“Doktrina e Besëlidhje 19:1–24, Pjesa 1: Jezu Krishti iu Nënshtrua Vullnetit të Atit Qiellor”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 19:1–24, Pjesa 1”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 31: Doktrina e Besëlidhje 19
Doktrina e Besëlidhje 19:1–24, Pjesa 1
Jezu Krishti iu Nënshtrua Vullnetit të Atit Qiellor
Në një lutje për ngushëllim dhe udhërrëfim, Martin Harrisi i kërkoi Profetit Jozef Smith një zbulesë nga Zoti. Te Doktrina e Besëlidhje 19, Shpëtimtari tregoi se si Ai zgjodhi t’i nënshtrohej vullnetit të Atit Qiellor dhe fitoi fuqinë për t’i kapërcyer të gjitha gjërat. Martinit iu premtua paqe nëse do të pendohej dhe i nënshtrohej asaj që Zoti i kishte kërkuar të bënte. Ky mësim mund të ndihmojë të rritet dëshira e nxënësve për ta ndjekur shembullin e Jezu Krishtit të nënshtrimit ndaj vullnetit të Atit Qiellor.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Shembulli i Shpëtimtarit
Shkruajeni frazën e paplotë mos u bëftë vullneti ____, por _____ në tabelë dhe kërkojuni nxënësve ta plotësojnë atë që Shpëtimtari i tha Atit të Tij (shihni te Lluka 22:42). Ftojeni një nxënës të tregojë rrethanat në të cilat Jezusi e tha këtë.
-
Si mendon, çfarë do të thotë t’ia japim vullnetin tonë Perëndisë?
-
Cilat janë disa sakrifica të vështira që mund t’u kërkohet adoleshentëve të bëjnë në mënyrë që t’i nënshtrohen vullnetit të Atit Qiellor?
Merreni parasysh t’i renditni në tabelë përgjigjet e nxënësve për pyetjen e mëparshme. (Shënim: Mbajtja e një kopjeje të kësaj liste mund të jetë e dobishme kur të jepni mësimin për “Doktrina e Besëlidhje 19:25–41”. Në atë mësim nxënësit do të ftohen ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit të nënshtrimit ndaj vullnetit të Atit Qiellor.)
Për ta rritur lidhjen vetjake, ftojini nxënësit të reflektojnë mbi një kohë kur u ndien ngurrues për ta ndjekur një zotim ndaj Zotit ose për të bërë atë që e dinin se ishte e drejtë. Nxitini ata t’i mbajnë këto situata në mendje ndërsa e studiojnë shembullin e Shpëtimtarit të nënshtrimit të vullnetit të Tij ndaj vullnetit të Perëndisë.
Nënshtrimi i Shpëtimtarit ndaj Atit të Tij
Duke dëshiruar ta mbështeste Profetin Jozef Smith dhe botimin e Librit të Mormonit, Martin Harrisi premtoi të ndihmonte për të paguar për botimin. Kur e kuptoi më pas se kjo mund të kërkonte që ta shiste fermën e tij, ai i kërkoi Jozefit një zbulesë udhërrëfimi nga Zoti. Në zbulesë, që tani njihet si Doktrina e Besëlidhje 19, Shpëtimtari dha mësim të vërteta të rëndësishme rreth flijimit shlyes të Tij. Këto të vërteta e ndihmuan Martinin ta kuptonte rëndësinë e nënshtrimit ndaj vullnetit të Atit Qiellor edhe kur është e vështirë.
Nxënësit mund t’i lexojnë vargjet vijuese vetëm ose me një partner.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 19:1–5, 15–19, 23–24. Merre parasysh t’i shenjosh fjalët dhe frazat kuptimplota që të japin mësim rreth Jezu Krishtit dhe karakterit të Tij.
-
Çfarë të vërtetash gjete në këto vargje?
Ftojini nxënësit t’i tregojnë të vërtetat që gjetën. Një mënyrë për ta bërë këtë është t’i jepni secilit nxënës një copë letër të vogël. Nxënësit mund ta shkruajnë më pas në copën e tyre të letrës të vërtetën që gjetën dhe ta paraqitin atë në tabelë. Për të nxitur një diskutim të klasës, zgjidhni disa shënime në tabelë dhe ftojini nxënësit që i shkruan ato, të tregojnë përse kjo e vërtetë rreth Jezu Krishtit është e rëndësishme për t’u kuptuar. (Shënim: Doktrina e Besëlidhje 19:16–19 është përqendrimi i mësimit të radhës. Nëse dëshironi, mund t’i ruani diskutimet më të thella rreth pendimit dhe Shlyerjes së Shpëtimtarit për atë mësim.)
