Seminari
Mësimi 136 – Doktrina e Besëlidhje 126: Zoti e Pranoi Shërbimin e Brigam Jangut


“Mësimi 136 – Doktrina e Besëlidhje 126: Zoti e Pranoi Shërbimin e Brigam Jangut”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 126”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 136: Doktrina e Besëlidhje 125–128

Doktrina e Besëlidhje 126

Zoti e Pranoi Shërbimin e Brigam Jangut

Brigam Jangu

Më 9 korrik 1841, Zoti i dha një zbulesë Brigam Jangut nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Pasi Brigami shërbeu në misione të shumta në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Angli, Zoti tha se udhëtimet e tij misionare qenë të pranueshme për Të. Ai tha se ishte koha që Brigami të tregonte kujdes të veçantë ndaj familjes. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit që t’iu shtohet dëshira për të punuar me zell për Zotin ashtu siç bëri Brigam Jangu.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Shërbimi ndaj Zotit

Shkruajeni frazën Shërbimi ndaj Zotit në tabelë dhe ftojini nxënësit të bëjnë sa vijon:

Imagjino që një udhëheqës kunji ose distrikti i anketoi anëtarët adoleshentë të Kishës në zonën tënde dhe u bëri pyetjet vijuese. Cilat mund të jenë disa nga përgjigjet e tyre?

  • Në çfarë mënyrash përpiqesh t’i shërbesh Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit? Përse iu shërben Atyre?

  • Çfarë të bëhet pengesë për t’i shërbyer Zotit? Pse mund të mos duam gjithmonë t’i shërbejmë Atij?

Pasi nxënësit të flasin, kërkojuni atyre të përsiatin rreth mënyrës se si ata vetë mund t’iu përgjigjen pyetjeve të mësipërme.

Ndërsa studiojnë shembullin e Brigam Jangut gjatë këtij mësimi, ftojini nxënësit të kërkojnë Frymën e Shenjtë për t’i ndihmuar të kapërcejnë çdo pengesë ndaj shërbimit të Zotit me zell.

Çfarë ndiente Zoti për Brigam Jangun

Merreni parasysh t’u jepni informacion vijues disa nxënësve në fillim të orës mësimore. Ftojini ata të përmbledhin atë që ishte kuptimplotë ose interesante për ta te Brigam Jangu.

  • Brigam Jangu u rrit i varfër, i nënti nga njëmbëdhjetë fëmijë.

  • Kur ishte 14 vjeç, e ëma ndërroi jetë.

  • Kur ishte 16 vjeç, filloi të punonte për t’ia dalë i vetëm, duke u bërë çirak i një marangozi, punëtor qelqi dhe bojaxhi.

  • Kur ishte 23 vjeç, u martua me Miriam Uorksin dhe më vonë ata patën dy bija.

  • Brigami e studioi Librin e Mormonit për dy vjet, duke e krahasuar atë me Biblën, përpara se të bashkohej me Kishën. Më vonë ai raportoi: “E dija se ishte i vërtetë, po ashtu si e dija se mund të shihja me sytë e mi, apo të ndieja me anë të prekjes me gishtat e mi” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 2).

  • Brigami shërbeu në 10 misione në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Angli.

  • Ai u bë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në moshën 33‑vjeçare.

  • Më 9 korrik 1841, Zoti i dha një zbulesë Brigam Jangut nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

Lexoje te Doktrina e Besëlidhje 126:1–3, duke kërkuar atë që Zoti i tha Brigamit rreth shërbimit të tij.

  • Çfarë të pëlqeu apo mësove nga këto vargje?

    Dëgjoni me kujdes ndërsa nxënësit flasin. Nëse ju duket e dobishme, bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë si këto: “Çfarë fjalësh përdoren në zbulesë për t’iu drejtuar Brigamit?” “Si mendon se do ta bënin të ndihej Brigamin këto fjalë?” “Çfarë ju mësojnë këto vargje rreth Zotit?”

    Nëse nxënësit nuk e përcaktojnë natyrshëm një parim, merreni parasysh të pyetni: “Si mund të gjejnë zbatim udhëzimet e Zotit ndaj Brigam Jangut për ne?” Nxënësit mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse punojmë me zell për Zotin, atëherë Ai do ta pranojë ofertën tonë të drejtë. Ju mund të sugjeroni që nxënësit ta shënojnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta.

  • Çfarë mendon se dinë njerëzit si Brigam Jangu që u jep shtysë atyre për t’i shërbyer Zotit me aq zell? Si mund të na ndihmojë ajo?

Shembulli i Brigam Jangut

Ikona e FletushkësFletushka vijuese ka tre diskutime të mundshme për t’i ndihmuar nxënësit të mësojnë rreth të punuarit me zell për Zotin nga shembulli i Brigam Jangut. Përpara orës mësimore, ftoni tre nxënës që t’i shërbejnë klasës duke drejtuar një nga diskutimet vijuese. Ose ndajeni klasën në grupe me nga tre veta dhe ftojeni secilin anëtar të grupit që të drejtojë një nga diskutimet. Thuajuni nxënësve që ata mund ta përshtatin ndonjë nga pyetjet për ta bërë diskutimin më kuptimplotë ose të efektshëm për shokët e tyre të klasës.

Shembulli i Brigam Jangut

Diskutimi 1

Sfida e të Folurit në Publik

Fillojeni duke bërë pyetje si ato vijueset:

  • Si ndiheni rreth të folurit në publik? Përse?

