“Mësimi 117 – Kampi i Izraelit: ‘Engjëjt e Mi do të Shkojnë përpara Jush’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Kampi i Izraelit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 117: Doktrina e Besëlidhje 102–105
Kampi i Izraelit
“Engjëjt e Mi do të Shkojnë përpara Jush”
Kampi i Izraelit u largua nga Kirtlandi i Ohajos në maj 1834 për të filluar një udhëtim më shumë se 800 milje (1280 kilometra) më këmbë. Megjithëse anëtarët e kampit u përballën me shumë vështirësi dhe vuajtje gjatë rrugës, ata përjetuan edhe shumë bekime. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se Perëndia do të jetë me ta dhe do t’i ndihmojë kur ata zgjedhin ta ndjekin Atë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ky është i dyti nga tre mësimet rreth përvojave të Kampit të Izraelit, që jepet në javën kur studiohet Doktrina e Besëlidhje 102–105. Nëse nuk e dhatë mësimin e mëparshëm, merreni parasysh se si mund të përfshini pjesë nga ai në këtë mësim.
Ndjekja e Jezu Krishtit
Merreni parasysh ta filloni mësimin duke e studiuar thënien nga Plaku Xhefri R. Holland dhe duke i diskutuar pyetjet që vijojnë.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi shtegun që mund të kërkohet nga ndjekësit e Jezu Krishtit:
“Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, krishterimi sjell rehati, por shpesh nuk është i rehatshëm. Shtegu drejt shenjtërisë dhe lumturisë këtu dhe pas kësaj jete është i gjatë dhe nganjëherë shkëmbor. Kërkon kohë dhe këmbëngulje për të ecur në të. Por, sigurisht, shpërblimi për bërjen e kësaj është monumental.” (Xhefri R. Holland, “Duke Pritur për Zotin”, Liahona, nëntor 2020, f. 116–117)
-
Çfarë mendimesh ose ndjenjash ke rreth kësaj thënieje?
Ftojini nxënësit të mendojnë rreth asaj që mund t’ua bëjë të vështirë vetë atyre ta ndjekin Shpëtimtarin, si edhe rreth asaj që e bën këtë ose mund ta bëjë këtë që t’ia vlejë përpjekja që kërkon. Pasi nxënësit të kenë menduar rreth situatave të tyre, merreni parasysh t’i diskutoni së bashku pyetjet vijuese.
-
Çfarë mund ta bëjë të vështirë të jesh një ndjekës i Jezu Krishtit sot?
Nxënësit mund të japin ide si këto: ndjekja e Shpëtimtarit mund të kërkojë shumë kohë dhe përpjekje, ndjekësve të Jezu Krishtit shpesh u kërkohet që të jenë të ndryshëm nga bota, ose ndjekësit e Shpëtimtarit ndonjëherë përndiqen nga të tjerët.
-
Përse mendon se përfundimisht ia vlen përpjekja që duhet për ta ndjekur Shpëtimtarin?
Në këtë mësim, ti do të studiosh udhëtimin që bëri Kampi i Izraelit nga Ohajo në Misuri. Udhëtimi i tyre ishte i gjatë, i vështirë dhe donte shumë përpjekje. Por anëtarët e kampit morën edhe bekime të mëdha gjatë udhës. Ndërsa studion, kërkoji të vërtetat që mund të të ndihmojnë kur e ke të vështirë të jesh një ndjekës i Jezu Krishtit.
Kampi i Izraelit fillon udhëtimin e tij
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta tregojnë atë që mbajnë mend rreth qëllimit të Kampit të Izraelit. Nëse është e nevojshme, paraqiteni hartën vijuese dhe tregojeni ose përmblidheni paragrafin më poshtë. Mund edhe të shfaqni materialin filmik “Zion’s Camp” [“Kampi i Sionit”], (18:44), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 2:13 deri në 3:02.
