“Mësimi 94 – Doktrina e Besëlidhje 84:1–32: ‘Fuqia e Perëndishmërisë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 84:1–32”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 94: Doktrina e Besëlidhje 84
Doktrina e Besëlidhje 84:1–32
“Fuqia e Perëndishmërisë”
Sapo u kthyen në shtëpi nga misionet e tyre, një grup djemsh misionarë u takuan me Profetin Jozef Smith. Ndërkohë që luteshin së bashku, Profeti mori një zbulesë që ofronte ide rreth “fuqi[së së] perëndishmërisë” (Doktrina e Besëlidhje 84:20) në dispozicion të grave dhe burrave nëpërmjet ordinancave të priftërisë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë rëndësinë e marrjes së fuqisë së perëndishmërisë që ofron Jezu Krishti nëpërmjet ordinancave të priftërisë së Tij.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta përsiatin atë që dinë rreth ordinancave të priftërisë dhe përse ato janë të rëndësishme në jetën e tyre individuale si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ordinancat e priftërisë
Merreni parasysh ta paraqitni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojini nxënësit të tregojnë se si ndihen rreth pyetjeve të tij dhe se si mund t’u përgjigjen atyre.
“Në udhëtimet e mia si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, unë takoj të rinj anembanë botës. Shumë prej tyre kanë vështirësi për shqetësime reale: ‘A do të më ndihmojë Perëndia? A do ta udhërrëfejë Ai jetën time? Si mund t’i marr ndihmën, drejtimin dhe paqen që më nevojitet?’” (Neil L. Andersen, “The Power of Godliness through Priesthood Ordinances and Blessings”, For the Strength of Youth, gusht 2021, f. 10)
Bëni pyetje që ftojnë shqyrtimin e vetvetes: Pyetja vijuese është një shembull i një pyetjeje që fton shqyrtimin e vetvetes. Për më shumë praktikë me këtë, shihni trajnimin e titulluar “Krijoni mjedise dhe mundësi që nxënësit të marrin mësim nga Fryma e Shenjtë” që gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve. Merreni parasysh ta ushtroni zotësinë: “Krijoni vetëvlerësime të studentëve rreth një doktrine, të vërtete ose parimi”.
-
Kujto raste në jetën tënde kur ke pasur nevojë për ndihmë, drejtim dhe paqe. Çfarë bëre ose mund të kishe bërë për të kërkuar ndihmën dhe udhërrëfimin e Perëndisë?
Lexoje pjesën e mbetur të thënies së Plakut Nil L. Andersen, duke kërkuar për një gjë që Perëndia na e ka dhënë për të na ndihmuar.
“Miqtë e mi të dashur në moshë të re, Perëndia do t’ju ndihmojë dhe Ai është gati për t’ju bekuar. Si Ati ynë i dashur, Ai na ka dhënë ordinanca që na ndihmojnë ta ndiejmë fuqinë e Tij në jetën tonë, fuqinë e perëndishmërisë.” (Neil L. Andersen, “The Power of Godliness through Priesthood Ordinances and Blessings”, For the Strength of Youth, gusht 2021, f. 10)
Nxënësit mund të mos e kenë marrë parasysh se si ordinancat mund t’i ndihmojnë ata në jetën e tyre. Ju mund t’i ftoni nxënësit të reflektojnë mbi mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth ordinancave. Për ta bërë këtë, mund të paraqitni vetëvlerësimin vijues:
Duke përdorur një shkallë nga 1–5 (1 = i ulët; 5 = i lartë), si do ta vlerësoje vetëbesimin tënd për thëniet vijuese:
-
Unë e di se cilat janë ordinancat e priftërisë.
-
Unë e dalloj se si Perëndia e ka bekuar tashmë jetën time nëpërmjet ordinancave të priftërisë.
-
Unë po përgatitem me vetëdije për të marrë ordinancën e radhës në jetën time.
Ftojini nxënësit të jenë pranues ndaj mbresave nga Fryma e Shenjtë ndërsa studiojnë seksionin 84 dhe mësojnë më shumë rreth fuqisë së Perëndisë që mund të vijë në jetën e tyre nëpërmjet ordinancave të priftërisë.
Tempulli dhe priftëria
Merreni parasysh se si mund t’ua tregoni informacionin vijues nxënësve:
Në shtator të vitit 1832, misionarët u kthyen në Kirtland të Ohajos, pasi e predikuan ungjillin në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara. Gjatë ritakimit të tyre, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 84. Në këtë zbulesë, Zoti e zgjeroi kuptueshmërinë e shenjtorëve për priftërinë. Lexo te Doktrina e Besëlidhje 84:1–5, duke kërkuar atë që i udhëzoi Zoti shenjtorët t’i jepnin përparësi ndërsa ndërtonin qytetin e Jerusalemit të Ri.
-
Si mendon, përse është domethënëse që Zoti të fillonte një zbulesë për priftërinë duke dhënë mësim rreth rëndësisë së tempujve?
Nëse nxënësit nuk e përmendin, ju mund të vini në dukje se në tempull kryhen ordinancat e priftërisë që janë të nevojshme për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë.
