Seminari
Mësimi 163 – Krishti i Gjallë, Pjesa 2: “Ne Japim Dëshminë Tonë për Realitetin e Jetës së Tij të Pashoqe”


“Mësimi 163 – Krishti i Gjallë, Pjesa 2: ‘Ne Japim Dëshminë Tonë për Realitetin e Jetës së Tij të Pashoqe’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Krishti i Gjallë, Pjesa 2”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 163: Krishti i Gjallë

Krishti i Gjallë, Pjesa 2

“Ne Japim Dëshminë Tonë për Realitetin e Jetës së Tij të Pashoqe”

e re duke mbajtur një figurë të Jezusit

Ashtu si Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve japin dëshmi për Krishtin e gjallë, edhe ne mund të shpallim se Jezu Krishti jeton! Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’ua tregojnë të tjerëve mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Arsyet për të treguar

Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për të mësuar, mund të sillni diçka që ju pëlqen dhe dëshironi t’ia tregoni klasës suaj. Kjo mund të jetë një figurë, një përvojë ose një ushqim i parapëlqyer. Ftojini nxënësit të mendojnë për gjërat që ia kanë treguar kohët e fundit ose kanë dashur t’ia tregojnë dikujt tjetër.

  • Çfarë doje të tregoje?

  • Pse doje ta tregoje?

    Në tabelë bëni një listë të arsyeve pse nxënësit donin të tregonin diçka.

  • Cilat arsye në listë mund të gjejnë zbatim për të treguarit e një përvoje ose dëshmie për Jezu Krishtin të tjerëve?

  • Çfarë mund t’i shtosh listës sate si arsye të veçanta për të dëshmuar për Jezu Krishtin?

Ftojini nxënësit të mendojnë për mënyrën se si ndihen rreth të folurit më shumë për Jezu Krishtin me të tjerët dhe arsyen pse ndihen në atë mënyrë.

Përgatitja për të dëshmuar për Jezu Krishtin

Ftojeni një nxënës të lexojë thënien vijuese.

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Plaku Nil L. Andersen

“Ka shumë njerëz në botë që dinë fare pak për Jezu Krishtin, dhe, në disa pjesë të botës ku emri i Tij është shpallur ndër shekuj, besimi në Jezu Krisht po pakësohet. … Në nivel botëror, një studim … parashikon se në dekadat e ardhshme do ta lënë krishterimin më shumë se dyfishi i atyre që do ta përqafojnë. …

… Nëse bota do të flasë më pak për Të, kush do të flasë më shumë për Të? Ne do të flasim!” (Nil L. Andersen, “Ne Flasim për Krishtin”, Liahona, nëntor 2020, f. 88–89)

  • Çfarë mendimesh ose ndjenjash ke për këtë deklaratë nga Plaku Andersen?

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve janë shembuj të të treguarit rreth Jezu Krishtit. Një shembull është proklamata “Krishti i Gjallë”. Shpenzo disa minuta për ta shqyrtuar këtë dokument, duke përsiatur për dobitë që mund të përjetojmë për shkak se ata e dhanë dëshminë e tyre për Jezu Krishtin.

Ftojini nxënësit të tregojnë ndonjë dobi që ju vjen në mendje.

Mendimet dhe ndjenjat e nxënësve rreth të folurit më shumë për Shpëtimtarin mund të ndryshojnë ndjeshëm. Përcaktimi i një parimi nga shkrimet e shenjta mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë se sa e rëndësishme është ta bëjnë këtë. Mund të përdorni shkrimin e shenjtë vijues.

Lexo te 2 Nefi 25:26, duke kërkuar një arsye shtesë për të dhënë dëshminë e Jezu Krishtit.

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga arsyeja e Nefit?

    Një nga të vërtetat që mund të përcaktojnë nxënësit është se ndërsa flasim dhe gëzojmë për Jezu Krishtin, të tjerët mund të dinë se Ai mund t’i shpëtojë ata nga mëkatet e tyre.

  • Si mund të ndikojë dijenia se çfarë mund të bëjë Jezu Krishti për të tjerët në dëshirën tënde për të dhënë dëshminë ose për të treguar mendimet dhe ndjenjat e tua për Të?

Sill ndër mend të vërtetat që gjete rreth Shpëtimtarit në dokumentin “Krishti i Gjallë” gjatë mësimit të mëparshëm. Mund të përzgjedhësh atë ku u përqendrove në atë mësim ose të përzgjedhësh një tjetër që do të doje t’ua tregoje të tjerëve.

Këta janë shembuj të shumë të vërtetave që mund të kenë përcaktuar nxënësit:

  • Nën drejtimin e Atit, Jezu Krishti krijoi tokën.

  • Jezu Krishti dha jetën e Tij për të shlyer mëkatet e gjithë njerëzimit.

  • Jezu Krishti u ringjall dhe jeton sot.

  • Jezu Krishti është drita, jeta dhe shpresa e botës.

  • Udha e Jezu Krishtit është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen.

