Seminari
Mësimi 135 – Doktrina e Besëlidhje 124: “Kjo Shtëpi Duhet të Ndërtohet … që Unë të Mund t’ia Zbuloj Ordinancat e Mia”


“Mësimi 135 – Doktrina e Besëlidhje 124: ‘Kjo Shtëpi Duhet të Ndërtohet … që Unë të Mund t’ia Zbuloj Ordinancat e Mia’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 124”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 135: Doktrina e Besëlidhje 124

Doktrina e Besëlidhje 124

“Kjo Shtëpi Duhet të Ndërtohet … që Unë të Mund t’ia Zbuloj Ordinancat e Mia”

Tempulli i Navusë

Ndërsa shenjtorët ndërtonin qytetin e Navusë, Zoti i urdhëroi ata të ndërtonin një tempull (shih te Doktrina e Besëlidhje 124:26–27). Te Doktrina e Besëlidhje 124, Zoti zbuloi më shumë rreth qëllimit të tempujve si një vend për të marrë ordinanca të shenjta. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë rëndësinë e tempullit të Zotit dhe ordinancave që kryhen atje, përfshirë dhurimin [indaumentin].

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Qëllimi i tempujve

Shënim: Ky mësim përqendrohet te besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit. Ato janë të shenjta dhe duhet të diskutohen me nderim (shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 27.0, ChurchofJesusChrist.org).

Për t’i ndihmuar nxënësit të marrin parasysh atë që dinë aktualisht për tempujt, ftojini ata të përsiatin ose të shkruajnë atë që do t’i thoshin shokut ose shoqes në situatën më poshtë.

Imagjino sikur një shok ose shoqe e pa fotografinë e një tempulli në mediat shoqërore ose kaloi me makinë pranë një tempulli dhe të pyeti sinqerisht: “Çfarë është një tempull? Çfarë bëjnë njerëzit atje?”

Merreni parasysh të paraqitni figurën vijuese:

semafor

Duke përdorur ngjyrat e semaforit (e kuqe = nuk jam i/e sigurt te vetja; e verdhë = disi i/e sigurt te vetja; e gjelbër = shumë i/e sigurt te vetja), përzgjidh një ngjyrë që e pasqyron më mirë përgjigjen tënde për pyetjet vijuese:

  • Sa i/e sigurt je te vetja se mund t’ia shpjegosh qartë tempullin dhe ordinancat e tij shokut ose shoqes?

  • Sa i/e sigurt je te vetja se mund t’ia shpjegosh atij ose asaj në një mënyrë që mund ta ndihmojë shokun ose shoqen tënde ta dallojë se si Zoti e tregon dashurinë e Tij nëpërmjet tempullit?

Për t’ju ndihmuar të shihni se si u përgjigjën nxënësit, merreni parasysh t’i ftoni ata t’u përgjigjen pyetjeve si: “Sa prej jush ishit ngjyra e gjelbër? e verdhë? e kuqe?” dhe “Pse e zgjodhët atë ngjyrë që zgjodhët?”

Inkurajojini nxënësit të luten për kuptueshmëri nëpërmjet Frymës së Shenjtë, e cila mund t’i ndihmojë ata t’u përgjigjen pyetjeve si ato të mësipërmet, si dhe pyetjeve të veta rreth tempullit dhe ordinancave tempullit.

Tempulli i Navusë

Ndërsa shenjtorët u vendosën në Navu të Ilinoisit, Zoti i urdhëroi ata të ndërtonin një tempull (shih te Doktrina e Besëlidhje 124:31) siç kishte bërë më parë në Kirtland të Ohajos, në Kontenë Xhekson të Misurit dhe në Far‑Uest të Misurit (shih te 88:119; 97:10; 115:7–8). Në kohën e urdhrit të Zotit për të ndërtuar tempullin e Navusë, Ai ia kishte zbuluar tashmë doktrinën e pagëzimeve për të vdekurit Profetit Jozef Smith (shih tek Tema dhe Pyetje, “Baptisms for the Dead [“Pagëzimet për të Vdekurit”], topics.ChurchofJesusChrist.org).

Merreni parasysh të shkruani në tabelë: “Njerëzit e mi gjithmonë urdhërohen t[ë] ndërtojnë [tempuj] për emrin tim të shenjtë” (Doktrina e Besëlidhje 124:39). Nxënësit mund ta shenjojnë këtë frazë në shkrimet e tyre të shenjta.

