Seminari
Mësimi 104 – Doktrina e Besëlidhje 89:1–17: Një Fjalë Urtësie nga Zoti


“Mësimi 104 – Doktrina e Besëlidhje 89:1–17: Një Fjalë Urtësie nga Zoti”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 89:1–17”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 104: Doktrina e Besëlidhje 89–92

Doktrina e Besëlidhje 89:1–17

Një Fjalë Urtësie nga Zoti

e re dhe të rinj duke bërë ushtrime fizike

Siç ishte e zakonshme në vitin 1833, shumë anëtarë të Kishës përdornin duhan dhe pinin pije alkoolike, çaj dhe kafe. Në përgjigje të lutjeve të Jozef Smithit për këtë çështje, Zoti i zbuloi plot mëshirë Fjalën e Urtësisë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë mirënjohje për udhëzimin me dashuri të Zotit të njohur si Fjala e Urtësisë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Shënim: Bekimet shpirtërore të premtuara te Doktrina e Besëlidhje 89:18–21 për mbajtjen e Fjalës së Urtësisë do të jenë pika ku do të përqendrohet mësimi i ardhshëm. Më e mira do të ishte t’i jepnit të dy këto mësime për t’i ndihmuar nxënësit të shohin se bekimet e Fjalës së Urtësisë kanë më shumë natyrë shpirtërore sesa fizike.

Taktikat e Satanit

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i diskutojnë karremat që përdor Satani për t’i zënë në kurth fëmijët e Perëndisë. Ju mund të sillni ose shfaqni një figurë të karremave të peshkimit. Gjithashtu, mund t’u kërkoni nxënësve që kanë përvojë peshkimi, të përshkruajnë karremat më të mirë për t’u përdorur në zonën tuaj. Një mundësi tjetër është të shfaqni pjesën e parë të materialit filmik “You Will Be Freed” [“Ju do të Çliroheni”], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 0:00 deri në 1:29.

lloje të ndryshme karremash peshkimi
2:58
  • Si mund të krahasohen karremat me taktikat e Satanit?

  • Çfarë këshille na ka dhënë Shpëtimtari për të na ndihmuar t’i zbulojmë dhe shmangim karremat e Satanit?

    Ka shumë përgjigje të sakta për pyetjen e dytë, duke përfshirë lutjen (shihni te Doktrina e Besëlidhje 10:5), studimin e përditshëm të shkrimeve të shenjta (shihni te Helamani 3:29–30), kërkimin e shpirtit të zbulesës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 8:2–4) dhe zbatimin e këshillës nga profetët dhe udhëheqësit e Kishës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 21:5).

    Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin përse ne mund t’i mirëbesojmë këshillës së Shpëtimtarit, ju mund t’i ftoni ata të lexojnë te 2 Nefi 26:24 dhe Jakobi [LiM] 4:10 dhe ta tregojnë atë që mësojnë rreth Tij.

    Ju po ashtu mund t’u kërkoni nxënësve të përsiatin ose t’ia tregojnë klasës përgjigjet e tyre për pyetjen vijuese:

  • Si e kanë bekuar dhe mbrojtur jetën tënde këshillat ose paralajmërimet e veçanta nga Shpëtimtari dhe shërbëtorët e Tij të autorizuar?

Fjala e Urtësisë

Merreni parasysh ta paraqitni figurën vijuese të një dhome të vogël mbi dyqanin e Njull K. Uitnit në Kirtland të Ohajos. Ftojini nxënësit tuaj ta imagjinojnë dhomën të mbushur me burra, shumë prej të cilëve pinin duhan dhe e përtypnin atë, ndërsa ua shpjegoni informacionin në paragrafin vijues.

shkolla e profetëve

Në dimrin e vitit 1833, rreth 20 mbajtës të priftërisë mblidheshin shpesh në këtë dhomë për të frekuentuar Shkollën e Profetëve (shih te Doktrina e Besëlidhje 88:127). Siç ishte e zakonshme në ato ditë, shumë prej tyre pinin duhan dhe e përtypnin atë gjatë mbledhjeve. Brigam Jangu tregoi se “shpesh kur Profeti hynte në dhomë për të dhënë udhëzime për shkollën, ai e gjente veten në një re tymi duhani” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 279). Këto rrethana, së bashku me ndjenjat e Ema Smithit, që pastronte pështyrjet e duhanit nga dyshemeja, e nxitën Jozef Smithin që të lutej në lidhje me përdorimin e këtyre substancave. Në përgjigje, Zoti zbuloi kapitullin te Doktrina e Besëlidhje 89 (shih te Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 [2018], f. 167–168).

