“Mësimi 66 – Doktrina e Besëlidhje 50, Pjesa 2: Jepni Mësim dhe Mësoni me Anë të Shpirtit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 50, Pjesa 2”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 66: Doktrina e Besëlidhje 49–50
Doktrina e Besëlidhje 50, Pjesa 2
Jepni Mësim dhe Mësoni me Anë të Shpirtit
Te Doktrina e Besëlidhje 50, Shpëtimtari dha mësim se shenjtorët duhet ta japin mësim dhe ta mësojnë ungjillin me anë të Shpirtit të së vërtetës. Si Mësuesi Mjeshtër, Jezu Krishti ishte shembulli i përsosur i mësimdhënies me anë të Shpirtit. Të gjithë anëtarët e Kishës së Shpëtimtarit do të kenë mundësi të japin mësim dhe të mësojnë me anë të Shpirtit gjatë gjithë jetës së tyre. Ky mësim mund t’u japë nxënësve mundësinë për të ushtruar mësimdhënien dhe të mësuarit me anë të Shpirtit të së vërtetës.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Jezusi është mësuesi i përsosur i ungjillit
Për ta filluar orën mësimore, merreni parasysh t’i ndihmoni nxënësit të mendojnë se çfarë lloj mësuesi ishte Shpëtimtari. Një mënyrë se si mund ta bëni këtë, është duke shkruar titullin Cilësitë për Mësimdhënien dhe të Mësuarit e Suksesshëm në tabelë. Poshtë titullit, krijoni tri kolona me të parën të emërtuar Jezu Krishti.
Ftojini nxënësit të diskutojnë për cilësitë që e bënë Jezu Krishtin mësuesin e përsosur të ungjillit dhe renditini ato në tabelë. Materiali filmik “Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit me Plakun Uhtdorf” (53:34) nga kodi kohor 19:01 deri në 20:06 mund t’i ndihmojë nxënësit të mendojnë për rëndësinë e mësimdhënies si Shpëtimtari.
Ftojini nxënësit t’i vënë në zbatim cilësitë e mësimdhënies së ungjillit dhe të të mësuarit të ngjashëm me të Krishtit ndërsa ushtrojnë mësimdhënien dhe të mësuarit sot.
Lexoje thënien vijuese nga Presidenca e Parë, duke kërkuar çfarë mundësish për mësimdhënien e ungjillit do të keni tani dhe në të ardhmen.
“Çfarë mundësie të lavdishme keni që ta jepni mësim ungjillin e Jezu Krishtit! Pavarësisht nëse keni apo jo një thirrje të veçantë për të dhënë mësim, ju jeni një mësues/e. Si një dishepull/e i/e Mësuesit Mjeshtër, Jezu Krishtit, ju keni mundësi ta përhapni dritën e Tij kudo që shkoni – në shtëpi, në kishë, teksa u jepni shërbesë të tjerëve dhe mes miqve tuaj. Të japësh mësim ungjillin është një mirëbesim i shenjtë. Është një pjesë thelbësore e punës së Zotit dhe ajo funksionon më së miri kur e bëjmë atë sipas mënyrës së Tij.” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2022], f. 1)
-
Pse mësimdhënia e ungjillit të Jezu Krishtit mund të shihet si një “mirëbesim i shenjtë”?
-
Si ndihesh rreth mësimdhënies së ungjillit?
Ne japim mësim dhe mësojmë me anë të Shpirtit
Nëse krijuat tri kolona në tabelë, emërtojini dy të tjerat Mësuesit dhe Nxënësit. Ftojini nxënësit të shtojnë cilësitë e mësuesve ose nxënësve që zbulojnë në vargjet vijuese.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 50:13–14, 17–22, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari dëshiron që të jepet mësim ungjilli i Tij.
-
Çfarë mendon se do të thotë të japësh mësim dhe të mësosh me anë të Shpirtit?
-
Cilat janë disa nga bekimet që marrim kur japim mësim dhe mësojmë me anë të Shpirtit?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë një parim si: Kur japim mësim dhe mësojmë vetë me anë të Shpirtit, ne e kuptojmë njëri-tjetrin dhe lartësohemi e gëzohemi së bashku. Mund t’u kujtoni nxënësve që të lartësohesh do të thotë të forcohesh shpirtërisht ose të marrësh zemër.
