Seminari
Mësimi 99 – Doktrina e Besëlidhje 87: Jozef Smithi Profetizoi për Luftën


“Mësimi 99 – Doktrina e Besëlidhje 87: Jozef Smithi Profetizoi për Luftën”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 87”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 99: Doktrina e Besëlidhje 85–87

Doktrina e Besëlidhje 87

Jozef Smithi Profetizoi për Luftën

Jozef Smithi duke u lutur

Për shkak të trazirave politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1830, Jozef Smithi iu lut Perëndisë për të ditur mendjen e Tij për situatën. Zbulesa që pasoi, përmbante profeci për luftën me hollësi specifike që vetëm Perëndia mund t’i dinte në atë kohë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se të gjitha fjalët e Zotit për profetët e Tij do të përmbushen.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Përvoja e Orson Pratit

Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për të studiuar seksionin te Doktrina e Besëlidhje 87, merreni parasysh t’i përmblidhni ose lexoni përvojat vijuese misionare të Orson Pratit.

Orson Prati ishte një anëtar i hershëm i Kishës, i cili shërbeu si një nga anëtarët e parë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ai u thirr për të shërbyer në shumë misione gjatë jetës së tij për ta predikuar ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit anembanë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Në udhëtimet e tij, ai mbante me vete një kopje të një zbulese të veçantë që Jozef Smithi e mori nga Zoti në vitin 1832. Megjithëse profecia që përmbahej tek ajo zbulesë nuk ishte përmbushur ende, Plaku Prat ua jepte shpesh atë të tjerëve. Atë e përqeshnin shpesh, duke kujtuar se njerëzit thoshin se profecia ishte “kulmi i absurditetit” dhe se ai ishte “viktimë e një mashtruesi” (Orson Pratt, Journal of Discourses, 18:224–225).

  • Po të ishe Orson Prati, si mendon se do të kishte ndikuar reagimi i njerëzve tek ti?

Një profeci nga Zoti

Profecia që Orson Prati ua tregoi të tjerëve, është shënuar te Doktrina e Besëlidhje 87. Mund të jetë mirë që nxënësit t’i kuptojnë hollësitë historike që përmbahen në kreun e seksionit përpara se ta lexojnë profecinë.

ikona e trajnimitNdihmojini nxënësit t’i zbulojnë doktrinën dhe parimet e ungjillit: Për t’u ushtruar më shumë me këtë, shihni trajnimin e titulluar “Mësojeni vetë doktrinën e Jezu Krishtit” që gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Jepeni Mësim Doktrinën. Merreni parasysh ta ushtroni zotësinë duke krijuar pyetje kërkimore që nuk marrin përgjigje me “po” ose “jo”, që i ndihmojnë nxënësit t’i zbulojnë vetë doktrinën dhe parimet e ungjillit dhe nuk i çojnë nxënësit drejt një përgjigjeje të caktuar.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 87:1–4 dhe kërko atë që zbuloi Jezu Krishti nëpërmjet profetit të Tij.

  • Çfarë tha Zoti “që shpejt do të ndodhin”?

  • Çfarë mund të mësojmë rreth Zotit nga këto vargje?

Jepuni nxënësve një mundësi për t’i treguar të vërtetat e ndryshme që mësojnë rreth Jezu Krishtit. Krahas asaj që përmendin, ndihmojini ata të dallojnë se Zoti mund të na zbulojë ngjarje të ardhshme nëpërmjet profetëve të Tij.

Lexo disa ose të gjitha shkrimet e shenjta vijuese për të të ndihmuar ta kuptosh më mirë njohurinë e Zotit.

  • Çfarë mësove? Si mendon, përse është e dobishme që t’i kuptojmë këto gjëra rreth Jezu Krishtit?

  • Si ndikon kjo njohuri në mirëbesimin tënd tek Ai?

Besimi te Zoti dhe profecitë e Tij

Lexojeni ose përmblidheni paragrafin vijues për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë atë që ndodhi pasi Zoti ia zbuloi Jozef Smithit këto ngjarje të ardhshme.

