Seminari
Mësimi 116 – Doktrina e Besëlidhje 103: Organizimi i Kampit të Izraelit


“Mësimi 116 – Doktrina e Besëlidhje 103: Organizimi i Kampit të Izraelit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 103”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 116: Doktrina e Besëlidhje 102–105

Doktrina e Besëlidhje 103

Organizimi i Kampit të Izraelit

duke tërhequr kalin dhe karrocën nëpër baltë

Më 24 shkurt 1834, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë nga Zoti, që e urdhëronte atë të organizonte një grup vullnetarësh për t’i ndihmuar shenjtorët e vuajtur në Misuri. Zoti kërkoi besim të madh prej atyre që iu përgjigjën thirrjes për t’iu bashkuar grupit, që u bë i njohur si Kampi i Izraelit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’iu binden urdhërimeve që Zoti u ka dhënë atyre.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ky është i pari nga tre mësimet rreth përvojave të Kampit të Izraelit, që jepet në javën kur studiohet Doktrina e Besëlidhje 102–105. Nëse nuk jeni në gjendje t’i jepni tre mësimet më vete për shkak se nuk keni kohë të mjaftueshme në dispozicion në orën mësimore, merreni parasysh se si mund t’i ndërthurni idetë nga këto mësime.

Pengesat për jetën e përjetshme

Merreni parasysh të vizatoni një figurë të një personi në njërën anë të tabelës. Shkruajini fjalët jeta e përjetshme në anën tjetër të tabelës dhe vizatoni një formë pengese në mes. Më pas tregojeni thënien vijuese nga Presidenti Uillford Udraf.

Presidenti Uillford Udraf (1807–1898) tha:

Presidenti Uillford Udraf

“Unë synoj shpëtimin dhe jetën e përjetshme dhe nuk dua që asgjë gjë të bëhet pengesë ndërmjet meje dhe asaj që kërkoj.” (Wilford Woodruff, te Journal of Discourses, 17:246)

  • Cilat janë disa pengesa që njerëzit mund të lejojnë t’i pengojnë në kërkimin e tyre për jetën e përjetshme?

    Vini në dukje se thënia e Uillford Udrafit ishte në përgjigje ndaj një urdhërimi të vështirë që ai e kishte marrë nga Zoti. Përpara se ta diskutoni atë urdhërim, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë në heshtje për përgjigjen e tyre për pyetjen vijuese.

  • Në një shkallë nga një (jo i gatshëm) në dhjetë (shumë i gatshëm), sa i gatshëm je ti që t’i bindesh Zotit kur urdhërimet e Tij duken të vështira?

Mendo rreth arsyeve përse u përgjigje në atë mënyrë. Ndërsa studion sot, kushtoju vëmendje mësimeve dhe nxitjeve shpirtërore nga Ati Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë që mund të të ndihmojnë ta ndjekësh Shpëtimtarin, edhe kur një urdhërim duket i vështirë.

Zoti thërret individë për ta shëlbuar Sionin

Mund të jetë e dobishme t’i ftoni nxënësit ta tregojnë atë që ata mbajnë mend për rrethanat me të cilat u përballën shenjtorët në Misuri në fundin e vitit 1833. Nëse është e nevojshme, kujtojuni atyre se shenjtorët i kishin përndjekur dhe dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Profeti Jozef Smith iu lut Atit Qiellor për të ditur vullnetin e Tij në lidhje me këtë situatë. Zbulesa e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 103 u mor në ditën që Jozef Smithi dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës u këshilluan së bashku rreth mënyrës se si t’i ndihmonin shenjtorët në Misuri.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 103:15–18, 22, 27–28 duke kërkuar atë që Jezu Krishti i urdhëroi shenjtorët të bënin.

  • Si do t’i përmblidhje udhëzimet e Zotit në këto vargje?

Zoti i urdhëroi individët të organizoheshin në grupe me nga dhjetë, njëzet, pesëdhjetë dhe njëqind veta. Ai bëri thirrje për pesëqind veta, por kërkoi që të merrnin pjesë jo më pak se njëqind burra (shih te Doktrina e Besëlidhje 103:29–34). Gjithsej, pak më shumë se dyqind burra përfunduan duke marrë pjesë në grupin e njohur si Kampi i Izraelit, që më vonë u quajt Kampi i Sionit.

  • Çfarë mendimesh ose ndjenjash mendon se mund të kishe pasur nëse do të ishe thirrur t’i bashkoheshe Kampit të Izraelit? Përse?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i lexojnë vargjet vijuese me një partner dhe të diskutojnë pyetjen më poshtë.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 103:20, 36, duke kërkuar atë që Zoti u premtoi atyre që do të merrnin pjesë në Kampin e Izraelit.

  • Çfarë gjete në këto vargje që mund të ketë qenë ngushëlluese për anëtarët e Kampit të Izraelit?

