Seminari
Mësimi 211 – “Zgjedhjet për Përjetësinë”: Studimi i Mësimeve të Udhëheqësve të Kishës


“Mësimi 211 – ‘Zgjedhjet për Përjetësinë: Studimi i Mësimeve të Udhëheqësve të Kishës’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Zgjedhjet për Përjetësinë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 211 – Mësime të Udhëheqësve të Kishës

“Zgjedhjet për Përjetësinë”

Studimi i Mësimeve të Udhëheqësve të Kishës

Presidenti Rasëll M. Nelson

Gjatë gjithë vitit, nxënësit do të kenë mundësi të shumta në seminar për të mësuar nga mësimet e udhëheqësve të frymëzuar të ditëve të mëvonshme në Kishën e Jezu Krishtit. Ky mësim jep një shembull të mënyrës se si mësuesit mund ta përdorin dokumentin “Model: Mësime të Udhëheqësve të Kishës” për ta udhërrëfyer klasën ndërsa i studion këto mesazhe. Shembulli i përdorur në këtë mësim është “Zgjedhjet për Përjetësinë” nga Presidenti Rasëll M. Nelson ([takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org). Ky mësim mund të thellojë kuptueshmërinë e nxënësve për parimet për t’i ndihmuar ata të përgatiten për jetën e përjetshme.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Shënim: Ky mësim jep një shembull të mënyrës se si mësuesit mund ta përdorin dokumentin “Model: Mësime të Udhëheqësve të Kishës” për t’i ndihmuar nxënësit t’i studiojnë mesazhet nga udhëheqësit e Kishës. Ju mund t’i përshtatni idetë nga ky mësim, të përdorni një ndërthurje të ndryshme idesh nga modeli, ose të përdorni idetë tuaja vetjake që do t’i plotësonin më mirë nevojat e nxënësve tuaj.

Fillojeni mësimin

Fillojeni mësimin në një mënyrë që ngjall interes te nxënësit dhe i ndihmon ta përgatitin mendjen dhe zemrën e tyre për përvojën e të mësuarit. Merreni parasysh të përdorni një thënie ose koncept nga biseda “Zgjedhjet për Përjetësinë” e Presidentit Nelson. Më poshtë është një shembull i mënyrës se si ta filloni mësimin.

Shkruajeni thënien vijuese në tabelë dhe ftojini nxënësit të mendojnë rreth të ardhmes së tyre në këtë jetë dhe në përjetësi:

Në një fjalim drejtuar të rinjve në moshë madhore, Presidenti Rasëll M. Nelson shprehu:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Dua t’ju flas rreth të ardhmes suaj.” (Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë”, [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)

Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Cilat janë mendimet dhe ndjenjat e tua ndërsa mendon rreth të ardhmes sate në këtë jetë dhe në përjetësi?

  • Nëse mund të flasësh rreth të ardhmes sate me profetin e Perëndisë, cilat pyetje do t’i bëje atij?

Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës ta tregojnë atë që shkruan në ditarët e tyre të studimit. Ju gjithashtu mund t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë në tabelë disa prej pyetjeve të tyre rreth të ardhmes së tyre. Këto pyetje mund t’i ndihmojnë nxënësit të përgatiten për ta studiuar mesazhin.

Studioje mesazhin

Ndërsa nxënësit studiojnë, inkurajojini ata të përqendrohen në rritjen e njohurisë së tyre dhe në forcimin e dëshmisë së tyre për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ftojini nxënësit t’i mbajnë shënim mendimet dhe ndjenjat që mund të vijnë nga Fryma e Shenjtë ndërsa studiojnë.

Kjo pjesë e mësimit do të përdorë idenë “Kërko” nga pjesa “Studioje Mesazhin” i dokumentit “Modeli: Mësimet e Udhëheqësve të Kishës”. Kjo pjesë ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta përqendrojnë studimin e tyre të bisedës.

ikona e fletushkësNëse nxënësit nuk kanë qasje në bisedën “Zgjedhjet për Përjetësinë” të Presidentit Nelson, ju mund t’u siguroni të tria fletushkat që përmbajnë pjesë të fjalëve të tij. Mund ta ndani klasën tuaj në tre grupe dhe ta vini secilin grup të studiojë një fletushkë të ndryshme. Ose mund të shtypni kopje të të gjithë bisedës dhe nxënësit mund ta studiojnë bisedën në grupe të vogla. Ftojini nxënësit t’i ndjekin udhëzimet më poshtë ndërsa e plotësojnë veprimtarinë.

Ndërsa e studion bisedën “Zgjedhjet për Përjetësinë” të Presidentit Nelson, kërko për të vërtetat që mund të të ndihmojnë të përgatitesh për të ardhmen tënde në tokë dhe për jetën e përjetshme me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ti gjithashtu mund të kërkosh mësimet që mund t’u përgjigjen pyetjeve të tua rreth të ardhmes sate që i shkrove në ditarin e studimit ose në tabelë.

