“Mësimi 93 – Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 6: Doktrina e Besëlidhje 76–83”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 6”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 93: Doktrina e Besëlidhje 81–83
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 6
Të shpenzuarit e kohës për të dalluar rritjen dhe zhvillimin shpirtëror mund ta forcojë marrëdhënien tonë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe mund të na nxitë të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta vlerësojnë rritjen e tyre shpirtërore nga studimi i tyre i librit Doktrina e Besëlidhje deri tani.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të vlerësojnë aftësinë e tyre për t’i shpjeguar mësimet te Doktrina e Besëlidhje, të vlerësojnë synimet që kanë vendosur, dhe të matin mënyrën se si po ndryshojnë qëndrimet, dëshirat dhe aftësia e tyre për ta jetuar ungjillin. Studimi juaj në orën mësimore i seksioneve te Doktrina e Besëlidhje 76–83 mund të jetë përqendruar në të vërteta të ndryshme nga ato të theksuara në mësim. Nëse po, merreni parasysh t’i përshtatni veprimtaritë për të përfshirë të vërteta që janë më të njohura për nxënësit tuaj.
Vlerësimi i rritjes dhe përparimit
Nëse është e mundur, fillojeni orën mësimore duke paraqitur figura të njerëzve duke ecur në natyrë, duke ngarë biçikletën dhe duke vrapuar. Kërkojuni nxënësve që të ngrenë duart lart nëse kanë bërë një ose më shumë nga këto veprimtari. Më pas, kërkojuni nxënësve t’i mbajnë duart lart nëse kanë marrë pjesë ndonjëherë në një vrapim, ecje në natyrë apo xhiro me biçikletë të gjatë ose sfiduese. Ftojini disa nxënës që kanë ngritur duart, ta përshkruajnë përvojën e tyre. Merreni parasysh të diskutoni disa pyetje si ato në vijim:
-
Çfarë mund të bësh për t’u kënaqur në udhëtimin tënd?
-
Si mund ta krahasojmë atë lloj udhëtimi me procesin e të bërit më shumë si Jezu Krishti?
-
Cilat janë mënyrat se si mund të kënaqemi dhe ta vlerësojmë më shumë procesin e rritjes shpirtërore?
Ftojini nxënësit të reflektojnë mbi atë që kanë mësuar te Doktrina e Besëlidhje, se si kanë vepruar sipas saj dhe udhëtimet e tyre shpirtërore. Ata mund të përsiatin se si i ka ndihmuar Shpëtimtari në ndonjë përparim të kohëve të fundit.
-
Si mendon se po përparon dhe po i afrohesh më shumë Zotit?
-
Si po të ndihmon Zoti?
Veprimtaritë vijuese janë krijuar për t’i ndihmuar nxënësit t’i dallojnë, çmojnë dhe vlerësojnë më shumë përparimin dhe rritjen më të veçantë.
Shpjegimi i tri shkallëve të lavdisë
Merreni parasysh të përdorni një skenar si ai në vijim për t’i ndihmuar nxënësit ta shqyrtojnë dhe vlerësojnë kuptueshmërinë e tyre për tri shkallët e lavdisë në planin e Atit Qiellor. Nëse është e nevojshme, nxënësit mund t’i rregullojnë hollësitë në skenar për t’u siguruar që t’u duken të vërteta.
Imagjino sikur ke një mikeshë të ngushtë me emrin Olivia, e cila nuk është një anëtare e Kishës, por beson fort te Jezu Krishti. Një ditë ajo të afrohet dhe të pyet: “Çfarë besojnë anëtarët e Kishës sate rreth jetës pas vdekjes? Mua më kanë mësuar se të gjithë do të shkojnë në parajsë ose në ferr, por dëgjova se anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme besojnë në parajsa të shumta. Çfarë do të thotë e gjitha kjo?”
Shpenzo disa minuta duke i shkruar Olivias një përgjigje që e shpjegon kuptueshmërinë dhe njohurinë tënde për tri shkallët e lavdisë. Nëse dëshiron, mund të përfshish vizatime për ta ndihmuar Olivian ta përfytyrojë atë që po i shpjegon.
Pasi nxënësit t’i kenë përfunduar shpjegimet e tyre, merreni parasysh t’i ftoni disa ta tregojnë atë që shkruan, ose ta interpretojnë me role skenarin përpara klasës.
