“Mësimi 24 – Joseph Smith – Historia 1:68–75; Doktrina e Besëlidhje 13: Rivendosja e Priftërisë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Joseph Smith – Historia 1:68–75; Doktrina e Besëlidhje 13”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 24: Doktrina e Besëlidhje 12–17; Joseph Smith – Historia 1:66–75
Joseph Smith – Historia 1:68–75; Doktrina e Besëlidhje 13
Rivendosja e Priftërisë
Ndërkohë që punonin me përkthimin e Librit të Mormonit, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri mësuan se Jezu Krishti u dha nefitëve autoritetin për të pagëzuar. Ndërsa kërkuan plot lutje të dinin më tepër, Jozefin dhe Oliverin i vizitoi Gjon Pagëzori dhe më vonë Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, të cilët u dërguan për të rivendosur autoritetin e priftërisë në tokë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë domethënien e rivendosjes së autoritetit të priftërisë së Shpëtimtarit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Shpëtimtari jep autoritetin e Tij
Ndihmojini nxënësit të mendojnë rreth arsyes pse rivendosja e priftërisë ka rëndësi për ta. Mund ta bëni këtë duke paraqitur këto figura dhe duke bërë pyetje si këto në vijim:
-
Çfarë di rreth ngjarjeve të përshkruara në këto figura?
-
Si do të ishte ndryshe jeta jote pa autoritetin e priftërisë së Shpëtimtarit?
Merreni parasysh të tregoni thënien vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të shohin se si rivendosja e priftërisë mund t’i bekojë të gjithë fëmijët e Perëndisë. Kjo thënie mund t’i ndihmojë edhe të rejat që të dallojnë se rivendosja e priftërisë ka lidhje me to.
Në një bisedë drejtuar grave të Kishës, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim rreth domethënies që rivendosja e priftërisë mund të ketë në jetën tonë:
“Dëshiroj fuqishëm që ju të kuptoni se rivendosja e priftërisë është po aq domethënëse për ju si grua sa ç’është për cilindo burrë. Për shkak se Priftëria Melkizedeke është rivendosur, gratë si edhe burrat që i mbajnë besëlidhjet, kanë të drejtë të përdorin ‘të gjitha bekime[t] shpirtërore të kishës’ ose, mund të themi, të gjitha thesaret shpirtërore që Zoti i ka për fëmijët e Tij.
Çdo grua e çdo burrë që bën besëlidhje me Perëndinë dhe i mban ato besëlidhje, dhe që merr pjesë me denjësi në ordinancat e priftërisë, ka të drejtë përdorimi të drejtpërdrejtë të fuqisë së Perëndisë.” (Rasëll M. Nelson, “Thesaret Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2019, f. 77)
Rivendosja e priftërisë
Ndërkohë që Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri po përkthenin Librin e Mormonit, mësuan për Jezu Krishtin që u dha nefitëve autoritetin për të kryer pagëzime (shih tek 3 Nefi 11:18–27). Duke dëshiruar të dinin më shumë për këtë autoritet, Jozefi dhe Oliveri shkuan në pyllin pranë lumit Saskehana dhe u lutën.
Nxënësit mund të krijojnë një pyetësor prej tre pyetjesh me përgjigje që mund të gjenden te Joseph Smith – Historia 1:68–72. Për shembull, një pyetje mund të jetë: “Kush e pagëzoi Jozef Smithin?” Ata mund ta ndërrojnë pyetësorin me një nxënës tjetër dhe të vlerësojnë se sa mirë i kuptojnë hollësitë e rivendosjes së priftërisë.
Lexo te Joseph Smith – Historia 1:68–72, duke kërkuar atë që përjetuan Jozefi dhe Oliveri ndërsa u lutën.
-
Si do t’i përmblidhje vargjet që lexove?
Fjalët që tha Gjon Pagëzori te Joseph Smith – Historia 1:69, gjenden edhe te Doktrina e Besëlidhje 13:1.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 13:1 dhe përcakto çelësat e Priftërisë Aarone.
Doktrina e Besëlidhje 13:1 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
-
Çfarë bekimesh siguron Shpëtimtari nëpërmjet çelësave të Priftërisë Aarone?
Pas vizitës së Gjon Pagëzorit, Shpëtimtari dërgoi Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin të rivendosnin Priftërinë Melkizedeke në tokë (shih te Doktrina e Besëlidhje 27:12; 128:20). Në vitin 1836, Jozef Smithi mori çelësa të tjerë të priftërisë (shih te Doktrina e Besëlidhje 110:11–16). Çdo ngjarje çoi në qasje të mëtejshme në fuqinë e Perëndisë nëpërmjet ordinancave të priftërisë.
Merreni parasysh të shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Jezu Krishti e rivendosi autoritetin e priftërisë së Tij në mënyrë që të mund të marrim ordinancat e ungjillit të Tij. Ndërsa nxënësit u përgjigjen pyetjeve vijuese, mund të krijoni një listë me ordinancat e priftërisë në tabelë.
-
Çfarë ordinancash na ka vënë Zoti në dispozicion nëpërmjet priftërisë së Tij?
Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë për t’i dhënë përgjigje pyetjes së mëparshme, mund t’i ndihmoni ata të përcaktojnë ordinancat vijuese: pagëzimi, sakramenti, konfirmimi, shugurimet në priftëri, dhurimi në tempull, vulosja në tempull, administrimi ndaj të sëmurëve, bekimet e ngushëllimit dhe këshillës, bekimet patriarkale, veçimin për një thirrje e kështu me radhë.
Pjesëmarrja në ordinancat e priftërisë
Lexo te Joseph Smith – Historia 1:73–74 duke kërkuar mënyrën se si u ndikuan Jozefi dhe Oliveri ndërsa morën pjesë në ordinancat e pagëzimit dhe shugurimit në priftëri.
Mund t’i ftoni nxënësit edhe të lexojnë pjesë të paragrafit të katërt dhe të pestë të rrëfimit të Oliverit në fund të librit Joseph Smith – Historia.
-
Çfarë prove sheh që këto ordinanca i dhanë Jozefit dhe Oliverit qasje më të madhe në fuqinë e Perëndisë?
-
Si të ka ndihmuar pjesëmarrja në ordinancat e priftërisë të ndiesh qasje më të madhe në fuqinë e Perëndisë?
Mund t’i ftoni nxënësit të imagjinojnë sikur iu kërkua të shkruanin një shënim në ditar ku të përshkruanin një përvojë vetjake me një ordinancë të priftërisë, të ngjashme me atë që përshkruhet te Joseph Smith – Historia 1:73. Drejtojini nxënësit te lista e ordinancave në tabelë. Jepuni atyre kohë për të reflektuar, për të shkruar dhe për të treguar përvojat e tyre. Mund të tregoni edhe se si ka qenë rivendosja e priftërisë një bekim në jetën tuaj.
Mësimi Përmendsh
Nëse dëshironi mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë është: “Priftëria Aarone ‘mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit’”. Idetë për veprimtaritë me mësim përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.