“Mësimi 137 – Doktrina e Besëlidhje 127–128, Pjesa 1: Shpëtimi i të Vdekurve”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 127–128, Pjesa 1”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 137: Doktrina e Besëlidhje 125–128
Doktrina e Besëlidhje 127–128, Pjesa 1
Shpëtimi i të Vdekurve
Në gusht të vitit 1840, Jozef Smithi e dha mësim për herë të parë doktrinën e pagëzimit për të vdekurit. Anëtarët e Kishës iu gëzuan mundësisë për të siguruar ordinanca shpëtuese për të afërmit e tyre të vdekur. Jozef Smithi u shkroi letra shenjtorëve për t’i udhëzuar në lidhje me ordinancën e pagëzimit për të vdekurit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor për ta, që shfaqet nëpërmjet ordinancave të tempullit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Një skenar
Skenari vijues mund t’i ndihmojë nxënësit të reflektojnë për mënyrën se si ndihen rreth doktrinës së Shpëtimtarit mbi pagëzimin për të vdekurit. Nxënësit mund ta interpretojnë me role se si mund t’i përgjigjen Anës.
Gjatë një diskutimi me misionarët, Ana mësoi rreth nevojës për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit dhe për t’u pagëzuar (shih te Mateu 3:13–17; Gjoni 3:5; 2 Nefi 31:4–11). Ajo dëshironte sinqerisht ta bënte pagëzimin, por u shqetësua edhe për motrën e saj të vdekur. Ana i pyeti misionarët: “Po motra ime që vdiq para se të mund të pagëzohej?”
-
Ndërsa i merr parasysh elementet e doktrinës së Shpëtimtarit, çfarë ndjenjash ke që do t’i shprehje?
Kujtojuni nxënësve që njerëzit gjatë gjithë epokave, përfshirë anëtarët e hershëm të Kishës, kanë bërë pyetje si ajo e Anës. Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Ati Qiellor zbuloi se si plani i Tij mund t’i shpëtojë të gjithë ata që duan të shpëtohen.
Plani i Atit Qiellor
Zoti gradualisht ia zbuloi Jozef Smithit doktrinën e pagëzimit për të vdekurit. Në gusht të vitit 1840, Jozef Smithi predikoi në varrimin e Sejmur Bransonit. Gjatë predikimit, ai vështroi Xhejn Njumanin, një të ve, djali i së cilës kishte vdekur para se të pagëzohej. Jozefi përmendi vargun te 1 Korintasve 15:29 dhe dha mësim se plani i Perëndisë i lejonte një njeriu të gjallë të pagëzohej si mëkëmbës për dikë që kishte vdekur. Më vonë, Xhejni u pagëzua për të birin, Sajrusin. Ky ishte pagëzimi i parë për të vdekurit që u krye në këtë periudhë ungjillore (shih te Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days [Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme], vëll. 1, The Standard of Truth [Standardi i së Vërtetës], 1815–1846 [2018], f. 421–422).
Zoti më vonë zbuloi se pagëzimet për të vdekurit duhej të kryheshin në tempull (shih te Doktrina e Besëlidhje 124:29–32). Në nëntor 1841, shenjtorët filluan të pagëzoheshin për paraardhësit e tyre në tempullin e papërfunduar të Navusë. Në shtator 1842, Jozef Smithi i udhëzoi shenjtorët të mbanin një anal të atyre ordinancave dhe hollësive të tjera të rëndësishme. Ato udhëzime tani janë seksionet Doktrina e Besëlidhje 127 dhe 128 (shih te Saints [Shenjtorët], 1:476–477). Jozef Smithi shpjegoi se një regjistrues duhet të jetë dëshmitar i ordinancës dhe të mbajë procesverbale të sakta që do të shënoheshin në një libër të përgjithshëm të kishës. Ai gjithashtu dha mësim se të tjerë duhet të ishin dëshmitarë të ordinancës (shih te Doktrina e Besëlidhje 128:2–4). Ai më pas shpjegoi pse ky rend i gjërave nevojitej të ishte shumë i veçantë.
Përpara se të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 128:5, mund të jetë e dobishme të shpjegoni se fraza “përpara krijimit të botës” i referohet kohës përpara se toka të krijohej, kur u bë një këshill në qiell (shih tek Abraham 3:22–27).
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 128:5, duke kërkuar atë që mëson rreth pagëzimeve për të vdekurit në planin e Atit Qiellor.
-
Çfarë të mëson ky varg rreth Atit Qiellor dhe planit të Tij?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë këtë të vërtetë: Ati Qiellor përgatiti një mënyrë për shpëtimin e atyre që vdesin pa një njohuri për ungjillin.
Merreni parasysh ta shkruani të vërtetën në tabelë për t’i ndihmuar nxënësit ta diskutojnë atë. Bërja e disa prej pyetjeve vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë këtë të vërtetë. Mund ta zgjeroni diskutimin duke u kërkuar nxënësve të japin mendimet rreth komenteve të shokëve të klasës.
-
Çfarë të mëson kjo e vërtetë rreth cilësive, karakterit ose qëllimit të Atit Qiellor?
-
Si mund të ndikojë kjo e vërtetë te ti dhe familja jote?
