“Doktrina e Besëlidhje 27:1–14: ‘Ta Bëni Atë me Syrin Drejtuar te Lavdia Ime’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 27:1–14”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 41: Doktrina e Besëlidhje 27–28
Doktrina e Besëlidhje 27:1–14
“Ta Bëni Atë me Syrin Drejtuar te Lavdia Ime”
Pas organizimit të Kishës në prill 1830, përndjekja e anëtarëve të Kishës vazhdoi. Një ditë, ndërsa Jozef Smithi po udhëtonte që të merrte verë për ta përdorur për sakramentin, atë e ndali një lajmëtar qiellor i cili i tregoi të vërteta që kishin për qëllim t’i ndihmonin shenjtorët. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të përgatiten më mirë për ta marrë sakramentin me syrin drejtuar te lavdia e Perëndisë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Sakramenti
Merreni parasysh ta paraqitni skenarin vijues. Vërini nxënësit në dyshe me një person që është shoku ose shoqja në skenar. Ftojini nxënësit ta interpretojnë me role këtë situatë shkurtimisht përpara se të vazhdojnë.
Përndryshe, ftojini nxënësit të sajojnë një skenar të vetin ku përfshihet dikush që nuk e kupton ose që nuk ka pasur përvoja të mira me sakramentin.
Shoku ose shoqja të thotë: “Çdokush thotë se sakramenti është shumë i rëndësishëm, por në të vërtetë mua nuk më duket ndonjë gjë me aq rëndësi. Çfarë po më shpëton?”
-
Çfarë pyetjesh mund të bësh?
-
Çfarë mund t’i tregoje?
Ftojini nxënësit të mendojnë për sa vijon:
Përsiati përvojat e tua të kohëve të fundit me marrjen e sakramentit. A janë kuptimplota përvojat e tua me sakramentin? Përse po ose përse jo?
Ndërsa studion te Doktrina e Besëlidhje 27, kërko të vërteta që mund të të udhërrëfejnë ty dhe të tjerë që të keni përvoja më kuptimplota dhe të fuqishme nëpërmjet sakramentit.
Sakramenti: ajo që ka rëndësi dhe ajo që nuk ka
Në gusht të vitit 1830, Njull dhe Selli Najti udhëtuan nga Kollsvilli i Nju-Jorkut, për të vizituar Profetin Jozef Smith dhe bashkëshorten e tij, Emën, në Harmoni të Pensilvanisë. Të dyja, Ema dhe Selli, qenë pagëzuar më parë, por për shkak të përndjekjes nga një turmë, asnjëra nuk qe konfirmuar si anëtare e Kishës dhe nuk e kishte marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Përpara se çifti Najt të kthehej në shtëpi, Jozefi dhe miqtë e tij vendosën të merrnin sakramentin së bashku dhe të kryenin konfirmimet.
Me këtë historik në mendje, lexoje kreun e kapitullit Doktrina e Besëlidhje 27 për të parë se si u mor kjo zbulesë.
Ftojini nxënësit të tregojnë atë që gjetën që ishte interesante për ta. Merreni parasysh të shpjegoni se lajmëtari qiellor dha një mesazh nga Shpëtimtari. Nëse nxënësit pyesin pse përdorim ujë në vend të verës në sakrament, ftojini ata të kërkojnë një parim që zbulohet në këtë pjesë i cili mund të ndihmojë për t’i dhënë përgjigje asaj pyetjeje.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 27:1–2, duke kërkuar atë që mësoi Jozefi rreth sakramentit.
-
Çfarë të bëri përshtypje? Përse?
Ftojini disa nxënës të japin mendimet e tyre. Kërkoni mënyra për të treguar që i vlerësoni përgjigjet e tyre.
Nëse nxënësit nuk tregojnë natyrshëm të vërteta, merreni parasysh të bëni pyetjen: “Çfarë mësoni nga këto vargje rreth mënyrës se si duhet ta marrim sakramentin?” Teksa nxënësit përgjigjen, përdorini fjalët e tyre për të shkruar një parim në tabelë. Ai mund të jetë i ngjashëm me sa vijon: Ne duhet ta marrim sakramentin me syrin drejtuar te lavdia e Perëndisë, duke kujtuar Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij për ne.
Nëse është e dobishme, merreni parasysh t’i pyesni nxënësit se cilat fraza nga këto vargje do të donin të përsiatnin ose t’i kuptonin më mirë. Materiali vijues mund të ndihmojë:
-
“Çfarë mendoni se do të thotë ta marrësh sakramentin me syrin drejtuar te lavdia e Perëndisë?
“Pasja e syrit të drejtuar te lavdia e Perëndisë do të thotë të përqendrohemi shpirtërisht te Shpëtimtari dhe te vepra e Tij shëlbuese dhe jo te vetja jonë” (shih Marlin K. Jensen, “An Eye Single to the Glory of God”, Ensign, nëntor 1989, f. 27–28). Nxënësit mund të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 88:67–68 për të parë bekimet e premtuara për pasjen e syrit të drejtuar te lavdia e Perëndisë. Nxënësit mund të tregojnë edhe se çfarë mendojnë se do të thotë të jesh i mbushur me dritë.
Ndihmojini nxënësit të vijnë te Jezu Krishti: Materiali vijues ka si synim t’i ndihmojë nxënësit të vijnë te Krishti duke i parë sakramentin dhe Shlyerjen e Krishtit si dhurata vetjake për ta. Për më shumë trajnim mbi mënyrën se si t’i nxitni nxënësit të vijnë te Jezu Krishti, shihni trajnimin e titulluar “Ndihmojini nxënësit t’i dallojnë dashurinë, fuqinë dhe mëshirën e Zotit në jetën e tyre”. Ky trajnim gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve.