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se ç’do të thotë të japësh mësim dhe të mësosh me anë të Shpirtit, mund t’u jepni disa referenca të shkrimeve të shenjta të tilla si Alma 31:5; Doktrina e Besëlidhje 42:14; 88:118, 122 dhe 130:18–19. Ftojini nxënësit të punojnë me partnerë ose në grupe të vogla për të përcaktuar se si japim mësim dhe mësojmë me anë të Shpirtit. Shtojini këto ide në kolonat “Mësuesit” dhe “Nxënësit” në tabelë.
Për t’i ndihmuar nxënësit të ndiejnë rëndësinë e këtij parimi, mund të shfaqni materialin filmik “Come, Follow Me: Rejoice Together” [“Eja, Më Ndiq: Gëzohuni së Bashku”] (1:20) në ChurchofJesusChrist.org ose diskutojini si klasë pyetjet vijuese. Nxënësit mund ta vlerësojnë po t’ju dëgjojnë të tregoni se si jeni bekuar nga të dëgjuarit dhe të mësuarit prej tyre në seminar.
-
Kur i keni përjetuar këto bekime si një mësues ose nxënës i ungjillit?
-
Çfarë mund të bëjmë në orën tonë të seminarit për t’u siguruar që të gjithë të mund t’i marrin këto bekime?
Ne mund të japim mësim sipas mënyrës së Shpëtimtarit
Ftojini nxënësit të përgatitin një mësim të shkurtër të ungjillit për ta dhënë. Nxënësit mund të përgatiten individualisht ose me një partner. Ftojini nxënësit të marrin parasysh me lutje nevojat e shokëve të tyre të klasës dhe të përcaktojnë një mesazh ose temë që mund t’i trajtojë ato nevoja.
Disa nga mundësitë për mësimin mund të përfshijnë:
-
Një fragment të zotërimit doktrinor.
-
Një varg ose histori të parapëlqyer nga shkrimet e shenjta.
-
Një pjesë “Të Vërtetat e Përjetshme” nga materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve.
-
Një pjesë nga mësimi i kësaj jave te manuali Eja Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën.
Fletushka më poshtë mund t’i ndihmojë nxënësit të përgatitin mësimin e tyre. Ndërsa përgatiten për të dhënë mësim, mund t’u kujtoni nxënësve karakteristikat e mësuesve dhe nxënësve të ungjillit që ata i renditën në tabelë. Mund t’i ftoni të kërkojnë të jenë nxënës të mirë të ungjillit ndërsa shokët e tyre të klasës japin mësimet e veta. Pasi të kenë pasur kohë të përshtatshme përgatitjeje, ftojini nxënësit t’ia japin mesazhin e tyre një partneri ose një grupi të vogël. Si të jetë e përshtatshme, mund t’i ftoni disa nxënës që t’ia japin mesazhin e tyre klasës.
Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit
Krijo një mësim të shkurtër për ungjillin që t’i ndihmosh të tjerët të mësojnë rreth Jezu Krishtit. Kërko frymëzim nga Fryma e Shenjtë ndërsa e përgatit dhe e jep mësimin tënd. Përvijimi i mëposhtëm i mësimit mund të të ndihmojë të përgatitesh për të dhënë mësim.
-
Tema e mësimit dhe/ose referencat e shkrimeve të shenjta:
-
E vërteta ose parimi kyç që do të jap mësim:
-
Si do ta përqendroj këtë mësim te Jezu Krishti:
-
Pyetja/et që do të bëj:
-
Si e kam ndier fuqinë e kësaj të vërtete në jetën time (dëshmia):
-
Çfarë do t’i ftoj të bëjnë nxënësit:
Ne i mësojmë të vërtetat e ungjillit me anë të Shpirtit
Pas veprimtarisë, ftojini nxënësit të vlerësojnë përvojën e mësimdhënies dhe të të mësuarit. Mund t’u referoheni listave në tabelë dhe të diskutoni se si u përpoqën nxënësit t’i vinin në zbatim këto cilësi. Ata mund t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
Çfarë vëzhgove rreth mësimdhënies sipas mënyrës së Shpëtimtarit gjatë kësaj veprimtarie? Çfarë vure re rreth të mësuarit me anë të Shpirtit?
-
Pas kësaj veprimtarie, si ndihesh rreth aftësisë sate për të dhënë mësim me anë të Shpirtit?
Lavdërojini nxënësit për përpjekjet e tyre për të dhënë mësim dhe për të mësuar me anë të Shpirtit. Mund t’i ftoni nxënësit të vazhdojnë ta ushtrojnë atë që kanë mësuar ndërsa e japin mësim dhe e studiojnë ungjillin.