Seminari
Mësimi 193 – Zbulimi i Pikave të Forta dhe Aftësive të Tua: Përgatitu për Karrierë dhe Role të Tjera në të Ardhmen


“Mësimi 193 – Zbulimi i Pikave të Forta dhe Aftësive të Tua: Përgatitu për Karrierë dhe Role të Tjera në të Ardhmen”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Zbulimi i Pikave të Forta dhe Aftësive të Tua”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 193: Përgatitja për Arsimimin dhe Punësimin e Ardhshëm

Zbulimi i Pikave të Forta dhe Aftësive të Tua

Përgatitu për Karrierë dhe Role të Tjera në të Ardhmen

të reja duke punuar për një projekt

Teksa të rinjtë përgatiten për përgjegjësi dhe mundësitë e punësimit në të ardhmen, mund të jetë e dobishme që ata të përcaktojnë pikat e forta dhe aftësitë që iu mungojnë ose duhet të zhvillojnë. Ati ynë në Qiell mund t’i udhërrëfejë që të zbulojnë pikat e forta dhe dobësitë e tyre ndërsa kërkojnë ndihmën e Tij. Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit të përgatiten për rolet dhe mundësitë e punësimit në të ardhmen duke i njohur pikat e forta dhe aftësitë aktuale që duhet të zhvillojnë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Shënim: Një mësim i ardhshëm i titulluar “Zhvillimi i Zotësive dhe Aftësive” do të përqendrohet te ndihma që nxënësit të zhvillojnë disa nga zotësitë dhe aftësitë që përcaktojnë në këtë mësim. Nëse orari i mësimdhënies suaj ka nevojë që t’i ndërthurni mësimet, mund të jetë e efektshme t’i jepni këto dy mësime së bashku.

Pikat e forta dhe aftësitë që duhen për të pasur sukses

Merreni parasysh të shkruani në tabelë rolet e ndryshme që nxënësit mund të kenë në të ardhmen, si ato në vijim.

  • Student/e

  • Stazhier/e

  • Prind

  • Bashkëshort/e

  • Punonjës

Në vend që ta përfshini fjalën punonjës si një nga rolet, ju mund të jeni më specifikë duke i ftuar disa nxënës të tregojnë disa karriera në të ardhmen për të cilat mund të jenë të interesuar dhe t’i shkruajnë ato në tabelë.

Nxënësit mund ta diskutojnë pyetjen vijuese në grupe të vogla. Merreni parasysh t’i caktoni secilit grup një nga përgjegjësitë për ta diskutuar, ose mund t’i vini t’i diskutojnë të gjitha rolet bashkë.

  • Cilat janë disa nga zotësitë ose aftësitë që mund ta ndihmojnë dikë që të jetë i suksesshëm në këto role?

Ftojeni secilin grup të tregojë atë që diskutoi. Mund t’i ftoni grupet të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë në krah të rolit të duhur disa nga zotësitë ose aftësitë që përcaktuan. Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë, merreni parasysh të sugjeroni disa nga zotësitë e renditura në fletushkë më tutje në mësim.

Pas diskutimi tuaj, tregoni sa vijon për të ndihmuar që nxënësit të përgatiten për pjesën e mbetur të mësimit:

Mendo për përgjegjësitë ose mundësitë e punësimit që je i/e interesuar të ndjekësh në të ardhmen. Ndërsa studion sot, kërko drejtimin e Atit Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të të ndihmuar të përcaktosh pikat e forta dhe aftësitë që tashmë i ke të cilat mund të të përgatitin për këto përgjegjësi. Gjithashtu përpiqu të përcaktosh zotësitë dhe aftësitë që nevojitet t’i zhvillosh, të cilat do të të ndihmojnë të përgatitesh më mirë për të ardhmen.

Potenciali ynë nëpërmjet Jezu Krishtit

Shpjegoni se disa njerëz mund të ndihen të shkurajuar kur iu kërkohet të mendojnë për zotësitë dhe aftësitë e tyre për shkak se nuk ndihen aq të talentuar ose të zotë si të tjerët. Ka të vërteta të përjetshme që na mësohen në shkrimet e shenjta të cilat mund të na ndihmojnë kur ndihemi kështu.

Studioji disa nga fragmentet e mëposhtme, duke kërkuar të vërteta të përjetshme që mund të na ndihmojnë të dallojmë aftësinë tonë për ta arritur potencialin tonë nëpërmjet Jezu Krishtit.

1 Samuelit 16:7; Filipianëve 4:13; Jakobi [LiM] 4:7; Alma 26:12; Doktrina e Besëlidhje 18:10.

  • Çfarë të vërtetash gjete që mund ta ndihmojnë dikë që ndien se i mungojnë zotësitë ose aftësitë për të pasur sukses në jetë?

Nxënësit mund të vënë në dukje të vërteta të ngjashme me sa vijon: Zoti nuk sheh paraqitjen e jashtme, por zemrën (shih te 1 Samuelit 16:7); Ne mund të bëjmë gjithçka nëpërmjet Jezu Krishtit, i cili mund të na forcojë (shih te Filipianëve 4:13; Alma 26:12); Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë (shih te Doktrina e Besëlidhje 18:10).

  • Si mund të na ndihmojnë këto të vërteta kur ndihemi të shkurajuar për aftësitë tona?

Zbulimi i pikave të forta dhe aftësive të tua

Kujtojuni nxënësve se si fëmijë të Perëndisë të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij, secili prej nesh është i bekuar me pika të forta dhe aftësi të ndryshme. Mund të ketë nxënës që e kanë të vështirë t’i dallojnë pikat e forta dhe aftësitë me të cilat i ka bekuar Perëndia.

Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi disa nga mënyrat se si mund t’i dallojmë talentet, pikat e forta dhe aftësitë me të cilat na ka bekuar Ati ynë Qiellor:

Plaku Ronald A. Rasband

“Talentet që na ka dhënë Perëndia, fillimisht bëhen të dukshme në interesat që ndjekim. Nëse jeni duke e pyetur veten për talentet tuaja, bëni një listë të gjërave që ju pëlqen të bëni. Përfshijini të gjitha veprimtaritë që ju pëlqejnë nga sfera të ndryshme të jetës suaj – shpirtërore, muzikore, skenike, akademike, atletike etj. Studiojeni dhe përsiateni bekimin tuaj patriarkal për njohuri e frymëzim. Këshillohuni me pjesëtarë të familjes, miq, mësues dhe udhëheqës të besuar; të tjerët shpesh mund të shohin te ne atë që e kemi të vështirë ta shohim te vetja.” (Ronald A. Rasband, “Parables of Jesus: The Parable of the Talents”, Ensign, gusht 2003, f. 34)

  • Si mund të të ndihmojë njohja e talenteve, pikave të forta ose aftësive të tua aktuale ndërsa mendon për përgjegjësitë ose mundësitë e punësimit në të ardhmen?

Jepuni nxënësve kohë në klasë për të zbuluar pikat e forta dhe aftësitë që kanë dhe që duhet të zhvillojnë, për të qenë të përgatitur më mirë për përgjegjësitë ose mundësitë e punësimit në të ardhmen. Në vijim janë disa ide se si mund t’i ndihmoni nxënësit ta bëjnë këtë. Ndërsa punojnë për këto veprimtari, ftojini ata të kërkojnë frymëzim nga Ati Qiellor për të qenë në gjendje ta shohin veten ashtu siç i sheh Ai.

  • Ftojini nxënësit t’i shkruajnë interesat e tyre të tanishme. Ftojini ata të mendojnë për mundësitë e mundshme të punësimit që mund të ndjekin të cilat lidhen me ato interesa. Merreni parasysh të ofroni ndihmë duke sugjeruar disa mundësi të mundshme punësimi që do të përkonin me interesat e nxënësve.

  • Ftojini nxënësit që e kanë marrë bekimin e tyre patriarkal që ta lexojnë duke kërkuar se çfarë i ndihmon ai të kuptojnë rreth vetes.

  • Ftoni grupe të vogla nxënësish që të diskutojnë pikat e forta dhe aftësitë që kanë vënë re te njëri-tjetri. Ju mund edhe të kontaktoni prindërit ose udhëheqësit e priftërisë përpara orës mësimore dhe t’u kërkoni atyre të shkruajnë një shënim që përshkruan disa nga aftësitë që shohin ata te nxënësi/ja i/e tyre.

  • ikona e fletushkës Shpërndajeni fletushkën e titulluar “Vlerësimi i Vetes në Lidhje me Zotësitë dhe Aftësitë” dhe jepuni nxënësve kohë për ta plotësuar atë. Shpjegoni se ky vlerësim përmban një listë zotësish që punëdhënësit kërkojnë përgjithësisht te punonjësit e tyre.

Vlerësimi i Vetes në Lidhje me Zotësitë dhe Aftësitë

Për secilin nga pohimet vijuese, vlerësoje nivelin tënd të sigurisë te vetja në një shkallë nga 1 (i/e pasigurt te vetja) te 5 (shumë i/e sigurt te vetja).

  1. Unë mund të komunikoj me efektshmëri me të tjerët.

  2. I jap shtysë vetes.

  3. Jam shumë punëtor/e.

  4. Mund të mendohem gjatë situatave të vështira dhe të gjej zgjidhje për to.

  5. Jam gati për të mësuar dhe provuar gjëra të reja.

  6. Jam i/e ndershëm/me dhe e meritoj që të më besojnë të tjerët.

  7. Punoj mirë me të tjerët.

  8. Njerëzit mund të mbështeten tek unë për të bërë një detyrë që më është caktuar.

  9. Mund ta organizoj dhe përdor kohën time me efektshmëri.

  10. Mund të shkoj në orar.

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të bërë veprimtaritë e mëparshme të reflektimit, ftojini ata të tregojnë disa nga pikëpamjet e tyre duke bërë pyetje si këto në vijim:

  • Çfarë pikëpamjesh morët për veten?

  • Si mund t’ju ndihmojë ajo që keni mësuar që të përgatiteni më mirë për të ardhmen?

Për t’i ndihmuar nxënësit ta përmbledhin dhe mbajnë mend atë që kanë mësuar rreth vetes sot, merreni parasysh t’i paraqitni nxitjet vijuese dhe t’i ftoni nxënësit t’i shënojnë përgjigjet në ditarët e tyre:

  • Një pikë e fortë ose aftësi që kam e cila mund të më ndihmojë për përgjegjësitë që do të kem në të ardhmen është …

  • Një zotësi ose aftësi që dua të zhvilloj që të më ndihmojë të jem i/e përgatitur më mirë për përgjegjësitë në të ardhmen është …

Shpjegoni se në një mësim të ardhshëm (“Zhvillimi i Zotësive dhe Aftësive”) nxënësve do t’u jepen mundësi të mendojnë rreth mënyrës se si mund t’i zhvillojnë zotësitë dhe aftësitë që kanë përcaktuar në nxitjen e dytë. Ju mund t’i ftoni ata të fillojnë të mendojnë për mënyrat se si mund t’i zhvillojnë këto zotësi ose aftësi tani. Dëshmoni për aftësinë dhe gatishmërinë e Zotit për t’i ndihmuar ata të rriten dhe të përparojnë.