Lexojeni ose përmblidheni sa vijon:

Një nga sfidat më të mëdha të Brigam Jangut ishte të folurit në publik. Ai tha: “Isha po aq i varfër nga të folurit sa mund të ishte çdo njeri” (në Journal of Discourses, 5:97). Ai kujtoi një kohë kur, një javë pas pagëzimit të tij, priste që katër folës me përvojë, të cilët ishin anëtarë të Kishës, të predikonin, por ata nuk e bënë. Ai tha:

Presidenti Brigam Jang

“Isha veçse një fëmijë, për sa i përket të folurit në publik dhe një njohurie për botën; por Shpirti i Zotit erdhi mbi mua dhe ndjeva sikur kockat do të më bluheshin po të mos u flisja njerëzve dhe t’u thosha atë që kisha parë, dëgjuar dhe mësuar – atë që kisha përjetuar dhe prej së cilës isha gëzuar dhe ligjërata e parë që mbajta zgjati mbi një orë. E hapa gojën dhe Zoti e mbushi atë me fjalë.” (Brigham Young, në Journal of Discourses, 13:211)

  • Çfarë kishte të vështirë tek ajo që bëri Brigam Jangu?

Ftojini nxënësit të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 100:5–6 (shihni edhe tek Eksodi 4:12; Fjalët e Urta 16:1). Më pas pyetni:

  • Si lidhej përvoja e Brigam Jangut me këto vargje?

  • Çfarë mësoni rreth Zotit që mund t’ju ndihmojë?

Tregoni se si ndiheni për mirëbesimin te Zoti dhe të qenit të gatshëm të tregoni atë që dini.

Diskutimi 2

Sakrifica e Brigamit për të Shërbyer

Fillojeni duke bërë një pyetje si ajo në vijim:

  • Çfarë sakrificash duhen për të shërbyer në një mision?

Lexojeni ose përmblidheni sa vijon:

Po atë vit kur Brigam Jangu u pagëzua, bashkëshortja e tij ndërroi jetë. Me sakrificë të madhe, ai gjeti dikë që të kujdesej për dy fëmijët e tij dhe shërbeu në misionet në Nju‑Jork dhe Kanada, ku pagëzoi disa njerëz.

Pasi shërbeu në mision për thuajse një vit, Brigami përshkroi mbërritjen e tij në Kirtland, Ohajo:

Presidenti Brigam Jang

“Nëse ndonjë njeri që u grumbullua me shenjtorët qe më i varfër nga sa isha unë – qe sepse ai nuk kishte asgjë. … Unë kisha dy fëmijë për të cilët të kujdesesha. … Isha i ve. … [Nuk kisha] asnjë këpucë në këmbët e mia, përveç një palë çizmeve të huajtura. Nuk kisha veshje dimri, përveç një palltoje të bërë vetë që e kisha prej tre apo katër vitesh. … Unë kisha udhëtuar dhe predikuar, dhe kisha dhënë çdo dollar që zotëroja.” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 243)

Ftojeni një nxënës të lexojë te Lluka 18:18–23, duke kërkuar se si përgjigjja e Brigam Jangut ndaj ftesave për të shërbyer qe ndryshe nga njeriu që ndërveproi me Shpëtimtarin në këtë tregim.

  • Çfarë dini rreth Zotit që mund të na ndihmojë të jemi të gatshëm të bëjmë sakrifica ashtu siç bëri Brigam Jangu?

  • Krahas shërbimit në misione, cilat janë disa mënyra të tjera se si Zoti mund të dëshirojë që ne të sakrifikojmë për t’i shërbyer Atij?

Tregoni se si ndiheni rreth të qenit të gatshëm të sakrifikojmë për t’i shërbyer Zotit.

Diskutimi 3

Misioni i Brigamit në Angli

Fillojeni duke bërë një pyetje si ajo në vijim:

  • Cilat janë disa arsye pse një misionar/e ka nevojë për ndihmën e Zotit?

Lexojeni ose përmblidheni sa vijon:

Pasi u rimartua dhe shërbeu në pesë misione të tjera, Brigami u thirr, me Apostujt e tjerë, të shërbente në një mision në Angli.

Brigami e përshkroi misionin e tij:

Presidenti Brigam Jang

“Ne zbarkuam … si të huaj në një tokë të panjohur dhe pas asnjë kacidhe, por nëpërmjet mëshirës së Perëndisë bëmë shumë miq, themeluam Kisha në pothuajse çdo qytezë dhe qytet me nam në mbretërinë e Britanisë së Madhe, pagëzuam mes shtatë deri tetë mijë njerëz, shtypëm 5000 kopje të Librit të Mormoni … dhe i lamë të mbjella në zemrat e shumë mijëra njerëzve farat e së vërtetës së përjetshme … : në të gjitha këto gjëra unë dalloj dorën e Perëndisë.” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 6)

Ftojeni një nxënës t’i lexojë fjalët e Amonit tek Alma 26:12–13. Më pas pyetni:

  • Si krahasohet deklarata e Brigam Jangut me atë të Amonit?

  • Pse mendon se mbështetja te Zoti është thelbësore kur përpiqemi t’i shërbejmë Atij?

  • Si je përpjekur të mbështetesh te Zoti ndërsa i shërben Atij?

Shprehi mendimet ose ndjenjat e tua rreth mbështetjes te Zoti ndërsa i shërben Atij.

Ajo që ke mësuar

Pas diskutimeve, mund t’i inkurajoni nxënësit të kërkojnë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë dhe të shkruajnë atë që po mësojnë dhe ndiejnë rreth shërbimit ndaj Zotit. Ata mund t’iu përgjigjen këtyre pyetjeve:

  • Çfarë ke mësuar nga shembulli i Brigam Jangut dhe mënyrës se si Zoti e ndihmoi atë?

  • Çfarë ta ka shtuar dëshirën për t’i shërbyer Zotit?

Mbylleni duke i ftuar nxënësit të shprehin disa nga mendimet dhe ndjenjat që shkruan. Edhe ju mund të shpreheni.