Për t’i ndihmuar nxënësit ta ndiejnë rëndësinë e kësaj të vërtete, merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për të. Ose mund të tregoni thënien vijuese dhe t’i ftoni nxënësit të tregojnë reagimet e tyre ndaj saj.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për Jezu Krishtin dhe shëlbimin e të vdekurve.
“Detyra jonë shkon aq larg dhe aq thellë sa dashuria e Perëndisë për t’i përfshirë fëmijët e Tij të çdo kohe dhe vendi. Përpjekjet tona në emër të të vdekurve japin dëshmi të qartë se Jezu Krishti është Shëlbuesi hyjnor i tërë njerëzimit. Hiri dhe premtimet e Tij arrijnë edhe tek ata që në jetë nuk e gjejnë Atë. Për shkak të Tij, të burgosurit vërtet do të lirohen.” (D. Todd Christofferson, “The Redemption of the Dead and the Testimony of Jesus”, Ensign, nëntor 2000, f. 11)
Regjistruar në tokë dhe në qiell
Merreni parasysh të tregoni figurën e një pagëzimoreje tempulli. Ftojini nxënësit të tregojnë me gisht regjistruesin dhe dëshmitarët. Më pas ftojini nxënësit t’i gjejnë dhe shenjojnë këto detyra te Doktrina e Besëlidhje 128:3. Nëse nxënësit kanë shërbyer si dëshmitarë, ata mund të tregojnë përvojat e tyre.
Një mënyrë për t’i ndihmuar nxënësit të gjejnë lidhje me këto seksione, është të kthehen te skenari rreth Anës.
Pasi u pagëzua, Ana shkoi në tempull dhe u pagëzua për motrën e saj që kishte vdekur. Ajo pyet veten se si mund ta dijë a është e vlefshme ordinanca në qiell.
Përpara se nxënësit të lexojnë shkrimet e shenjta vijuese, nëse doni mund të shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 128:8 fraza “në vetë personin e tyre” u drejtohet atyre që pagëzohen për vete dhe fraza “përfaqësuesve të tyre” u drejtohet atyre që pagëzohen për të tjerët.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 127:5–7; 128:6–8, duke kërkuar atë që do t’i tregoje Anës për t’iu përgjigjur pyetjes së saj.
-
Cilat fjalë ose fraza do t’i tregoje Anës?
-
Pse mendon se mbajtja e një anali për ordinancat është e rëndësishme në planin e Atit Qiellor?
-
Si mund të ndikojë kuptueshmëria për këto vargje në përvojën tënde në tempull?
Shpjegoni se ordinancat e kryera në tempuj janë lidhëse në tokë dhe në qiell për shkak të çelësave të priftërisë të rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith (shih te Doktrina e Besëlidhje 128:9–11).
“Zemrat tuaja duhet të ngazëllehen dhe të jenë tepër të gëzuara”
Qëllimi i kësaj pjese është t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë madhështinë e planit të Atit Qiellor për shpëtimin. Merreni parasysh të shkruani plani i Atit Qiellor në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit të shtojnë fjalë ose fraza që shprehin ndjenjat e tyre rreth tij. Kërkojuni disa nxënësve të tregojnë pse ndihen në atë mënyrë.
Nxënësit mund të shtojnë në tabelë disa nga ndjesitë që kanë përjetuar kur kanë marrë pjesë në pagëzime dhe konfirmime në tempull.
Ndërsa nxënësit e lexojnë fragmentin vijues të shkrimeve të shenjta dhe diskutojnë pyetjet shoqëruese, ata mund të shtojnë fjalë ose fraza në tabelë.
Në letrën e tij, Jozef Smithi i shprehu në mënyrë poetike pikëpamjet e tij rreth doktrinës së lavdishme të shëlbimit për të vdekurit. Lexo te Doktrina e Besëlidhje 128:22–23, duke kërkuar emocionet e shprehura rreth planit të Atit Qiellor.
-
Cilat fjalë ose fraza nga këto vargje i pasqyrojnë ndjenjat e tua rreth planit të Atit Qiellor për shpëtimin e fëmijëve të Tij?
-
Kur ke përjetuar ndonjërën prej këtyre ndjenjave ndërkohë që ke marrë pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare?
-
Çfarë mendon se do të thotë që “të burgosurit do të lirohen”? (Vargu 22.) Pse kjo mund të jetë një arsye për gëzim të madh?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shprehin ndjenjat e tyre rreth doktrinës së shëlbimit për të vdekurit. Ftojini ata t’i kushtojnë vëmendje çdo nxitjeje nga Shpirti ndërsa e bëjnë këtë. Ata mund të shkruajnë, të vizatojnë ose të incizojnë një mesazh. Nxënësit mund të përdorin disa nga frazat e renditura në tabelë për të përshkruar se si plani i Atit Qiellor jep shpresë për ata që vdesin pa një njohuri për ungjillin. Ata mund të shkruajnë gjithashtu edhe për ndikimin që ka plani i shpëtimit në familjen e tyre. Nxënësit mund të duan të përshkruajnë përvoja kuptimplota kur kanë marrë pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini nxënësit e gatshëm ta japin mesazhin e tyre. Ju mund të shprehni gjithashtu ndjenjat tuaja rreth shëlbimit për të vdekurit në planin e Atit Qiellor.