Nëse nxënësit nuk e përmendin, pyetini ata se si tri shkallët e lavdisë i tregojnë dashurinë dhe mëshirën e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:40–43). Bëjeni të qartë se trashëgimi i një mbretërie të lavdisë, duke përfshirë lavdinë çelestiale, është i mundur vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:69–70).
Pyetini nxënësit se çfarë mësuan nga kjo përvojë. Nëse nxënësit kanë pyetje lidhur me tri shkallët e lavdisë, pyeteni klasën nëse mund t’i gjejnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 76 për të ndihmuar që t’u përgjigjen pyetjeve të tyre. Ju mund të shqyrtoni gjithashtu një pjesë të materialit nga mësimet e mëparshme.
Nderimi i Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të bëjnë një listë të gjithçkaje që kanë mësuar kohët e fundit te Doktrina e Besëlidhje, që e ka rritur dashurinë, vlerësimin dhe nderimin e tyre për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Nxënësit mund të përfshijnë gjithashtu përvojat në shtëpi, në mjediset e Kishës ose diku tjetër, që e forcuan marrëdhënien e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Mund të jetë e dobishme t’i ftoni nxënësit të shqyrtojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 63:58–64; 76:19–24 dhe çdo shënim që mund të kenë mbajtur ndërkohë që i studiuan më parë këto vargje.
Ju mund ta paraqitni pyetjen vijuese dhe t’i ftoni nxënësit të përgjigjen për t’i ndihmuar ata të vlerësojnë përpjekjen, dëshirën dhe përparimin e tyre të tanishëm:
-
Çfarë po mëson rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që e rrit dashurinë, vlerësimin dhe nderimin tënd për Ta?
Inkurajojini disa nxënës të flasin. Merreni parasysh të shprehni mendimet tuaja gjithashtu.
Studimi dhe përsiatja e shkrimeve të shenjta
Merreni parasysh të tregoni figurën e mësipërme dhe të bëni pyetjet vijuese:
-
Çfarë po bënin Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni përpara se të merrnin vegimin e tri shkallëve të lavdisë?
-
Çfarë mësove nga përvoja e tyre?
Nëse nxënësit nuk e mbajnë mend, ftojini ata të shqyrtojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 76:15–19. Sigurohuni që ata të kuptojnë se përpara se vegimet t’i tregoheshin Jozefit dhe Sidnit, të dy burrat po i studionin dhe përsiatnin shkrimet e shenjta. Një nga të vërtetat që mund të kenë mësuar nxënësit, është kjo: Ndërsa i studiojmë dhe përsiatim shkrimet e shenjta me lutje, ne e përgatitim veten tonë për të marrë kuptueshmëri nga Zoti nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Jepuni kohë nxënësve për të reflektuar mbi efektshmërinë e studimit të tyre të shkrimeve të shenjta. Ata mund të përsiatin se sa mirë po i studiojnë dhe përsiatin me lutje shkrimet e shenjta. Nëse është e dobishme, ju mund të tregoni grafikun vijues dhe t’i ftoni nxënësit të tregojnë se si secili zë mund t’i ndihmojë ata në studimin e tyre të shkrimeve të shenjta. Nxënësit mund ta tregojnë atë që po bëjnë, që e ndiejnë se po i ndihmon.
Nxënësit mund të kenë dobi edhe nga diskutimi i sfidave dhe zgjidhjeve të mundshme me anëtarët e tjerë të klasës. Ju mund t’i ndani nxënësit në grupe të vogla dhe t’i ftoni ata t’i diskutojnë sfidat me të cilat përballen, ndërkohë që përpiqen t’i studiojnë dhe përsiatin shkrimet e shenjta. Nxiteni secilin grup të zgjedhë një sfidë dhe të mendojë për disa hapa të thjeshtë që ata mund t’i ndërmarrin për ta kapërcyer atë sfidë dhe për të rritur ndikimin e studimit të tyre të shkrimeve të shenjta. Ftojeni secilin grup t’ia tregojë pjesës tjetër të klasës.
Për ta përmbyllur, ftojini disa nxënës të dëshmojnë se si përsiatja dhe studimi i shkrimeve të shenjta po e bekojnë jetën e tyre dhe po i ndihmojnë të ndihen më pranë Jezu Krishtit.