“Ide për Larmi”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Ide për Larmi”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Shtojca
Ide për Larmi
Ide për Larmi
Ky burim përfshin një larmi mënyrash për t’i ndihmuar nxënësit të marrin pjesë në mënyrë aktive në mësime. Edhe teknikat bindëse të mësimdhënies, nëse përdoren tej mase, mund të bëhen jo të efektshme ose të mërzitshme. Ndërkohë që nuk duhet të përzgjidhni metoda vetëm për hir të larmisë, merreni parasysh se si t’i ndryshoni mënyrat se si jepni mësim gjatë çdo mësimi. Përdorimi i metodave të ndryshme të mësimdhënies mund të ndihmojë të arrijë te më shumë nxënës. Këto janë disa pyetje për t’u marrë parasysh kur përzgjidhni veprimtari për t’i përfshirë në një përvojë të të mësuarit:
-
A lehtëson veprimtaria një përvojë me Krishtin në qendër, të bazuar në shkrimin e shenjtë dhe të përqendruar te nxënësi? Për më shumë mbi këtë, shihni pjesën Trajnimi për Përvetësimin dhe Përshtatjen e Programit Mësimor të Seminarit.
-
A e fton veprimtaria Frymën e Shenjtë që të japë mësim dhe të dëshmojë? Mendoni se si mund të ndikojë veprimtaria në mjedisin nderues, i nevojshëm për Frymën e Shenjtë që të kryejë rolin e Tij.
-
Si e përfaqëson metoda fjalën e shenjtë të Perëndisë? Shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve nevojitet të paraqiten në një mënyrë dinjitoze dhe të shenjtë.
-
A do të trajtohet çdo nxënës me dinjitet? Kërkoni gjithmonë të nxitni ndjenjat e unitetit dhe dashurisë. Shmangini veprimtaritë që mund ta lënë një nxënës të ndihet në siklet, i shkurajuar ose i izoluar.
-
A ia vlen veprimtaria për kohën e orës mësimore që do të kërkojë? Koha kur mblidheni me nxënësit në seminar është kohë e vyer. Veprimtaritë mund të jenë të efektshme pa marrë shumë kohë.
-
Sa kohë dhe sa burime do të kërkojë përgatitja për veprimtarinë? Është e rëndësishme t’i administroni mirë kohën dhe burimet tuaja të vyera.
Këto ide mund të përdoren shpesh në momente të shumta gjatë gjithë një mësimi. Në shumë raste, sigurimi për nxënësit i një modeli të asaj që po u kërkohet të bëjnë do t’i ndihmojë të jenë më të suksesshëm. Para se nxënësit ta fillojnë veprimtarinë, sigurohuni që ta kuptoni mirë atë dhe të jepni udhëzime të qarta dhe një model, nëse është e dobishme. Këto veprimtari janë të organizuara në pjesët vijuese:
Për të dhënë përshtypjet ose sugjeruar ide shtesë, ju lutemi, dërgoni një mesazh me postë elektronike në adresën CES-Manuals@ChurchofJesusChrist.org. Përfshini te subjekti titullin “Ide për Larmi”.
1. Studiojini shkrimet e shenjta për të kuptuar radhën e ngjarjeve dhe për të përcaktuar parimet ose doktrinën e ungjillit
Mësimet shpesh përfshijnë veprimtari në të cilat nxënësit studiojnë një seri vargjesh për të kuptuar kontekstin kyç dhe radhën e ngjarjeve të një blloku gjersa të jenë në gjendje të përcaktojnë parimet ose doktrinën. Veprimtaritë vijuese janë disa mënyra se si mund t’i ndihmoni nxënësit ta bëjnë këtë.
Interpretimi artistik
Përdorni vepra artistike rreth ungjillit për të diskutuar një histori. Shfaqni një figurë nga Media Library [Biblioteka e Mjeteve të Informimit] të Kishës dhe ftojini nxënësit t’i studiojnë vargjet e paraqitura në figurë. Pyetini nxënësit:
-
Çfarë do të ndryshonit?
-
Çfarë është interpretimi artistik (nuk gjendet në tekst)?
-
Cilat vargje të shkrimit të shenjtë janë të paraqitura?
Variacion: Në vend që të paraqitni një figurë të plotë në fillim të orës mësimore për të nisur një diskutim, ndajeni figurën në copa. Tregojini copat me radhë dhe vërini nxënësit të gjejnë se çfarë po ndodh në të gjithë figurën. Kërkojuni atyre ta përshkruajnë atë që shohin dhe të spekulojnë mbi atë që nuk shohin.
Variacion: Zgjidhni disa figura të Shpëtimtarit dhe vendosini ato në tabelë. Ftojini nxënësit të shikojnë me ngadalë ngjyrën, përqendrimin dhe strukturën e figurave dhe të përcaktojnë se çfarë na mëson secila se kush është Jezu Krishti. Pasi të përcaktojnë një parim, mund të bëni pyetje si:
-
Cila figurë e Krishtit ndieni se përfaqëson parimin që gjetët dhe përse?
-
Cila prej këtyre figurave të Jezusit ju ndihmon ta ndieni rëndësinë e kësaj të vërtete?
-
Çfarë do të donit të dinte një shok rreth Jezu Krishtit kur mendon rreth kësaj të vërtete?
Shtojini dialog një ilustrimi
Kopjojini figurat nga Tregimet nga Shkrimet e Shenjta për Fëmijët dhe ngjitini ato në një fletushkë për nxënësit. Shtoni flluska fjalësh aty ku nxënësit mund të shkruajnë atë që po thonë ose mendojnë personazhet.
Reportazh për një lajm ose analizë libri
Jepini çdo nxënësi një pjesë të shkrimit të shenjtë që do ta studiojë. Më pas jepuni atyre kërkesat e reportazhit të lajmit ose analizës së librit (në një letër ose në tabelë). Ai mund të përfshijë personazhet kryesore, radhën e ngjarjeve, një ose dy mësime të mësuara (duke cituar vargjet nga janë marrë) dhe zbatimin për një adoleshent. Jepuni nxënësve kohë për t’ia treguar një nxënësi tjetër atë që përgatitën.
Variacion: Në një grup të vogël, çdo nxënës mund të marrë një pjesë të reportazhit ose analizës së librit: personazhet kryesorë, radhën e ngjarjeve, mësimet ose zbatimin.
Pyetje përcaktuese
Pasi nxënësit të lexojnë një bllok shkrimesh të shenjta, ftojini ata të renditin pyetjet që vargjet mund të ndihmojnë t’u japin përgjigje. Sfidojini nxënësit të shkruajnë pyetje kuptimplota, me lidhje për një adoleshent/e, në vend të pyetjeve kërkimore të thjeshta. Për shembull, në vend që të pyetin: “Çfarë thotë Alma se është besimi? Çfarë thotë ai se nuk është besimi?”, nxënësit mund të pyetin: “Çfarë është e nevojshme të bëj për të ditur vetë se diçka që Shpëtimtari dha mësim është e vërtetë?” Nëse ka më shumë se një bllok shkrimesh të shenjta për nxënësit për t’i studiuar, ata mund t’i renditin pyetjet e tyre dhe t’ia tregojnë një nxënësi që studioi një bllok të ndryshëm. Nxënësit mund të kërkojnë dhe mendojnë rreth përgjigjeve për pyetjet e shokëve të klasës.
