“Mësimi 68 – Doktrina e Besëlidhje 51: ‘Kujdestar Besnik, i Drejtë e i Mençur’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 51”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 68: Doktrina e Besëlidhje 51–57
Doktrina e Besëlidhje 51
“Kujdestar Besnik, i Drejtë e i Mençur”
Në pranverën e vitit 1831, Jozef Smithi mori një zbulesë. Zoti i udhëzoi anëtarët e degës së Kolsvillit në Nju-Jork që të vendoseshin në zonën e Tompsonit në Ohajo dhe të përmbushin kujdestaritë e tyre duke jetuar ligjin e përkushtimit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si mund ta ndjekin këshillën e Zotit për të qenë kujdestarë besnikë, të drejtë dhe të mençur.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Një mbajtje përgjegjësish për kujdestaritë
Për t’i ndihmuar nxënësit të mësojnë rreth kujdestarive, merreni parasysh të bëni një veprimtari si ajo në vijim.
Imagjino sikur një prind i kërkoi të birit ose së bijës të kujdeset për një motër ose vëlla më të vogël për disa orë ndërkohë që prindi largohej.
-
Pse një prind i dashur mund të dojë që një fëmijë më i rritur ta përjetojë këtë përgjegjësi?
-
Çfarë pritshmërish mendon se do të kishte një prind në këtë situatë?
Shpjegoni se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti gjithashtu na besojnë neve shumë përgjegjësi gjatë gjithë jetës sonë. Këtyre përgjegjësive mund t’u referohemi si kujdestari.
Peshkopi Zherald Kosé, i Peshkopatës Kryesuese, dha përkufizimin vijues të fjalës kujdestari.
“Në termat e ungjillit, fjala kujdestari tregon një përgjegjësi të shenjtë shpirtërore ose materiale për t’u kujdesur në lidhje me diçka që i përket Perëndisë, për të cilën ne jemi përgjegjës.” (Zherald Kosé, “Kujdestaria Jonë Tokësore”, Liahona, nëntor 2022, f. 57)
-
Cilët janë disa shembuj të kujdestarive që na jep Perëndia në jetën tonë?
Shkruajini përgjigjet e nxënësve për pyetjen e mëparshme në tabelë ose mund t’i ftoni ata të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë përgjigjet e tyre.
Nëse është e nevojshme, mund të përdorni sa vijon si shembuj: pjesa e planetit në të cilën jetojmë, familjet tona, thirrjet ose detyrat në Kishë, prona dhe zotërimet tona, trupa tanë, koha jonë.
Pasi t’i përcaktojnë këta shembuj, ftojini nxënësit të reflektojnë mbi kujdestaritë që kanë në jetën e tyre duke treguar sa vijon:
Në ditarin tënd të studimit, shkruaj disa nga kujdestaritë që ke ose që Zoti të ka besuar ty. Teksa studion sot, kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë të bëhesh një kujdestar më i mirë për gjërat që shkrove në listën tënde.
Kujdestaritë e shenjtorëve të hershëm
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë kontekstin e seksionit Doktrina e Besëlidhje 51, merreni parasysh ta lexoni ose përmblidhni paragrafin vijues. Mund edhe të ftoni një nxënës që t’ia lexojë atë klasës.
Në pranverën e vitit 1831, shumë shenjtorë filluan të mbërrin në Ohajo pas migrimit nga Shtetet e Bashkuara lindore. Një grup erdhi nga Kolsvilli i Nju‑Jorkut, pas shumë sakrifice. Ky grup u udhëzua të vendosej në Tompson të Ohajos dhe të jetonte sipas ligjit të përkushtimit. Zbulesa që shënohet te Doktrina e Besëlidhje 51, përmban udhëzimet e Zotit drejtuar shenjtorëve.
Ftojini nxënësit ta kopjojnë tabelën vijuese në ditarët e tyre të studimit dhe ta plotësojnë ndërsa studiojnë seksionin Doktrina e Besëlidhje 51.
|
Përgjegjësitë e Peshkopit Partrixh |
Përgjegjësitë e Shenjtorëve |
|---|---|
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 51:1–4, duke kërkuar atë që Zoti i mësoi Peshkopit Eduard Partrixh rreth përgjegjësive të tij.
-
Çfarë përgjegjësish i dha Zoti Peshkopit Partrixh?
Ndërsa nxënësit përgjigjen, mund të jetë e dobishme të vini në dukje që fraza “caktojnë këtyre njerëzve pjesët e tyre” (Doktrina e Besëlidhje 51:3) u referohet pronave dhe të mirave materiale që shenjtorët do të merrnin si pjesë e ligjit të përkushtimit. Përpara se të vazhdoni, mund të jetë e dobishme t’i ftoni nxënësit të tregojnë atë që dinë ose mbajnë mend rreth ligjit të përkushtimit.
Nëse nevojitet, shpjegoni se, si pjesë e ligjit të përkushtimit, shenjtorët do t’ia dedikonin pronat dhe të mirat e tyre materiale Zotit. Më pas nëpërmjet peshkopit, ata do të merrnin pronat dhe të mirat materiale si kujdestari për të cilat të kujdeseshin dhe t’i përdornin. Shenjtorët do të dhuronin çdo tepricë të asaj që korrnin, rritnin ose merrnin, te peshkopi për t’ua dhënë të varfërve.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 51:9, 12–15, 19 dhe plotësoje tabelën në bazë të asaj që gjen.
