Seminari
Mësimi 113 – Doktrina e Besëlidhje 98: Të Gjitha Gjërat do të Veprojnë së Bashku për të Mirën Tonë


“Mësimi 113 – Doktrina e Besëlidhje 98: Të Gjitha Gjërat do të Veprojnë së Bashku për të Mirën Tonë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 98”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 113: Doktrina e Besëlidhje 98–101

Doktrina e Besëlidhje 98

Të Gjitha Gjërat do të Veprojnë së Bashku për të Mirën Tonë

Përndjekjet në Misuri

Në verën e vitit 1833, tensionet ndërmjet banorëve të Misurit dhe shenjtorëve në kontenë Xhekson përfunduan me turma të dhunshme që sulmuan shtëpi, shkatërruan sipërmarrje dhe kërkuan largimin e të gjithë anëtarëve të Kishës nga ajo zonë. Te Doktrina e Besëlidhje 98, Shpëtimtari u dha ngushëllim dhe këshilla shenjtorëve të vuajtur dhe i udhëzoi udhëheqësit e Kishës se si ta përballonin trajtimin e tyre të padrejtë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të presin me durim për Zotin në kohët e mundimeve.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Durimi

Merreni parasysh ta nisni mësimin duke i ndihmuar nxënësit të mendojnë rreth durimit. Kjo mund t’i përgatitë ata të mësojnë rreth pritjes me durim për Zotin në kohët e mundimeve. Ju mund ta shkruani fjalën “i/e duruar” në tabelë dhe të bëni disa nga pyetjet e mëposhtme.

  • Kur është e vështirë të jesh i duruar?

  • Cilat janë disa situata ku duhet të jesh i duruar?

  • Në një shkallë nga 1–10, ku 10 është të qenit shumë i duruar, sa i duruar mendon se je?

  • Në çfarë situatash mund të dëshirojë Zoti që ti të jesh i duruar? Përse?

Dëbimi i shenjtorëve nga konteja Xhekson në Misuri

Paragrafi i mëposhtëm mund të lexohet ose përmblidhet me vetë fjalët tuaja për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë kontekstin historik të seksionit 98.

Kur shenjtorët arritën në Misuri për të ndërtuar Sionin, tensionet me banorët e kontesë Xhekson u rritën. Konfliktet politike, mosmarrëveshjet fetare dhe vendimet e pamatura (duke përfshirë mungesën e ndërtimit të tempullit siç urdhëroi Shpëtimtari) i shtuan problemet. Gjatë verës së vitit 1833, grupet e vetëgjyqtarëve u mblodhën për t’i dëbuar shenjtorët me forcë nga konteja Xhekson. Peshkopin Eduard Partrixh dhe Çarls Alenin i rrahën, i lyen me zift dhe me pupla. Shtypshkronja e W. W. Felpsit u shkatërrua dhe faqet e Librit të Urdhërimeve u shpërndanë. Viena Zhak, së bashku me motrat Meri dhe Karolina Rollins, kapën me guxim sa më shumë faqe të zbulesave që mundën përpara se të shkatërroheshin. Ato ia mbathën dhe u fshehën për vete dhe fshehën zbulesat nga turma. Gjatë sulmit, shumë shenjtorë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre nën tytat e armëve (shih te Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 [2018], f. 172–181).

Ftojini nxënësit të mendojnë rreth sprovave ose mundimeve që ata mund të jenë duke përjetuar. Nxitini ata të kërkojnë zbulesë vetjake ndërsa studiojnë te Doktrina e Besëlidhje 98 dhe të dëgjojnë atë që do të donte Zoti që ata të bënin.

Lexo te Doktrina e Besëlidhjet 98:1–3 duke kërkuar se si iu përgjigj Shpëtimtari lutjeve të shenjtorëve në kontenë Xhekson.

  • Si mund t’i ketë ndihmuar kjo këshillë shenjtorët në Misuri?

  • Si mund të të ndihmojë ty ose dikë që ti njeh, të përballesh me diçka të vështirë?

  • Cilat janë disa parime që mund të përcaktosh nga këto vargje?

Nxënësit mund të tregojnë një larmi parimesh. Një mënyrë për t’i ndihmuar nxënësit t’i përcaktojnë parimet, mund të jetë ta shkruani thënien e paplotë të mëposhtme në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit ta plotësojnë atë.

Ndërsa presim me durim për Zotin, Ai besëlidh se

Nxënësit mund ta përfundojnë thënien me parime si ato në vijim:

  • lutjet tona do të marrin përgjigje.

  • vullneti i mirë vjen nga mundimet tona.

Duke pritur me durim për Zotin

Kërkoni frymëzim për të ditur se në cilat parime të përqendroheni. Merrini parasysh nevojat e nxënësve tuaj dhe përzgjidhni materialin që e ndieni se do të ishte më i dobishmi. Vendosni se cilin prej materialeve të mëposhtme t’ua tregoni nxënësve tuaj. Nuk është e nevojshme t’i diskutoni të gjitha.

Një mundësi tjetër është t’i ndani nxënësit në grupe dhe t’i caktoni secilit grup të studiojë njërën nga thëniet ose fragmentin e Librit të Mormonit. Më pas ftojini nxënësit t’ia tregojnë klasës atë që mësuan.

Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth pritjes për Zotin. Lexoje thënien ose shikoje materialin filmik “Shpresë te Krishti” nga kodi kohor 9:13 deri në 10:06, në ChurchofJesusChrist.org.

