“Doktrina e Besëlidhje 19:25–41: Të Parit e Sakrificave me një Këndvështrim të Përjetshëm”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 19:25–41”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 33: Doktrina e Besëlidhje 19
Doktrina e Besëlidhje 19:25–41
Të Parit e Sakrificave me një Këndvështrim të Përjetshëm
Martin Harrisi kishte premtuar ta hipotekonte fermën e tij për të paguar për shtypjen e Librit të Mormonit. Tipografi, E. B. Grandin, vendosi që të mos e fillonte shtypjen deri në zyrtarizimin e marrëveshjeve. Kjo do të kërkonte që Martini ta rrezikonte shtëpinë e tij dhe pjesën më të madhe të pronës së tij për të garantuar pagesën. Zoti i dha Jozefit një zbulesë që e zgjeroi këndvështrimin e Martinit dhe i dha atij vetëbesimin e nevojshëm për të ecur përpara me marrëveshjen. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit për sakrifikimin e çfarëdo gjëje që na kërkon Ati Qiellor.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
mëdyshja e Martin Harrisit
Imagjino sikur jeton në vitin 1829 dhe je një nga besimtarët e hershëm në thirrjen e Jozef Smithit. Miku yt Martin Harrisi vjen tek ti për këshillë. Ti e di se ai jeton në një fermë të bukur prej 97 hektarësh. Ai të thotë se nëse nuk shiten kopje të mjaftueshme të Librit të Mormonit, atij do t’i duhet ta shesë shtëpinë e tij dhe pjesën më të madhe të fermës së tij për të paguar për shtypjen. Bashkëshortja dhe fqinjët e tij janë kundër rrezikimit të fermës nga ana e tij për Jozef Smithin dhe Librin e Mormonit. Ai mund të humbë shtëpinë e tij dhe marrëdhëniet e tij me njerëzit e tij të dashur.
-
Si mund të ndiheshe po të ishe në situatën e Martinit?
-
Çfarë këshille do t’i jepje atij?
-
Si mendon se krahasohej rëndësia e shtypjes së Librit të Mormonit me rëndësinë e fermës së Harrisit?
Mund të zgjidhni t’i krijoni kolonat dhe listat vijuese në tabelë.
Vizato një vijë vertikale në mes të fletës në ditarin tënd të studimit. Emërtoje kolonën e parë “Sakrificat” dhe kolonën e dytë “Këshillë nga Perëndia”.
Poshtë kolonës së parë shkruaji sakrificat që iu kërkua Martin Harrisit të bënte.
Përgjigjet mund të përfshijnë paratë e tij, shtëpinë dhe fermën, si edhe namin dhe marrëdhënien me familjen dhe miqtë.
Më pas, në të njëjtën kolonë, renditi sakrificat që Zoti u ka kërkuar ose mund t’u kërkojë adoleshentëve të bëjnë sot.
Nxënësit mund ta kenë krijuar tashmë një listë me ide të ngjashme në mësimin “Doktrina e Besëlidhje 19:1–24, Pjesa 1”. Nëse po, mund t’ua kujtoni atyre atë listë dhe t’i pyesni nëse do të donin t’i shtonin ndonjë gjë.
Një këndvështrim i përjetshëm
Hape te pjesa “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023). Lexo te paragrafi 8, duke kërkuar ide që mund të jenë të dobishme në situatën e Martin Harrisit ose në situatat kur Zoti na kërkon të bëjmë sakrifica sot.
Ftojini nxënësit ta renditin atë që gjetën në kolonën “Këshillë nga Perëndia” në ditarët e tyre të studimit dhe në tabelë.
-
Përse është një këndvështrim i përjetshëm kaq i rëndësishëm kur Zoti na kërkon të bëjmë gjëra të vështira?
Ndihmojini nxënësit ta kuptojnë se kur i shohim këto sakrifica nga një këndvështrim tokësor, ato mund të duken dërrmuese dhe të padrejta. Ky këndvështrim i kufizuar mund të çojë në vendime për të cilat do të na vijë keq më vonë.
Ndërsa nxënësit i studiojnë vargjet vijuese, ftojini ata t’i shenjojnë idetë që gjejnë dhe t’i shtojnë ato te kolona “Këshillë nga Perëndia”.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 19:26–28, 32–35, 38–41 dhe kërkoje këshillën që Zoti i dha Martin Harrisit, që mund ta ndihmonte atë t’i shihte shqetësimet e tij me një këndvështrim të përjetshëm.
