“Mësimi 105 – Doktrina e Besëlidhje 89:18–21: ‘Unë, Zoti, u Jap Atyre një Premtim’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 89:18–21”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 105: Doktrina e Besëlidhje 89–92
Doktrina e Besëlidhje 89:18–21
“Unë, Zoti, u Jap Atyre një Premtim”
Pasi ia zbuloi Fjalën e Urtësisë Jozef Smithit (shih mësimin “Doktrina e Besëlidhje 89:1–17”), Jezu Krishti shpjegoi disa nga bekimet të cilat Ai ua afron atyre që i mbajnë me besnikëri parimet që jepen mësim në këtë zbulesë. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të zgjedhin ta jetojnë Fjalën e Urtësisë dhe të marrin bekimet e premtuara të Shpëtimtarit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Pengesa
Fillojeni orën mësimore duke i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se Shpëtimtari na e dha Fjalën e Urtësisë si një mbrojtje për shkak se Ai na do. Një mënyrë për ta bërë këtë është të vizatoni në tabelë një gji detar me një pengesë të ndërtuar nga njeriu, e cila e ndan atë nga oqeani i hapur, si shembulli vijues.
Shpjegoni se Plaku Von G. Kiç (1960–2018), i Të Shtatëdhjetëve, mësoi një mësim të rëndësishëm në një plazh të ngjashëm me këtë. Tregojeni përvojën e tij duke përdorur paragrafin vijues dhe thënien e tij më poshtë.
Plaku Von G. Kiç po shijonte një ditë në plazh kur një grup sërfistësh vizitorë u zemërua që një pengesë e ndërtuar nga njeriu ishte vendosur midis gjirit dhe oqeanit të hapur. Sërfistët u ankuan të zemëruar që pengesa ua prishi udhëtimin duke i penguar të bënin sërf mbi dallgët e mëdha që po thyheshin jashtë gjirit.
“Më në fund [një sërfist vendës më i moshuar] u ngrit dhe eci drejt grupit. Pa thënë asgjë, ai nxori një palë dylbi nga çanta e tij e shpinës dhe ia dha ato njërit prej sërfistëve, duke treguar me gisht për nga pengesa. Secili prej sërfistëve pa me dylbi. Kur erdhi radha ime, me ndihmën e zmadhimit, unë mund të shihja diçka që nuk kisha qenë në gjendje ta shihja më parë: pendë kurrizore – peshkaqenë të mëdhenj që ushqeheshin pranë shkëmbinjve nënujorë në anën tjetër të pengesës. …
Teksa qëndronim në atë plazh të bukur, këndvështrimi ynë kishte ndryshuar papritur. Një pengesë që ishte dukur e ashpër dhe kufizuese – që dukej se e zvogëlonte argëtimin dhe emocionin e rrëshqitjes mbi dallgë vërtet të mëdha – ishte bërë diçka shumë e ndryshme. Me kuptueshmërinë tonë të re për rrezikun që zinte pritë pikërisht nën sipërfaqe, pengesa tani jepte mbrojtje, siguri dhe paqe.” (Von G. Kiç, “Të Bekuar dhe Të Lumtur Janë Ata Që i Zbatojnë Urdhërimet e Perëndisë”, Liahona, nëntor 2015, f. 116)
-
Çfarë mund të na mësojë përvoja e Plakut Kiç rreth Perëndisë dhe urdhërimeve të Tij?
-
Cilat urdhërime ta demonstrojnë më mirë dëshirën e Perëndisë për të na mbrojtur? Përse?
Nëse dëshironi, mund ta emërtoni pengesën ndërmjet gjirit detar dhe oqeanit të hapur në tabelë si “Fjala e Urtësisë”. Kërkoni vullnetarë që të tregojnë atë që mbajnë mend rreth Fjalës së Urtësisë. (Nëse nxënësit krijuan fletushka që përvijojnë Fjalën e Urtësisë në mësimin e mëparshëm, ata mund t’u referohen atyre për ndihmë.)
Si kujtues, nxënësit po ashtu mund të lexojnë dhe tregojnë fraza nga Doktrina e Besëlidhje 89:1–4 që përshkruajnë shtysat e Zotit për zbulimin e Fjalës së Urtësisë.
Më pas, merreni parasysh të paraqitni pyetjet e mëposhtme dhe t’i ftoni nxënësit t’i shënojnë përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit.