Lexoji vargjet te Doktrina e Besëlidhje 89:1–4, duke kërkuar arsyet përse Shpëtimtari e dha këtë zbulesë.

  • Çfarë mëson rreth shtysave të Jezu Krishtit për ta zbuluar këtë seksion?

    Ndërsa nxënësit japin përgjigje për pyetjen e mëparshme, sigurohuni që ata ta kuptojnë se Zoti na dha e Fjalën e Urtësisë për të na mbrojtur nga ligësitë e kohës sonë.

  • Si mund të ndikojë kuptueshmëria për arsyen përse Shpëtimtari e zbuloi Fjalën e Urtësisë në mënyrën se si ndihemi për të?

  • Cilat janë disa nga komplotet e liga të kohës sonë për të cilat na nevojitet mbrojtja e Tij?

Ndërsa nxënësit i përgjigjen pyetjes së mëparshme, ju mund t’i ndihmoni ata të dallojnë se si hartohen ose llogariten disa nga ligësitë për të na mashtruar.

Mund të jetë e dobishme që nxënësit të mendojnë ose tregojnë pyetjet që kanë rreth Fjalës së Urtësisë. Pjesa vijuese mund t’i ndihmojë ata t’i gjejnë përgjigjet.

Një manual përdorimi nga Krijuesi

Për ta paraqitur veprimtarinë vijuese, nëse dëshironi, mund të sillni ose të flisni rreth manualit të përdoruesit për një produkt të cilin nxënësit e njohin. Vëreni në dukje shkurtimisht vlerën e njohurisë se si të mirëmbahet produkti dhe disa paralajmërime rreth përdorimit të papërshtatshëm të tij. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se Perëndia, si Krijues (shihni te Zanafilla 1:27), i kupton në mënyrë të përsosur trupat tanë dhe ka dhënë udhëzime dhe paralajmërime rreth përdorimit dhe kujdesit ndaj tyre.

Nëse nxënësit kanë pyetje rreth hollësive të Fjalës së Urtësisë që nuk janë dhënë mësim me qartësi nga Kisha, nxitini ata të këshillohen me prindërit e tyre, peshkopin ose presidentin e degës.

Krijo një manual për përdorimin e duhur të trupave tanë. Ji krijues dhe përshtate atë sipas zgjedhjes sate. Hapat vijues janë vetëm një nga mënyrat e shumta se si mund të bëhet kjo:

  1. Palose një letër në gjysmë që të ngjajë me një fletushkë të shkurtër. Krijo një kapak me një titull të tillë si “Fjala e Urtësisë: Manuali i Përdoruesit nga Krijuesi”. Ti mund t’i shtosh kapakut vizatime ose figura.

  2. Brenda fletushkës, vendosi faqes majtas një titull si p.sh.: “Këshilla e Krijuesit për Atë që Duhet të Bëjmë”. Vendosi faqes djathtas një titull si p.sh.: “Këshilla e Krijuesit për Atë që Duhet të Shmangim”. Ndihu i lirë të shtosh figura ose modele edhe në faqet e brendshme.

  3. Studioji vargjet te Doktrina e Besëlidhje 89:5–17 dhe plotësoje fletushkën duke shkruar ose shtuar figura të gjërave që mëson.

    Përveç sugjerimeve vijuese, merreni parasysh t’u siguroni nxënësve materialet e dobishme nga pjesa “Burime Shtesë” të këtij mësimi.

  4. Heto në burime shtesë të caktuara në mënyrë hyjnore si Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2022), Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe thënie nga udhëheqësit e Kishës. Shtoje atë që mëson në fletushkën tënde.

Jepuni nxënësve një mundësi për ta treguar ose paraqitur atë që krijuan.