Intervistojeni autorin
Kërkojuni nxënësve të imagjinojnë sikur janë autori i një tregimi të shkrimit të shenjtë dhe dikush po i interviston lidhur me atë që shkruan. Nxënësit mund ta lexojnë tregimin nga shkrimi i shenjtë dhe të zënë me radhë rolet e intervistuesit dhe të autorit. Disa pyetje që mund të bëjë intervistuesi janë:
-
Cilat janë disa aspekte të këtyre vargjeve që nuk do të donit që lexuesit t’i humbnin?
-
Cila do të thoshit se ishte pika juaj kryesore ose një nga pikat tuaja kryesore?
-
Si do të shpresonit që lexuesit të mund ta zbatonin në jetën e tyre?
Ftojini nxënësit të tregojnë atë që mësuan nga përvoja. Përdorini komentet e tyre për të thënë të vërtetën e theksuar me ngjyrë të zezë.
Përkimi
Jepni disa referenca të shkrimit të shenjtë në një kolonë dhe të vërtetat përkatëse në një rend të përzier në një kolonë të ndryshme. Nxënësit mund të studiojnë dhe përkojnë.
E vërteta më e rëndësishme
Ndërkohë që nxënësit studiojnë një kapitull të shkrimit të shenjtë që përfshin të vërteta të shumta që ata mund t’i përcaktojnë, mund t’i vini ata të fillojnë duke studiuar vetë. Secili mund të vendosë se cilat beson se janë tri ose katër të vërtetat ose idetë më të rëndësishme në bllok dhe t’i shkruajë ato. Më pas nxënësit mund të organizohen në grupe me nga dy veta dhe t’i krahasojnë të vërtetat që përcaktuan. Çdo çift nxënësish përcakton ato që ndien se janë dy të vërtetat më të rëndësishme dhe i shënon ato. Shënim: Idetë mund të jenë të ndryshme nga katër origjinalet e tyre. Secila dyshe bashkohet më pas me një dyshe tjetër për të formuar një grup me katër veta; së bashku, të katër nxënësit tregojnë dhe krahasojnë idetë e tyre dhe punojnë si një skuadër për të përcaktuar të vërtetën e vetme më të rëndësishme në tekst.
Kronologji me figura
Paraqitni disa figura që përfaqësojnë një histori të shkrimit të shenjtë që nxënësit do ta studiojnë. Paraqitni vargjet që do të lexojnë nxënësit. Ftojini nxënësit t’i vendosin figurat në rendin e saktë.
Bërja e diagramit të fabulës
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë doktrinën ose parimet që jepen mësim në tregimet e shkrimit të shenjtë me një diagram të fabulës. Përcaktojini elementet e ndryshme të fabulës duke përfshirë sa vijon:
-
Situatën e fillimit (duke përfshirë kush, çfarë, ku, kur).
-
Rritjen e një konflikti ose veprimi. Përcaktoni ndryshimet që ndikojnë në jetën e njerëzve në tregim.
-
Çastin kulmor. Kjo është pika qendrore e historisë. Shpesh ka një ndryshim të madh, për shembull, një person që e kapërcen një pengesë ose të pasurit e një çasti zbulimi.
-
Veprimet teksa pësojnë rënie. Pasojat e çastit kulmor kur veprimet pësojnë rënie.
-
Përfundimin. Kjo përshkruan kuptueshmërinë e re që kanë njerëzit për shkak të përvojës së tyre.
Shkruajini në tabelë referencat e shkrimit të shenjtë për secilin element të fabulës. Ftojini nxënësit të lexojnë vargjet për secilin element të fabulës dhe ose të vizatojnë një figurë të asaj që po lexojnë, ose të shkruajnë një listë të ngjarjeve kyç. Kur nxënësit të përfundojnë hapin e fundit, ftojini ta shohin të gjithë rrëfimin dhe të shkruajnë një thënie të së vërtetës që ata e kanë mësuar.
Figurëformuese
Bëni një figurëformuese të thjeshtë nga një figurë që përfaqëson bllokun e shkrimeve të shenjta. Shkruajini referencat e shkrimit të shenjtë në pjesën e pasme të secilës copë. Nxënësit mund të organizohen në grupe dhe secilit t’i jepet një copë e figurëformueses. Nxënësit studiojnë referencat dhe përgatiten për t’i përmbledhur vargjet e tyre. Ndërsa grupet ia tregojnë përmbledhjen e tyre klasës, ata mund t’i ngjitin copat në tabelë për të formuar figurën e plotësuar.
Teatri i lexuesit
Për një histori me shumë dialog, organizojini vargjet e shkrimit të shenjtë në një skenar në mënyrë që çdo person të mund ta gjejë shpejt pjesën e tij. Përdorni një tregimtar për t’i lexuar vargjet që nuk janë dialog. Mund t’i kopjoni vargjet e shkrimit të shenjtë dhe të shënoni secilën pjesë duke përdorur një theksim me ngjyrë të ndryshme. Shënim: Kini parasysh se anëtarët e Kreut-Perëndi duhet të paraqiten gjithnjë me shkallën më të lartë të nderimit. Nëse një pjesëtar i Kreut-Perëndi, duke përfshirë Jezu Krishtin, paraqitet në një tregim të shkrimit të shenjtë ku do të donit ta bënit këtë veprimtari, vëreni tregimtarin t’i lexojë fjalët e Tij.
Leximi i shkrimeve të shenjta
Ka shumë mënyra për t’i lexuar shkrimet e shenjta në klasë. Secila mënyra mund t’i shërbejë qëllimeve të ndryshme. Merrini parasysh nevojat e klasës suaj kur përzgjidhni metodat e leximit.
-
Leximi i heshtur: Nxënësit mund t’i lexojnë vetes në heshtje. Kjo lë kohë për të reflektuar për shkrimet e shenjta dhe lexuar sipas ritmit të tyre.
-
Leximi në dyshe ose në grup: Kjo lejon që më shumë nxënës të marrin pjesë dhe të ndihen më pak në ankth lidhur me leximin me zë të lartë.
-
Mësuesi ose variant zanor i regjistruar: Mësuesi mund ta lexojë tekstin ose të luajë variantin zanor të tij dhe t’i ftojë nxënësit ta ndjekin.
-
Leximi me zë të lartë: E gjithë klasa mund të ftohet t’i lexojë vargjet së bashku. Shumë nxënës vullnetarë mund t’i lexojnë me zë të lartë klasës ose mund të ftohen më herët dhe t’u jepet kohë për t’u përgatitur për të lexuar. Sigurojini nxënësit se mund ta “pasojnë” radhën nëse nuk ndihen rehat me leximin.
Gërmimi në shkrimet e shenjta
Përgatitni disa pyetje rreth një serie vargjesh në shkrimet e shenjta në shirita letre të ndarë. Thërritini nxënësit të dalin përpara klasës dhe jepuni atyre një pyetje. Ftojini ata të kthehen në bankat e tyre për ta gjetur përgjigjen. Pasi ta kenë gjetur përgjigjen, ata do të dalin përpara klasës sërish dhe marrin pyetjen e radhës për t’iu përgjigjur. Kjo mund të bëhet edhe në grupe të vogla.
