“Mësimi 209 – Studimi i Mesazheve të Shërbëtorëve të Zotit: Ne Mund ta Dëgjojmë Zërin e Shpëtimtarit nëpërmjet Fjalëve të Udhëheqësve të Tij”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Studimi i Mesazheve të Shërbëtorëve të Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 209: Mësime të Udhëheqësve të Kishës
Studimi i Mesazheve të Shërbëtorëve të Zotit
Ne Mund ta Dëgjojmë Zërin e Shpëtimtarit nëpërmjet Fjalëve të Udhëheqësve të Tij
Ky është një mësim paraqitës për një sërë mësimesh që do të jepen gjatë gjithë vitit duke përdorur një mesazh të një udhëheqësi të Kishës. Këto mësime do të përdorin modelin “Mësime të Udhëheqësve të Kishës”. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë rëndësinë e studimit dhe zbatimit të mesazheve të Zotit të dhëna nëpërmjet shërbëtorëve të Tij.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të dhënë një thënie nga një udhëheqës i Kishës që është kuptimplotë për ta dhe të shpjegojnë përse. Kjo thënie mund të jetë nga një fjalim i konferencës së përgjithshme, mesazh i transmetuar, publikim në mediat shoqërore, ose diçka e ngjashme.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Shërbëtorët e Shpëtimtarit japin mesazhe nga Ai
Paraqitni një fotografi të tanishme të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojini nxënësit të diskutojnë diçka që këta udhëheqës e kanë dhënë mësim kohët e fundit. Ftojini nxënësit t’i renditin disa prej mjediseve që përdorin udhëheqësit e Kishës për të ndarë me ne mesazhet e Zotit. Më pas ftojini nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve vijuese me klasën ose në ditarët e tyre të studimit:
-
Nëse dikush do ta vëzhgonte jetën tënde, çfarë do të shihte që pasqyron rëndësinë që ti u vendos fjalëve të shërbëtorëve të Zotit?
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 1:37–38, duke kërkuar atë që na urdhëron Shpëtimtari të bëjmë me fjalët e shërbëtorëve të Tij.
-
Çfarë mendon se është e rëndësishme të mbash mend nga ky fragment?
-
Çfarë të vërtetash mund të përcaktosh?
Nxënësit mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Zoti na urdhëron t’i hetojmë fjalët që na i thotë nëpërmjet shërbëtorëve të Tij (Doktrina e Besëlidhje 1:37–38).
-
Si je përpjekur të kërkosh në fjalët e shërbëtorëve të Zotit si pjesë e studimit tënd të rregullt të ungjillit?
Në përfundim të konferencës së përgjithshme të prillit 2018, Presidenti Rasëll M. Nelson dha ftesën vijuese. Kërko fjalë ose fraza që mund ta ndihmojnë dikë të kuptojë rëndësinë e studimit të mesazheve të udhëheqësve të Kishës.
“Unë ju nxit t’i studioni mesazhet e kësaj konference vazhdimisht – madje në mënyrë të përsëritur – gjatë gjashtë muajve që vijnë. Me vetëdije kërkoni mënyra se si t’i përfshini këto mesazhe në mbrëmjet tuaja familjare, në mësimdhënien tuaj të ungjillit, në bashkëbisedimet tuaja me familjen e miqtë dhe në diskutimet tuaja me njerëz jo të besimit tonë. Shumë njerëz të mirë do t’u përgjigjen të vërtetave të dhëna mësim në këtë konferencë kur ato ofrohen me dashuri. Dhe dëshira juaj për t’u bindur do të shtohet kur e mbani mend dhe mendoni për atë që e keni ndier këto dy ditë të fundit.” (Rasëll M. Nelson, “Punës Le t’i Vihemi”, Liahona, maj 2018, f. 118)
-
Çfarë zbulove?
Ftojini nxënësit të vetëvlerësojnë përpjekjet e tyre të tanishme për të studiuar mesazhet nga udhëheqësit e Kishës. Ata mund të mendojnë se sa shpesh i studiojnë ose dëgjojnë mesazhet nga udhëheqësit e Kishës dhe se si familja e tyre mund të studiojë mesazhe të tilla. Nxënësit mund të përsiatin nëse do të donin t’u jepnin më shumë theksim mesazheve të konferencës së përgjithshme si pjesë e studimit të tyre të ungjillit.
