Seminari
Mësimi 64 – Doktrina e Besëlidhje 49: Martesa midis një Burri dhe një Gruaje Shugurohet nga Perëndia


“Mësimi 64 – Doktrina e Besëlidhje 49: Martesa midis një Burri dhe një Gruaje Shugurohet nga Perëndia”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 49”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 64: Doktrina e Besëlidhje 49–50

Doktrina e Besëlidhje 49

Martesa midis një Burri dhe një Gruaje Shugurohet nga Perëndia

një çift i sapomartuar duke vështruar drejt tempullit

Shumë ide dhe tradita të rreme ekzistonin ndërsa Rivendosja filloi të shpalosej. Shpëtimtari i korrigjoi me dashuri idetë e rreme dhe sqaroi pika të doktrinës që janë thelbësore për shpëtimin tonë, të tilla si martesa dhe familja. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë rëndësinë e martesës dhe familjes në planin e Atit Qiellor.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Qëllimi i tokës

toka

Për ta filluar orën mësimore, merreni parasysh të shfaqni figura që komunikojnë atë që ju pëlqen nga toka. Bëjuni nxënësve pyetje si ato në vijim:

  • Çfarë të pëlqen më shumë nga toka?

  • Kush e krijoi tokën? (Shih te Moisiu 1:33; Abraham 3:22–24.)

  • Cilat janë disa arsye pse Jezu Krishti e krijoi tokën?

Nxënësit me gjasë do të kenë disa përgjigje të ndryshme për pyetjen e fundit. Vlerësojini dhe falënderojini për përgjigjet e tyre. Nëse nxënësit nuk flasin për martesën ose familjen, përmendni që Presidenti Rasëll M. Nelson dha një arsye tjetër për krijimin e tokës. Shpërndajeni thënien vijuese. Pasi ta lexoni thënien, merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të japin mendimet e tyre rreth saj. Inkurajojini ata të kërkojnë prova që e mbështetin këtë thënie gjatë gjithë mësimit.

Presidenti Rasëll M. Nelson

“E përmbledhur thjesht, toka u krijua që familjet të mund të jenë.” (Russell M. Nelson, “The Creation”, Ensign, maj 2000, f. 85)

“Martesa shugurohet nga Perëndia”

Ky mësim do të përqendrohet te Doktrina e Besëlidhje 49:15–17 dhe te doktrina e martesës dhe familjes. Nëse nxënësit mund të kenë dobi nga diskutimi i temave të tjera që përmbahen në këtë pjesë, merreni parasysh të përdorni pjesën “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” në këtë mësim.

Shpejt pasi shenjtorët filluan të vendoseshin në Kirtland të Ohajos, një i sapokthyer në besim i quajtur Liman Kopli donte që misionarët t’ua predikonin ungjillin anëtarëve të grupit të tij të mëparshëm fetar, shejkërve. Shejkërat besonin se Ardhja e Dytë kishte ndodhur tashmë dhe se Krishti qe shfaqur në formën e një gruaje që quhej En Li. Ata e refuzonin martesën dhe disa shejkëra e ndalonin ngrënien e mishit. Profeti Jozef Smith i kërkoi Zotit sqarim dhe mori seksionin Doktrina e Besëlidhje 49. Zoti e udhëzoi Sidni Rigdonin, Parli P. Pratin dhe Liman Koplin që t’ua çonin zbulesën shejkërve dhe t’u predikonin të vërtetën.

ikona e zotërimit doktrinor Doktrina e Besëlidhje 49:15–17 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 49:15–17, duke kërkuar mësimet e Jezu Krishtit në lidhje me martesën dhe familjen.

  • Çfarë pyetjesh ke për këto vargje?

  • Si mund t’i përmbledhim mësimet e Shpëtimtarit nga këto vargje?

    Merreni parasysh t’u jepni nxënësve disa çaste që të mendojnë për pohime përmbledhëse. Më pas ftojeni një nxënës t’i renditë pohimet e tyre në tabelë. Në mënyrë që nxënësit të kenë sukses, mund t’ju duhet të ndihmoni të sqarohen disa nga frazat te vargjet. Ndihmojini ata të përcaktojnë të vërteta si martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe bashkëshortet dhe bashkëshortët urdhërohen të bëhen një dhe të kenë fëmijë.

  • Pse ishin këto të vërteta të rëndësishme që t’i kuptonin shejkërat dhe të tjerët në kohën e Jozef Smithit?

    Nëse dëshironi mund të vini në dukje se shejkërat besonin në beqari të plotë ose te heqja dorë nga martesa dhe marrëdhëniet seksuale. Më pas mund të diskutoni bindje të zakonshme në kohën tonë që i bëjnë njerëzit ta refuzojnë martesën. Mund të përdorni një ose të dyja pyetjet vijuese:

  • Cilat janë disa bindje të botës që i bëjnë njerëzit ta refuzojnë martesën në kohën tonë?