Simulimi
Rregullojeni klasën në një mënyrë që do të përfaqësonte një simulim të historisë për t’u lexuar në shkrimet e shenjta atë ditë. Për shembull, nëse lexoni te Doktrina e Besëlidhje 121, karriget mund të vendosen për të krijuar një zonë sa madhësia e një qelie të burgut të Libertisë. Kjo metodë i ndihmon nxënësit të krijojnë një ide pamore të asaj që do të mësojnë. Për kapitullin te Doktrina e Besëlidhje 136, nxënësit mund të organizohen në grupe pionierësh dhe të përzgjedhin një kapiten si zëdhënës.
Tabela “Ndal”
Jepuni nxënësve të vërtetën e theksuar me ngjyrë të zezë. Lexojuni atyre disa vargje me ngadalë, më pas kërkojuni të ngrenë dorën ose të thonë “Ndal” kur dallojnë diçka në varg që ndihmon të jepet mësim ajo e vërtetë. Më pas ftojini nxënësit ta tregojnë atë që vunë re.
Përmbledhja e nxënësve
Para orës mësimore, sigurojini një ose më shumë nxënësve kontekst ose përmbajtje rreth shkrimeve të shenjta që do të donit që ata t’i përmbledhin për orën mësimore. Këto mund të shtypen dhe të shpërndahen një ditë më parë, ose t’u jepen nxënësve ndërsa hyjnë në klasë. Ftojini të përgatiten për të dhënë përmbledhjen kur të thërriten në një kohë të përshtatshme në orën mësimore.
Përktheni një varg
Pasi nxënësit të lexojnë një bllok të shkrimeve të shenjta, mund t’i vini ata të përzgjedhin një varg për ta përkthyer ose ta shkruajnë secilin rresht me fjalët e tyre. Ndihmojini të ushtrojnë gjetjen e përkufizimeve ose të përdorin shkrime të tjera të shenjta dhe mjete të studimit të shkrimeve të shenjta për të kuptuar fjalët dhe frazat e vështira.
E vërtetë apo e rreme
Shkruani thënie të vërteta ose të rreme të ndryshme rreth hollësive të rëndësishme në një bllok të shkrimeve të shenjta. Ftojini nxënësit të tregojnë nëse në fillim bien dakord ose jo me thëniet. Ftojini ata të gjejnë prova pro ose kundër thënieve ndërsa e studiojnë bllokun e shkrimeve të shenjta. Më pas nxënësit i rishkruajnë thëniet e pasakta saktë ndërsa e lexojnë fragmentin e shkrimit të shenjtë.
Përdorni një fotografi
Ftojini nxënësit të përzgjedhin një fotografi që është e rëndësishme për ta. Kjo mund të jetë në telefonin e tyre ose mund të sjellin një nga shtëpia. Ftojini të përgatiten për të treguar sa vijon:
-
Rrethanat, duke përshkruar çfarë po ndodhte para kësaj fotografie.
-
Idenë ose qëllimin kryesor të fotografisë.
-
Disa hollësi që janë të rëndësishme për ta.
Pasi nxënësit të flasin, ata mund të lexojnë më pas bllokun e shkrimeve të shenjta për mësimin dhe të përgatitin po ato tre gjëra në lidhje me bllokun e shkrimeve të shenjta.
Përfytyrimi
Ftojini nxënësit të imagjinojnë një histori ose pjesën e tekstit që studiuan. Nxënësit mund të mbyllin sytë dhe të përqendrohen në përfytyrimin e figurave të përshkruara nga mësuesi. Për shembull, mund t’i ftoni nxënësit të imagjinojnë sikur ishin barinjtë që kishin ndjekur ftesën e engjëllit për të gjetur fëmijën Krisht të shtrirë në një grazhd. Pastaj ata mund të thonë diçka të tillë si: “Ju hyni në stallën ku Maria mban në krahë fëmijën Krisht. Kë shihni aty? Cilat kafshë imagjinoni? Në imagjinatën tuaj, si reagon Maria ndaj ardhjes suaj?” Vazhdoni të bëni pyetje që i ndihmojnë nxënësit ta imagjinojnë situatën.
Grup fjalësh
Ftojini nxënësit të përcaktojnë fjalët dhe frazat që e ndiejnë se janë të rëndësishme në një fragment të shkrimit të shenjtë. Krijoni një grup fjalësh me fjalët dhe frazat më të zakonshme ose më domethënëse që përcaktojnë. Gjatësia e fjalëve mund të tregojë nivelin e rëndësisë së tyre.
2. Thellojeni kuptueshmërinë me citime dhe shkrime të shenjta
Shpesh mësimet do të përfshijnë disa fragmente të shkrimit të shenjtë nga veprat standarde për t’i ndihmuar nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për parimin ose doktrinën që po studiojnë. Do të ketë edhe mësime që përfshijnë citime të shumta nga udhëheqësit e Kishës. Veprimtaritë vijuese janë disa mënyra se si mund t’i ndihmoni nxënësit të studiojnë një larmi shkrimesh të shenjta ose citimesh dhe t’u jepni atyre një mundësi për ta zbuluar vetë të vërtetën.
Krijoni vendqëndrime studimi
Vendosni vendqëndrime studimi në të gjithë klasën. Çdo vendqëndrim mund të përfshijë udhëzime të paraqitura në mure ose mbi banka. Këto udhëzime mund të përfshijnë shkrime të shenjta ose citime për t’u lexuar dhe pyetje ose veprimtari të tjera për t’u plotësuar. Nxënësit mund të diskutojnë me radhë në grupe të vogla për atë që kanë mësuar në çdo vendqëndrim. Ata mund ta bëjnë këtë edhe individualisht dhe të lëvizin sipas ritmit të tyre. Ju mund të vini një fletë letre të madhe në çdo vendqëndrim që secili grup ose nxënës të shënojë përgjigjet e tij. Ata mund të lexojnë dhe reflektojnë mbi atë të kanë shkruar të tjerët.
Krijoni poshtëshënimet tuaja
Ftojini nxënësit të shtojnë poshtëshënime në shkrimet e shenjta që studiuan. Këto mund të shtohen duke krijuar lidhje ndërmjet fragmenteve që po studiohen dhe shkrimeve të shenjta ose thënieve të tjera nga udhëheqësit e kishës. Nxënësit mund t’i shkruajnë referencat-kryq në anët e faqes ose të përdorin funksionin e lidhjes në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Ata mund të tregojnë sa më shumë referenca shtesë që është e mundur, që ofrojnë më shumë pikëpamje mbi temën. Variacion: Nxënësit mund të përdorin Tags [Etiketat] në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për të lidhur shkrime të shenjta dhe citime të ndryshme nga një mësim.
Përkufizoni
Nxënësit përcaktojnë një fjalë ose koncept që është i vështirë për t’u kuptuar. Vërini të kërkojnë për burime, përfshirë shkrimet e shenjta dhe mjetet e studimit të shkrimeve të shenjta (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, Topics and Questions [Tema dhe Pyetje]) për t’i ndihmuar të mësojnë më shumë rreth termit. Vërini ta përcaktojnë termin ose frazën me fjalët e tyre.