Ftojini nxënësit ta tregojnë këshillën që gjetën si thënie të së vërtetës. Ata mund të përcaktojnë këshillë si ajo në vijim:
Ne nuk duhet ta lakmojmë pronën tonë, por ta japim lirisht atë për punën e Perëndisë (shihni te vargu 26).
Shpërfillja e asaj që Zoti ka këshilluar, do të shkaktojë përfundimisht mjerim dhe shkatërrim (shihni te vargjet 32–33).
Nëse e kemi Shpirtin me ne, bekimi ynë është më i madh se thesaret e tokës (shihni te vargu 38).
-
Si mund ta kenë ndihmuar të vërtetat që gjete Martin Harrisin?
-
Si mund të shihet dashuria e Perëndisë për Martinin në këtë zbulesë?
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, tregoi sa vijon rreth përgjigjes së Martin Harrisit ndaj kësaj zbulese:
“Një nga ndihmesat më të mëdha të Martin Harrisit për Kishën, për të cilën ai duhet të nderohet për gjithë kohën, ishte financimi i tij për botimin e Librit të Mormonit. Në gusht 1829, ai e hipotekoi shtëpinë dhe fermën e tij për Egbert B. Grandinin, që të siguronte pagesën për kontratën e tipografit. Shtatë muaj më vonë, u përfunduan të 5000 kopjet e shtypjes së parë të Librit të Mormonit. Më vonë, kur dëftesës së hipotekës i mbaroi afati, shtëpia dhe një pjesë e fermës u shitën për 3000 dollarë. Në këtë mënyrë, Martin Harrisi iu bind zbulesës së Zotit.” (Dallin H. Oaks, “The Witness: Martin Harris”, Ensign, maj 1999, f. 36)
-
Si e mishëruan veprimet e Martinit sjelljen si të Krishtit?
-
Nga një këndvështrim i përjetshëm, përse ia vlen sakrifica e Martinit?
Mund t’i ftoni nxënësit të reflektojnë mbi atë që mësuan në studimin e tyre të gjysmës së parë të seksionit 19. Merreni parasysh ta diskutoni me nxënësit se si gatishmëria e Shpëtimtarit për ta sakrifikuar Veten për të bërë vullnetin e Atit të Tij mund ta ketë ndihmuar Martinin të ishte i gatshëm ta sakrifikonte pronën e tij. Mund t’i ftoni nxënësit të mendojnë se si shembulli i Shpëtimtarit që bën vullnetin e Atit të Tij në mes të vuajtjes së pamasë, mund t’i frymëzojë ata t’i nënshtrohen asaj që kërkon Ati Qiellor.
Çfarë mund të kërkojë Zoti prej meje
Ftojini nxënësit të zgjedhin një gjë të shkruar te kolona “Sakrificat” që ka të bëjë me adoleshentët sot dhe të përzgjedhin një ose më shumë nga këshillat e Zotit te kolona “Këshillë nga Perëndia”, që mund ta ndihmojë dikë ta bëjë atë sakrificë. Mund t’i ndani më pas nxënësit në dyshe dhe t’i ftoni t’ia shpjegojnë partnerit të tyre se si këshilla mund ta ndihmojë dikë që i kërkohet ta bëjë atë sakrificë.
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për të folur me njëri-tjetrin, mund të kërkoni vullnetarë që t’ia tregojnë klasës përgjigjet e tyre.
Mund të paraqitni më pas udhëzimet vijuese dhe t’i ftoni nxënësit t’i mbajnë shënim mendimet e tyre në ditarët e tyre të studimit.
-
Në ditarin tënd të studimit, mbaje shënim një situatë në të cilën Zoti mund të dojë që t’i nënshtrohesh vullnetit të Tij, që mund të jetë e vështirë për ty.
-
Renditi pengesat me të cilat mund të përballesh në përpjekjen për ta bërë vullnetin e Tij.
-
Shkruaje se si të parit e situatës sate nga këndvështrimi i përjetshëm i Perëndisë mund të të ndihmojë ta kapërcesh cilëndo nga këto pengesa.
-
Mbaje shënim se si shembulli i Shpëtimtarit te Doktrina e Besëlidhje 19 mund të të frymëzojë t’i nënshtrohesh vullnetit të Atit Qiellor. (Nëse dëshiron, mund t’i lexosh vargjet 2, 16–19, 23–24.)
-
Përvijoji hapat e parë që mund të marrësh për ta ndjekur shembullin e Shpëtimtarit në situatën tënde.