-
A e sheh Fjalën e Urtësisë si një bekim nga Ati Qiellor apo si një kufizim në jetën tënde?
-
Çfarë di ti rreth bekimeve që Ati Qiellor ua ofron atyre që e zbatojnë Fjalën e Urtësisë?
-
Sa e rëndësishme është për ty ta zbatosh Fjalën e Urtësisë? Përse?
Bekimet që Shpëtimtari dëshiron të na japë
Pasi ia zbuloi Fjalën e Urtësisë Jozef Smithit, Jezu Krishti shpjegoi bekimet që Ai dhe Ati Qiellor ua ofrojnë atyre që i binden me besnikëri kësaj zbulese.
Lexoji vargjet te Doktrina e Besëlidhje 89:18–21 dhe shenjoje secilin prej premtimeve që Ata ua bëjnë të bindurve.
Doktrina e Besëlidhje 89:18–21 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Në gjirin detar të vizatimit në tabelë, nxënësit mund të shkruajnë bekimet që gjejnë. Sigurohuni që nxënësit ta dallojnë që Zoti do të na bekojë me shëndet, urtësi, durim dhe mbrojtje më të madhe nëse ne e ndjekim Fjalën e Tij të Urtësisë.
-
Çfarë pyetjesh mendon se mund të kenë disa njerëz ndërsa i lexojnë këto premtime nga Zoti?
Nisur nga pyetjet që japin nxënësit dhe koha në dispozicion, përcaktoni se cila prej tre pjesëve vijuese të mësimit do të ishte më e dobishme për nxënësit. Ju mund ta lejoni klasën të zgjedhë se cilat pjesë do të donte të studionte.
Bekimet e shëndetit dhe durimit (vargjet 18, 20)
Kjo pjesë mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se Zoti nuk u premton shëndet të përsosur atyre që e zbatojnë Fjalën e Urtësisë, por Ai do t’i bekojë të bindurit me shëndet më të mirë nga ai që do të kishin nëse nuk do ta ndiqnin këshillën e Tij.
Lexoji paragrafët 7–8 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023). Lexoji gjithashtu mësimet e mëposhtme nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë. Ai i referohet një përvoje që pati si i ri në ushtri në të cilën ai vuri re se disa ushtarë, që nuk e zbatonin Fjalën e Urtësisë ia kaluan atij në stërvitjen e tyre fizike. Kërko të vërteta që mund ta ndihmojnë dikë t’iu përgjigjet pyetjeve që ka rreth premtimeve që bëri Zoti te Doktrina e Besëlidhje 89:18, 20.
“Përfundimisht unë mësova se premtimet e Perëndisë nuk përmbushen gjithmonë aq shpejt ose në mënyrën si mund të shpresojmë; ato vijnë sipas kohës së Tij dhe në mënyrat e Tij. Vite më vonë munda të shihja provën e qartë të bekimeve fizike që u vijnë atyre që i binden Fjalës së Urtësisë – përveç bekimeve shpirtërore që vijnë menjëherë nga bindja ndaj cilitdo prej ligjeve të Perëndisë. Duke kujtuar të kaluarën, e di me siguri se premtimet e Zotit, në mos ndoshta jo gjithmonë aty për aty, janë gjithmonë të sigurta.” (Diter F. Uhtdorf, “Vazhdoni me Durim”, Liahona, maj 2010, f. 58)
-
Çfarë mësove rreth Zotit dhe premtimeve të Tij që mund ta ndihmojnë dikë që e zbaton me besnikëri Fjalën e Urtësisë, por mundohet gjithsesi nga sfida shëndetësore?
Bekimet e urtësisë dhe njohurisë (vargu 19)
Lexoje vargun te Doktrina e Besëlidhje 29:34 dhe mendo rreth mënyrës se si doktrina që dha mësim Shpëtimtari në këtë varg, mund të gjejë zbatim në Fjalën e Urtësisë.
-
Në ç’mënyrë është Fjala e Urtësisë kryesisht një bekim shpirtëror përveç se një bekim fizik?
-
Në ç’mënyra e lejon Shpëtimtarin bindja jonë ndaj Fjalës së Urtësisë, të na bekojë me më shumë urtësi dhe njohuri laike? me më shumë urtësi dhe njohuri shpirtërore?
