Seminari
Mësimi 35: Doktrina e Besëlidhje 20:1–36: Organizimi i Kishës së Jezu Krishtit


“Doktrina e Besëlidhje 20:1–36: Organizimi i Kishës së Jezu Krishtit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 20:1–36”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 35: Doktrina e Besëlidhje 20–22

Doktrina e Besëlidhje 20:1–36

Organizimi i Kishës së Jezu Krishtit

grumbullim në shtëpinë Uitmer për organizimin e Kishës

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua në shtëpinë e Piter dhe Meri Uitmerit në Fajetë, Nju-Jork, më 6 prill 1830. Doktrina e Besëlidhje 20 zbulon dëshirat e Zotit për Kishën e saporivendosur. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë rëndësinë e Kishës së Shpëtimtarit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Rëndësia e një kishe

Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në grupe të vogla për të ushtruar shpjegimin e mënyrës se si ata mund t’i përgjigjen skenarit vijues. Mund të merrni parasysh gjithashtu ta përdorni skenarin që jepet nga Presidenti Dallin H. Ouks në bisedën e tij “Nevoja për një Kishë”, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 0:00 deri në 0:48.

15:54

Imagjino sikur ndërkohë që diskutoje me miqtë e tu atë që bëre gjatë fundjavës, ti përmende pjesëmarrjen në kishë. Një nga shokët e tu u përgjigj: “Nuk dua të tregohem i pasjellshëm, por nuk e kuptoj qëllimin e fesë së organizuar. A e ndien me të vërtetë sikur ke nevojë për një kishë për t’u ndier pranë Perëndisë dhe për të qenë një person i mirë?”

  • Si mendon, përse disa njerëz nuk e kuptojnë nevojën për fenë e organizuar?

    Mund të jetë e dobishme që nxënësit t’i marrin parasysh ndjenjat e tyre të tanishme rreth rëndësisë që Shpëtimtari ta ketë Kishën e Tij mbi tokë. Mund t’i ftoni ata t’i përgjigjen pyetjes vijuese në ditarët e tyre të studimit:

  • Si do të ishte jeta jote ndryshe pa Kishën e Jezu Krishtit?

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për t’i shkruar përgjigjet e tyre, disa nxënës të gatshëm mund t’ia tregojnë klasës përgjigjet e tyre. Nxitini ata ndërsa studiojnë sot, t’i kërkojnë të vërtetat që mund t’i ndihmojnë ta kuptojnë më mirë rëndësinë e Kishës së Shpëtimtarit.

Organizimi i Kishës së Jezu Krishtit

Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë kontekstin historik të organizimit të Kishës, ju mund ta përmblidhni paragrafin vijues ose të vini një nxënës që ta lexojë atë. Përndryshe, mund të lexoni rreth ngjarjeve që ndodhën afër këtij rasti te Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, vëll. 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846, f. 84–86.

Njëmbëdhjetë ditë pasi u botua Libri i Mormonit, më 6 prill 1830, Kisha e Krishtit u organizua. Organizimi ndodhi në shtëpinë e Piter dhe Meri Uitmerit në Fajetë, Nju-Jork. Për të përmbushur kërkesat ligjore, u zgjodhën gjashtë njerëz për t’u bërë anëtarët e parë të kishës së re. Rreth 40 të tjerë ishin gjithashtu të pranishëm për ta dëshmuar këtë rast shumë të rëndësishëm. Më vonë, në vitin 1838, Zoti zbuloi emrin e Kishës siç e njohim sot: Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 20:1–4, duke kërkuar rolin e Zotit në organizimin e Kishës së Tij.

  • Çfarë gjete?

    Një e vërtetë që mund ta përcaktojnë nxënësit, mund të jetë që Jezu Krishti e organizoi Kishën e Tij në ditët e sotme nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

    Nëse dëshironi mund t’i ftoni nxënësit të përsiatin për përgjigjet e tyre për pyetjen vijuese përpara se t’i diskutojnë përgjigjet si klasë ose në grupe.

  • Si mendon, përse Shpëtimtari do ta donte Kishën e Tij mbi tokë?

ikonë grafikePër t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë më mirë qëllimet e Shpëtimtarit për të pasur Kishën e Tij mbi tokë, merreni parasysh ta shpërndani fletushkën shoqëruese. Jepuni nxënësve kohë për të studiuar vetëm, me një partner ose në një grup të vogël.

Shpjegoni se pasi të studiojnë, ata do të kenë një mundësi për ta përmbledhur atë që kanë mësuar rreth arsyes përse kemi nevojë për Kishën e Shpëtimtarit mbi tokë. Nxitini ata të mbajnë shënim gjërat që duan të kujtojnë ndërsa e përgatitin shpjegimin e tyre.

