“Doktrina e Besëlidhje 19:1–24, Pjesa 2: ‘Unë, [Jezu Krishti], i Kam Vuajtur Këto Gjëra për të Gjithë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 19:1–24, Pjesa 2”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 32: Doktrina e Besëlidhje 19
Doktrina e Besëlidhje 19:1–24, Pjesa 2
“Unë, [Jezu Krishti], i Kam Vuajtur Këto Gjëra për të Gjithë”
Zoti i dha mësim Martin Harrisit të vërteta të fuqishme rreth Shlyerjes së Tij te Doktrina e Besëlidhje 19. Pendimi për mëkatet tona është i mundur nëpërmjet Jezu Krishtit. Për shkak të Tij dhe Shlyerjes së Tij të mëshirshme dhe të dashur, ne mund të bëhemi të pastër nëpërmjet pendimit tonë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta vlerësojnë më thellësisht dhuratën e pendimit nga Shpëtimtari, që bëhet e mundur nëpërmjet flijimit të Tij të madh shlyes.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Të vërteta apo mite?
Për të nisur orën mësimore, ndihmojini nxënësit ta vlerësojnë atë që dinë ose besojnë rreth pendimit. Një mënyrë e mundshme për ta bërë këtë, është t’i ftoni t’i vlerësojnë thëniet vijuese. Mund ta shtypni në letër secilën thënie veçmas dhe t’i paraqitni ato në tabelë. Nxënësit mund t’i ndajnë më pas thëniet në kategoritë Të vërteta ose Mite. Një mundësi tjetër është të konfiguroni një program digjital anketimi anonim dhe t’i ftoni nxënësit të përgjigjen.
A janë thëniet vijuese të vërteta apo mite?
-
Qëllimi kryesor i pendimit është t’i ndëshkojë mëkatarët.
-
Ata që nuk pendohen, do të jenë të padenjë për t’u kthyer që të jetojnë me Perëndinë.
-
Edhe pse mund të jetë i vështirë, pendimi ia vlen.
-
Pendimi është një dhuratë nga Perëndia.
-
Ati Qiellor nuk mund të më dojë me të vërtetë derisa të pendohem.
-
Pendimi është një proces pa dhimbje.
Pyetjet vijuese mund të ndihmojnë të udhëzohet një diskutim rreth përgjigjeve të nxënësve. Për pika diskutimi të dobishme, shihni te Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Repentance”, topics.ChurchofJesusChrist.org ose “Eight Myths about Repentance”, Liahona, mars 2016, f. 52–55.
Shënim: Mos shpenzoni shumë kohë me diskutimin; nxënësit do t’i krahasojnë këto thënie me mësimet e Shpëtimtarit më vonë në mësim.
-
Çfarë i bën këto thënie të vërteta ose mite?
-
Përse disa njerëz mund të besojnë se një nga mitet është i vërtetë?
Ftojini nxënësit të mbajnë shënim shkurtimisht në ditarët e tyre të studimit ndjenjat e tyre vetjake rreth pendimit. Mund t’u kërkoni atyre t’i përfshijnë mendimet e tyre rreth të vërtetave dhe miteve që diskutuan.
Te Doktrina e Besëlidhje 19, Zoti iu përgjigj shqetësimeve të Martin Harrisit rreth humbjes së mundshme të fermës së tij për të paguar për shtypjen e Librit të Mormonit. Zoti i dha mësim Martin Harrisit rreth pendimit dhe rreth flijimit të Tij të madh shlyes. Ndërsa studion sot, mund të duash t’i mbash shënim në ditarin tënd të studimit të vërtetat që mëson rreth Shpëtimtarit dhe bekimit të pendimit që na ofron Ai.
Vuajtja e Tij e lehtëson vuajtjen tonë
Për veprimtarinë vijuese të të mësuarit, nxënësit mund të studiojnë në grupe të vogla. Nxitini nxënësit të tregojnë nderim ndërsa i studiojnë këto vargje.
Nxënësit mund të jenë të interesuar të dinë se Doktrina e Besëlidhje 19:16–19 është i vetmi rrëfim nga shkrimet e shenjta që e përfshin përshkrimin vetjak të Shpëtimtarit për vuajtjet e Tij.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 19:15–20 dhe kërkoje atë që dëshiron Shpëtimtari që ti të mësosh rreth Tij dhe rreth pendimit. Mund të duash të lutesh dhe ta ftosh Frymën e Shenjtë të të ndihmojë ta kuptosh atë që dëshiron Zoti që të dish dhe ndiesh nga këto vargje.
Doktrina e Besëlidhje 19:16–19 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Kur nxënësit e tregojnë se çfarë po mësojnë, Fryma e Shenjtë mund t’i forcojë dëshmitë e tyre për këto të vërteta. Një mënyrë për t’ua dhënë këtë mundësi është t’i jepni secilit grup një gjysmë flete letre. Ftojini grupet ta shkruajnë në letër një të vërtetë kuptimplotë që e mësuan rreth pendimit ose rreth Shpëtimtarit nga studimi i tyre. Ftojeni një përfaqësues nga secili grup të ngrihet në këmbë, ta lexojë me zë të vërtetën e tij, më pas ta paraqitë atë në tabelë.
Ftojini grupet ta krahasojnë atë që klasa mësoi nga vargjet me të vërtetat dhe mitet e shqyrtuara në fillim të orës mësimore. Ata mund të diskutojnë pyetje si vijueset:
-
Si mund të na ndihmojnë mësimet e Shpëtimtarit t’i përcaktojmë më lehtë të vërtetat dhe mitet rreth pendimit?