Veprimtaritë vijuese mund të shpenzojnë pjesën e mbetur të kohës së orës mësimore dhe mund të ndihmojnë që nxënësit të përgatiten për t’u shprehur. Zgjidhni një veprimtari që e ndieni se do të ishte e dobishme për nxënësit tuaj, ose ofrojeni çdo veprimtari si mundësi për t’u përzgjedhur nga nxënësit. Për t’i ndihmuar nxënësit të përzgjedhin veprimtarinë më të zbatueshme, ata mund të mendojnë se kujt dëshirojnë t’ia tregojnë dëshminë e tyre.

Veprimtaria A: Mëso përmendsh

Një mënyrë për t’u përgatitur për të treguar rreth Jezu Krishtit është të mësosh përmendsh një pjesë të dokumentit “Krishti i Gjallë”.

Gjej disa minuta për të mësuar përmendsh një pjesë ku jepet mësim e vërteta që përzgjodhe. Mund ta shkruash atë, ta përsëritësh disa herë, ose mund të regjistrosh veten duke e lexuar atë dhe ta dëgjosh atë disa herë. (Mund edhe të mësosh përmendsh pjesë të shkëputura nga shkrimi i shenjtë që i gjete në mësimin e mëparshëm, të cilat dëshmojnë të njëjtën të vërtetë.)

Për t’i ndihmuar nxënësit të frymëzohen të mësojnë përmendsh pjesë të dokumentit “Krishti i Gjallë”, mund të shfaqni “Memorize ‘The Living Christ’: Goal Setting Ideas” [“Mësoni Përmendsh ‘Krishti i Gjallë’: Ide për Vendosjen e Synimeve”] (2:05).

2:5

Më pas shkruaj kur dhe si mund t’ia tregosh dikujt tjetër atë që mësove përmendsh. Përfshije arsyen pse frazat që zgjodhe janë kuptimplota për ty dhe se si shpreson që ato do t’i ndihmojnë të tjerët të drejtohen te Jezu Krishti.

Veprimtaria B: Bëj një afishe, meme ose figurë digjitale

Një mënyrë për të të ndihmuar t’i tregosh mendimet dhe ndjenjat e tua rreth Jezu Krishtit është të bësh një afishe, meme ose figurë digjitale.

Merre parasysh të zgjedhësh figura të ndryshme që shprehin kuptimin e së vërtetës që zgjodhe. Për shembull, mund të zgjedhësh të tregosh të vërtetën dhe rëndësinë e pagëzimit të Jezu Krishtit. Kjo ilustrohet në frazën vijuese nga dokumenti “Krishti i Gjallë”: “Ndonëse pa mëkat, Ai u pagëzua për të përmbushur të gjithë drejtësinë.” Mund të duash ta përfshish këtë rresht në projektin tënd bashkë me një figurë të parapëlqyer që portretizon pagëzimin e Shpëtimtarit. Mund të përfshish edhe rreshta nga shkrimi i shenjtë që e thellojnë kuptueshmërinë tënde.

Më pas shto shpjegimin tënd për arsyen pse kjo njohuri është e rëndësishme për ty.

Nëse nxënësit do të donin ta bënin këtë në telefonat e tyre, ata që dinë se si ta përdorin bibliotekën e mjeteve të informimit të Kishës mund t’ua mësojë të tjerëve se si t’i gjejnë figurat. Nëse nxënësit do të donin t’i bënin projektet e tyre në letër, mund të sillni revista të Kishës dhe t’i lejoni nxënësit të presin figura ose fjalë.

Veprimtaria C: Përgatit një bisedë

Një mënyrë për t’u treguar të tjerëve rreth Jezu Krishtit është të mbash një bisedë.

Imagjino sikur ke rënë dakord të flasësh të dielën në lagjen ose degën tënde. Mund ta tregosh atë që po mëson rreth Jezu Krishtit dhe përse është me rëndësi për ty. Shkruaj të paktën disa paragrafë që mund t’i përdorësh në bisedën tënde. Sigurohu që të përfshish thënie nga dokumenti “Krishti i Gjallë”, fragmente të shkrimit të shenjtë dhe arsyen pse këto janë kuptimplota për ty.

Kohë për të treguar

Jepuni nxënësve kohë për ta treguar atë që përgatitën. Inkurajoni nxënës të ndryshëm të marrin pjesë. Merreni parasysh të ndaloni herë pas here për të pyetur se çfarë u pëlqen ose mendojnë nxënësit se është domethënëse rreth asaj që tregojnë shokët e tyre të klasës. Theksoni se këto pikëpamje janë bekime të të folurit dhe të dëshmuarit për Shpëtimtarin.

Inkurajojini nxënësit të kërkojnë mënyra për t’i treguar këto gjëra jashtë klasës. Nëse gjen zbatim, mund të tregoni bekimet që keni marrë nga të folurit me të tjerët rreth Jezu Krishtit. Ose mund të tregoni atë që ju kanë dëshmuar të tjerët. Merreni parasysh ta përfundoni orën mësimore duke u bërë nxënësve pyetjen vijuese:

  • Si mund të përmirësohet marrëdhënia jote me Jezu Krishtin ndërsa ua shpreh mendimet dhe ndjenjat e tua për Të të tjerëve?