“Mësimi 152 – Doktrina e Besëlidhje 138, Pjesa 1: Vegimi i Vizitës së Shpëtimtarit në Botën e Shpirtrave”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 138, Pjesa 1”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 152: Doktrina e Besëlidhje 137–138
Doktrina e Besëlidhje 138, Pjesa 1
Vegimi i Vizitës së Shpëtimtarit në Botën e Shpirtrave
I hidhëruar për vdekjet e pjesëtarëve të dashur të familjes dhe duke vajtuar për shkatërrimin që shkaktoi Lufta e Parë Botërore dhe pandemia globale e gripit, Presidenti Jozef F. Smith kërkoi ngushëllim në shkrimet e shenjta. Ndërsa reflektonte për fragmentet nga 1 Pjetër 3–4, ai mori një vegim të lavdishëm të përpjekjeve të Shpëtimtarit për të dhënë shërbesë në botën e shpirtrave ndërmjet periudhës së vdekjes dhe Ringjalljes së Tij. Vegimi i Presidentit Smith tani është Doktrina e Besëlidhje 138. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë mënyrën se si Shpëtimtari u ofron shpëtim fëmijëve të Atit Qiellor në botën e shpirtrave.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ku shkojmë kur vdesim?
Ftojini nxënësit të përsiatin për skenarin vijues ose të krijojnë një skenar që u përshtatet nevojave të tyre. Qëllimi i skenarit është t’i ndihmojë nxënësit të vlerësojnë atë që dinë rreth botës së shpirtrave. Nxënësit mund të tregojnë atë që kuptojnë se u ndodh atyre që e kanë pranuar, si dhe atyre që nuk e kanë pranuar ungjillin e Jezu Krishtit.
Pas varrimit të gjyshes së saj, Xhuli të thotë se gjyshja dhe gjyshi i saj me mbiemrin Roberts, ndërruan jetë të dy pa qenë të pagëzuar në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Gjyshërit e saj të tjerë (gjyshja dhe gjyshi me mbiemrin Xhons) vdiqën si anëtarë besnikë, anëtarë të Kishës gjithë jetën e tyre. Xhuli të pyet: “Çfarë do t’u ndodhë gjyshërve të mi të papagëzuar?”
Reflekto mbi atë që di rreth botës së shpirtrave.
-
Sa i sigurt do të ndiheshe t’i ndaje të vërtetat për botën e shpirtrave me Xhulin?
Kujtojuni nxënësve se një rol i Frymës së Shenjtë është të dëshmojë për të vërtetën. Ftojini të jenë të ndjeshëm ndaj dëshmisë së Shpirtit për të vërtetat rreth planit të Atit Qiellor për shpëtimin që do ta studiojnë sot.
Vegimi i shëlbimit të të vdekurve
Për të dhënë kontekstin historik për seksionin Doktrina e Besëlidhje 138, merreni parasysh të tregoni thënien vijuese nga Presidenti Ballard ose të përmblidhni Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëlll. 3, Boldly, Nobly and Independent, 1893–1955 [2018], f. 196–207.
Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, një stërnip i Presidentit Jozef F. Smith, tregoi sa vijon rreth vegimit që tani është Doktrina e Besëlidhje 138.
“Më 3 tetor 1918, pasi kishte përjetuar një dhembje kaq të madhe për miliona njerëz që kishin ndërruar jetë në botë prej luftës dhe sëmundjeve, si edhe për vdekjet e pjesëtarëve të tij të familjes, Presidenti Smith mori zbulesën qiellore të njohur si ‘vegimi i shëlbimit të të vdekurve’. …
Zbulesa që mori më 3 tetor, ia ngushëlloi zemrën dhe iu dha përgjigje shumë prej pyetjeve të tij. Edhe ne mund të ngushëllohemi dhe të mësojmë më shumë rreth vetë së ardhmes sonë kur ne dhe njerëzit tanë të dashur të ndërrojmë jetë dhe të shkojmë në botën e shpirtrave, duke e studiuar këtë zbulesë dhe duke e përsiatur domethënien e saj në mënyrën se si e jetojmë jetën çdo ditë.” (M. Rasëll Ballard, “Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve”, Liahona, nëntor 2018, f. 72–73)
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 138:1–4, duke kërkuar të vërtetat që po përsiaste Presidenti Smith kur e mori këtë vegim.
-
Çfarë të bën përshtypje nga ajo për të cilën po reflektonte Presidenti Smith ndërsa studionte?
-
Çfarë dinte Presidenti Smith rreth Jezu Krishtit dhe flijimit të Tij shlyes?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë një të vërtetë si vijuesja: Secili prej fëmijëve të Atit Qiellor mund të shpëtohet nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe me anë të bindjes ndaj parimeve të ungjillit të Tij.