Ftojini nxënësit të studiojnë vargjet vijuese dhe merreni parasysh shenjimin e përgjigjeve që gjejnë ata. Më pas, ata mund të diskutojnë në grupe të vogla atë që mësuan.

ikona e trajnimit Ndihmojini nxënësit t’i diskutojnë bindjet e ungjillit me të tjerët: Për më shumë praktikë për këtë, shihni trajnimin e titulluar “Invitations for students to share with each other what they are learning” [“Ftesa që nxënësit t’ia tregojnë njëri‑tjetrit atë që po mësojnë”], që gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Ftoni të Mësuarit me Zell.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 124:25–30, 36–41, 55, duke kërkuar arsyet përse Zoti e urdhëron popullin e Tij të ndërtojë tempuj.

  • Çfarë gjete?

  • Cili nga qëllimet ose premtimet e Zotit për ndërtimin e tempujve është më kuptimplotë për ty? Përse?

Nxënësit mund të gjejnë të vërteta të ndryshme, të tilla si: Zoti na urdhëron të ndërtojmë tempuj “që Më i Larti të banojë atje” (vargu 27); të “rivendosë përsëri atë që u humb për ju” (vargu 28); si një vend “për strehim” (vargu 36); dhe “që unë të mund t’ju bekoj dhe kurorëzoj me nder, pavdekësi dhe jetë të përjetshme” (vargu 55). Nëse nuk e përmendin nxënësit, ftojini ata të rishikojnë vargun 40 dhe shtoni të vërtetën se Zoti na urdhëron të ndërtojmë tempuj që të mund të marrim ordinanca të shenjta. Kjo e vërtetë e fundit do të jetë fokusi i këtij mësimi.

Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë që t’i përcaktojnë të vërtetat në këto vargje, merreni parasysh të shkruani numrat e vargjeve që përmenden më sipër, në tabelë në një kolonë, dhe frazat që citohen tek to në një rend të ndryshëm në kolonën tjetër. Nxënësit më pas mund ta përkojnë frazën me vargun përkatës.

Plaku Dejvid A. Bednar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve na ndihmon të kuptojmë qëllimin pse Zoti na dha ordinanca tempulli.

Plaku Dejvid A. Bednar

“Ne nuk ndërtojmë ose hyjmë në tempuj të shenjtë vetëm që të kemi një përvojë të paharrueshme vetjake apo familjare. Përkundrazi, besëlidhjet e marra dhe ordinancat e kryera në tempuj janë thelbësore për shenjtërimin e zemrave tona dhe për ekzaltimin përfundimtar të bijve dhe bijave të Perëndisë.” (Dejvid A. Bednar, “Kjo Shtëpi Duhet të Ndërtohet për Emrin Tim”, Liahona, maj 2020, f. 85)

  • Çfarë mësove nga Plaku Bednar?

  • Çfarë ke mësuar deri tani që mund të të ndihmojë t’ia shpjegosh tempujt një shoku ose shoqeje?

Në tempullin e Kirtlandit, u shfaqën Shpëtimtari dhe lajmëtarë të tjerë qiellorë (shih te Doktrina e Besëlidhje 110). Tempulli i Kirtlandit qe gjithashtu një vend frymëzimi dhe të mësuari. Në Navu, Zoti zbuloi ordinanca të tjera që ndodhin në tempuj sot. Sot në tempuj, anëtarët besnikë të Kishës kryejnë pagëzime për të vdekurit, marrin dhurimet (përfshirë larjet dhe vajosjet) dhe marrin pjesë në vulosjet në tempull.

Mësimet e ardhshme do të përqendrohen te pagëzimet për të vdekurit dhe vulosjet në tempull. Pjesa e mbetur e këtij mësimi do të përqendrohet te dhurimi.

Dhurimi

Një nga ordinancat që Zoti ua zbuloi shenjtorëve në Navu, ishte dhurimi [indaumenti].

Përpara se të studiojnë dhurimin [indaumentin], mund t’u jepni nxënësve pak minuta për të marrë parasysh çfarë pyetjesh mund të kenë rreth dhurimit dhe pse është e rëndësishme që ata ta marrin atë. Shpjegoni se, ndërsa ata studiojnë dhurimin [indaumentin], Fryma e Shenjtë mund t’i ndihmojë të gjejnë përgjigje për pyetjet që kanë.

ikona e fletushkësPër t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë më shumë rreth dhurimit [indaumentit] dhe arsyes pse Zoti dëshiron t’i bekojë ata nëpërmjet kësaj ordinance në tempull, merreni parasysh të përdorni një nga idetë vijuese:

  1. Jepuni nxënësve kohë t’i studiojnë burimet që zgjedhin vetë nga lista vijuese.

  2. Jepuni nxënësve fletushkën shoqëruese që ta studiojnë.

  3. Lejojini nxënësit të mësojnë në mënyrë të pavarur, me një partner ose në grupe të vogla.

Studioji disa nga burimet vijuese, duke kërkuar se si na bekon Zoti ndërsa marrim dhurimin në tempull.