Engjëlli zbuloi mesazhin e Shpëtimtarit për të kujtuar që trupi i Shpëtimtarit “u dha për ju” dhe që gjaku i tij “u derdh për heqjen e mëkateve tuaja” (Doktrina e Besëlidhje 27:2; theksimi i shtuar).
Merreni parasysh t’i inkurajoni nxënësit të shenjojnë frazat “për ju” dhe “mëkateve tuaja”. Nëse duan, ata mund të shkruajnë emrin e vet në shkrimet e tyre të shenjta në anë të këtyre frazave për ta personalizuar këtë varg. Nxënësit mund të shenjojnë edhe fraza të ngjashme te Lluka 22:19–20, nga koha kur Shpëtimtari ua administroi sakramentin Apostujve të Tij.
-
Si mendon, çfarë do të thotë të kujtosh flijimin e Shpëtimtarit “për [ty]” personalisht dhe për “mëkate[t e tua]” ndërsa merr sakramentin?
Për një shembull të dikujt i cili e kuptoi natyrën vetjake të flijimit të Shpëtimtarit dhe sakramentit, shikoni materialin filmik “That I Might Draw All Men unto Me” [“Që t’i Tërheq të Gjithë Njerëzit tek Unë”] nga kodi kohor 7:16 deri në 9:14, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
Një profeci dhe një premtim
Për ta theksuar mësimdhënien e Tij, Zoti profetizoi se Ai do ta administronte sakramentin në të ardhmen. Lexo te Doktrina e Besëlidhje 27:5 për të parë profecinë. (Shih edhe te Lluka 22:18.)
Hidh një sy të shpejtë te Doktrina e Besëlidhje 27:6–14 për të parë se kush tjetër do të rikthehet.
Inkurajojini nxënësit ta imagjinojnë këtë rast dhe të përsiatin se çfarë ndiejnë rreth premtimit të Shpëtimtarit se do të rikthehet dhe do ta marrë sakramentin me ndjekësit e Tij. Kërkojuni atyre të përsiatin se çfarë mund të ndiejnë po të jenë atje. Mund t’u kërkoni nxënësve të tregojnë se çfarë na mëson kjo profeci rreth rëndësisë së sakramentit.
Kini kujdes që të mos spekuloni rreth kësaj mbledhjeje dhe mënyrës se si mund të ngjasë ajo.
Drejtohu te thënia nga Plaku Brus R. Mek‑Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (1915–1985) në pjesën “Burime Shtesë”.
-
Si mund të ndikojë të qenit me Shpëtimtarin ndërkohë që e merr sakramentin?
Zbatimi në planin personal
Bëj dy ose tri nga veprimtaritë vijuese që të të ndihmojnë të përgatitesh për ta marrë sakramentin me syrin drejtuar te lavdia e Perëndisë.
-
Rendit të vërteta rreth Shpëtimtarit që mendon se do të ishin të fuqishme për t’u kujtuar gjatë sakramentit.
-
Shëno në ditarin tënd përvoja kur Shpëtimtari të ka ndihmuar ty ose dikë që e njeh. Shpjego pse mund të jetë e dobishme t’i kujtosh përvoja si këto gjatë sakramentit.
-
Rendit shkrime të shenjta ose himne rreth Shpëtimtarit dhe flijimit të Tij për ty që ndien se do të ishin të dobishme t’i përsiatje gjatë sakramentit. Merr parasysh të përfshish rreshta ose fraza të caktuara që të duken veçanërisht të dobishme dhe arsyen pse.
-
Reflekto për nevojën tënde vetjake për flijimin e Shpëtimtarit. Kjo mund të përfshijë përsiatjen e besëlidhjeve të tua me Zotin dhe çdo mëkat kryerjeje (kur bëjmë atë që nuk duhet) ose moskryerjeje (kur nuk bëjmë atë që duhet) për të cilin duhet pendim.
-
Rendit shpërqendrime të mundshme që nevojitet t’i shmangësh gjatë sakramentit dhe arsyet ose ndien se duhet t’i shmangësh ato për të pasur një përvojë më kuptimplotë me sakramentin.
-
Rendit mënyra të tjera se si mund të përqendrohesh te Shpëtimtari gjatë sakramentit dhe arsyet pse ato mund të jenë të dobishme.
Ftojini nxënësit të diskutojnë atë që mësuan dhe ndien ndërsa bënë veprimtaritë që zgjodhën.
Ftojini ata të reflektojnë përsëri për përvojat e tyre me sakramentin teksa bëjnë sa vijon:
Zgjidh plot lutje atë që do të bësh për ta marrë sakramentin me syrin drejtuar te lavdia e Perëndisë këtë të diel që vjen. Bëj një plan për mënyrën se si ta vësh në zbatim atë veprim. Merr parasysh se si bërja e kësaj gjatë disa mbledhjeve të ardhshme të sakramentit mund të ndikojë tek ti dhe te marrëdhënia jote me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Kërko ndihmën e Tyre ndërsa përpiqesh fort ta çosh deri në fund planin tënd.
Dëshmoni për fuqinë e Shpëtimtarit që mund të vijë nëpërmjet ordinancës së sakramentit. Merreni parasysh të tregoni një përvojë që keni pasur me sakramentin. Inkurajojini nxënësit të kërkojnë vetë përvojat e tyre.