Përse Shpëtimtari ka një Kishë?

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e BesëlidhjetDoktrina e Besëlidhje 20:1–36

  1. Lexoji thëniet vijuese dhe nënvizoji arsyet përse Shpëtimtari ka një Kishë.

    Presidenti Dallin H. Ouks

    “Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit është vendosur për të dhënë mësim plotësinë e doktrinës së Tij dhe për të drejtuar me autoritetin e Tij të priftërisë kryerjen e ordinancave të nevojshme për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë. Anëtarët që heqin dorë nga frekuentimi i Kishës, dhe mbështeten vetëm te shpirtshmëria individuale, e shkëputin veten nga këto gjëra thelbësore të ungjillit: fuqia dhe bekimet e priftërisë, plotësia e doktrinës së rivendosur dhe shtysat e mundësitë për ta vënë në zbatim atë doktrinë.” (Dallin H. Ouks, “Nevoja për një Kishë”, Liahona, nëntor 2021, f. 25)

    Plaku D. Tod Kristoferson

    “Pas braktisjes dhe shpërbërjes së Kishës që Ai kishte organizuar ndërsa ishte në tokë, Zoti e rithemeloi Kishën e Jezu Krishtit edhe një herë nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Qëllimi i dikurshëm vazhdon të jetë po ai: që është, të predikohet lajmi i mirë i ungjillit të Jezu Krishtit dhe të administrohen ordinancat e shpëtimit – me fjalë të tjera, të sillen njerëzit te Krishti. Dhe tani, nëpërmjet përdorimit të organizimit të kësaj Kishe të rivendosur, premtimi i shëlbimit është i mundur të arrihet madje edhe nga shpirtrat e të vdekurve, të cilët në tërë jetën e tyre të vdekshme dinin pak ose aspak për hirin e Shpëtimtarit.” (D. Tod Kristoferson, “Përse Kisha”, Liahona, nëntor 2015, f. 108)

    Shkruaje një përmbledhje të shkurtër të asaj që mësove nga këto thënie rreth arsyes përse Shpëtimtari ka një Kishë mbi tokë.

  2. Kur Kisha u organizua në prill 1830, Libri i Mormonit ishte botuar kohët e fundit për herë të parë. Te Doktrina e Besëlidhje 20:9–36, Zoti theksoi shumë prej të vërtetave që jepen mësim në Librin e Mormonit.

    Studioji grupet vijuese të vargjeve, duke kërkuar të vërtetat e rëndësishme që dha mësim Shpëtimtari rreth Vetes dhe doktrinës së Tij. Merre parasysh t’i përdorësh poshtëshënimet për këto shkrime të shenjta për të të ndihmuar të zbulosh informacione të rëndësishme.

    Doktrina e Besëlidhje 20:8–15 (Libri i Mormonit dhe roli i tij në Rivendosje)

    Doktrina e Besëlidhje 20:17–25 (Plani i shpëtimit)

    Zgjidh dy ose më shumë prej të vërtetave që studiove. Shkruaje përse mendon se do të ishte e rëndësishme që këto të vërteta të theksoheshin ndërsa Kisha po themelohej.

ikona e trajnimit Nxitini nxënësit t’i tregojnë të vërtetat që po mësojnë: Pjesa vijuese e mësimit u jep nxënësve një mundësi për ta përsiatur dhe më pas treguar atë që po mësojnë. Për t’u ushtruar më shumë për këtë, shihni trajnimin e titulluar “Ndihmojini studentët të krijojnë ose të nisin bashkëbisedime për ungjillin”, që gjendet te trajnimi Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve.

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta plotësuar fletushkën, kujtojuni atyre skenarin nga fillimi i mësimit. Më pas jepuni atyre udhëzimet vijuese:

Duke përdorur atë që ke mësuar sot, formulo një përgjigje për ta ndihmuar dikë që nuk e kupton nevojën për Kishën e Shpëtimtarit mbi tokë. Nëse dëshiron, pyetjet vijuese mund të të ndihmojnë për të të udhërrëfyer:

  • Çfarë ka Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për të ofruar që asnjë organizatë tjetër nuk mund të na e japë?

  • Si na ndihmon Kisha e Shpëtimtarit të mësojmë për Të dhe të vijmë tek Ai?

  • Si e ka bekuar jetën tënde të qenit një anëtar i Kishës së Shpëtimtarit?

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i përgatitur përgjigjet e tyre, jepuni atyre një mundësi për t’ia treguar një nxënësi tjetër. Disa nxënës të gatshëm mund t’ia tregojnë gjithashtu përgjigjet e tyre të gjithë klasës.

Mbylleni mësimin duke dëshmuar për të vërtetat që studiuat sot.