-
Si na ndihmon bindja ndaj Fjalës së Urtësisë të marrim më plotësisht zbulesë nga Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
Për t’i ndihmuar nxënësit t’i përgjigjen pyetjes së mëparshme, nëse dëshironi, mund të tregoni thënien e parë nga Presidenti Bojd K. Paker në pjesën “Burime Shtesë”.
Si provë e faktit që Perëndia i bekon ata që i zbatojnë ligjet e Tij të shëndetit, merreni parasysh të tregoni këtë figurë të Danielit që refuzon të hajë “ushqimet e mbretit” (Danieli 1:8). Kërkojuni nxënësve ta tregojnë atë që mbajnë mend rreth këtij tregimi. Nëse është e nevojshme, ju mund të jepni një pjesë të paragrafit vijues për t’ua kujtuar atyre.
Danieli dhe të rinj të tjerë që jetonin në Babiloni, ishin arsimuar dhe formuar për t’u bërë dijetarë për mbretin. Kur ia ofruan ushqimet e mbretit, Danieli refuzoi t’i hante ato për shkak të ligjeve të Zotit për shëndetin për atë kohë. Shërbëtori i mbretit iu dha Danielit dhe të tjerëve mundësinë e një sprove 10‑ditore të ngrënies së ushqimeve të tjera për të parë nëse do të ishin të shëndetshëm dhe të zgjuar sa pjesa tjetër e të rinjve pjesëmarrës në program.
Lexoje vargun te Danieli 1:17–20, duke kërkuar provën e bekimeve laike dhe shpirtërore të urtësisë që Perëndia ua dha Danielit dhe shokëve të tij.
-
Çfarë prove të bekimeve të Perëndisë gjete?
Bekimet e mbrojtjes (vargu 21)
Merreni parasysh ta paraqitni këtë figurë të Pashkës judease dhe ta tërhiqni vëmendjen e nxënësve te gjaku në shtalkat e portës. Shpjegoni që mbrojtja nga “engjëlli shkatërrues” mund të na kujtojë kohën kur izraelitët u mbrojtën nga një plagë e vdekjes së fëmijëve të parëlindur që përfshiu mbarë Egjiptin e lashtë. Ata që e përhapën me bindje gjakun e qengjit mbi shtalkat e derës (duke simbolizuar Qengjin e Perëndisë), u kursyen. Ky premtim i mbrojtjes mund t’i referohet sigurisë fizike dhe shpirtërore.
Në oqeanin e hapur në vizatimin në tabelë, nxënësit mund të renditin rreziqet nga të cilat na mbron Shpëtimtari nëpërmjet Fjalës së Urtësisë. (Ata mund të renditin gjëra të tilla si varësia, sëmundja, padenjësia, marrëdhëniet e dëmtuara e kështu me radhë.)
Për t’i ndihmuar nxënësit ta diskutojnë mbrojtjen që na ofron Shpëtimtari, ju mund të jepni thënien e dytë nga Presidenti Paker në pjesën “Burime Shtesë”.
-
Çfarë shembujsh të mbrojtjes së Shpëtimtarit ke parë në jetën tënde ndërsa e ke zbatuar Fjalën e Urtësisë?
Bindja ndaj Fjalës së Urtësisë
Merreni parasysh të dëshmoni për mënyrën se si ju ka bekuar Zoti për zbatimin e Fjalës së Urtësisë. Nxitini nxënësit t’i shënojnë përgjigjet e tyre për pyetjen vijuese në ditarët e tyre të studimit:
-
Në bazë të asaj që ke mësuar rreth Fjalës së Urtësisë, përse ia vlen për ty t’i bindesh kësaj zbulese nga Krishti?
Bëj një plan që do të të ndihmojë ta zbatosh Fjalën e Urtësisë. Mendoji mirë situatat ose tundimet me të cilat mund të përballesh dhe përcakto mënyrën më të mirë për t’i kapërcyer ato. Merre parasysh t’ia tregosh dëshirat dhe planin tënd Atit Qiellor nëpërmjet lutjes dhe të kërkosh për forcën e Tij që t’ia arrish qëllimit.
Mësoni Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh gjatë këtij mësimi referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë dhe më pas t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë është “Bekimet e Fjalës së Urtësisë”. Idetë për veprimtaritë me mësim përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.