Mund të përmblidhni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 138:5–10, duke treguar se Presidenti Smith u drejtua te 1 Pjetër 3–4, ndërsa reflektonte për shëlbimin e të vdekurve, të premtuar nga flijimi shlyes i Shpëtimtarit. Mund të vini në dukje se vargu te 1 Pjetër 4:6, është një fragment i zotërimit doktrinor.
-
Çfarë di ti për mënyrën se si Jezu Krishti e vë shpëtimin në dispozicion të të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor?
Shfaqja e Shpëtimtarit në botën e shpirtrave
Ndërsa nxënësit e studiojnë vegimin, mund të jetë e dobishme të vini në dukje se Presidenti Smith e pa Shpëtimtarin të vizitonte botën e shpirtrave ndërmjet kohës së vdekjes së Tij dhe Ringjalljes së Tij.
Kujtojuni nxënësve se bota e shpirtrave është e ndarë në parajsa dhe burgu. Nëse është e nevojshme, mund të shpjegoni se burgu në këtë kontekst i referohet një vendi të përkohshëm në botën e shpirtrave për ata që vdiqën pa një njohuri të së vërtetës (dhe jo një institucioni të vuajtjes së dënimit ose qelie). Shpirtrat në këtë burg janë gjithashtu ata që ishin të pabindur në vdekshmëri (shihni tek Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Hell” [“Ferr”], topics.ChurchofJesusChrist.org).
Lexoje thënien vijuese nga Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, rreth punës së shpëtimit për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor në botën e shpirtrave.
“Puna e shpëtimit në botën e shpirtrave qëndron te çlirimi i shpirtrave nga ajo që shkrimet e shenjta shpesh e përshkruajnë si ‘robëri’. Të gjithë në botën e shpirtrave janë nën një lloj robërie.” (Dallin H. Ouks, “Ki Besim tek Zoti”, Liahona, nëntor 2019, f. 26)
Ndërsa studion vegimin e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 138, kërko se si fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor janë në robëri dhe mënyrën se si ata çlirohen nga Shpëtimtari dhe flijimi i Tij shlyes.
Një mënyrë për ta organizuar orën mësimore është t’i rregulloni nxënësit në grupe me nga tre veta. Ftojini nxënësit të studiojnë njërën nga tri pjesët vijuese. Pas një kohe për të diskutuar pyetjet e dhëna, nxënësit mund t’ua tregojnë atë që mësuan të tjerëve në grupin e tyre që studiuan një pjesë tjetër.
Nxitini nxënësit t’i tregojnë të vërtetat që po mësojnë. Për trajnim mbi mënyrën se si ta bëni këtë, shihni trajnimin e titulluar “Nxitini nxënësit t’i tregojnë të vërtetat që po mësojnë”, që gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Ftoni të Mësuarit me Zell. Merreni parasysh të ushtroni zotësinë “Invite students to share with each other what they are learning” [“Ftojini nxënësit t’i tregojnë njëri-tjetrit atë që po mësojnë”].
-
Çfarë zbulove?
-
Si iu përgjigjën shpirtrat ungjillit të Shpëtimtarit në vdekshmëri?
-
Në ç’mënyrë ishin këta shpirtra në robëri? Si i çliroi Shpëtimtari ata?
-
Çfarë mundësish u jep Shpëtimtari shpirtrave në parajsë? Në burg?
-
Çfarë mund të bëjmë për ta ndihmuar Shpëtimtarin në punën e Tij?
-
Shpëtimtari çliron shpirtrat në parajsë.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 138:11–19, 23–24, 50–52, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari i çliroi ata që ishin në parajsën e shpirtrave.
-
Shpëtimtari çliron shpirtrat në burg.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 138:20–22, 29–37, 57–59, duke kërkuar mënyrën se si i çliroi Shpëtimtari ata që ishin në burgun e shpirtrave.
-
Shpëtimtari organizon predikimin e ungjillit në botën e shpirtrave.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 138:30–37, 57–59, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari e organizoi predikimin e ungjillit për ata që ishin në burgun e shpirtrave.
Demonstro kuptueshmëri
Për t’i ndihmuar nxënësit të demonstrojnë kuptueshmërinë e tyre për seksionin te Doktrina e Besëlidhje 138, ata mund ta interpretojnë me role skenarin e fillimit të orës mësimore. Nxënësit mund ta luajnë me radhë rolin e Xhulit dhe të ushtrojnë mënyrën se si t’i përgjigjen pyetjes së saj për secilin çift të gjyshërve. Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për t’u ushtruar, ata mund t’i tregojnë klasës atë që kanë ndier dhe mënyrën se si këto mësime gjejnë zbatim tek ata.
Mund të jepni dëshminë tuaj për Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe shpëtimin që Ata u ofrojnë të gjallëve dhe të vdekurve.