Zgjedhjet për Përjetësinë, Pjesa 1

“Qëllimi im sonte është të sigurohem që sytë tuaj janë krejtësisht të hapur ndaj së vërtetës se kjo jetë realisht është koha kur merrni vendimin se çfarë lloj jete ju dëshironi të jetoni përgjithmonë. Tani është koha juaj ‘për t’u përgatitur që të tako[ni] Perëndinë’ [shih tek Alma 12:24; 34:32]. …

Çdo zgjedhje e drejtë që e bëni këtu, do të sjellë përfitime të stërmëdha tani. Por zgjedhjet e drejta në vdekshmëri do të sjellin përfitime të papërfytyrueshme përjetësisht. Nëse zgjidhni të bëni besëlidhje me Perëndinë dhe jeni besnikë ndaj atyre besëlidhjeve, ju keni premtimin e ‘lavdi[së s]ë shtuar mbi kok[ën tuaj] përherë e përgjithmonë’ [Abraham 3:26]. …

Kundërshtari, sigurisht, dëshiron që ju as të mos mendoni për të ardhmen, pa le pastaj jetën e përjetshme. Por ju lutem, mos jini të painformuar apo naivë rreth mundësive dhe sfidave të vdekshmërisë. Në atë frymë, ju nevojitet të kuptoni tri të vërtetat themelore që do t’ju ndihmojnë të përgatiteni për drejtimin tuaj të ardhshëm: …

E para, dini të vërtetën rreth asaj se kush jeni. Besoj që, në qoftë se Zoti do t’ju fliste drejtpërsëdrejti sonte, gjëja e parë që Ai do të sigurohej që ju të kuptoni, është identiteti juaj i vërtetë. Miqtë e mi të dashur, ju jeni në mënyrë të mirëfilltë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë. Keni kënduar për këtë të vërtetë që kur mësuat fjalët e këngës ‘Fëmi’ i Per’ndis’ Jam’ [Himne, nr. 196]. Por a është skalitur ajo e vërtetë e përjetshme në zemrën tuaj? A ju ka shpëtuar kjo e vërtetë kur jeni përballur me tundimin?

Kam frikë se mund ta keni dëgjuar këtë të vërtetë kaq shpesh sa ajo tingëllon më shumë si parullë sesa një e vërtetë hyjnore. Dhe prapëseprapë, mënyra se si mendoni rreth asaj se kush jeni vërtet, ndikon gati në çdo vendim që do të merrni ndonjëherë. …

Kush jeni ju?

Së pari dhe më kryesorja, ju jeni një fëmijë i Perëndisë.

Së dyti, si anëtar i Kishës, ju jeni një fëmijë i besëlidhjes. Dhe së treti, ju jeni një dishepull i Jezu Krishtit.

Sonte, ju përgjërohem që të mos i zëvendësoni këta tre përcaktues suprem dhe të pandryshueshëm me ndonjë tjetër, sepse bërja e kësaj gjëje mund ta pengojë përparimin tuaj ose mund t’ju futë në një stereotip që potencialisht mund ta dëmtojë përparimin tuaj të përjetshëm. …

Natyrisht, ka etiketime të ndryshme që mund të jenë shumë të rëndësishme për ju. Ju lutem, mos më keqkuptoni. Nuk po them që emërtime dhe përcaktues të tjerë nuk janë domethënës. Thjesht po them se asnjë përcaktues nuk duhet t’i zhvendosë, zëvendësojë ose të marrë përparësi mbi këto tri emërtime afatgjata: ‘fëmijë i Perëndisë’, ‘fëmijë i besëlidhjes’ dhe ‘dishepull i Jezu Krishtit’.

Çfarëdo përcaktuesi që nuk përputhet me këto tri emërtime bazë, përfundimisht do t’ju zhgënjejë. Etiketime të tjera do t’ju zhgënjejnë me kalimin e kohës ngaqë nuk e kanë fuqinë për t’ju udhëhequr drejt jetës së përjetshme në mbretërinë çelestiale të Perëndisë. …

Mos bëni gabim në lidhje me këtë: Potenciali juaj është hyjnor. Me kërkimin tuaj të zellshëm, Perëndia do t’ju japë grimca të personit që mund të bëheni.” (Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)

Zgjedhjet për Përjetësinë, Pjesa 2

“E dyta: Dini të vërtetën rreth asaj që ju kanë ofruar Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti.

Me pak fjalë, Ata ju kanë ofruar gjithçka!