Nëse dëshironi, mund t’u tregoni nxënësve se te vargjet 6–18, Zoti shpalli se priftëria e Tij iu dha Adamit dhe vazhdoi deri në kohën e Moisiut. Jezu Krishti ia dha priftërinë edhe Aaronit dhe pasardhësve të tij. Nëse dëshironi, mund të vini në dukje se priftëria e Tij vazhdon në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit sot. I gjithë autoriteti i priftërisë, duke përfshirë atë që nevojitet për të kryer ordinancat e tempullit, vjen nga Jezu Krishti.
Fuqia e perëndishmërisë shfaqet nëpërmjet ordinancave
Kjo mund të jetë koha e duhur për t’i pyetur nxënësit tuaj se çfarë është një ordinancë. Nëse e kanë të vështirë ta shpjegojnë atë, mund t’i ftoni të përdorin ndihmat për studimin e shkrimeve të shenjta për ta zbuluar. Ndihmojini ata të kuptojnë se një ordinancë është një akt i shenjtë, zyrtar, ose ceremoni që kryhet me anë të autoritetit të priftërisë. Disa ordinanca janë thelbësore për ekzaltimin tonë.
Nëse dëshironi, mund t’i renditni në tabelë ordinancat e priftërisë si pagëzimi, sakramenti, bekimi i ngushëllimit dhe i këshillës, bekimi patriarkal, konfirmimi dhe dhurata e Frymës së Shenjtë, dhurimi në tempull dhe vulosja në tempull.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 84:19–22, duke kërkuar atë që na mëson Zoti rreth ordinancave.
Doktrina e Besëlidhje 84:20–22 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
-
Çfarë mësove rreth ordinancave të priftërisë?
-
Çfarë pyetjesh ke për ato që lexon?
Në varësi të kuptueshmërisë së nxënësve dhe pyetjeve që ata bëjnë, nëse dëshironi, mund t’i tregoni disa ose të gjitha pikat në vijim:
-
“Priftëri[a] më e madhe [që] administron ungjillin” i referohet autoritetit të Priftërisë Melkizedeke për të administruar ordinancat e nevojshme për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë.
-
“Misteret” janë “të vërteta shpirtërore të njohura vetëm nëpërmjet zbulesës” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mistere të Perëndisë”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
-
“Fuqia e perëndishmërisë” i referohet fuqisë që vjen nga Perëndia për të na ndihmuar në këtë jetë dhe për të na përgatitur për jetën e përjetshme.
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë se nëpërmjet ordinancave të priftërisë, ne mund të marrim fuqinë e perëndishmërisë në jetën tonë.
Për t’i ndihmuar nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për këtë të vërtetë, ftojini ata të zgjedhin një nga ordinancat e renditura në tabelë rreth së cilës do të donin të mësonin më shumë. Jepuni atyre kohë të shkruajnë dy deri në tri pyetje që kanë rreth asaj ordinance. Ose mund të paraqitni tri pyetjet e renditura më poshtë që ata t’i marrin parasysh.
-
Si mund të përgatitet dikush për ta marrë këtë ordinancë?
-
Si mendon se na ndihmon kjo ordinancë e priftërisë ta marrim fuqinë e perëndishmërisë për të na ndihmuar në këtë jetë?
-
Si mund të na ndihmojë marrja e kësaj ordinance të bëhemi më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?
Ftojini nxënësit të kërkojnë te burime të caktuara në mënyrë hyjnore për të mësuar më shumë rreth ordinancës që zgjodhën dhe për përgjigjet për pyetjet e tyre. Ata mund ta bëjnë këtë vetë ose me të tjerë që përzgjodhën të njëjtën ordinancë. Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, që gjendet te ChurchofJesusChrist.org, ofron informacion të dobishëm për ata që zgjedhin ta studiojnë dhurimin (27.2) dhe vulosjen në tempull (27.3). Ata mund të përsiatin edhe përvojat vetjake kur ordinancat që kanë përjetuar, i kanë ndihmuar ta ndiejnë fuqinë e perëndishmërisë në jetën e tyre.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini individët ose grupet t’ia tregojnë atë që mësuan klasës.
Rëndësia e ordinancave
Për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi atë që kanë mësuar rreth rëndësisë së ordinancave të priftërisë, ju mund t’i vini nxënësit t’u përgjigjen disa ose të gjitha pyetjeve vijuese. Nxënësit mund të zgjedhin një pyetje dhe t’ia tregojnë përgjigjet e tyre një shoku të klasës.
-
Çfarë ke mësuar rreth fuqisë së perëndishmërisë dhe ordinancave të priftërisë?
-
Si mund të të ndihmojë puna për t’i marrë dhe marrja e këtyre ordinancave të afrohesh më shumë te Jezu Krishti?
-
Kur e ke ndier fuqinë e Perëndisë nëpërmjet ordinancave të priftërisë që ke marrë?
Merreni parasysh t’i tregoni mendimet dhe ndjenjat tuaja rreth fuqisë së Perëndisë që e keni marrë në jetën tuaj nëpërmjet ordinancave të priftërisë.
Mësoni përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë është: “Në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet”. Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.