  • Çfarë prove keni parë të Satanit që përpiqet ta ndryshojë ose shkatërrojë shenjtërinë e martesës dhe familjes në planin e Atit Qiellor?

ikona e fletushkësFletushka vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit t’i kuptojnë më mirë mësimet e Shpëtimtarit mbi martesën dhe familjen. Nëse dëshironi mund t’i ftoni nxënësit të kërkojnë një dëshmi shpirtërore për rëndësinë e martesës dhe familjes ndërsa studiojnë. Mund ta ndani klasën në gjysmë dhe t’i caktoni secilës gjysmë të studiojë një pjesë të fletushkës në mënyrë të pavarur. Pas një kohe të mjaftueshme, caktojeni në dyshe çdo nxënës me dikë nga gjysma tjetër e klasës. Ftojini ata t’ia tregojnë njëri-tjetrit atë që mësuan dhe të flasin rreth pyetjeve për diskutim.

Martesa dhe Familja Shugurohen nga Perëndia.

Martesa midis një burri dhe një gruaje

Studim:

Lexo te Marku 10:6–9; 1 Korintasve 11:11 dhe thënien vijuese nga Motra Boni L. Oskarson, ish-Presidente e Përgjithshme e Të Rejave. Kërko mësime rreth martesës midis një burri dhe një gruaje.

Presidentja Boni L. Oskarson

“Në shkrimet e shenjta na mësohet: ‘Gjithsesi në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin’ [1 Korintasve 11:11]. Në mënyrë që çdokush të arrijë plotësinë e bekimeve të priftërisë, duhet të ketë një burrë dhe një grua të vulosur në shtëpinë e Zotit, të cilët punojnë së bashku në drejtësi dhe qëndrojnë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre. Ky është plani i Zotit për fëmijët e Tij dhe asnjë masë diskutimi apo kritike publike nuk do ta ndryshojë atë që Zoti ka shpallur. … Le të jemi mbrojtëse të martesës ashtu si Zoti e ka shuguruar atë, ndërsa vazhdojmë të tregojmë dashuri dhe dhembshuri për ata me pikëpamje të ndryshme.” (Boni L. Oskarson, “Mbrojtëse të Proklamatës së Familjes”, Liahona, maj 2015, f. 15)

Diskutoni:

  • Si ndihmon martesa mes një burri dhe një gruaje për të përmbushur “planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”? (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org)

  • Si mund të tregojmë dhembshuri për ata me pikëpamje të ndryshme ndërkohë që mbrojmë gjithsesi doktrinën e Shpëtimtarit për martesën mes një burri dhe një gruaje?

“Shumëzohuni, mbushni tokën”

Studim:

Lexo te Zanafilla 1:27–28; Psalmeve 127:3; Marku 10:13–14 dhe thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërko mësimet e Zotit rreth fëmijëve.

Plaku Nil L. Andersen

“Kur vështrojmë në sytë e një fëmije, ne shohim një bashkëbir apo bashkëbijë të Perëndisë që ishte me ne në jetën para lindjes.

Është një privilegj i madh i një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje që janë në gjendje të lindin fëmijë për të dhënë trupa të vdekshëm për këta fëmijë shpirtra të Perëndisë. Ne besojmë te familjet dhe ne besojmë te fëmijët.

Kur një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje u lind një fëmijë, ata po plotësojnë një pjesë të planit të Atit tonë Qiellor për të sjellë fëmijë në tokë. Zoti tha: ‘Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut’ [Moisiu 1:39]. Përpara pavdekësisë duhet të ketë vdekshmëri.” (Nil L. Andersen, “Fëmijët”, Liahona, nëntor 2011, f. 28)

Diskutoni:

  • Si mund ta ndihmojë të parit e fëmijëve dhe familjes me një këndvështrim të përjetshëm, një çift të martuar që t’u japë përparësi disa prej vendimeve të veta?

  • Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit për sa i përket mënyrës se si i trajtojmë dhe ndërveprojmë me fëmijët?

Merreni parasysh t’u jepni nxënësve kohë për të shpjeguar rolin e martesës dhe familjes në planin e Atit Qiellor. Ata mund të përzgjedhin një nga bindjet e botës rreth martesës që u diskutuan më herët, dhe të përdorin doktrinën e Shpëtimtarit që jepet mësim te Doktrina e Besëlidhje 49:15–17 për ta korrigjuar atë bindje.

Nëse dëshironi, mund të jepni dëshminë tuaj rreth mënyrës se si doktrina e Shpëtimtarit për martesën dhe familjen e ka bekuar jetën tuaj. Nxënësit mund të japin përvoja dhe dëshmi gjithashtu.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të shënojnë përshtypjet që kanë pasur rreth rëndësisë së martesës dhe familjes te plani i Atit Qiellor.