“Mësimi 108 – Doktrina e Besëlidhje 93:19–53: Marrja e Dritës dhe e së Vërtetës së Shpëtimtarit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 93:19–53”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 108: Doktrina e Besëlidhje 93
Doktrina e Besëlidhje 93:19–53
Marrja e Dritës dhe e së Vërtetës së Shpëtimtarit
Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 93, Shpëtimtari përshkroi se si ne mund të marrim më shumë nga drita dhe e vërteta që vijnë prej Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të planifikojnë të marrin më shumë nga drita dhe e vërteta e Perëndisë në jetën e tyre.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Drita kundrejt errësirës
Plaku Timothi J. Daiks, i Të Shtatëdhjetëve, përshkroi një përvojë që ai dhe bijtë e tij patën ndërkohë që zbritën në një shpellë të thellë.
“Pa paralajmërim, befas u fikën të gjitha dritat [në shpellë]. Të mbetur pezull mbi greminë, na gllabëroi një errësirë aq e thellë sa nuk mund të shihnim as duart tona mbi litarët që kishim përpara. Në çast thirri një zë: ‘Babi, babi, aty je?’
‘Këtu jam bir, ja tek jam’, u përgjigja.
Humbja e papritur e dritës qe planifikuar për të treguar se pa elektricitet, errësira e shpellës ishte e padepërtueshme. Ia arriti qëllimit; ne ‘e ndiem’ errësirën.” (Timothi J. Daiks, “Drita Kapet pas Dritës”, Liahona, maj 2021, f. 113)
-
Cilat janë disa ndjenja që njerëzit mund t’i lidhin me errësirën?
-
Cilat janë disa fjalë ose fraza që e përshkruajnë mënyrën se si e ndiejmë dritën?
Plaku Daiks përshkroi se si ishte për të dhe bijtë e tij kur dritat në shpellë u ndezën sërish.
“Kur dritat u kthyen, errësira u dorëzua në çast, sepse errësira duhet të dorëzohet gjithnjë, edhe ndaj dritës më të zbehtë. Bijve të mi dhe mua na la një kujtim errësire që nuk e kishim njohur kurrë, një vlerësim më të madh për dritën që nuk do ta harrojmë kurrë, dhe sigurinë që nuk jemi kurrë të vetëm fare në errësirë.
Zbritja jonë në atë shpellë në disa mënyra ngjason me rrugëtimin tonë përgjatë vdekshmërisë.” (“Drita Kapet pas Dritës”, f. 113)
-
Çfarë ngjashmërish vure re ndërmjet kësaj historie dhe udhëtimit tonë nëpër vdekshmëri?
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 93:36, duke kërkuar fjalët që e përshkruajnë lavdinë e Perëndisë.
-
Si mund të të ndihmojnë drita dhe e vërteta që vijnë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, në udhëtimin tënd nëpër vdekshmëri?
Ftojini nxënësit të mendojnë se sa nga drita ose ndikimi i Perëndisë e ndiejnë aktualisht në jetën e tyre. Ju mund t’i ftoni edhe të mendojnë se si jeta e tyre mund të ishte ndryshe nëse Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të kishin më shumë ndikim në të.
Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 93, Shpëtimtari dha mësim rreth sjelljeve që mund të na japin më shumë ose më pak të drejtë për të përdorur dritën dhe të vërtetën që vijnë prej Tij. Ndërsa nxënësit studiojnë, nxitini të kërkojnë mësime që mund t’i ndihmojnë ata të marrin më shumë nga drita dhe e vërteta e Shpëtimtarit në jetën e tyre.
Jezu Krishti na mëson se si ta marrim dritën e Tij
Merreni parasysh ta paraqitni tabelën vijuese dhe t’i ftoni nxënësit ta kopjojnë atë në ditarët e tyre të studimit. Ata mund ta plotësojnë veprimtarinë vijuese të studimit me një partner ose në një grup të vogël.
|
Dritë dhe e vërtetë më e madhe |
Dritë dhe e vërtetë më e vogël |
|---|---|
Lexoji vargjet e renditura në tabelë dhe kërko mësimet e Shpëtimtarit që përshkruajnë se si ne mund ta shtojmë ose pakësojmë dritën dhe të vërtetën e Tij në jetën tonë. Shënoji gjetjet e tua në secilën kolonë.
-
Cilat bekime janë në dispozicion të atyre që e kërkojnë dritën dhe të vërtetën e Shpëtimtarit?
-
Si do t’i përmblidhje gjetjet e tua për secilën kolonë në tabelën tënde si thënie të së vërtetës?
