihni te 20.7.6.3).
20.7.6.3
Raportimi i Aksidenteve
Situatat vijuese duhet të raportohen në internet tek incidents.ChurchofJesusChrist.org.
-
Një aksident ose lëndim ndodh në pronën e Kishës ose gjatë një aktiviteti të Kishës.
-
Ka humbur një person që po merrte pjesë në një aktivitet të Kishës.
-
Dëmtohet prona private, publike ose e Kishës gjatë një aktiviteti të Kishës.
-
Bëhet kërcënim për padi ligjore apo pritet një padi e tillë.
Nëse një ngjarje rezulton në lëndime serioze, fatalitet ose person të humbur, presidenti i kunjit, peshkopi ose anëtari që ai përcakton, njofton menjëherë zyrën e zonës.
20.7.6.4
Sigurimi dhe Pyetjet
Nëse ndodh një lëndim gjatë një ngjarjeje të Kishës, udhëheqësit përcaktojnë nëse do të zbatohet programi i Ndihmës Mjekësore në Aktivitetet e Kishës.
Në disa raste, presidenti i kunjit ose peshkopi mund të ketë pyetje rreth çështjeve të sigurisë ose pretendimeve kundër Kishës. Presidenti i kunjit (ose një peshkop nën drejtimin e tij) ia përcjell pyetje të tilla Nënsektorit për Administrimin e Rreziqeve ose zyrës zonale.
20.7.7
Udhëtimi
Udhëtimet për aktivitetet e Kishës duhet të miratohen nga peshkopi ose presidenti i kunjit. Ky udhëtim nuk duhet të vërë barrë të panevojshme mbi anëtarët.
Pjesëmarrësit nuk duhet të udhëtojnë për distanca të gjata (për më shumë se disa orë) për aktivitetet. Presidenca e Zonës duhet të miratojë çdo përjashtim.
Kur është e realizueshme, grupet e Kishës duhet të përdorin transportin tregtar për udhëtime në largësi të mëdha. Ai transport duhet të jetë i licencuar dhe i mbrojtur nga sigurimi i përgjegjësisë.
Kur grupet e Kishës udhëtojnë me automjete pasagjerësh privatë, secili automjet duhet të jetë në gjendje të sigurt funksionale. Çdo njeri duhet të përdorë një rrip sigurimi. Çdo drejtues automjeti duhet të jetë një person në moshë madhore me patentë dhe i përgjegjshëm.