Shënim: Në pjesën “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” të mësimit të radhës, gjendet një sugjerim që nxënësit të shtojnë një faqe të fundit në fletushkat e tyre. Faqja e fundit do të përvijojë bekimet që ofron Perëndia te Doktrina e Besëlidhje 18–21 për mbajtjen e Fjalës së Urtësisë. Nëse kjo do të ishte një përvojë e mirë për nxënësit tuaj, ju mund t’i nxitni ata t’i dorëzojnë fletushkat e tyre sot ose të sigurohen që t’i sjellin ato sërish në klasë për mësimin e radhës.

Shpëtimtari ynë i mëshirshëm dhe i duruar

Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin mënyrën se si Shpëtimtari ishte i duruar me shenjtorët e Tij pasi e zbuloi këtë urdhërim, nëse dëshironi, mund t’u tregoni nxënësve një pjesë të përmbajtjes vijuese me fjalët tuaja:

Jezusi e zbuloi Fjalën e Urtësisë në vitin 1833, por ajo nuk u dha si urdhërim në atë kohë (shihni te vargu 2). Pasi ajo u mor, shumë shenjtorë filluan të përpiqeshin fort për t’i kapërcyer traditat e pranuara nga ana kulturore dhe për disa, varësitë që kishin zhvilluar. Me kalimin e kohës, Zoti i drejtoi udhëheqësit e Kishës, duke përfshirë Brigam Jangun dhe Xhon Tejlorin, që të prisnin më tepër nga shenjtorët për sa i përket zbatimit prej tyre të parimeve që jepen mësim te Doktrina e Besëlidhje 89. Pas fillimit të shekullit të njëzetë, Presidenti Hibër J. Grant “i sfidoi ata ta mbanin Fjalën e Urtësisë me saktësi, duke mos përdorur pije alkoolike, kafe, çaj, duhan dhe substanca të tjera të dëmshme që breza më të hershëm të shenjtorëve i kishin përdorur ndonjëherë”, duke e bërë “Fjalën e Urtësisë të detyrueshme për frekuentimin e tempullit dhe shërbimin misionar” (Saints, 3:291–292). “Në vitin 1921, Zoti e frymëzoi Presidentin Hibër J. Grant t’u kërkonte të gjithë shenjtorëve të mos përdornin pije alkoolike, duhan, kafe dhe çaj me qëllim që të fitonin një rekomandim të tempullit” (Church History Topics, “Word of Wisdom [DeB 89]”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  • Çfarë ndihmash ka siguruar Shpëtimtari në kohën tonë për ata që luftojnë me varësinë?

Përfundimi i materialit filmik të sugjeruar në fillim të mësimit mund të japë shpresë nëpërmjet Krishtit për ata që luftojnë me varësinë. Ju mund të merrni parasysh ta shfaqni materialin filmik “You Will Be Freed” [“Ju do të Çliroheni”] nga kodi kohor 1:29 deri në 2:55.

Nxënësit që do të donin më shumë burime për ndihmë për varësinë, mund të drejtohen te udhëheqësit e lagjes së tyre dhe te faqja “Ndihmë për Jetën” në ChurchofJesusChrist.org.

2:58

Para se të bëni pyetjen vijuese, merreni parasysh t’i ndihmoni nxënësit ta dallojnë mirësinë që tregoi Jezu Krishti duke na e dhënë Fjalën e Urtësisë. Mund të jetë e dobishme t’i ftoni ata të imagjinojnë se si bota do të ishte ndryshe nëse nuk do të kishte abuzim me substancat. Gjithashtu, mund t’u jepni atyre kohë për të shkruar se si Fjala e Urtësisë i ka bekuar dhe mbrojtur ata dhe njerëzit e tyre të dashur.

  • Si e tregon zbulimi i Fjalës së Urtësisë mëshirën dhe dashurinë e Jezu Krishtit?

Merreni parasysh ta përmbyllni mësimin duke treguar se si Fjala e Urtësisë e ka bekuar jetën tuaj dhe duke shprehur mirënjohje për Shpëtimtarin që na e dha këtë zbulesë.