Nxënësit mund të përcaktojnë të vërteta të ngjashme me ato në vijim: Ne e shtojmë dritën dhe të vërtetën e Shpëtimtarit në jetën tonë ndërsa i zbatojmë urdhërimet e Tij (vargjet 20, 28). Mosbindja mund të bëjë që ne ta humbim dritën dhe të vërtetën e Shpëtimtarit nga jeta jonë (vargu 39).
-
Si mendon se zbatimi i urdhërimeve të Shpëtimtarit mund të ndikojë në aftësinë tënde për ta dalluar të vërtetën?
Si pjesë e diskutimit tuaj për pyetjen e mëparshme, merreni parasysh të paraqitni ose të vizatoni figurën vijuese. Ftojini nxënësit të tregojnë se si i shohin mësimet nga Doktrina e Besëlidhje 93 të përfaqësuara në të. Nëse është e nevojshme, shpjegoni se, ndërsa u bindemi urdhërimeve të Perëndisë, ne bekohemi me më shumë nga drita e Shpëtimtarit në jetën tonë, që e rrit aftësinë tonë për ta kuptuar ose dalluar të vërtetën. Kur nuk u bindemi urdhërimeve, ne e humbasim dritën e Shpëtimtarit dhe kemi një aftësi më të vogël për ta kuptuar ose dalluar të vërtetën.
-
Si mund të ndikojë kuptueshmëria e mësimeve të Shpëtimtarit nga këto vargje në zgjedhjet që bëjmë?
Rritja e dritës dhe e së vërtetës së Shpëtimtarit në jetën tonë
-
Cilat janë disa gjëra të veçanta që të kanë ndihmuar ose mund të të ndihmojnë të marrësh më shumë nga drita e Shpëtimtarit në jetën tënde?
Nxënësit mund ta diskutojnë pyetjen e mëparshme me një partner ose në grupe të vogla përpara se t’ia tregojnë përgjigjet klasës. Mund të merrni parasysh gjithashtu ta përdorni thënien vijuese nga Plaku Diter F. Uhtdorf për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë për ide.
Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha shembuj të mënyrës se si ne mund ta përjetojmë dritën e Shpëtimtarit.
“Sa herë e ktheni zemrën te Perëndia në lutje të përulur, ju e përjetoni dritën e Tij. Sa herë e kërkoni fjalën dhe vullnetin e Tij në shkrimet e shenjta, drita rritet në shkëlqim. Sa herë vini re dikë në nevojë dhe e sakrifikoni rehatinë tuaj vetjake për të ndihmuar me dashuri, drita rritet dhe shtohet. Sa herë që e flakni tundimin dhe zgjidhni pastërtinë, sa herë që kërkoni apo jepni falje, sa herë që dëshmoni me guxim për të vërtetën, drita e dëbon errësirën dhe tërheq të tjerë që po e kërkojnë gjithashtu dritën e të vërtetën.” (Diter F. Uhtdorf, “Mbajtës të Dritës Qiellore”, Liahona, nëntor 2017, f. 79)
Merreni parasysh të ftoni disa nxënës të gatshëm të tregojnë se si idetë që diskutuan, kanë sjellë një ndryshim në jetën e tyre. Si pjesë e këtij diskutimi, merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Finding Christ during Difficult Times” [“Gjetja e Krishtit gjatë Kohëve të Vështira”] (4:35), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Ju mund t’i ftoni nxënësit të vënë re se si mungesa dhe shtimi i dritës së Shpëtimtarit ndikuan tek i riu në materialin filmik.
Zbatoji mësimet e Shpëtimtarit
Ftojini nxënësit të marrin parasysh plot lutje se si mund ta shtojnë dritën dhe të vërtetën e Shpëtimtarit në jetën e tyre ndërsa u përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
Çfarë je ndier i nxitur të fillosh të bësh për të ftuar më shumë të vërtetë dhe dritë të Shpëtimtarit në jetën tënde? Çfarë është diçka që ndihesh i nxitur ta ndalosh së bëri?
-
Çfarë pengesash mund të hasësh ndërsa i nis ose i ndalon këto veprime? Si do t’i trajtoje pengesat që përcakton?
Për ta përmbyllur mësimin, merreni parasysh t’i shprehni ndjenjat tuaja rreth fuqisë që drita dhe e vërteta e Krishtit kanë sjellë në jetën tuaj. Ftojini nxënësit të përpiqen fort ta shtojnë dritën e Shpëtimtarit në jetën e tyre me anë të asaj që ata janë ndier të nxitur të bëjnë sot.