Plani i Atit Qiellor për fëmijët e Tij na lejon të jetojmë në vendin ku jeton Ai, në mënyrën se si jeton Ai dhe përfundimisht të bëhemi gjithnjë e më shumë si Ai. Plani i Tij, në kuptimin e plotë të fjalës, i vë në dispozicion për ne bekimet më të pasura të të gjithë përjetësisë, përfshirë potencialin që ne të bëhemi ‘bashkëtrashëgimtarë të Krishtit’ [Romakëve 8:17].

Perëndia di gjithçka dhe sheh gjithçka. Në të gjithë përjetësinë, askush nuk do t’ju njohë dhe nuk do të kujdeset asnjëherë më shumë për ju sesa ju njeh e kujdeset Ai. Askush nuk do të jetë asnjëherë më pranë jush sa ç’është Ai. Mund t’ia derdhni zemrën Atij dhe të mirëbesoni tek Ai se do të dërgojë Frymën e Shenjtë dhe engjëjt që të kujdesen për ju. Ai e tregoi dashurinë e Tij përfundimtare kur dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur që të vdiste për ju, që të ishte Shpëtimtari dhe Shëlbuesi juaj!

Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Zoti Jezu Krisht e mposhti botën [shih te Gjoni 16:33; Doktrina e Besëlidhje 50:41]. Si rrjedhim, Ai është ‘i fuqishëm … [t’ju] pastrojë nga çdo padrejtësi’ [Alma 7:14]. Ai do t’ju çlirojë nga rrethanat tuaja më torturuese në vetë mënyrën dhe kohën e Tij. Kur vini tek Ai me besim, Ai do t’ju udhërrëfejë, ruajë e mbrojë. Ai do ta shërojë zemrën tuaj të thyer dhe do t’ju ngushëllojë në shqetësimin tuaj [shih te Lluka 4:18; Alma 7:10–12]. Do t’ju japë mundësi ta përdorni fuqinë e Tij. Dhe do ta bëjë të pamundurën në jetën tuaj që të bëhet e mundur. …

Perëndia ka dashuri të veçantë për secilin person që bën besëlidhje me Të në ujërat e pagëzimit. Dhe ajo shpresë hyjnore thellohet teksa besëlidhje shtesë bëhen dhe mbahen besnikërisht. Atëherë, në mbarim të jetës në vdekshmëri, i çmuar është ribashkimi i çdo fëmije të besëlidhjes me Atin tonë Qiellor [shih te Psalmeve 116:15].

Ai gjithashtu kujdeset thellësisht që të gjithë fëmijët e Tij të kenë mundësi për t’i dëgjuar lajmet e mira të ungjillit të rivendosur. Ati Qiellor i ka dërguar fëmijët e Tij në tokë për më shumë se gjashtë mijëvjeçarë. Shumica e këtyre njerëzve nuk i kanë marrë ende ordinancat që do t’i kualifikonin për jetën e përjetshme. Kjo është arsyeja pse tempujt janë kaq të rëndësishëm. Kjo është përse mbledhja e Izraelit në të dyja anët e velit është kauza më e rëndësishme në tokë sot. Ju, kolegët e mi të dashur në këtë punë të shenjtë, keni një rol thelbësor në këtë mbledhje dhe unë ju falënderoj për të.” (Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)

Zgjedhjet për Përjetësinë, Pjesa 3

“Dini të vërtetën lidhur me kthimin tuaj në besim. E vërteta është që ju duhet të zotëroni kthimin tuaj vetjak në besim. Askush tjetër nuk mund ta bëjë atë për ju.

Tani, a mund t’ju ftoj të merrni parasysh disa pyetje? A doni të ndieni paqe rreth shqetësimeve që ju pllakosin aktualisht? A doni ta njihni më mirë Jezu Krishtin? A doni të mësoni se si fuqia e Tij hyjnore mund t’i shërojë plagët dhe dobësitë tuaja? A doni të përjetoni fuqinë e ëmbël, qetësuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit që vepron në jetën tuaj?

Kërkimi për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve do të kërkojë përpjekje – shumë përpjekje. Ju përgjërohem që ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj. Punoni për të. Zotërojeni atë. Kujdesuni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. Ushqejeni me të vërtetën. Mos e ndotni me filozofitë e rreme të burrave dhe grave mosbesuese dhe më pas të pyetni veten përse dëshmia juaj po zbehet.

Përfshihuni në lutje të përditshme, të zellshme, të përulur. Ushqejeni veten tuaj me fjalët e profetëve të lashtë dhe modernë. Kërkojini Zotit që t’ju mësojë se si ta dëgjoni Atë më mirë. Shpenzoni më shumë kohë në tempull dhe me punën për historinë familjare.

Teksa e bëni dëshminë tuaj përparësinë tuaj më të lartë, vëzhgoni për mrekulli që do të ndodhin në jetën tuaj.

