“Mësimi 10 – Joseph Smith – Historia 1:27–65 – Moroni iu Shfaq Jozef Smithit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Joseph Smith – Historia 1:27–65”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 10: Doktrina e Besëlidhje 2; Joseph Smith – Historia 1:27–65
Joseph Smith – Historia 1:27–50
Moroni iu Shfaq Jozef Smithit
Më 21 shtator 1823, Jozef Smithi iu lut Perëndisë për falje për mëkatet e tij dhe për të ditur qëndrimin e tij përpara Perëndisë. Në përgjigje, profeti Moroni iu shfaq Jozef Smithit për t’i mësuar atij rreth Librit të Mormonit dhe profecive të lashta për Rivendosjen e ungjillit. Moroni profetizoi edhe për të ardhmen e Jozefit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë domethënien e thirrjes së Jozef Smithit si profet i Perëndisë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Jozef Smithi përshkroi rininë e tij
Për t’i përgatitur nxënësit që të mësojnë rreth përvojave të Jozef Smithit në rininë e tij, merreni parasysh t’i ftoni ata të thonë fjalë që përshkruajnë adoleshentët. Një mundësi tjetër është t’i paraqitni në tabelë fjalët dhe frazat që e përshkruajnë Jozef Smithin në rininë e tij. Për shembull: “Unë shpesh u ndjeva i ndëshkuar për dobësinë dhe papërsosmëritë e mia”. Nxënësit mund të vendosin një shenjë përzgjedhjeje në krah të atyre tek të cilat e gjejnë veten.
Nëse dëshironi, mund t’i inkurajoni nxënësit t’i kërkojnë përkufizimet e fjalëve në fragmentin vijues të shkrimit të shenjtë që nuk i kuptojnë. Kjo veçori është në dispozicion në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Theksojeni një fjalë dhe përzgjidhni mundësinë “define” [“përkufizoje”].
Lexo te Joseph Smith – Historia 1:27–29, duke kërkuar se si Jozef Smithi i përshkroi ndjenjat e tij gjatë tre vjetëve pas Vegimit të Parë.
-
Si mund ta gjejë veten rinia e kohës sonë te Jozef Smithi?
Perëndia kishte një punë për Jozef Smithin
Grupi tjetër i vargjeve është një bllok më i madh teksti për t’u lexuar. Merrini parasysh nevojat dhe aftësitë e nxënësve tuaj kur përzgjidhni një metodë leximi. Mund të lexoni si klasë (duke i ndërruar nxënësit që lexojnë), t’i vini nxënësit të lexojnë në dyshe ose të vini variantin zanor të leximit dhe t’i ftoni nxënësit ta ndjekin atë në shkrimet e tyre të shenjta.
Pas pyetjes së parë, nëse dëshironi, mund të ndaleni dhe të diskutoni atë që gjetën nxënësit, që mund t’i ndihmojë ata në përvojat e tyre si adoleshent ose adoleshente.
Lexo te Joseph Smith – Historia 1:30–35 dhe kërko atë që përjetoi Jozef Smithi kur u lut.
-
Çfarë përjetoi Jozefi që mund t’i ketë dhënë shpresë?
-
Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga këto vargje për Jozef Smithin?
Nxënësit mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash, përfshirë thirrjen e Jozef Smithit nga Perëndia për të bërë punën e Tij. Mund t’u vini në dukje nxënësve se, ndërkohë që Jozef Smithi ndihej i ndëshkuar nga gabimet dhe mëkatet e veta, ai sinqerisht kërkoi falje dhe Perëndia e thirri në punën e Tij.
Gjatë natës dhe herët në mëngjesin e datës 21–22 shtator 1823, Moroni iu shfaq Jozefit tri herë. Ai i dha të njëjtin mesazh dhe citoi të njëjtat shkrime të shenjta çdo herë (shih te Joseph Smith – Historia 1:36–50).
Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin shembuj të punës që Perëndia do të kryente nëpërmjet Jozef Smithit, mund t’i ndani mes anëtarëve të klasës profecitë vijuese që citoi Moroni. Ftojini nxënësit t’i lexojnë fragmentet, duke kërkuar mënyrën se si e gjejnë veten te puna që u thirr të bënte Jozefi.
Lexoji këto vargje duke kërkuar arsyen pse këto profeci do t’i jepnin Jozefit kuptueshmëri të metejshme rreth punës që do të kryente.