Shënime me ilustrime
Ndërsa nxënësit studiojnë, jepuni atyre një letër me flluska mendimesh ose pjesë ku mund ta shkruajnë atë që studiojnë.
Ekspertët
Organizojini nxënësit në grupe të vogla dhe caktojini secilit grup një temë për ta mësuar. Jepuni grupeve kohë dhe burime për të studiuar temat në mënyrë që secili anëtar i grupit të bëhet një ekspert në temën e grupit të tij. Pas një kohe të mjaftueshme, organizojini nxënësit në grupe të reja në mënyrë që secili grup të përfshijë një “ekspert” për një temë të ndryshme. Nxënësit do ta tregojnë më pas atë që mësuan rreth temës së tyre.
Lidhjet e materialit “Për Forcën e Rinisë”
Zgjidhni një pjesë nga broshura Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve dhe ftojini nxënësit të gjejnë thënie që e përforcojnë të vërtetën që kanë zbuluar nga një bllok i shkrimeve të shenjta.
Rresht pas rreshti
Vërini nxënësit të rishkruajnë një shkrim të shenjtë në ditarin e studimit rresht pas rreshti ose fjali pas fjalie. Ata duhet të lënë hapësirë ndërmjet çdo rreshti ose fjalie. Nxënësit mund të studiojnë dhe të reflektojnë me kujdes për secilën fjalë në atë rresht ose fjali. Ata gjithashtu mund të gjejnë referenca-kryq ose informacion tjetër të programit Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] rreth atij rreshti. Pastaj bëni të njëjtën gjë me rreshtin e radhës të fragmentit. Një shembull i kësaj mund të gjendet te pjesa “Fear Not” [“Mos Kini Frikë”], For the Strength of Youth [Për Forcën e Rinisë], shkurt 2021, f. 32.
Harta e mendjes
Ftojini nxënësit të krijojnë një hartë të mendjes si ajo më lart në ditarin e studimit. Ata mund të shkruajnë parimin ose doktrinën që përcaktuan në kutinë e mesit. Më pas vërini ata të kërkojnë shkrime të shenjta ose citime shtesë që e shtojnë kuptueshmërinë e tyre. Ata mund t’i shtojnë pikëpamjet e tyre rreth asaj teme në kutitë e jashtme. Ftojini nxënësit të zgjerojnë hartën e tyre të mendjes duke shtuar vazhdimisht kuti dhe duke i lidhur ato me gjërat që po mësojnë.
Mbivendosje idesh
Ftojini nxënësit të zgjedhin dy ose më shumë tema nga mësimi që janë të ngjashme në disa mënyra dhe të ndryshme në të tjera. Krijoni një diagram të ngjashëm me figurën më lart ku nxënësit të mund të organizojnë atë që kanë të përbashkët këto gjëra dhe atë që është e ndryshme rreth dy temave. Kjo mund të bëhet me dy individë në një rrëfim (për shembull, Lamani dhe Nefi) ose dy tema (për shembull, pashka dhe sakramenti).
Të treguarit e pikëpamjeve
Jepuni nxënësve një faqe të kopjuar të një blloku të shkrimeve të shenjta dhe vërini ta shkruajnë emrin e tyre në krye. Jepuni atyre një ose dy minuta për ta lexuar bllokun dhe shkruar një pikëpamje që mësuan nga studimi i tyre.
Shembujt mund të përfshijnë: Nxënësit mund të shënojnë poshtëshënime, të japin citate profetike, të nënvizojnë fraza të rëndësishme, të rrethojnë fjalë të veçanta, të shkruajnë parimet dhe ta tregojnë dëshminë e tyre dhe pikëpamje të tjera në anët e faqes.
Pasi të mbarojë koha, vërini ata ta kalojnë letrën e tyre te një nxënës i ri për të shkruar pikëpamje të ndryshme. Pas disa kalimeve, vërini ata ta kthejnë letrën e tyre te nxënësi fillestar. Variacion: Në vend të një blloku shkrimesh të shenjta, secila letër ka një pyetje zbatimi të ndryshme që lidhet me bllokun. Nxënës të shumtë mund t’u përgjigjen pyetjeve duke i përdorur shkrimet e shenjta dhe dhënë dëshmitë e tyre për temën.
Zgjidhni rastësisht një citim
Vendosni disa citime që japin mësim një të vërtetë nga mësimi në një kapelë ose qese. Ftojini vullnetarët të tërheqin një citim nga kapela dhe të tregojnë se si lidhet ai me të vërtetën që po mësojnë dhe çfarë kuptimi ka për ta. Sigurohuni që t’u jepni atyre kohë për të lexuar dhe të përgatiten për ta treguar atë. Variacion: Pasi nxënësit të kenë folur, ata i shkëmbejnë citimet dhe gjejnë partnerë të rinj të cilëve t’ua tregojnë citimin e tyre.
Shkrime të shenjta në kutiza
Zgjidhni 16 referenca nga shkrimet e shenjta dhe shkruajeni secilën referencë në 16 rreshtat në kolonat e jashtme të kutizave. Ftojini nxënësit në dyshe ose grupe të vogla t’i lexojnë shkrimet e shenjta që janë të lidhura së bashku në secilën kutizë dhe përcaktoni se cila referencë do të ishte më kuptimplotë për një adoleshent/e sot. Kalimi që ata përzgjedhin të çon te kutiza e radhës. Nxënësit vazhdojnë ta diskutojnë secilën dyshe të shkrimeve të shenjta derisa të përcaktojnë atë shkrim të shenjtë që e ndiejnë se është më domethënës dhe të diskutojnë përse. Nxënësit mund t’ia tregojnë këto shkrime të shenjta klasës.
Veprimtari të studimit sipas zgjedhjes së nxënësit
Bëni një listë të gjashtë veprimtarive të studimit. Pasi nxënësit të kenë përcaktuar një të vërtetë nga një bllok i shkrimeve të shenjta, përdorni një mënyrë rastësore për nxënësit që të përzgjedhin se cilën veprimtari të plotësojnë (hidhni zaret, tërhiqni një kartë, zgjidhni një shirit letre, program që gjeneron numra rastësorë).
Shembujt mund të përfshijnë:
-
Tregoni një histori nga jeta e Jezusit ku Ai dha mësim ose tregoi të vërtetën.
-
Gjeni një fragment të zotërimit doktrinor ose fragment tjetër të shkrimit të shenjtë rreth së vërtetës.
-
Gjeni një shembull të një historie nga shkrimi i shenjtë të dikujt që e jetoi të vërtetën.
-
Gjeni një thënie nga një udhëheqës i Kishës që e jep mësim të vërtetën.
-
Tregoni një përvojë vetjake të dikujt që është bekuar nga e vërteta.
-
Zgjidhni shembullin tuaj të diçkaje që mund të bëjmë për ta jetuar të vërtetën. Gjeni një fragment të shkrimit të shenjtë që jep mësim shembullin që tregoni.