Dhurimi

Lexoje informacionin vijues që gjendet te temples.ChurchofJesusChrist.org, duke kërkuar përgjigje për pyetjen vijuese:

  • Si bekohem nga Zoti kur marr dhurimin [indaumentin] tim?

“Kur u bashkuat me Kishën, ju morët dy ordinanca – pagëzimin dhe konfirmimin. Edhe dhurimi [indaumenti] i tempullit, merret me dy pjesë.

Në pjesën e parë, do të merrni privatisht dhe individualisht ato që quhen ordinanca ‘nistore’. Këto ordinanca përfshijnë bekime të veçanta në lidhje me trashëgiminë dhe potencialin tuaj hyjnor. Si pjesë e këtyre ordinancave, do të autorizoheni edhe që të vishni veshjen e brendshme të shenjtë të tempullit.

Në pjesën e dytë, do të merrni pjesën tjetër të dhurimit tuaj në një mjedis grupi. Kjo ndodh në një dhomë udhëzimi me të tjerë që po frekuentojnë tempullin. Paraqiten ngjarje që janë pjesë e planit të shpëtimit. Ato përfshijnë Krijimin, Rënien e Adamit dhe Evës, Shlyerjen e Jezu Krishtit, Braktisjen dhe Rivendosjen. Do të mësoni më shumë edhe për mënyrën se si të gjithë njerëzit mund të kthehen në praninë e Zotit. Një pjesë e dhurimit [indaumentit] paraqitet nëpërmjet materialit filmik dhe një pjesë nga drejtuesit e tempullit.

Gjatë ordinancës së dhurimit [indaumentit], ju do të ftoheni të bëni besëlidhje të caktuara me Perëndinë. Këto besëlidhje përfshijnë sa vijon:

  • Ligjin e bindjes, i cili përfshin përpjekjen fort për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë

  • Ligjin e sakrificës, që përfshin bërjen e gjithçkaje që mundemi për ta përkrahur punën e Zotit dhe pendimin me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar

  • Ligjin e ungjillit, që është ligji më i lartë që Jezusi e dha mësim ndërkohë që ishte në tokë

  • Ligjin e dëlirësisë, që përfshin kryerjen e marrëdhënieve seksuale vetëm me personin me të cilin jemi martuar zyrtarisht dhe ligjërisht në përputhje me ligjin e Perëndisë

  • Ligjin e përkushtimit, që përfshin përkushtimin e kohës, talenteve tona dhe gjithçkaje me të cilën Zoti na ka bekuar, për ngritjen e Kishës së Jezu Krishtit në tokë

Kur i mbani besëlidhjet tuaja, ju vini më pranë Shpëtimtarit dhe marrëdhënia juaj me Të bëhet gjithnjë e më e fuqishme. Perëndia premton se ata që i mbajnë besëlidhjet e tyre, do të marrin bekime në këtë jetë dhe mundësinë që të kthehen të jetojnë me Të përgjithmonë.

Në fund të dhurimit [indaumentit], pjesëmarrësit në mënyrë simbolike kthehen në praninë e Zotit ndërsa hyjnë në dhomën çelestiale. Atje mund të kaloni kohë duke përsiatur, duke u lutur, duke lexuar shkrimet e shenjta ose duke ndarë mendime me zë të ulët me familjen dhe miqtë tuaj. Ai është një vend paqeje ku mund të gjeni ngushëllim dhe udhërrëfim hyjnor.” (Shih te “About the Temple Endowment”, temples.ChurchofJesusChrist.org.)

Sigurojuni nxënësve një mundësi që të shpjegojnë se çfarë është dhurimi [indaumenti] dhe si mund të bekohen ata nga Zoti kur e marrin atë. Për ta bërë këtë, ju mund të shkruani në tabelë “Çfarë është dhurimi në tempull?” dhe “Pse është i rëndësishëm dhurimi në tempull?”. Ftoni nxënës të ndryshëm të përgjigjen. Nxënësit mund të tregojnë edhe se çfarë pyetjesh kanë rreth dhurimit [indaumentit] dhe nxënësit e tjerë mund të tregojnë atë që studiuan, e cila mund të ndihmojë.

Tempulli dhe unë

Merreni parasysh ta paraqitni përsëri skenarin me shokun ose shoqen në fillim të mësimit. Ftojini nxënësit të reflektojnë për atë që Fryma e Shenjtë u ka mësuar atyre sot, ose të shtojnë pikëpamje tek ato që shkruan në fillim të orës mësimore. Ftojini nxënësit të tregojnë se si do t’i përgjigjeshin shokut ose shoqes në një mënyrë që do t’i ndihmonte ata të ndienin dashurinë e Zotit.