Mund të jetë e dobishme që nxënësit të dinë se shtëpia e ruajtjes që përmendet te vargu 13 ishte vendi ku peshkopi do të mbante ushqimet dhe furnizimet për t’u kujdesur për të varfrit e nevojtarët.
-
Çfarë këshille nga këto vargje mund t’i ketë ndihmuar shenjtorët t’i kapërcenin vështirësitë me të cilat u përballën nga të jetuarit e ligjit të përkushtimit?
-
Çfarë bekimi u premtoi Zoti te vargu 19 atyre që ishin kujdestarë besnikë, të drejtë e të mençur?
Ftojini nxënësit të përcaktojnë një të vërtetë që gjen zbatim për kujdestaritë e tyre duke u bazuar në mësimet e Zotit te vargu 19. Ata mund të përcaktojnë diçka si ajo në vijim: Teksa bëhemi kujdestarë besnikë, të drejtë dhe të mençur, ne mund të përjetojmë gëzimin e Zotit dhe të marrim dhuratën e jetës së përjetshme.
Nëse është e dobishme, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të ndalen një çast për të përkufizuar një nga fjalët vijuese: besnik, i drejtë, ose i mençur. Nxënësit mund të tregojnë atë që kuptojnë, të përdorin materialin Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ose të përdorin një fjalor.
-
Cilët mund të jenë disa shembuj të gëzimit që mund të ndiejmë ose bekimeve që mund të marrim ndërsa jemi besnikë në kujdestaritë tona?
Shembuj të kujdestarëve besnikë, të drejtë dhe të mençur
Veprimtaritë vijuese mund t’i ndihmojnë nxënësit ta kuptojnë më mirë se ç’do të thotë të jenë kujdestarë besnikë, të drejtë dhe të mençur. Merreni parasysh t’i paraqitni veprimtaritë dhe t’i ndani nxënësit në grupe të vogla që t’i plotësojnë ato së bashku. Nëse kjo veprimtari bëhet në grupe, sigurohuni që të caktoni një udhëheqës diskutimi për secilin grup.
Veprimtaria A: Shembulli i Shpëtimtarit
Shpëtimtari është shembulli i përkryer i të qenit një kujdestar besnik, i drejtë dhe i mençur.
Gjej një shembull në shkrimet e shenjta ku Jezu Krishti përmbush një nga përgjegjësitë e Tij për t’u kujdesur për ne e për të na ndihmuar. Shembujt e shkrimeve të shenjta që mund të studiosh, përfshijnë Ezekiel 34:11–16; Gjoni 6:38–39; 17:1–4; 3 Nefi 17:6–9 dhe Doktrina e Besëlidhje 19:16–19.
Përsiat se si Shpëtimtari ka qenë një kujdestar besnik, i drejtë dhe i mençur për ty.
-
Si të kanë sjellë gëzim dhe bekime përpjekjet e Shpëtimtarit?
-
Si mund të të japë shtysë shembulli i Shpëtimtarit që të jesh një kujdestar besnik, i drejtë dhe i mençur?
Veprimtaria B: Kujdestaritë sot
Ne gjithashtu ftohemi të ndjekim Jezu Krishtin duke qenë kujdestarë besnikë, të drejtë dhe të mençur.
Zgjidh disa nga shembujt e kujdestarive që na jep Zoti, të cilat renditen në tabelë (ose një shembull tjetër që e mendove vetë).
Përshkruaj atë që mund të bëjë dikush për të qenë një kujdestar besnik, i drejtë dhe i mençur i këtyre gjërave. Mund të përfshish shembujt që ke parë, ose mënyrat se si je përpjekur të jesh një kujdestar i mirë.
-
Pse Zoti mund të dojë që dikush sot të përpiqet të jetë një kujdestar besnik, i drejtë dhe i mençur në këtë mënyrë?
-
Si mund të sjellin përpjekjet e tij ose të saj gëzim dhe bekime?
Ftoni nxënës të ndryshëm të japin idetë që patën nga diskutimet. Ftojini disa nxënës që të tregojnë shkrime të shenjta të cilat i përcaktuan te Veprimtaria A, që iu dukën veçanërisht me vlerë ose kuptimplota. Mund t’u kërkoni nxënësve edhe të tregojnë atë që mësuan nga një shok i klasës me të cilin punuan.
Ajo që ke mësuar
Për t’i ndihmuar nxënësit të përvetësojnë atë që kanë mësuar në këtë mësim, merreni parasysh t’i ftoni ata të përgjigjen për pyetjet vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
Çfarë ke mësuar sot rreth kujdestarive që dëshiron ta mbash mend?
-
Çfarë mund të bësh për të qenë një kujdestar më shumë besnik, i drejtë dhe i mençur në një fushë të jetës sate?
Për të dyja pyetjet e mëparshme, ftojini disa nxënës të gatshëm të tregojnë atë që shkruan. Dëshmoni për gëzimin që ju ka ardhur ndërsa përpiqeni t’i përmbushni kujdestaritë që ju ka dhënë Zoti.