Gjarpri i studimit
Mbi çdo tavolinë ose karrige, vendosni një kartë që përmban udhëzime të tilla si “lexo një fragment të shkrimit të shenjtë ose një citim”, ose “përgjigjju një pyetjeje nga mësimi”. Nxënësit mund t’i ndërrojnë ndenjëset dhe të ndjekin udhëzimet në atë kartë.
Rrjeta e temave
Ftojini nxënësit të krijojnë një diagram si ai që nis me të vërtetën e theksuar me ngjyrë të zezë ose temën në qendër. Më pas nxënësit vizatojnë vija për te rrathët e jashtëm dhe i emërtojnë ato me shkrimet e shenjta, të vërtetat ose elementet përkatëse të temës kryesore. Për shembull, nxënësit mund të shënojnë ftesën “Besoni te Perëndia” të Mbretit Beniamin në rrethin qendror me referencën “Mosia 4:9–10”. Më pas ata mund të renditin në rrathët e jashtëm se për çfarë na fton Mbreti Beniamin të besojmë te Perëndia.
Ndalimi gjatë materialit filmik
Përdorni një material filmik që ilustron ose jep mësim rreth një parimi të ungjillit. Ndaloni në çaste të ndryshme për të ngjallur kureshtje ose për t’i ndihmuar nxënësit ta analizojnë atë që po shohin. Mund t’u bëni nxënësve pyetje të tilla si:
-
“Çfarë mund të mendoni ose ndieni ose çfarë pyetjesh mund të kishit po të ishit në këtë situatë?”
-
“Çfarë shkrimesh të shenjta keni studiuar sot që mund të ndihmojnë?”
-
“Çfarë shpresoni se mund të kuptojë ky person rreth të vërtetës që kemi studiuar sot?”
-
“Ku e shikoni veten tuaj në këtë histori sot?”
3. Tregoni atë që po mësoni
Gjatë gjithë mësimeve, nxënësit ftohen të japin mendimet dhe pikëpamjet e tyre. Ndërsa nxënësit shpjegojnë, tregojnë dhe i dëshmojnë një partneri, një grupi të vogël ose klasës, ata shpesh udhëhiqen nga Fryma e Shenjtë në një dëshmi më të thellë pikërisht për gjërat që po shprehin. Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, fjalët dhe shprehjet e tyre mund të kenë gjithashtu një ndikim të konsiderueshëm në zemrat dhe mendjet e atyre që po dëgjojnë. Sado e rëndësishme që është kjo, nxënësit mund ta kenë të vështirë të shprehen për një sërë arsyesh. Kujtohuni të siguroheni që nxënësit të “pasojnë radhën” nëse nuk ndihen rehat për të folur. Idetë vijuese mund t’i ndihmojnë nxënësit ta tregojnë atë që po mësojnë.
Analizoni një fragment
Shkruani një varg të shkrimit të shenjtë në qendër të një letre të madhe (përndryshe, mund ta paraqitni atë në tabelë). Sigurohuni që të jetë e madhe sa duhet që çdo nxënës ta shohë. Nxënësit mund të shpenzojnë disa minuta duke bërë sa më shumë pyetje që munden rreth vargut të shkrimit të shenjtë. Më pas jepuni atyre disa minuta për të kërkuar në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për t’iu përgjigjur pyetjeve. Përndryshe, shkrimi i shenjtë mund të shtypet në një fletë letre dhe nxënësit mund ta bëjnë të njëjtën veprimtari individualisht.
Tabela e ideve
Nxënësit mund të përdorin pusulla ngjitëse ose copa letre të vogla për të shkruar idetë e tyre rreth mënyrave se si ta zbatojnë një të vërtetë të ungjillit dhe t’i ngjitin ato në tabelë. Për shembull, nxënësve mund t’u kërkohet të shkruajnë idetë e tyre rreth mënyrave se si të zbatohet një parim i ungjillit. Tabela e ideve mund të ketë një figurë të madhe të diçkaje që lidhet me temën. Për shembull, nëse studiojnë pemën e jetës, nxënësit mund të renditin mënyrat se si hahet fruta dhe t’i paraqitin ato në degët e një peme në tabelë. Jepuni nxënësve kohë ta shqyrtojnë atë që shkruan të tjerët.
Njihuni me audiencën tuaj
Vërini nxënësit të përzgjedhin audiencën e synuar dhe ta tregojnë atë që po mësojnë në një mënyrë që audienca e kupton. Nxënësit mund ta bëjnë këtë veprimtari me një partner ose grup. Mund të jetë e efektshme t’u jepni nxënësve mundësi të shumta dhe t’i lini të zgjedhin se cilës audiencë duan t’i japin mësim. Këtu janë disa mundësi ndër të cilat mund të zgjedhin:
-
Një shok i një besimi tjetër në misionin tuaj.
-
Fëmijë në një klasë të fillores.
-
Një shok nga shkolla.
-
Një pjesëtar i familjes suaj.
Vazhdojeni bashkëbisedimin
Para se të bëni një diskutim si klasë, mund të ndihmojë fakti që t’i inkurajoni nxënësit ta dëgjojnë me kujdes njëri-tjetrin. Idetë vijuese mund t’u jepen nxënësve përpara diskutimit. Kjo mund t’i ndihmojë ata ta dëgjojnë me kujdes njëri-tjetrin dhe të krijojnë një diskutim ndërtues që përfshin shumë nxënës në diskutim. Mund t’i paraqitni ato ose t’u jepni nxënësve një fletushkë të këtyre ideve.
Zgjeroje – Trego çfarë të pëlqeu rreth thënies së shokut të klasës dhe më pas shto mendimet e tua.
-
“Kjo më sjell ndër mend …”
-
“Jam dakord sepse …”
-
“E vërtetë. Një shembull tjetër është kur …”
-
“Kjo është ide e shkëlqyer …”
Përmblidhe – Riformuloje atë që tha shoku ose shoqja e klasës dhe më pas komento për të.
-
“Të dëgjova që the se …”
-
“Pra, nëse të kuptoj siç duhet …”
-
“Më pëlqeu se si e the …”
Hulumto – Bëji një nxënësi tjetër pyetje rreth asaj që tha.
-
“A mund të më tregosh më shumë për atë?”
-
“Nuk jam i/e sigurt a të kuptoj …?”
-
“E kuptoj idenë tënde, por po …?”
-
“A ke menduar për …?”
Pasoni letrën
Krijoni një letër me një sërë udhëzimesh që mund të përfshijnë shkrime të shenjta ose citime për t’i lexuar dhe pyetje për t’iu përgjigjur. Sigurohuni që të ketë hapësirë të mjaftueshme që nxënësit t’i shkruajnë përgjigjet e tyre. Jepini secilit nxënës një kopje dhe ftojeni ta shkruajë emrin në krye. Nxënësit i përgjigjen pyetjes së parë. Më pas e palosin letrën për ta mbuluar përgjigjen e tyre. Ata ia kalojnë letrën një nxënësi tjetër që i përgjigjet pyetjes ose nxitjes së radhës. Çdo nxënës e palos letrën për ta mbuluar përgjigjen e tij dhe e kalon atë te një nxënës tjetër. Në përfundim të qarkullimit, letrat i kthehen nxënësit fillestar që e lexon atë që shkruan shokët e klasës.
