“Mësimi 115 – Doktrina e Besëlidhje 101:43–101: Shëmbëlltyra për Sionin”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 101:43–101”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 115: Doktrina e Besëlidhje 98–101
Doktrina e Besëlidhje 101:43–101
Shëmbëlltyra për Sionin
Kur Profeti Jozef Smith dëgjoi për përndjekjen e rëndë të përjetuar nga shenjtorët në Misuri, ai iu përgjërua Zotit në emrin e tyre. Si pjesë e përgjigjes së Tij, Shpëtimtari përdori shëmbëlltyra për t’u dhënë shenjtorëve këshilla dhe ngushëllim. Ky mësim do t’u japë nxënësve mundësinë për të studiuar një shëmbëlltyrë dhe zbuluar kuptimin e saj shpirtëror.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Jezu Krishti dha mësim shpesh duke përdorur shëmbëlltyra
Merreni parasysh të paraqitni sende të zakonshme si p.sh. mjete shkollore, artikuj veshmbathjeje ose elektronikë. Ose ftojini nxënësit të shohin sendet përreth klasës ose sendet që kanë me vete. Ftojini nxënësit të përzgjedhin një send dhe të mendojnë për një mënyrë krijuese për ta krahasuar atë me një aspekt të planit të Atit Qiellor ose Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Për shembull, ata mund ta krahasojnë një celular me lutjen, për shkak se lutja është mjeti që ne përdorim për të komunikuar me Atin Qiellor. Ftojini nxënësit t’ia tregojnë sendin e tyre dhe krahasimin shpirtëror një partneri ose të gjithë klasës.
Jezu Krishti shpesh dha mësim duke përdorur histori të thjeshta të njohura si shëmbëlltyra. Në këto shëmbëlltyra, Jezusi i krahasoi sendet ose situatat e njohura me të vërtetat shpirtërore (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shëmbëlltyrë”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
-
Cilët janë disa shembuj të shëmbëlltyrave që dha mësim Shpëtimtari?
-
Cilat janë disa të vërteta shpirtërore që mund t’i mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit në ato shëmbëlltyra?
Për shembull, nxënësit mund të tregojnë shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë (shihni te Lluka 10:25–37), që na jep mësim rreth dashurisë dhe shërbimit ndaj të tjerëve ashtu siç bën Shpëtimtari. Ose ata mund të tregojnë shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave (shihni te Mateu 25:1–13), që na mëson të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.
Për t’i përgatitur nxënësit që të studiojnë një shëmbëlltyrë rreth shëlbimit të Sionit, merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve ta tregojnë atë që mbajnë mend nga mësimet e kohëve të fundit rreth sprovave që po duronin shenjtorët në Misuri. Sipas nevojës, ju mund të tregoni përmbledhjen vijuese:
Gjatë një kohe përndjekjeje të rëndë, Shpëtimtari përdori shëmbëlltyra për t’iu dhënë mësim Jozef Smithit dhe shenjtorëve rreth shëlbimit të Sionit (shih te Doktrina e Besëlidhje 101:43). Nga fundi i vitit 1833, dhuna e turmës çoi në dëbimin e më shumë se 1000 shenjtorëve nga konteja Xhekson në Misuri dhe në djegien e më shumë se 200 prej shtëpive të tyre. Profeti Jozef Smith e pyeti Zotin se përse shenjtorët ishin dëbuar nga Sioni dhe çfarë duhej bërë që ata të mund të ktheheshin. Zoti u përgjigj me një shëmbëlltyrë.
Studimi i shëmbëlltyrave
Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim sa vijon rreth të mësuarit nga shëmbëlltyrat e Shpëtimtarit:
“Kuptimi ose mesazhi i synuar i një shëmbëlltyre zakonisht nuk shprehet në mënyrë të qartë. Përkundrazi, historia ia përçon të vërtetën hyjnore një marrësi vetëm në përpjesëtim të drejtë me besimin te Perëndia, përgatitjen vetjake shpirtërore dhe gatishmërinë e tij ose të saj për të mësuar. Pra, një individ duhet të ushtrojë lirinë morale të zgjedhjes dhe në mënyrë aktive ‘të lypë, të kërkojë dhe të trokasë’ [shih te Mateu 7:7–8; Lluka 11:9–10] për të zbuluar të vërtetat e rrënjosura brenda një shëmbëlltyre.” (Dejvid A. Bednar, “Rivishu me Forcën Tënde, o Sion”, Liahona, nëntor 2022, f. 92)
-
Si ndikon besimi ynë në Jezu Krishtin në aftësinë tonë për t’i kuptuar mësimet e Tij?
-
Çfarë i tregon Shpëtimtarit përpjekja jonë për t’i studiuar fjalët e Tij në lidhje me ndjenjat tona për Të?
Merreni parasysh t’u jepni nxënësve fletushkën e titulluar “Si t’i Studiojmë Shëmbëlltyrat e Shpëtimtarit” për t’i ndihmuar të udhërrëfehen gjatë gjithë këtij mësimi.
Si t’i Studiojmë Shëmbëlltyrat e Shpëtimtarit
-
Gjej hollësi të rëndësishme. Këto hollësi mund të përfshijnë njerëz, vende, sende, veprime ose ngjarje.
-
Bëj krahasime. Përcakto se çfarë mund të përfaqësojë ose simbolizojë secila prej hollësive në shëmbëlltyrë. Të dhënat kontekstuale, ndihmat e studimit të shkrimit të shenjtë dhe përsiatja mund të jenë të dobishme.
