“Mësimi 25 – Doktrina e Besëlidhje 14: Ti do të Kesh Jetë të Përjetshme”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 14”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 25: Doktrina e Besëlidhje 12–17; Joseph Smith – Historia 1:66–75
Doktrina e Besëlidhje 14
Ti do të Kesh Jetë të Përjetshme
Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri u shpërngulën në shtëpinë e familjes Uitmer në Fajet të Nju-Jorkut, për të përfunduar përkthimin e Librit të Mormonit. Dejvid Uitmeri ndjeu fuqinë e ungjillit të rivendosur të Shpëtimtarit dhe dëshiroi të ishte pjesë e veprës. Doktrina e Besëlidhje 14 u mor si përgjigje për dëshirat e Dejvidit për të ditur vullnetin e Zotit për të. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të jenë të bindur dhe të durojnë deri në fund me fuqinë aftësuese të Shpëtimtarit.
Përgatitja e nxënësve: Mund t’i ftoni nxënësit të kërkojnë një parim që mund ta zbatojnë nga studimi i tyre vetjak i shkrimeve të shenjta. Nëse dëshirojnë, nxënësit mund të përdorin disa nga burimet për studim në manualin Eja, Më Ndiq.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Bekimi i jetës së përjetshme
Për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë rreth asaj që Shpëtimtari na kërkon të bëjmë që të kualifikohemi për dhuratën e Tij të jetës së përjetshme, mund të tregonin skenarin vijues. Merreni parasysh t’u bëni nxënësve pyetjet vijuese dhe t’u lejoni atyre t’i shtojnë më tepër hollësi skenarit. Bërja e kësaj mund t’ju ndihmojë t’i dalloni dhe kuptoni pyetjet dhe shqetësimet që mund të kenë nxënësit.
Pasi mësoi për jetën e përjetshme në seminar, një e re mendon: “Unë thjesht nuk mendoj se jam aq e mirë sa duhet për të jetuar me prindërit qiellorë dhe Jezu Krishtin dhe të jem si Ata. Nuk kam për t’ia dalë.”
-
Përse mund të ndihej kështu ajo?
-
Për çfarë tjetër mund të shqetësohej?
Pasi ta diskutojnë skenarin, kërkojuni nxënësve të përsiatin a kanë pasur ndonjëherë ndjenja të ngjashme. Ftojini të shkruajnë një ose më shumë pyetje ose shqetësime që kanë rreth marrjes së bekimit të jetës së përjetshme. Inkurajojini nxënësit të kërkojnë udhërrëfimin e Shpëtimtarit nëpërmjet Shpirtit ndërsa studiojnë seksionin Doktrina e Besëlidhje 14.
Familja Uitmer
Për t’i ndihmuar nxënësit të njihen më shumë me familjen Uitmer, mund ta ftoni një nxënës të lexojë paragrafin vijues ose t’ua tregoni informacionin me fjalët tuaja.
Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri u përballën me përndjekje të rënda ndërkohë që po përkthenin Librin e Mormonit në Harmoni të Pensilvanisë. Ata i shkruan familjes Uitmer duke i pyetur a mund të shpërnguleshin në shtëpinë e tyre në Fajet të Nju-Jorkut për ta përfunduar përkthimin. Pas manifestimeve hyjnore nga Zoti, Meri dhe Piter Uitmer Plaku dhe familja e tyre vendosën t’i ftonin Jozefin, Emën dhe Oliverin në shtëpinë e tyre. Ata i përkrahën ndërkohë që punuan për përkthimin. Dejvid Uitmeri në veçanti u ndje i frymëzuar nga puna për Rivendosjen dhe dëshiroi të dinte vullnetin e Shpëtimtarit për të. Jozefi mori një zbulesë, që tani është Doktrina e Besëlidhje 14, në të cilën Shpëtimtari e ftoi Dejvidin t’i bashkohej Atij në këtë “punë [të] madhe dhe [të] mrekullueshme” (Doktrina e Besëlidhje 14:1). Ai e ftoi Dejvidin të “kërko[nte] të s[illte] dhe të ndërto[nte] Sionin [e Tij]” (Doktrina e Besëlidhje 14:6). Këto ftesa, së bashku me udhërrëfimin dhe bekimet që Shpëtimtari premton gjithashtu te Doktrina e Besëlidhje 14, gjejnë zbatim për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor.
Zbatimi i urdhërimeve dhe durimi deri në fund
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 14:5–7 dhe kërko atë që Shpëtimtari na kërkon të bëjmë për t’u kualifikuar për jetën e përjetshme.
-
Çfarë gjete?
-
Çfarë parimi mund të përcaktosh?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë parimin vijues: Nëse i zbatojmë urdhërimet dhe durojmë deri në fund, do të marrim dhuratën e jetës së përjetshme nga Perëndia. Mund t’i ftoni nxënësit ta shenjojnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta.
Duke përdorur thënien vijuese, nxënësit mund të krijojnë një përkufizim të thjeshtë për durimin deri në fund. Më pas mund t’i ftoni nxënësit t’ia shtojnë këtë përkufizim shkrimeve të tyre të shenjta në anë të vargut 7.
Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë do të thotë të durosh deri në fund:
“Durimi deri në fund, apo qëndrimi besnik ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit të Jezu Krishtit gjatë gjithë jetës sonë, është kërkesë themelore për shpëtimin në mbretërinë e Perëndisë. …
… Durimi deri në fund nuk është thjesht një çështje që t’i durosh në mënyrë pasive rrethanat e vështira të jetës apo të mbetesh në një luftë thjesht për mbijetesë. Besimi ynë është besim aktiv, që i ndihmon fëmijët e Perëndisë nëpër shtegun e ngushtë e të ngushtuar të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë gjatë kësaj jete dhe të kthehen tek Ai një ditë.” (Diter F. Uhtdorf, “A Nuk Kemi Shkak të Gëzohemi?”, Liahona, nëntor 2007, f. 20)
-
Si mendon, pse zbatimi i urdhërimeve dhe durimi deri në fund janë kërkesa për të marrë jetën e përjetshme?
-
Në ç’mënyrë është Jezu Krishti një shembull i zbatimit të urdhërimeve dhe durimit me besnikëri deri në fund?
-
Si mund të na ndihmojë kjo njohuri për të mbajtur një këndvështrim të përjetshëm kur përballemi me sfidat e jetës?
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 14:8–11 dhe kërko atë që Shpëtimtari i mësoi Dejvid Uitmerit që mund ta ndihmonte atë të merrte dhuratën e jetës së përjetshme nga Perëndia.
-
Si mendon se gjen zbatim kjo këshillë për ne sot?
Mund të jetë e dobishme të vini në dukje se te vargu 8, Zoti e informoi Dejvidin se ai do të kishte privilegjin të ishte njëri nga dëshmitarët e Librit të Mormonit.
Fuqia shtysëdhënëse e Shpëtimtarit për t’u bindur dhe duruar
Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit ta dallojnë se është fuqia e Shpëtimtarit që na aftëson për të qenë të bindur dhe për t’i duruar sfidat e jetës.
Ndihmojini nxënësit të përqendrohen te Jezu Krishti: Për t’u ushtruar më shumë për këtë, shihni trajnimin e titulluar “Ndihmojini nxënësit t’i dallojnë dashurinë, fuqinë dhe mëshirën e Zotit në jetën e tyre” që gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Përqendrohuni te Jezu Krishti. Merreni parasysh ta ushtroni aftësinë. Bëni pyetje që përqendrohen te lidhja e dashurisë, fuqisë dhe mëshirës së Zotit me të vërtetat që jepen mësim.
Mendo rreth faktit se sa nevojë ke për ndihmën e Shpëtimtarit në jetën tënde. Gjej një referencë të shkrimit të shenjtë që të mëson mënyra se si mund të mbështetesh te fuqia e Tij për të të ndihmuar. Nëse është e nevojshme, mund të lexosh një ose më shumë nga referencat vijuese të shkrimeve të shenjta.
Ftojini nxënësit të tregojnë fragmente të shkrimeve të shenjta që janë kuptimplota personalisht për ta dhe të shpjegojnë si mund t’i ndihmojnë këto fragmente të mbështeten te fuqia e Shpëtimtarit për t’i zbatuar urdhërimet e Tij dhe për të duruar deri në fund. Ata mund të përdorin edhe funksionin e hallkës lidhëse të programit Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për t’i lidhur fragmentet e shkrimeve të shenjta që studiuan, me vargun te Doktrina e Besëlidhje 14:7, ose mund t’i shkruajnë referencat-kryq në anë të faqeve të shkrimeve të tyre të shenjta.
Lexoje thënien nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërko mënyrën se si do të na bekojë Zoti ndërsa orvatemi të jemi të bindur dhe të durojmë deri në fund.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Nëse ia japim zemrën tonë Perëndisë, nëse e duam Zotin Jezu Krisht, nëse bëjmë gjithçka mundemi për ta jetuar ungjillin, atëherë e nesërmja – dhe çdo ditë tjetër – më së fundi do të jenë madhështore, edhe pse nuk e kuptojmë gjithmonë që është e tillë. Përse? Sepse Ati ynë Qiellor dëshiron që ajo të jetë! Ai dëshiron të na bekojë. Një jetë shpërblyese, e begatë dhe e përjetshme është pikërisht synimi i planit të Tij të mëshirshëm për fëmijët e Tij! Është një plan i bazuar mbi të vërtetën ‘se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë’ [Romakëve 8:28]. Prandaj vazhdoni të doni. Vazhdoni të përpiqeni. Vazhdoni të mirëbesoni. Vazhdoni të besoni. Vazhdoni të rriteni. Qielli po gëzohet me ju sot, nesër dhe përgjithmonë.” (Xhefri R. Holland, “Nesër Zoti Ka për të Bërë Mrekulli midis Jush”, Liahona, maj 2016, f. 126.)
-
Cilat fjalë ose fraza në këtë thënie të japin shtysë që t’i zbatosh urdhërimet dhe të durosh deri në fund?
Me Shpëtimtarin ne mund të marrim jetë të përjetshme
Nëse dëshirojnë, nxënësit mund të sjellin ndër mend shqetësimet e tyre rreth kualifikimit për jetën e përjetshme ndërsa reflektojnë për pyetjet vijuese. Nxënësit mund të përgjigjen në ditarin e tyre të studimit.
-
Cila është një gjë ose janë dy gjëra që ndien se mund të bësh për të qenë i/e bindur dhe për të duruar deri në fund?
-
Çfarë mund të kujtosh ose të bësh kur përballesh me pengesa ndaj bindjes ose durimit deri në fund?
-
Si mund të mbështetesh te fuqia e Shpëtimtarit ndërsa orvatesh t’i zbatosh urdhërimet e Tij dhe të durosh deri në fund?
Mund ta mbyllni duke i inkurajuar nxënësit të vazhdojnë të orvaten që t’i zbatojnë urdhërimet e Shpëtimtarit, duke mirëbesuar te premtimi i Tij për jetën e përjetshme.