Përgatituni për të treguar
Jepni një pyetje të rëndësishme që do të donit që t’i përgjigjeshin nxënësit. Sigurohuni që ta jepni atë disa minuta para se t’i ftoni t’i përgjigjen pyetjes. Për shembull, mund të thoni: “Pas disa minutash, do të doja që disa prej jush të japin mendimet rreth ______________. Ju lutemi, mendoni rreth asaj që do të doni të tregoni ndërsa e studiojmë fragmentin vijues.” Nxënësit mund të ftohen të flasin në fillim me një partner ose grup.
Anketoni klasën
Bëni një anketë të nxënësve tuaj duke u dhënë atyre një copë letre të vogël. Nxënësit mund të përgjigjen në mënyrë anonime dhe më pas t’i vendosin letrat e tyre në një kuti ose kapelë. Mund të merrni mendimet e tyre rreth një parimi, pyetjeje ose një vendimi që dikush mund të marrë në një skenar. Përndryshe, nëse nxënësit kanë qasje në një telefon inteligjent, mund të përdorni një program kompjuterik anketimi që është falas dhe i lehtë për t’u përdorur. Jepuni nxënësve një detyrë studimi dhe një lidhje anketimi për një pyetje dhe vërini ata të përgjigjen duke përdorur telefonat e tyre. Do të jeni në gjendje t’i shihni përgjigjet dhe mund t’i paraqitni ato në klasë. Ka shumë programe kompjuterike falas që mund t’jua mundësojnë këtë.
Fraza shtytëse shpirtërore
Përdorni fraza shtytëse shpirtërore për t’i trajnuar nxënësit tuaj të shprehen dhe nxitni një diskutim në klasë.
Ky është një mjet i dobishëm për klasat që janë të qeta ose të pasigurta për mënyrën se si ose se çfarë të tregojnë. Paraqitni listën e frazave më poshtë për t’i ndihmuar nxënësit ta formulojnë atë që mund të tregojnë. Vërini ata të studiojnë një bllok shkrimesh të shenjta dhe të përgatiten për të folur duke përdorur një ose më shumë fraza shtytëse shpirtërore. Mundësoni diskutimin ose vëreni një nxënës të jetë ndërmjetës.
-
Një varg që pëlqej është…
-
Një frazë që ishte largpamëse ishte…
-
Një mësim që mund të nxjerrësh nga kjo është…
-
Gjeta një parim…
-
Një fjalë që m’u duk interesante/pështjelluese është…
-
Diçka që një adoleshenti i nevojitet të mësojë nga kjo është…
-
Diçka që e di se është e vërtetë nga kjo është…
-
Diçka për të cilën jam i pasigurt është…
-
Një gjë që ndiej se duhet të bëj me këtë sot është…
-
Një gjë që mësoj rreth Shpëtimtarit në këtë është…
Kartat e pjesëmarrjes
Shpërndani kartat që nxënësit mund t’i ngrenë lart si përgjigje pamore për pyetjet që bëni. Nxënësit mund t’i përdorin kartat për të treguar përgjigjet e tyre ose se kur janë gati për t’u shprehur ose diskutuar mendimet e tyre. Për shembull:
-
E gjelbër për e vërtetë, e kuqe për e rreme
-
“Duke u menduar ende” në njërën anë dhe “Gati për të Folur” në tjetrën
-
Një kartë me numra ose shkronja që përfaqësojnë mundësitë e ndryshme të renditura në tabelë. Të gjithë nxënësit tregojnë me gisht një numër ose shkronjë për përgjigjet e tyre në mënyrë që ju t’i shihni përgjigjet e tyre dhe të zgjidhni nxënës për t’u përgjigjur.
-
Një kartë me përgjigje të shumta në anë të ndryshme (shihni shembullin më poshtë). Kur nxënësit ftohen të përgjigjen, pozicioni i tyre është i mesit në krye. Ju ose një nxënës mund të thërrasë më pas nxënës në bazë të pozicionit që ata po tregojnë.
Filluesi i skenarit
Jepuni nxënësve një skenar të paplotë dhe ftojini të shtojnë te hollësitë për ta bërë atë të ketë më shumë lidhje me ta. Për shembull, mund të thoni diçka të tillë si “Le të krijojmë një skenar për dikë afër moshës suaj, me emrin Xhulia, e cila po përballet me disa sfida jete. Cilat mund të jenë disa prej tyre?” Ndërsa nxënësit flasin, ndihmojini ata të sugjerojnë hollësi për ta bërë Xhuliën, ose një emër tjetër të zgjedhur prej jush, të duket si një person i vërtetë. Mund edhe të shtoni hollësi kyç që ndikojnë në diskutim, të tilla si pyetja kryesore e Xhuliës.
Përndryshe, mund t’i vini nxënësit të krijojnë skenarët e tyre dhe t’i shkruajnë ata në letër. Mund t’i shkëmbeni këta skenarë dhe t’i vini nxënësit të përgjigjen duke përdorur atë që mësuan.
Bashkëbisedim me tekst skenari
Krijoni një skenar që fillon me një mesazh të vetëm me tekst, por mos ua zbuloni nxënësve rrethanat që çuan në atë mesazh me tekst. Mund t’i jepni çdo nxënësi një model me tekst bosh si vijuesi dhe t’i ftoni ata të krijojnë dialogun për bashkëbisedimin me tekst.
Miqësim me shpejtësi
Ndihma ndaj nxënësve që të ndihen rehat për të folur me njëri-tjetrin fillon duke i ndihmuar ata t’i njohin shokët e tyre të klasës. Kjo veprimtari mund t’i ndihmojë nxënësit të arrijnë ta njohin njëri-tjetrin si edhe të tregojnë diçka rreth shkrimeve të shenjta. Organizojini nxënësit në dyshe duke krijuar dy rreshta me karrige përballë njëra-tjetrës. Më pas ftojini nxënësit të shënojnë një fragment të dhënë të shkrimit të shenjtë dhe t’i përgjigjen një pyetjeje që e përgatitët rreth atij fragmenti. Ftojeni çdo çift që ndodhet përballë njëri-tjetrit t’i përgjigjet një pyetjeje miqësimi që e përgatitët, që mund t’i ndihmojë ata ta njohin njëri-tjetrin më mirë. Ftojini nxënësit t’i shkëmbejnë partnerët dhe ta përsëritin procesin shumë herë duke përdorur pyetje dhe fragmente të ndryshme të shkrimit të shenjtë. Për t’i vënë nxënësit të punojnë me çdo partner, nxënësi i ulur në një nga karriget e cepit nuk lëviz.
Dërrasë për pusulla ngjitëse
Vendosni në tabelë disa pyetje për nxënësit që t’u përgjigjen ose vargje rreth të cilëve mund të japin pikëpamje. Çdo nxënës e shkruan emrin e tij në një pusullë(a) ngjitëse dhe e vendos atë pranë pyetjes(eve) ose vargut(gjeve) që janë të gatshëm t’u përgjigjen ose për të cilët të komentojnë.
Variacion: ngjyrat mund të tregojnë atë që duan të tregojnë nxënësit, pra, një pikëpamje, pyetje, referencë-kryq e kështu me radhë.