Nëse nxënësit nuk e përmendin, vini në dukje të vërtetën vijuese: Jezu Krishti ia nënshtroi me përulësi vullnetin e Tij Atit Qiellor (vargjet 2, 19, 24). Mund t’i nxitni nxënësit t’i shenjojnë fjalët në këto vargje që e reflektojnë këtë të vërtetë.
-
Çfarë do të thotë që Jezu Krishti ia nënshtroi vullnetin e Tij Atit?
-
Si mendon se ajo që dha mësim Jezu Krishti rreth Vetes së Tij, mund ta ketë ndihmuar Martinin në situatën e tij? Si mund të na ndihmojë ne kur na kërkohet të bëjmë sakrifica të vështira?
Përqendrohuni te Jezu Krishti: Veprimtaria vijuese i ndihmon nxënësit të përqendrohen te Jezu Krishti në studimin e tyre. Për t’u ushtruar më shumë mbi mënyrën se si ta bëni këtë, shihni trajnimin “Ndihmojini Nxënësit të Përpiqen Qëllimisht që të Jenë më Shumë si Jezu Krishti” te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit. Ky trajnim do t’ju ndihmojë të ushtroheni duke u treguar nxënësve se si ata po bëhen më shumë si Jezu Krishti dhe duke i nxitur në përpjekjet e tyre të vazhdueshme.
Për t’i ndihmuar nxënësit ta ndiejnë thellësinë dhe qëndrueshmërinë e dëshirës së Shpëtimtarit për t’iu nënshtruar Atit të Tij, merreni parasysh ta ndani klasën në tre grupe. Caktojini secilit grup njërën nga temat vijuese dhe vërini ata t’i lexojnë vargjet e renditura. Pasi t’i lexojnë vargjet, grupet mund ta diskutojnë atë që mësuan rreth marrëdhënies së Shpëtimtarit me Atin e Tij.
Jeta para lindjes: Moisiu 4:1–2; 3 Nefi 1:13–14
Shërbesa në vdekshmëri: Gjoni 6:38; 8:28–29; Mosia 15:7–8
Jeta pas vdekjes: 3 Nefi 11:10–11
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të formojnë grupe të reja me shokët e klasës që i studiuan vargjet për dy temat e tjera. Në grupet e tyre të reja, nxënësit mund të tregojnë me radhë se çfarë diskutuan në grupet e tyre të mëparshme.
Zgjedhja për t’u nënshtruar
Mund ta paraqitni thënien vijuese dhe t’i ftoni nxënësit t’i diskutojnë dy pyetjet nën të me një partner.
Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Nënshtrimi i vullnetit të një njeriu është në të vërtetë e vetmja gjë krejtësisht vetjake dhe e pashoqe që kemi për ta vendosur mbi altarin e Perëndisë. Shumë gjëra të tjera që ne ‘japim’ … janë aktualisht gjërat që Ai tashmë na i ka dhënë ose që na i ka dhënë hua. Megjithatë, kur unë dhe ju më në fund e nënshtrojmë veten, duke e lënë vullnetin tonë të përpihet në vullnetin e Perëndisë, atëherë ne me të vërtetë po i japim diçka Atij! Është i vetmi zotërim që mund të japim, i cili është me të vërtetë i yni!” (Neal A. Maxwell, “Swallowed Up in the Will of the Father”, Ensign, nëntor 1995, f. 24)
-
Si mendon se nënshtrimi i vullnetit të njeriut, siç dha mësim Plaku Maksuell, është i ndryshëm nga bindja e thjeshtë?
-
Kur e ke parë dikë ta ndjekë shembullin e Shpëtimtarit për nënshtrimin e vullnetit të tij ndaj Perëndisë, edhe kur ishte e vështirë?
Për ta mbyllur mësimin, mund ta paraqitni thënien vijuese në tabelë. Ftojini nxënësit të vijnë në tabelë dhe të nënvizojnë fraza të veçanta që i kanë parë të përmbushen në jetën e tyre kur iu nënshtruan vullnetit të Perëndisë. Nëse dëshironi, mund të dëshmoni edhe se si jeni bekuar nëpërmjet ndjekjes së shembullit të Shpëtimtarit të nënshtrimit ndaj vullnetit të Atit Qiellor.
Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dëshmoi:
“Burrat dhe gratë që e kthejnë jetën e tyre nga Perëndia do të zbulojnë se Ai mund të bëjë shumë më tepër sesa ata prej jetës së tyre. Ai do t’i thellojë gëzimet e tyre, do t’u zgjerojë shikimin, do t’u zhdërvjelltësojë mendjet, … do të lartësojë shpirtrat, do të shumëfishojë bekimet, do të rritë mundësitë, do të ngushëllojë shpirtrat, do të sigurojë miq dhe do të mbushë me paqe. Kushdo që do ta humbasë jetën në shërbim të Perëndisë do të gjejë jetë të përjetshme.” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 46)