Shpjegoni se në thënien nga fillimi i mësimit, Uillford Udrafi po fliste për thirrjen e tij për t’iu bashkuar Kampit të Izraelit. Merreni parasysh t’ua tregoni nxënësve variantin vijues të zgjeruar të kësaj thënieje.

Uillford Udrafi përshkroi vendimin e tij për t’iu bashkuar Kampit të Izraelit:

Presidenti Uillford Udraf

“Unë u thirra ta merrja jetën time në duar dhe të shkoja në Misuri dhe një grusht njerëzish nga ne shkuam për t’i shëlbuar vëllezërit tanë. Dhe sigurisht ne duhej të shkonim me besim. Fqinjët më bënë thirrje dhe m’u përgjëruan të mos shkoja; ata thanë: ‘Mos shko, nëse e bën do të humbasësh jetën tënde.’ Unë u thashë atyre: ‘Po ta dija se sapo të shkelja në Shtetin e Misurit një plumb [do të më përshkonte] zemrën unë do të shkoja’. … Kështu u ndjeva në ato ditë në lidhje me veprën e Perëndisë dhe kështu ndihem sot. Unë synoj shpëtimin dhe jetën e përjetshme dhe nuk dua që asgjë gjë të bëhet pengesë ndërmjet meje dhe asaj që kërkoj.” (Wilford Woodruff, te Journal of Discourses, 17:246; germëzimi i modernizuar)

  • Çfarë të bëri përshtypje nga kjo thënie?

  • Çfarë mësove nga kjo thënie që mund të të ndihmojë kur përballesh me urdhërime që janë të vështira për t’iu bindur?

Ndërsa nxënësit e tregojnë atë që mësuan, ata mund të përcaktojnë një të vërtetë si ajo në vijim: Kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të ndiejmë një gatishmëri dhe aftësi më të madhe për t’iu bindur urdhërimeve të Tij.

Besim për t’iu bindur urdhërimeve të Zotit

Merreni parasysh t’i paraqitni pyetjet vijuese në tabelë. Para se t’i diskutojnë ato si klasë, nxënësit mund t’i diskutojnë në fillim me një partner ose një grup të vogël. Mund të merrni parasysh gjithashtu t’i vini nxënësit t’i shkruajnë në tabelë përgjigjet e tyre për pyetjen e parë.

  • Cilët janë disa shembuj të urdhërimeve të Zotit që adoleshentët mund ta kenë të vështirë t’iu binden sot?

  • Përse mund të jetë e vështirë t’iu bindesh këtyre urdhërimeve?

Veprimtaria vijuese e studimit mund t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë më shumë rreth ushtrimit të besimit te Jezu Krishti për t’iu bindur urdhërimeve të Tij. Merreni parasysh t’i paraqitni mundësitë vijuese të studimit dhe t’u jepni nxënësve kohë për t’i studiuar. Mund ta ndani klasën në tri grupe duke i caktuar secilit grup njërën nga mundësitë vijuese. Përndryshe, mund t’i lejoni nxënësit të zgjedhin mundësinë për të studiuar në grupe të vogla.

Imagjino sikur ke një shok ose shoqe që po përballet me një urdhërim që është i vështirë për t’iu bindur. Zgjidh njërën nga mundësitë vijuese të studimit dhe kërko mësimet dhe të vërtetat që do të doje t’ia tregoje shokut ose shoqes sate.

Mundësia 1: Tregime nga shkrimet e shenjta

Mundësia 2: Tregime rreth Jezu Krishtit

Mundësia 3: Mësimet te materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (broshurë, 2022)

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për ta përfunduar veprimtarinë e studimit, jepuni mundësi atyre për ta treguar atë që zbuluan. Ju mund të bëni pyetje si ato që vijojnë:

  • Çfarë mësove nga burimet që studiove, që mund të na ndihmojë t’iu bindemi urdhërimeve që janë të vështira për t’u zbatuar?

  • Si të ka bekuar Zoti ndërsa ke ushtruar besim tek Ai kur urdhërimet e Tij të janë dukur të vështira për t’iu bindur?

Bëj një plan

Jepuni kohë nxënësve të kërkojnë udhërrëfim nga Ati Qiellor ndërsa mendojnë rreth zbatimit të asaj që kanë mësuar në jetën e tyre. Merreni parasysh t’i paraqitni nxitjet vijuese dhe t’i ftoni nxënësit t’i shënojnë përgjigjet e veta për to në ditarët e tyre të studimit ose në shënimet digjitale.

  1. Mendo për një urdhërim të cilin mund ta kesh të vështirë t’i bindesh.

  2. Përcakto se çfarë e bën këtë urdhërim të vështirë.

  3. Përcakto diçka që e ke mësuar sot, që mund të të ndihmojë t’i bindesh më mirë këtij urdhërimi.

  4. Bëj një plan që do të të ndihmojë ta ushtrosh besimin tënd te Jezu Krishti për t’iu bindur këtij urdhërimi.