Bëni një fotografi
Ftojini nxënësit të zgjedhin një send në klasë ose një figurë në telefonin e tyre që mund të përdoret për të ndihmuar të jepet mësim një parim ose doktrinë. Ftojini ata të tregojnë se si do t’ia jepnin mësim dikujt atë që mësuan duke përdorur sendin ose figurën.
Shkruani para se të flisni
Jepuni nxënësve kohë për t’i shënuar përgjigjet për pyetjet e rëndësishme në ditarët e tyre të studimit para se t’i ftoni ata të përgjigjen me zë të lartë.
4. Krijoni një paraqitje të asaj që ata mësuan
Shpesh në mësime nxënësit ftohen të bëjnë diçka për ta treguar atë që kanë studiuar. Kjo mund të përfshijë përdorimin e zotësive krijuese. Veprimtaritë vijuese janë disa mënyra për t’i ndihmuar nxënësit ta bëjnë këtë.
Krijimi i programeve kompjuterike
Nxënësit krijojnë programin e tyre në një copë letër. Programi kompjuterik mund të paraqitë një të vërtetë që jepet mësim në shkrimet e shenjta të studiuara dhe të përfshijë veprimtari, figura, shkrime të shenjta ose citime që mund ta ndihmojnë dikë ta zbatojë atë në jetën e tij.
Kiazma
Kiazma është një figurë letrare në të cilën gjysma e dytë e një fjalie, paragrafi ose shkrimi pasqyron dhe përsërit në rendin e kundërt gjysmën e parë. Mesazhi kryesor gjendet në mes (shihni tek Alma 36 si një shembull). Ftojini nxënësit të krijojnë një kiazmë nga ato që studiuan. Nxënësit do ta vendosin të vërtetën e theksuar me ngjyrë të zezë në mes dhe do të shtojnë vija sipër dhe poshtë saj me shkrime të shenjta ose thënie profetike mbështetëse. Mund të duket e ngjashme me këtë:
A – çfarë ndiejnë nxënësit rreth së vërtetës ose përvojave që kanë pasur me të
B – çfarë kuptojnë nxënësit rreth së vërtetës
C – e vërteta ose parimi i ungjillit
C – e vërteta ose parimi i ungjillit
B – një kuptueshmëri shtesë rreth së vërtetës
A – përvoja shtesë që nxënësit i kanë pasur me të vërtetën dhe mënyra se si ndihen në lidhje me të
Studim me tregim vizatimor humoristik
Jepuni nxënësve modelin bosh të një tregimi vizatimor humoristik ose vërini të krijojnë një model mbi një copë letër. Nxënësit lexojnë bllokun e shkrimeve të shenjta dhe krijojnë një tregim vizatimor humoristik që ilustron radhën e ngjarjeve në bllok. Vërini ata të përdorin kutinë e fundit për të treguar atë që ndiejnë se është e vërteta më e çmuar për t’u mësuar nga historia. Ata mund t’ia tregojnë tregimet e tyre humoristike klasës. Përndryshe, mund ta përdorin këtë veprimtari për të ilustruar një zbatim bashkëkohor të së vërtetës ose parimit.
Krijoni një skemë mësimi
Krijoni një skemë që nxënësit mund ta përdorin për të përgatitur një mësim të shkurtër, bisedë, mesazh ose mënyrë për të treguar një fragment të shkrimit të shenjtë. Mund të ofroni një model skeme bosh në të cilën nxënësit shënojnë zbulimet e tyre. Mund t’i udhëzoni nxënësit të përfshijnë informacione të ndryshme në secilën kuti. Për shembull, nxënësit mund të shkruajnë një titull në kutinë e parë, t’i përmbledhin vargjet kyç në kutinë e radhës, shembujt ose historitë vetjake në tre kutitë e gjata dhe një dëshmi në kutinë e fundit.
Krijoni një pamflet
Jepini çdo nxënësi një fletë letër dhe ftojini ta palosin atë në tresh. Nxënësit mund të krijojnë një faqe titulli që përmban parimin ose doktrinën që kanë përcaktuar. Nxënësit mund të krijojnë faqe vijuese me titra dhe hollësi nga ajo që po mësojnë. Mund t’i ftoni ata të ruajnë hapësirë në pjesën e pasme të pamfletit për të shkruar ndonjë synim ose plan që e bëjnë gjatë mësimit.
Kategoritë e ngjyrosjes
Shtypni në letër një faqe të kopjuar të bllokut të shkrimeve të shenjta dhe siguroni lapsa me ngjyra për t’i shënuar shkrimet e shenjta. Përcaktoni kategori të tilla si “Bekimet e premtuara”, “Veprat e Besimit” ose “Urdhërimet”. Çdo kategorie mund t’i caktohet një ngjyrë. Ftojini nxënësit t’i studiojnë vargjet dhe t’i shënojnë kategoritë me ngjyra ndërsa i gjejnë ato. Ftojini nxënësit ta tregojnë atë që shënuan dhe mësuan nga veprimtaria.
Vlerësoni një plan
Mund të përdorni një organizues grafik për t’i ndihmuar nxënësit t’i vlerësojnë planet e tyre. Nxënësit u përgjigjen pyetjeve në secilën pjesë të grafikut.
Diagrami i fluksit
Nxënësit mund të krijojnë një grafik që ilustron marrëdhënien ndërmjet vendimeve ose koncepteve të ndryshme në mësim. Për shembull, një diagram si vijuesi mund të përdoret për të treguar se ku mund të çojë besimi ose shpresa te Jezu Krishti.
Përfshirja në ndërtim
Jepuni nxënësve materialet që mund t’i përdorin, të tilla si blloqe ose plastelinë për të krijuar diçka që paraqet atë që ata kanë studiuar. Për shembull, nxënësit mund t’i përdorin blloqet për të paraqitur fortifikimet që Kapiten Moroni i urdhëroi njerëzit e tij të ndërtonin (shihni tek Alma 48:7–9). Nxënësit mund ta emërtojnë secilin bllok me një mënyrë se si mund të përgatitemi shpirtërisht për t’u bërë ballë sulmeve të Satanit.
Kolazh me figura
Nxënësit mund të gjejnë figura në telefonat e tyre ose në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] që lidhen me të vërtetën. Ata mund të krijojnë një kolazh digjital dhe t’ia tregojnë atë klasës.
Ç’dini – ç’doni të dini – ç’mësuat
Nxënësit e ndajnë fletën e letrës në tri kolona. Në kolonën e parë ata shkruajnë atë që e dinë tashmë rreth një teme. Në tjetrën shkruajnë atë që duan të dinë. Kolona e tretë plotësohet gjatë dhe pas mësimit me gjërat që mësuan nxënësit. Ata mund të ftohen të përcaktojnë çfarë i ka ndihmuar (nëse ka diçka) të mësojnë ose ka ndikuar në ndjenjat e tyre gjatë mësimit.
Letra për të ardhmen
Nxënësit mund t’i shkruajnë një letër vetvetes për t’u hapur dhe lexuar në një kohë specifike (në një mision, në dasmë, kur lindin fëmijën e parë). Një mundësi tjetër mund të jetë t’i vini nxënësit t’u shkruajnë një letër pjesëtarëve të familjes së tyre në të ardhmen. Ose mund t’u shkruajnë një letër nxënësve të ardhshëm që do të vijnë në seminar dhe t’u shpjegojnë atë që mësuan dhe se si u ndien.