-
Malakia 4:1, 5–6
-
Isaia 11:11–12
-
Veprat e Apostujve 3:22–23
-
Joel 2:28–29
-
Si lidhen këto vargje me punën që e thirri Zoti Jozefin të bënte?
-
Si mund ta forcojnë këto profeci dëshminë tënde për thirrjen hyjnore të Jozefit?
Ndërkohë që i lexojnë këto vargje, nxënësit mund të vënë re se Zoti e thirri Jozef Smithin për të ndihmuar që populli i Tij të përgatitej për Ardhjen e Tij të Dytë nëpërmjet Rivendosjes së ungjillit, e cila përfshin rivendosjen e fuqisë vulosëse dhe të ordinancave të tempullit, mbledhjen e Izraelit dhe derdhjen e bekimeve të tjera shpirtërore.
-
Si ka ndikuar puna që Perëndia ka kryer nëpërmjet Jozef Smithit tek ajo që ti di ose te mënyra se si ndihesh rreth Jezu Krishtit? (Shih te 2 Nefi 3:6–8, 11; Doktrina e Besëlidhje 135:3.)
Emri i Jozef Smithit mbahet për mirë e për keq
Tërhiqeni vëmendjen e nxënësve te profecia e Moronit rreth emrit të Jozef Smithit te Joseph Smith Historia – 1:33. Diskutoni se si mund të jetë ndier Jozefi rreth profecisë dhe mënyrat se si po përmbushet ajo sot. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se përmbushja e profecisë është provë për thirrjen e Jozef Smithit si një profet i Perëndisë.
-
Si mendon, përse ka kaq shumë kundërshtim ndaj Profetit Jozef Smith?
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Përse e lejon Zoti që të folurit e ligë të ndodhë bashkë me të folurin për mirë? Një arsye është që kundërshtimi ndaj gjërave të Perëndisë i bën kërkuesit e së vërtetës të gjunjëzohen në lutje për përgjigje. …
Komentet negative rreth Profetit Jozef Smith do të shtohen teksa [shkojmë] drejt Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Gjysmë të vërtetat dhe mashtrimet e holla nuk do të pakësohen. Do të ketë anëtarë të familjes dhe miq të cilët do të kenë nevojë për ndihmën tuaj.” (Nil L. Andersen, “Jozef Smithi”, Liahona, nëntor 2014, f. 28, 30)
-
Si mund të jetë e dobishme të dish se Moroni profetizoi se do të kishte kritikues të cilët do të flisnin “keq” për Jozef Smithin?
-
Çfarë mund të bëjmë që të jemi gati për t’i ndihmuar ata që mund të përjetojnë kundërshtim ndaj besimit të tyre te Jozef Smithi?
Përmbushja e profecisë për të folurit mirë për Jozef Smithin
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i bëri një ftesë të veçantë rinisë së Kishës:
“Të rinjve që po dëgjojnë sot ose që i lexojnë këto fjalë në ditët në të ardhmen, unë u jap një sfidë të veçantë: Fitoni një dëshmi vetjake për Profetin Jozef Smith. Lëreni zërin tuaj të ndihmojë për përmbushjen e fjalëve profetike të Moronit duke folur mirë për Profetin.” (Nil L. Andersen, “Jozef Smithi”, Liahona, nëntor 2014, f. 30)
-
Cilat janë mënyrat se si mund të ndihmosh të përmbushet profecia e Moronit për të folur mirë për Jozef Smithin?
Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin shembuj të mënyrës se si Shpëtimtari foli mirë për Jozef Smithin, mund t’i ndani referencat vijuese të shkrimeve të shenjta mes nxënësve: Doktrina e Besëlidhje 1:17; 35:17; 112:15; 136:37–38. Kërkojuni disa nxënësve të tregojnë se çfarë tha Shpëtimtari për Jozef Smithin.
Ftojini nxënësit të bëjnë diçka në klasë që të ndihmojnë të përmbushen fjalët profetike të Moronit për të folurit mirë për Jozef Smithin. Për shembull, ata mund të tregojnë se si Jozefi i ka ndihmuar ata të dinë rreth Jezu Krishtit ose mënyra të tjera se si Jozef Smithi ka ndikuar në jetën e tyre për mirë. Nxënësit mund t’i ftoni gjithashtu që t’i dërgojnë një mesazh në celular ose mediat shoqërore dikujt jashtë klasës.