-
Cilat janë disa mënyra se si ti i përfshin mësimet e udhëheqësve të Kishës në studimin e ungjillit?
-
Si të ka bekuar Zoti ngaqë e bën këtë?
Thellojeni studimin
Pjesa tjetër e mësimit ka për qëllim t’u japë nxënësve një mundësi për të ushtruar studimin e mesazheve të një udhëheqësi të Kishës duke përdorur idetë nga modeli “Mësime të Udhëheqësve të Kishës”. Kjo mund t’i përgatitë nxënësit t’i studiojnë mesazhet e udhëheqësve të Kishës në mësimet e ardhshme.
Idetë vijuese janë përshtatur nga pjesët “Studiojeni mesazhin” dhe “Thellojeni kuptueshmërinë” të atij modeli. Mund të zgjidhni ide të tjera nga modeli ose të jepni mundësi të ngjashme që i krijoni.
Zgjidh një nga vijueset për të të ndihmuar të ushtrosh studimin e një mesazhi nga njëri prej shërbëtorëve të Zotit:
-
Shkruaji fjalët Jezu Krishti në mes të një faqeje të ditarit tënd të studimit. Ndërsa e studion bisedën, kërko fjalë ose fraza që japin mësim rreth karakterit, cilësitë dhe roleve të Jezu Krishtit. Shkruaje atë që mëson dhe ndien për Jezu Krishtin në ditar dhe se si kjo mund të të ndihmojë ta ndjekësh Atë.
-
Përcaktoji shkrimet e shenjta të cituara në bisedë (ose te shënimet në fund). Lexoji vargjet dhe shënoje atë që të mësojnë ose të ndihmojnë të kuptosh rreth temës. Mund të krijosh një lidhje ndërmjet vargut dhe bisedës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose të bësh një shënim në shkrimet e tua të shenjta.
-
Duke përdorur atë që mësove në bisedë, krijo një figurë, vizatim, afishe, meme, publikim në median shoqërore ose diçka të ngjashme që mund të shërbejë si kujtues ose ta frymëzojë dikë. Përgatitu ta tregosh atë që krijove, duke shpjeguar mesazhin dhe se si ai mund t’i bekojë ose frymëzojë të tjerët.
Për t’i ndihmuar nxënësit të ushtrohen për të studiuar një mesazh nga udhëheqësit e Kishës, siguroni një bisedë të pjesshme ose të plotë nga konferenca e përgjithshme, një artikull në revistat Liahona ose Për Forcën e Rinisë, ose takimet shpirtërore dhe transmetimet e Kishës. Jepuni nxënësve kohë të mjaftueshme për të studiuar duke përdorur idenë që përzgjodhën më lart.
Mund të ecni nëpër klasë dhe t’i ndihmoni e inkurajoni nxënësit ndërsa ushtrohen. Pas veprimtarisë, mund t’i organizoni nxënësit në grupe më të vogla për të treguar idenë që përzgjodhën, zotësinë që ushtruan dhe mendimet e ndjenjat që u erdhën ndërsa studionin.
Nëse koha e lejon, mund t’i ftoni nxënësit të ushtrojnë një zotësi tjetër nga modeli duke përdorur të njëjtin mesazh ose bisedë.
Rëndësia e studimit të fjalëve të shërbëtorëve të Zotit
Ftojini nxënësit të përzgjedhin njërën nga pyetjet vijuese për të diskutuar ose për t’iu përgjigjur në ditarët e tyre të studimit:
-
Çfarë ke mësuar ose ndier sot që të ka ndihmuar ta ndiesh rëndësinë e fjalëve të Shpëtimtarit të dhëna nëpërmjet shërbëtorëve të Tij?
-
Çfarë dëshiron të kujtosh ndërsa vazhdon t’i studiosh mesazhet e shërbëtorëve të Zotit?
-
Si mund të kesh dobi nga studimi i mesazheve të udhëheqësve të Kishës si pjesë e studimit tënd të rregullt të ungjillit?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të planifikojnë mënyrën se si do t’i studiojnë mesazhet e shërbëtorëve të Zotit si pjesë e studimit të tyre të rregullt të ungjillit. Mund të tregoni një përvojë që keni pasur duke dëgjuar zërin e Zotit ndërsa i keni studiuar mesazhet e udhëheqësve të Tij.