-
Si mund t’i rishkruash me saktësi këto mite për t’i reflektuar të vërtetat rreth pendimit?
Theksojini të vërtetat vijuese: Jezu Krishti vuajti me gatishmëri Shlyerjen e Tij për të gjithë njerëzit (vargjet 16, 19). Nëse zgjedhim të mos pendohemi, do të vuajmë dënimin për mëkatet tona (vargu 17).
Për t’i ndihmuar nxënësit ta ndiejnë rëndësinë e këtyre të vërtetave, merreni parasysh të diskutoni pyetje si vijueset:
-
Si ndikojnë fjalët e vetë Shpëtimtarit rreth Shlyerjes së Tij në mënyrën se si ndihesh rreth Tij? Përse?
-
Si e tregon urdhërimi i Zotit për t’u penduar dashurinë e Tij për ne?
-
Në ç’mënyra mundet kuptueshmëria e dashurisë së Shpëtimtarit për ne ta rritë dëshirën tonë për t’u penduar?
Dhurata e pendimit nga Shpëtimtari
Jepuni nxënësve një mundësi për të marrë parasysh se si ndihen rreth Shpëtimtarit. Ajo që pason, janë tri mënyra të ndryshme se si mund ta bëni këtë. Mund të tregoni një material filmik, t’i ftoni nxënësit t’i studiojnë thëniet nga udhëheqësit e Kishës ose të këndoni një himn së bashku si klasë. Mund të përdorni një ose më shumë prej këtyre në varësi të nevojave të nxënësve tuaj dhe nxitjeve të Frymës së Shenjtë.
Material filmik
Nëse dëshironi mund të shfaqni materialin filmik “For God So Loved the World” [“Sepse Perëndia e Deshi Aq Botën”] (4:48), duke nisur nga kodi kohor 1:56. Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org dhe mund t’i ndihmojë nxënësit të përfytyrojnë atë që Shpëtimtari ishte i gatshëm të vuante për të na dhënë mundësinë të pendohemi. Nëse zgjidhni ta shfaqni këtë, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të shprehen se si ndihen rreth Shpëtimtarit dhe dhuratës së pendimit më pas.
Thënie nga Udhëheqësit e Kishës
Merreni parasysh t’i ndani të dy thëniet në fletushkën vijuese dhe t’ia jepni secilit nxënës njërën nga thëniet. Ftojini ata ta studiojnë atë dhe të shkruajnë në pjesën e prapme se përse është e rëndësishme që një adoleshent ta kuptojë. Më pas ftojini ata t’i shkëmbejnë letrat me një nxënës që pati thënien tjetër dhe ta lexojnë thënien si edhe atë që shkroi nxënësi tjetër.
Jezu Krishti dhe Pendimi Ynë
Plaku Lin G. Robins, i Të Shtatëdhjetëve, vërejti:
“Askush nuk është nga ana jonë më shumë sesa Shpëtimtari. …
… Pendimi nuk është plani i Tij rezervë në rastin kur ne mund të dështojmë. Pendimi është plani i Tij, duke e ditur që do të dështojmë.” (Lin G. Robins, “Deri Shtatëdhjetë Herë Shtatë”, Liahona, maj 2018, f. 22)
Presidenti Rasëll M. Nelson, dëshmoi:
“Jezu Krishti është shembulli ynë më i lartë, ‘i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin’ [Hebrenjve 12:2]. Merreni me mend! Në mënyrë që të duronte përvojën më torturuese të duruar ndonjëherë në tokë, Shpëtimtari ynë u përqendrua te gëzimi!
Dhe cili qe gëzimi që ishte përpara Tij? Me siguri ai përfshiu gëzimin e pastrimit, shërimit dhe forcimit tonë; gëzimin e pagimit për mëkatet e të gjithë atyre që do të pendoheshin; gëzimin e bërjes së mundshme për mua dhe ju që të kthehemi në shtëpi – të pastër dhe të denjë – për të jetuar me Prindërit tanë Qiellorë dhe me familjet tona.” (Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 83)
Himne rreth Shpëtimtarit
Nëse e përdorni këtë mundësi, mund t’i lejoni nxënësit të tregojnë fraza rreth Shpëtimtarit nga himnet e ndryshme që japin mësim rreth dhuratës së Tij të pendimit. Në varësi të nevojave dhe aftësive të nxënësve tuaj, mund të zgjidhni t’i këndoni disa nga himnet si klasë. Ju mund të sugjeroni që nxënësit t’i lidhin këto himne me vargjet te Doktrina e Besëlidhje 19:16–19 në shkrimet e tyre të shenjta.
Reflektimi vetjak
Jepuni nxënësve kohë të reflektojnë mbi atë që kanë mësuar dhe ndier. Mund t’i ftoni ata t’i mbajnë shënim mendimet dhe mbresat e tyre në ditarët e tyre të studimit. Mund t’i ftoni nxënësit të marrin parasysh se si mund ta ftojnë më plotësisht bekimin e Shpëtimtarit të pendimit në jetën e tyre.
Jini të ndjeshëm ndaj nxitjeve të Shpirtit. Nëse dëshironi, mund t’i ftoni gjithashtu nxënësit t’ia tregojnë dëshmitë njëri-tjetrit.
Mësoni Përmendsh
Nëse dëshironi mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë është: “Unë, [Jezu Krishti], i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë”. Idetë për veprimtaritë me mësim përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.