Nëse keni pyetje – dhe shpresoj që të keni – kërkojini përgjigjet me dëshirën e zjarrtë që të besoni. Mësoni gjithçka mundeni rreth ungjillit dhe sigurohuni që të drejtoheni për udhërrëfim te burime të mbushura me të vërtetë. Ne jetojmë në periudhën ungjillore kur ‘asgjë nuk do të mbahet’ [Doktrina e Besëlidhje 121:28]. Prandaj, me kalimin e kohës, Zoti do t’ju përgjigjet të gjitha pyetjeve tona.

Ndërkohë zhytuni në rezervuarin e pasur të zbulesës që e kemi në majë të gishtave. Ju premtoj se bërja e kësaj gjëje do ta forcojë dëshminë tuaj, edhe nëse disa nga pyetjet tuaja nuk kanë marrë ende përgjigje. Pyetjet tuaja të çiltra, të bëra me besim, gjithmonë do të çojnë drejt besimit më të madh dhe drejt më shumë diturie. …

Kur merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj dhe e bëni atë të rritet, ju do të bëheni mjet më i fuqishëm në duart e Zotit. Do të ‘frymëz[oheni] nga një qëllim më i mirë’ [Alma 43:45] – kauza e Jezu Krishtit!

Nuk ka asgjë që po ndodh në këtë tokë, që është më e rëndësishme sesa mbledhja e Izraelit për Të. Bëjani të ditur Atit tuaj Qiellor se dëshironi të ndihmoni. Kërkojini Atij që t’ju vërë në punë në këtë kauzë të lavdishme. Dhe më pas qëndroni e vështroni dhe mahnituni me atë që ndodh kur ju e lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj.

Miqtë e mi të dashur në moshë të re, ju dua! Ju falënderoj! Kam besim te ju. Si profeti i Zotit, ju bekoj të dini të vërtetën rreth asaj se kush jeni dhe ta ruani si thesar të vërtetën rreth asaj që është në të vërtetë potenciali juaj i lavdishëm. Ju bekoj të merrni mbi vete përgjegjësinë për vetë dëshminë tuaj. Dhe ju bekoj të keni dëshirën dhe forcën për t’i mbajtur besëlidhjet tuaja.

Teksa e bëni këtë, ju premtoj se do të përjetoni rritje shpirtërore, liri nga frika dhe vetëbesimin që rrallë mund ta përfytyroni tani. Do të keni forcën për të pasur një ndikim pozitiv shumë përtej aftësisë suaj të natyrshme. Dhe ju premtoj se e ardhmja juaj do të jetë më ngazëlluese sesa ndonjë gjë që mund ta besoni aktualisht.” (Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)

Ftojini nxënësit të përsiatin për atë që mësuan që mund t’i ndihmojë ata të përgatiten për jetën e tyre të ardhshme në tokë dhe jetën e përjetshme. Ata gjithashtu mund të reflektojnë se cilat prej pyetjeve të tyre rreth së ardhmes morën përgjigje dhe si. Merreni parasysh t’u kërkoni disa nxënësve të tregojnë se si morën përgjigje pyetjet e tyre.

Thelloje kuptueshmërinë

Kjo pjesë e mësimit do të përdorë idenë “Krijo Diçka” nga pjesa “Thelloje Kuptueshmërinë” i dokumentit “Modeli: Mësimet e Udhëheqësve të Kishës”.

Qëllimi i kësaj pjese është t’i ndihmojë nxënësit të reflektojnë dhe diskutojnë mbi bisedën “Zgjedhjet për Përjetësinë” të Presidentit Nelson.

Përsiat për pikëpamjet që fitove ndërsa e studiove mesazhin e Presidentit Nelson. Krijo diçka që mund të të ndihmojë ta kujtosh atë që mësove ose që mund t’i frymëzojë të tjerët të përgatiten për një të ardhme kuptimplotë dhe jetën e përjetshme. Sa vijon janë disa shembuj të asaj që mund të krijosh:

  • Një vizatim

  • Një poezi

  • Një meme

  • Një publikim në rrjetet sociale

    Nëse është e mundur dhe nëse doni mund të siguroni letër dhe mjete të tjera të nevojshme. Kur nxënësit të mbarojnë, merreni parasysh t’i ftoni disa prej tyre ta tregojnë atë që krijuan. Ndërsa e tregojnë, ju mund të bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë si ato që vijojnë:

  • Cila pjesë e mesazhit të Presidentit Nelson të frymëzoi ta krijosh atë? Përse të frymëzoi?

  • Si mund të të ndihmojë të kujtuarit e atij mesazhi për të të udhërrëfyer tani dhe në të ardhmen?

  • Si mund ta shtyjë krijimi yt dikë që t’i drejtohet Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

Merreni parasysh ta jepni dëshminë tuaj për të vërtetat që ju frymëzuan nga mesazhi i Presidentit Nelson. Inkurajojini nxënësit që të veprojnë sipas çdo nxitjeje që mund të kenë ndier.