15:45
Plaku M. Rasëll Ballard

“Pritja për Zotin nënkupton bindje të vazhdueshme dhe përparim shpirtëror drejt Tij. Pritja për Zotin nuk nënkupton që të presim duke mos bërë gjë. Kurrë nuk duhet të ndiheni se jeni në radhë në një dhomë pritjeje.

Pritja për Zotin nënkupton veprim. Kam mësuar përgjatë viteve se shpresa jonë te Krishti rritet kur u shërbejmë të tjerëve. Duke shërbyer siç shërbeu Krishti, ne e rritim natyrshëm shpresën tonë tek Ai.

Rritja vetjake që dikush mund ta arrijë tani, ndërkohë që pret për Zotin dhe premtimet e Tij, është një pjesë përbërëse e paçmuar, e shenjtë e planit të Tij për secilin prej nesh.” (M. Rasëll Ballard, “Shpresë te Krishti”, Liahona, maj 2021, f. 55)

  • Cilat janë disa mënyra se si ne mund të presim me durim Zotin në kohët e mundimeve?

Presidenti Rasëll M. Nelson përdori vargjet te Doktrina e Besëlidhje 98:1–3 për të dhënë mësim rreth përgjigjeve për lutjet tona.

14:30
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Nëse lutemi duke mbajtur parasysh përjetësinë, ne nuk duhet të pyesim veten nëse po dëgjohen apo jo lutjet tona më të përlotura dhe të çiltra. …

Zoti zgjodhi fjalët e Tij më të fuqishme për të na dhënë siguri! Vulë! Dëshmi! Betuar! Shpallur! Besëlidhje të patundshme! Vëllezër dhe motra, besojeni Atë! Perëndia do t’ia vërë veshin lutjeve tuaja të sinqerta e të çiltra; dhe besimi juaj do të forcohet.” (Rasëll M. Nelson, “Të Përballosh të Ardhmen me Besim”, Liahona, maj 2011, f. 35)

  • Çfarë të mëson kjo thënie rreth Zotit?

  • Si mund ta ndihmojë kuptueshmëria e këtyre mësimeve dikë që të presë me durim për Atë?

Lexo te 2 Nefi 2:1–2, duke kërkuar atë që profeti Lehi i mësoi të birit Jakobit rreth mundimeve të tij.

  • Cilat janë disa mënyra se si Zoti mund t’i “shenjtërojë hidhërimet [tona] për të mirë[n tonë]”?

Këshilla e Shpëtimtarit

Për të studiuar vargjet te Doktrina e Besëlidhje 98:11–22, nxënësit mund të punojnë me një partner ose grup më të vogël. Nxënësit mund të zgjedhin një parim ku të përqendrohen dhe më pas të kërkojnë këshillën e Shpëtimtarit që do ta ndihmonte dikë ta zbatojë atë parim.

Për shembull, fraza “ai do t’u japë besnikëve rresht pas rreshti” (vargu 12) mund ta ndihmojë dikë të presë me durim për Zotin ndërsa Ai u përgjigjet lutjeve të tij pak e nga pak. Fraza “braktisni gjithë ligësinë dhe të kapeni pas gjithë mirësisë” (vargu 11) mund ta ndihmojë dikë të jetojë në një mënyrë që Perëndia të mund të bëjë që mundimet e tij të “veprojnë së bashku për të mirën [e tij]” (vargu 3).

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 98:11–22, duke kërkuar këshillën e Shpëtimtarit që mund të të ndihmojë ty ose dikë tjetër të presësh me durim për Zotin.

  • Çfarë gjete në këto vargje që mund ta ndihmojnë dikë të presë me durim për Zotin?

  • Çfarë fjalësh ose frazash do t’i thoshe dikujt që po kalon një sprovë? Përse?

Ju mund t’i ftoni nxënësit të përsiatin për një kohë kur Shpëtimtari i ndihmoi ata të shihnin të mirën që mund të vijë në kohët e sprovës. Ju mund të shfaqni materialin filmik “God Will Lift Us Up” [“Perëndia do të na Lartësojë”] (4:59) ose materialin filmik “Mountains to Climb” [“Male për t’i Ngjitur”] (5:05), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

4:59
5:10

Jepuni nxënësve të gatshëm një mundësi për të treguar se si Shpëtimtari i ka ndihmuar ata të presin me durim për Të gjatë një sprove. Si të jetë e përshtatshme, nxënësit mund të tregojnë një përvojë ku ata e panë të mirën që erdhi për shkak të një sprove.

Zbatoji mësimet e Shpëtimtarit

Në ditarin tënd të studimit, përgjigju plot lutje për pyetjet e mëposhtme, nga ajo që ke mësuar sot:

  • Çfarë ke mësuar që mund të ta rritë aftësinë për të pritur me durim për Zotin?

  • Çfarë je ndier i nxitur të bësh që mund të të ndihmojë të presësh me durim për Shpëtimtarin kur përballesh me sfida të vështira?

Për ta përmbyllur orën mësimore, ju mund të tregoni një përvojë kur keni pritur me durim për Zotin ose kur Ai ka bërë që një sprovë të bashkëveprojë për të mirën tuaj dhe lavdinë e Tij. Ju mund të jepni dëshminë tuaj për gatishmërinë e Atit Qiellor për të na bekuar në vështirësi ndërsa presim për Të.