“Mësimi 162 – Krishti i Gjallë, Pjesa 1: ‘Ne Japim Dëshmi, si Apostujt e Tij të Shuguruar siç Duhet – Që Jezusi Është Krishti i Gjallë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Krishti i Gjallë, Pjesa 1”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 162: Krishti i Gjallë
Krishti i Gjallë, Pjesa 1
“Ne Japim Dëshmi, si Apostujt e Tij të Shuguruar siç Duhet – Që Jezusi Është Krishti i Gjallë”
Më 1 janar 2000, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve nxori një deklaratë të njohur si “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”. Dëshmia e tyre përkujtonte përvjetorin e 2000-të të lindjes së Shpëtimtarit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për Jezu Krishtin.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Jezusi është Krishti i gjallë
Paraqiteni figurën e Jezu Krishtit nga fillimi i këtij mësimi ose një figurë tjetër të Shpëtimtarit. Merreni parasysh t’i jepni një nxënësi në mes të klasës një fotografi të botës. Ftojeni klasën ta drejtojë atë nxënës të afrohet më shumë ose të largohet nga figura e Jezu Krishtit në bazë të mënyrës se si ndihet lidhur me gjendjen e botës. Ftojeni atë të shpjegojë përse ndihet në atë mënyrë.
-
Pse ka rëndësi a po afrohet bota më shumë ose po largohet më larg nga Zoti?
Ndalu një çast për të përsiatur për pyetjet vijuese:
-
Pse ka rëndësi për ty a po afrohesh ose po largohesh më shumë nga Zoti?
-
Cilat janë disa mënyra se si Shpëtimtari mund të të ndihmojë në jetën tënde tani?
Ftojini nxënësit t’i përsiatin këto pyetje ndërsa studiojnë sot dhe të kërkojnë udhërrëfim nga Zoti për t’i ndihmuar ata të përgjigjen.
“Krishti i Gjallë”
Shpërndani kopje të materialit “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (ChurchofJesusChrist.org), ose ftojini nxënësit ta gjejnë atë në ditarët e tyre të studimit.
Për t’i ndihmuar nxënësit të mësojnë më shumë rreth kësaj deklarate, inkurajojini t’u përgjigjen pyetjeve si vijueset: Çfarë vini re? Kur doli deklarata? Kush e nënshkroi atë? A e dalloni emrin e ndonjërit prej individëve që e nënshkruan atë?
Përndryshe, mund ta vini një nxënës të lexojë paragrafin kontekstual vijues.
Si dëshmitarë të veçantë të Krishtit (shih te Doktrina e Besëlidhje 107:23), Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve nxorën një deklaratë më 1 janar 2000. Kjo deklaratë, e njohur si “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, përkujtoi përvjetorin e 2000-të të lindjes së Jezu Krishtit.
Lexoje ose shikoje thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls (1932–2017), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar arsyen përse kjo deklaratë është e rëndësishme:
“Bota po largohet nga Zoti më shpejt dhe më larg se ndonjëherë më parë. Kundërshtari po ushtron ndikimin dhe fuqinë e tij mbi tokë. Ne i shohim, i dëgjojmë, i lexojmë, i studiojmë dhe i tregojmë fjalët e profetëve që të jemi të paralajmëruar dhe të mbrojtur. Për shembull, ‘Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës’ u dha kohë përpara se ne të përjetonim sfidat që po përjeton tani familja. ‘Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve’ u përgatit përpara kohës kur neve do të na nevojitej më tepër.” (Robert D. Hejls, “Konferenca e Përgjithshme: Forcimi i Besimit dhe i Dëshmisë”, Liahona, nëntor 2013, f. 7)
Ftojini nxënësit të tregojnë se çfarë u bëri përshtypje nga thënia. Pyetini ata përse mendojnë se dëshmitë e Apostujve për Shpëtimtarin mund të jenë të nevojshme më shumë tani dhe në të ardhmen sesa kur u dha deklarata.
Shpjegoni se nxënësit do të kenë një mundësi në mësimin e sotëm t’i afrohen më shumë Shpëtimtarit duke e thelluar kuptueshmërinë e tyre për Të nëpërmjet kësaj deklarate profetike.
Studioje dokumentin “Krishti i Gjallë”
Ndihmojini Nxënësit që të Arrijnë ta Njohin Jezu Krishtin: Veprimtaria vijuese është krijuar për t’i ndihmuar nxënësit të arrijnë ta njohin Krishtin më mirë. Për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si ta bëni këtë, shihni trajnimin e titulluar “Jepni mësim për titujt, rolet dhe cilësitë e Jezu Krishtit”, që gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Përqendrohuni te Jezu Krishti. Merreni parasysh ta ushtroni zotësinë: “Krijoni pyetje kërkimore për t’i ndihmuar [nxënësit] të përcaktojnë rolet, titujt, cilësitë dhe karakteristikat e Jezu Krishtit.”
Studioje dokumentin “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, duke kërkuar të vërteta rreth Jezu Krishtit. Theksimi i një ose më shumë pikave të mëposhtme mund të ndihmojë:
-
Emrat e ndryshëm të Jezu Krishtit që përdoren në dokument
-
Ato që mendon se janë frazat kyç në dokument
-
Thëniet që tregojnë se çfarë ka bërë Jezu Krishti për ty
-
Rolet dhe cilësitë e Jezu Krishtit
Merreni parasysh të ndaloni shkurtimisht pranë nxënësve individualë për t’u ofruar ndihmë dhe inkurajim ndërkohë që studiojnë.