Bëni një meme
Çdo nxënës përcakton një parim nga studimi i tij dhe formulon një frazë që të mbetet në mendje, që e ilustron parimin. Kërkojuni atyre gjithashtu të vizatojnë një figurë që e ilustron parimin. Sigurohuni që ata të përfshijnë referencën e shkrimit të shenjtë. Vërini ta tregojnë dhe shpjegojnë memen e tyre. Mund të doni të tregoni disa shembuj nga një revistë Për Forcën e Rinisë e kohëve të fundit.
Bëni një plan për “të shkuar dhe bërë”
Nxënësit mund të bëjnë një plan për të ndërmarrë veprim të efektshëm e të drejtë nisur nga gjërat që mësojnë dhe ndiejnë gjatë mësimit. Për ta bërë këtë, mund t’i vini ata të përcaktojnë atë që do të donin të bënin dhe të krijojnë hapat specifike të mënyrës se si ata do t’i realizojnë planet e tyre. Kjo mund të përfshijë përcaktimin e pengesave që mund të hasin dhe hapat specifike për t’i trajtuar këto pengesa. Ndërsa nxënësit krijojnë planet e tyre, inkurajojini ata t’i ndajnë në hapa më të vegjël. Bërja e ndryshimeve të vogla në gjërat që bëjnë çdo ditë mund t’i ndihmojë ata të ndihen të suksesshëm më shpesh.
Bëni një “pemë vendimi” të planit
Nxënësit mund të përdorin një pemë vendimi për t’i ndihmuar të zbatojnë një parim të ungjillit duke renditur pikat pro dhe kundër të vendimeve të ndryshme. Ata mund të nisin me një pyetje rreth një parimi të ungjillit dhe pasi t’i renditin pikat pro dhe kundër, t’i vlerësojnë zgjedhjet e tyre për ta marrë atë vendim. Krijoni pemë të veçanta për secilën pyetje dhe vendim në plan.
Për shembull: Bëni një plan për të studiuar shkrimet e shenjta.
Pyetjet:
-
Kur do t’i studioj shkrimet e mia të shenjta? (Bëni një pemë vendimi.)
-
Ku do t’i studioj shkrimet e mia të shenjta? (Bëni një pemë tjetër vendimi.)
-
Sa kohë do të kaloj me studimin e shkrimeve të mia të shenjta? (Bëni një pemë të tretë vendimi.)
Në fund të procesit, të tria vendimet së bashku formojnë një plan, ose synim, me hapa specifike për ta përmbushur atë.
Varg i ri himni
Nxënësit mund të përzgjedhin një himn rreth një të vërtete që studiuan në mësim. Ftojini ata të krijojnë një varg të ri të himnit nga ajo që studiuan. Klasa mund të përzgjedhë disa vargje të reja për t’i paraqitur dhe kënduar.
Të mësuarit e bazuar në projekte
Nxënësit mund të krijojnë një projekt për shumë mësime të cilit do t’i shtojnë përmbajtje në mësimet/javët vijuese. Kjo mund të jetë një poezi, himn, material filmik, projekt artistik ose formë tjetër e të shprehurit krijues që e krijojnë në mësimet pasuese.
Rishkruajeni fundin
Ftojini nxënësit ta rishkruajnë fundin e një historie të shkrimit të shenjtë ose një historie të treguar prej jush sikur personi të ketë bërë vendime më të mira/të ndryshme.
Receta
Nxënësit krijojnë receta duke përdorur atë që po mësojnë. Mund të filloni duke i treguar atyre një shembull të një recete që përfshin përbërësit, masat dhe udhëzimet. Pastaj ndihmojini nxënësit ta ndjekin atë model për të organizuar atë që po mësojnë. Ata mund ta titullojnë recetën e tyre “Si të jesh një misionar i fuqishëm” ose “Mënyrat për të pasur një studim më të efektshëm të shkrimeve të shenjta” dhe më pas të përfshijnë ato që ndiejnë se janë elemente thelbësore duke përdorur shkrime të shenjta dhe citime. Për shembull, te Doktrina e Besëlidhje 76, nxënësit mund të renditin përbërësit, masat dhe udhëzimet për t’u bërë një person çelestial. Inkurajojini ata të jenë krijues me recetat e tyre. Ata mund të vizatojnë një figurë që paraqet produktin përfundimtar të recetës.
Interpretoni me role
Nxënësit interpretojnë një skenar. Për këtë ka shumë variacione. Mund t’u kërkoni vullnetarëve të vijnë përpara klasës për të interpretuar me role skenarin. Nxënësit mund të interpretojnë me role në dyshe ose grupe të vogla. Ose mund të luani pjesën e një personi me pyetje dhe ta vini të gjithë klasën të trajtojë pyetjet ose shqetësimet tuaja.
Material filmik i shkurtër
Ftojini nxënësit të planifikojnë një material filmik të shkurtër. Ata mund të krijojnë një skenar dhe të vendosin se si të modelojnë diçka që mësuan nga mësimi. Nëse është e mundur, nxënësit mund ta krijojnë materialin filmik dhe ta shfaqin atë në klasë.
Publikim në rrjetet sociale
Ftojini nxënësit të krijojnë një publikim për rrjetet sociale për të treguar bindjet e tyre vetjake ose përvojat e lidhura me parimet e diskutuara në mësim. Kjo mund të jetë diçka që ata e publikojnë në internet, ose diçka që e krijojnë në ditarët e tyre të studimit. Ose mund të imagjinojnë sikur dikush publikoi një pyetje që lidhet me atë që u studiua në klasë dhe të hartojnë një përgjigje duke përdorur njohuritë që kanë mësuar. Ose nxënësit mund të studiojnë një publikim të kohëve të fundit në rrjetet sociale të një udhëheqësi të Kishës dhe të shkruajnë një përgjigje ose shënim inkurajues në publikim. Për një artikull që i ndihmon nxënësit të bëjnë publikime kuptimplota në rrjetet sociale, shihni “Social Media: Power to Change Lives” [“Rrjetet Sociale: Fuqia për të Ndryshuar Jetë”], Për Forcën e Rinisë, prill 2022.
Paraqitje pamore
Vendosini nxënësit në grupe për t’i përdorur shkrimet e shenjta, citimet dhe burimet e tjera të studimit për të krijuar afishe ose ekspozime muri për klasën. Afishet ose ekspozimet e tyre mund të përfshijnë vargje kyç, pyetje që mund të marrin përgjigje në tregimet e shkrimit të shenjtë, të vërteta të përjetshme, figura e kështu me radhë. Nxënësit mund të lëvizin rreth e qark dhe të shohin punimet e grupeve të tjera.
Shkruani një artikull për një revistë të Kishës
Nxënësit mund të imagjinojnë sikur po shkruajnë një artikull në revistat Për Forcën e Rinisë, Miku, ose Liahona, duke treguar atë që studiuan dhe se si mund t’i ndihmojë të rinjtë anembanë botës. Mund të tregoni një artikull si shembull. Inkurajojini nxënësit të shtojnë ilustrime, tabela dhe grafikë me informacione.