-
Zbulo mësime të vyera. Pasi të bësh krahasime, kërko ndihmë nga Fryma e Shenjtë për të zbuluar mësimet e vyera që Shpëtimtari po i jepte mësim në këtë shëmbëlltyrë.
-
Përcakto zbatimin në planin vetjak. Kërko ndihmë nga Ati Qiellor dhe Fryma e Shenjtë për të ditur se çfarë mund të bësh për t’i zbatuar vetë mësimet që zbulon.
Shëmbëlltyra e njeriut fisnik
Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit t’i ushtrojnë të katër hapat për studimin e shëmbëlltyrave. Merreni parasysh ta paraqitni grafikun vijues ose ta kopjoni atë në tabelë. Krijoni gjashtë grupe dhe caktojini secilit të plotësojë një katror të ndryshëm në grafik. Ose ftojini nxënësit ta kopjojnë grafikun në ditarët e tyre të studimit dhe ta plotësojnë atë individualisht.
Gjej hollësi të rëndësishme
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 101:43–62. Për çdo grupim vargjesh, krijo një vizatim të thjeshtë ose shkruaj një përmbledhje për t’i ilustruar vargjet.
|
Doktrina e Besëlidhje 101:43–45. Udhëzimet e njeriut fisnik |
Doktrina e Besëlidhje 101:46–50. Veprimet e shërbëtorëve |
|
Doktrina e Besëlidhje 101:51. Pasoja e veprimeve të shërbëtorëve |
Doktrina e Besëlidhje 101:52–54. Përgjigjja e njeriut fisnik |
|
Doktrina e Besëlidhje 101:55–58. Udhëzimet e radhës të njeriut fisnik |
Doktrina e Besëlidhje 101:59–62. Përgjigjja e shërbëtorit |
Kur nxënësit të kenë mbaruar, ftojini ata ta tregojnë atë që zbuluan. Sigurohuni që ata t’i kuptojnë hollësitë e shëmbëlltyrës.
Merreni parasysh t’i plotësoni si klasë tre hapat e fundit të studimit të shëmbëlltyrave.
Bëj krahasime
-
Cilat të dhëna mund të na ndihmojnë të shohim se njeriu fisnik përfaqëson Jezu Krishtin?
-
Çfarë mund të përfaqësojnë vreshti ose kulla?
-
Si mund të jenë ndonjëherë veprimet tona si ato të shërbëtorëve?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta shqyrtojnë fragmentin e zotërimit doktrinor tek Ezekiel 3:16–17 për të kërkuar një krahasim të mundshëm për rojat. Konteksti vijues mund t’i ndihmojë nxënësit të bëjnë krahasime shtesë:
Ashtu si shërbëtorët në shëmbëlltyrë që refuzuan të ndërtonin një kullë, shenjtorët në Misuri e kishin lënë pas dore ndërtimin e një tempulli siç i kishte udhëzuar Zoti (shih te Doktrina e Besëlidhje 57:3; 84:3–4; 97:10–12).
Për shenjtorët në kontenë Xhekson, shërbëtori i përmendur te vargu 55 përfaqësonte Jozef Smithin (shih te Doktrina e Besëlidhje 103:21). Jozef Smithi ndoqi urdhrin e Zotit dhe organizoi një grup të quajtur Kampi i Sionit për të shëlbuar tokën e Sionit. Kampi i Sionit do të diskutohet në mësimet Doktrina e Besëlidhje 103 dhe 105.
Zbulo mësime të vyera
-
Cilat janë disa mësime të vyera që mbase Zoti po i jep mësim nëpërmjet kësaj shëmbëlltyre?
-
Çfarë të mëson kjo shëmbëlltyrë rreth cilësive të Jezu Krishtit?
Nëse nxënësit e kanë të vështirë të përcaktojnë mësime të vyera, merreni parasysh t’u jepni njërin ose më shumë nga parimet vijuese. Ftojini nxënësit të tregojnë se si shëmbëlltyra i ilustron këto të vërteta. Kur ne u bindemi urdhërimeve të Zotit, Ai na forcon për t’u bërë ballë armiqve shpirtërorë dhe fizikë. Profetët shërbejnë si roja mbi kullë, që na japin paralajmërime nga Zoti për rreziqet e ardhshme. Nëpërmjet punës në tempull, Shpëtimtari na përgatit për t’i bërë ballë kundërshtarit.
-
Përse këto mësime mund të kenë qenë të dobishme për shenjtorët në vitin 1833?
-
Në ç’mënyrë ke parë prova për një ose më shumë prej këtyre të vërtetave në jetën tënde?
Përcaktoje zbatimin në planin vetjak
-
Cilat janë disa mënyra se si ti mund ta zbatosh këtë shëmbëlltyrë në kohën tonë?
Kërko ndihmë nga Fryma e Shenjtë për të përcaktuar një ose dy mënyra se si mund ta zbatosh një të vërtetë që e ndien se është e rëndësishme për ty, nga kjo shëmbëlltyrë. Shkruaji mbresat e tua në ditarin tënd të studimit.
Ftojini nxënësit ta tregojnë atë që mësuan rreth studimit të shëmbëlltyrave, që ata mund ta përdorin për të përmirësuar studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta. Nxitini nxënësit në përpjekjet e tyre që të ushtrojnë besim te Jezu Krishti ndërsa i studiojnë, i përsiatin dhe i zbatojnë vetë mësimet e Tij.