Në fillimin e vitit 1833, jo shumë kohë pasi u dha profecia e Jozef Smithit, mosmarrëveshjet që e bënë të dukej se së shpejti në Amerikë mund të shpërthente lufta, u zgjidhën në mënyrë paqësore.

  • Çfarë pyetjesh mendon se mund të kishe pasur po ta kishe ditur profecinë e Jozef Smithit në atë kohë?

Orson Prati kujtoi mendimet që pati kur iu bë e paqartë se si ose kur do të përmbushej profecia.

Orson Prati

“E dija se profecia ishte e vërtetë, sepse Zoti më kishte folur dhe më kishte dhënë zbulesë. Isha gjithashtu në dijeni të karakterit hyjnor të kësaj pune. Vitet kaluan me radhë, ndërkohë që herë pas here disa nga ata që kisha njohur më parë, më thoshin: ‘Epo, çfarë do të bëhet me atë parashikim? Nuk do të përmbushet kurrë.’ Unë u thosha: ‘Prisni, Zoti ka kohën e Tij të caktuar.’” (Orson Pratt, Journal of Discourses, 18:224–225)

  • Çfarë të bie në sy nga përgjigjja e Orson Pratit?

  • Si zgjodhi ai të vepronte me besim dhe të mbante një këndvështrim të përjetshëm?

Zgjedhja për të qëndruar me Zotin

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta diskutojnë pyetjen vijuese me një partner ose grup të vogël para se t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

  • Cilat janë disa situata ku mund të kërkohet që dikush të veprojë me besim në përgjigje të një mesazhi të profetit sot?

Nxitini nxënësit të përsiatin se sa të gatshëm janë që të qëndrojnë me profetët e Zotit kur ata japin mësim gjëra me të cilat të tjerët nuk bien dakord.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 1:37–38 dhe 21:4–6. Kërko mësimet që mund të të ndihmojnë të qëndrosh besnik ndaj Zotit dhe profetëve të Tij, edhe kur të tjerët nuk bien dakord me fjalët e tyre.

  • Çfarë gjete?

Për t’i ndihmuar nxënësit ta dallojnë se shpesh kërkohet besim dhe durim për të parë përmbushjen e profecive të Zotit, merreni parasysh të tregoni hollësitë historike vijuese.

Megjithëse Jozef Smithi nuk ishte gjallë për ta parë përmbushjen e profecisë, një pjesë e saj u përmbush rreth 30 vjet pasi ishte dhënë. Konflikti filloi në Karolinën e Jugut dhe shtetet jugore dhe veriore [të Shteteve të Bashkuara] luftuan kundër njëri-tjetrit nga viti 1861 deri në vitin 1865. Siç u profetizua, Jugu kërkoi ndihmë nga Britania e Madhe dhe shumë veta që kishin qenë skllevër, luftuan kundër pronarëve të tyre të mëparshëm (shih te Doktrina e Besëlidhje 87:1–4). Shumë njerëz vdiqën në këtë luftë. Si përshkruhet në profeci, janë zhvilluar luftëra vijuese në kombet nëpër botë (shih te Doktrina e Besëlidhje 87:6–7).

Qëndro në vende të shenjta

Disa nxënës mund të ndiejnë pasiguri ose frikë kur mendojnë rreth luftës dhe shkatërrimit të përshkruar në këtë profeci. Shpjegoni se fjalët e fundit të Zotit në këtë zbulesë ofrojnë këshillë që mund të na ndihmojë gjatë shqetësimeve të ditëve të fundit.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 87:8 duke kërkuar këshillën e Zotit.

  • Cilat janë disa vende të shenjta që na i ka dhënë Zoti, të cilat mund të të ndihmojnë të gjesh paqe dhe siguri në botën tonë?

Merreni parasysh të shpjegoni që të qëndrojmë besnikë ndaj Zotit dhe profetëve të Tij është një mënyrë se si ne mund të “qëndro[jmë] në vende të shenjta dhe [të] mos lëviz[im]”. Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar sot, dhe nxitini nxënësit të veprojnë sipas çdo mbrese që kanë marrë.