Nëse është e dobishme, nxënësit mund të ndjekin dhe të shenjojnë në kopjen e tyre të dokumentit “Krishti i Gjallë” ndërkohë që shohin materialin filmik vijues të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve duke thënë përmendsh pjesë të shkëputura prej tij. Ose nxënësit mund ta shohin materialin filmik pas studimit të tyre për të përforcuar atë që mësuan ose për të fituar pikëpamje të reja. Materiali filmik, “Excerpts from ‘The Living Christ: The Testimony of the Apostles’” [“Pjesë të Shkëputura nga ‘Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve’”] (2:45), është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
Jepuni nxënësve disa minuta për ta treguar atë që mësuan ndërsa e studiuan dokumentin “Krishti i Gjallë”. Inkurajojini nxënësit të dëgjojnë dhe të mësojnë nga njëri-tjetri. Ata mund të shpjegojnë përse e vlerësojnë komentin e një shoku të klasës ose madje të bëjnë një pyetje për t’i ndihmuar ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre.
Ka shumë të vërteta që nxënësit mund t’i përcaktojnë. Në vijim janë disa shembuj:
-
Nën drejtimin e Atit, Jezu Krishti krijoi tokën.
-
Jezu Krishti dha jetën e Tij për të shlyer mëkatet e gjithë njerëzimit.
-
Jezu Krishti u ringjall dhe jeton sot.
-
Jezu Krishti është drita, jeta dhe shpresa e botës.
-
Udha e Jezu Krishtit është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen.
Zgjidh një nga të vërtetat që ti ose të tjerët përcaktuat rreth Jezu Krishtit, për të cilat do të doje të mësoje më shumë.
Ta zgjerojmë kuptueshmërinë tonë për të vërtetat
Mund të lexoni thënien vijuese që të sugjeroni një mënyrë për ta thelluar kuptueshmërinë e këtyre të vërtetave.
Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ftoi “të m[arrim] … parasysh që të kërko[jmë] në shkrimet e shenjta për ta zgjeruar kuptueshmërinë [tonë] mbi të vërteta të veçanta që gjenden te ‘Krishti i Gjallë’” (M. Rasëll Ballard, “Të Kthehemi dhe të Marrim”, Liahona, maj 2017, f. 65).
Ftojini nxënësit t’i përdorin shkrimet e tyre të shenjta për ta zgjeruar kuptueshmërinë për njërën prej të vërtetave rreth Jezu Krishtit. Ata mund të kërkojnë fjalë ose fraza kyç tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Ose mund të përzgjedhin një histori të Shpëtimtarit që e ilustron të vërtetën që zgjodhën.
Nxënësit gjithashtu mund të bëjnë sa vijon për të zgjeruar kuptueshmërinë e tyre:
-
Të kërkojnë në librin e himneve sipas temës për atë që japin mësim himnet rreth Jezu Krishtit dhe roleve të Tij të ndryshme.
-
Të përdorin një fjalor për të përcaktuar fjalët e vështira.
-
Të kërkojnë thënie nga udhëheqësit e Kishës.
Nëse doni mund të paraqitni udhëzimet vijuese për t’i udhërrëfyer nxënësit ndërsa studiojnë.
-
Shkruaji shkrimet e shenjta që studiove dhe pikëpamjet shtesë që ta zgjerojnë kuptueshmërinë për të vërtetën që përzgjodhe rreth Jezu Krishtit.
-
Përsiat përse është e rëndësishme ta kuptosh atë të vërtetë rreth Jezu Krishtit.
-
Për shkak se Jezusi është i ringjallur dhe i gjallë sot, Ai përmbush ende të vërtetën që studiove. Shkruaj se si Ai po e bën këtë në jetën tënde ose se si mund të bëjë një ndryshim për ty.
Nxënësit mund ta shkruajnë atë që gjejnë në kopjen e tyre të dokumentit “Krishti i Gjallë”.
Ftojini nxënësit t’ua tregojnë të tjerëve atë që kanë mësuar sot. Një mënyrë do të ishte që ata të lëvizin rreth klasës për të gjetur dikë me të cilin nuk kanë punuar kohët e fundit. Ata mund ta tregojnë atë që mësuan dhe mendimet e tyre rreth saj. Më pas, mund të lëvizin te një nxënës tjetër dhe të tregojnë përsëri. Kjo mund t’i ndihmojë të arrijnë të njohin më shumë nxënës dhe të dëgjojnë një shumëllojshmëri mendimesh.
Merreni parasysh t’i dëgjoni nxënësit ndërsa e tregojnë atë që gjetën. Ndërsa dëgjoni, nëse doni, mund t’u kërkoni disa prej tyre të shprehen para të gjithë klasës. Ata do të kenë një mundësi për të treguar më shumë në mësimin vijues.
-
Si mendon se të vërtetat që jepen mësim në dokumentin “Krishti i Gjallë” mund të na ndihmojnë të kuptojmë dhe të afrohemi më shumë me Jezu Krishtin?
-
Në ç’mënyrë një kuptueshmëri më e mirë për Shpëtimtarin të ndihmon në jetën tënde?