Në maj 1834, anëtarët e Kampit të Izraelit filluan udhëtimin e tyre më shumë se 800 milje (1280 kilometra) drejt Misurit. Dy kontigjente të kampit u nisën në të njëjtën kohë nga Kirtlandi në Ohajo dhe nga Pontiaku në territorin e Miçiganit. Të dyja grupet u bashkuan më pas në Misuri. Kampi i Izraelit, i njohur më vonë si Kampi i Sionit, përbëhej nga afërsisht 200 burra, 12 gra dhe 10 fëmijë. Qëllimi i tyre ishte të ndihmonin për t’i rikthyer shenjtorët në Misuri në tokat e tyre që ua kishin marrë pa të drejtë.
Kjo pjesë e mësimit ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë rreth disa prej përvojave që anëtarët e Kampit të Izraelit patën gjatë udhëtimit të tyre.
Merreni parasysh ta shpërndani fletushkën e titulluar “Përvoja nga Kampi i Izraelit”. Jepuni nxënësve kohë për ta studiuar përmbajtjen dhe për të diskutuar pyetje nga fletushka.
Për të shtuar larmi, ju mund të caktoni tre nxënës të gatshëm që secili të japë mësim një segment të fletushkës. Ata mund të japin mësim përpara klasës ose në zona të ndryshme të dhomës ndërkohë që grupet e vogla të nxënësve rrotullohen rreth e qark klasës.
Një mundësi tjetër mund të jetë të shfaqni pjesë të materialit filmik “Zion’s Camp” [“Kampi i Sionit”]. Merreni parasysh ta ndaloni materialin filmik pas secilës prej kodeve kohore vijuese dhe t’i vini nxënësit ta lexojnë përvojën përkatëse nga fletushka.
-
Përvoja nr. 1: 3:02 deri në 5:00
21:29 -
Përvoja nr. 2: 5:01 deri në 8:02
21:29 -
Përvoja nr. 3: 8:03 deri në 13:06
21:29
Përvoja nga Kampi i Izraelit
Përvoja nr. 1
Plaku Xhorxh A. Smith (1817–1875), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, solli ndër mend disa nga kushtet me të cilat u përball Kampi i Izraelit gjatë udhëtimit të tij:
“Profeti Jozef i provoi plotësisht vështirësitë e të gjithë udhëtimit. Përveç kujdesit për të siguruar për Kampin dhe për ta kryesuar atë, ai eci shumicën e kohës dhe pati përvojën e tij të këmbëve me flluska, të përgjakura dhe të lënduara, që ishin pasoja e natyrshme e një ecjeje prej 40 deri 65 kilometrash në ditë në një stinë të nxehtë të vitit. Por gjatë të gjithë udhëtimit, ai asnjëherë nuk lëshoi një mërmërimë ose ankesë, ndërkohë që shumica e burrave në Kamp i ankoheshin atij për gishtat e lënduar të këmbëve, për këmbët me flluska, marshimet e gjata, furnizimet me sasi të pakta, cilësinë e keqe të bukës, [bukën e misrit] të keqe, gjalpin [e prishur], mjaltin me shije të keqe, djathin dhe proshutën e krimbur etj. … Ne përsëri ishim Kampi i Sionit dhe shumë prej nesh qenë të padevotshëm, të shkujdesur, të pakujdesshëm, të pavëmendshëm, të pamend, ose djallëzorë dhe ne ende nuk e dinim këtë. Jozefi duhej të kishte durim me ne dhe të na mbikëqyrte si fëmijë. Megjithatë, në Kamp kishte shumë vetë që nuk mërmëritën kurrë dhe që qenë gjithmonë të gatshëm dhe të vullnetshëm për të vepruar siç dëshironte udhëheqësi ynë.” (Xhorxh A. Smith, në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 306)
-
Përse mendon se anëtarët e Kampit reaguan kaq ndryshe ndaj të njëjtave rrethana?
-
Çfarë mund të na ndihmojë të mbajmë një qëndrim pozitiv kur përjetojmë vështirësi në përpjekjet tona për ta ndjekur Shpëtimtarin?
Përvoja nr. 2
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 103:20 dhe thënien vijuese nga Presidenti Hibër C. Kimball (1801–1868), i Presidencës së Parë:
“Pavarësisht se armiqtë tanë vazhdimisht shprehnin kërcënime për dhunë, ne nuk u frikësuam, as nuk ngurruam të kryenim udhëtimin tonë, sepse Perëndia ishte me ne dhe engjëjt e Tij shkuan përpara nesh, dhe besimi i grupit tonë të vogël qe i palëkundur. Ne e dimë që engjëjt ishin shoqëruesit tanë, sepse ne i pamë ata.” (Hibër C. Kimball, në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 306–307)
-
Si mendon se ky bekim do të kishte ndikuar tek ti nëse do të kishe qenë pjesë e Kampit të Izraelit?
-
Cilat janë disa mënyra se si Zoti i ndihmon ndjekësit e Tij që të bëjnë gjëra të vështira sot?
Përvoja nr. 3
Kur Kampi i Izraelit ishte vetëm një ditë udhëtimi larg nga konteja Xhekson, pesë burra me armë iu afruan atyre. Këta burra u mburrën që më shumë se treqind të tjerë ishin nisur për të sulmuar kampin. Ndërsa anëtarët e kampit diskutuan se çfarë duhet të bënin, Profeti Jozef Smith tha: “Qëndroni të patundur dhe shihni shpëtimin e Perëndisë”.
Njëzet minuta më vonë, një stuhi e fortë e shkatërroi kampin. Stuhia bëri që ujërat e një lumi aty pranë të ngriheshin ndjeshëm, duke i penguar armiqtë e tyre të kalonin dhe sulmonin. Shumë anëtarë të Kampit të Izraelit gjetën strehë në një kishë të vogël aty pranë. Pas një çasti, Jozef Smithi i bërë qull nga shiu hyri në kishë dhe thirri: “Perëndia është në këtë stuhi!”
Mëngjesin pas stuhisë, anëtarët e kampit i gjetën çadrat dhe pajisjet e tyre të lagura dhe të shpërndara, por asnjë burrë nuk i kishte sulmuar (cituar dhe përmbledhur nga materiali Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 [2018], f. 203–204).
-
Po të kishe qenë pjesë e Kampit të Izraelit, si mund të kishte ndikuar kjo përvojë në ndjenjat e tua rreth Profetit Jozef Smith?
-
Çfarë mund të të mësojë kjo përvojë rreth Perëndisë gjatë çasteve të vështira në jetën tënde?
Ftojini nxënësit ta diskutojnë atë që mësuan nga kjo veprimtari e studimit, duke bërë pyetje si ato në vijim.
-
Çfarë të bëri përshtypje ndërsa i studiove disa nga përvojat e Kampit të Izraelit?
-
Çfarë të vërtetash mund të mësosh rreth Zotit nga këto përvoja?
Ndërsa nxënësit flasin, ata mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me atë në vijim: Perëndia do të jetë me ne dhe do të na ndihmojë ndërsa bëjmë përpjekje për ta ndjekur Atë.
Thelloje kuptueshmërinë
Shpenzo ca kohë për të gjetur dhe studiuar një ose më shumë shkrime të shenjta që japin mësim rreth dëshirave të Perëndisë për të qenë me ne dhe për të na ndihmuar në jetën tonë. Ti mund të përzgjedhësh shkrimet e tua të shenjta ose të zgjedhësh disa nga lista vijuese:
-
Ligji i Përtërirë 1:30
-
Ligji i Përtërirë 31:6
-
Fjalët e Urta 3:5–6
-
Isaia 41:10
-
Çfarë të bëri përshtypje nga shkrimet e shenjta që studiove? Përse?
-
Çfarë zbulove që mund ta ndihmojë dikë që e ka të vështirë ta ndjekë Jezu Krishtin?
Merreni parasysh të dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar, dhe t’i nxitni nxënësit që të veprojnë sipas nxitjeve shpirtërore që mund të kenë marrë.