“Mësimi 3 – Parathënia për Librin Doktrina e Besëlidhje: Të Dëgjuarit e Zërit të Jezu Krishtit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Parathënia për Librin Doktrina e Besëlidhje”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 3: Proklamata mbi Rivendosjen
Parathënia për Librin Doktrina e Besëlidhje
Të Dëgjuarit e Zërit të Jezu Krishtit
Në librin Doktrina e Besëlidhje, mund të lexojmë vetë fjalët e Zotit, që na ndihmojnë ta dëgjojmë zërin e Tij duke u folur njerëzve në kohën tonë dhe madje neve personalisht. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të përgatiten që të mësojnë ta njohin Shpëtimtarin ndërsa fillojnë studimin e tyre të librit Doktrina e Besëlidhje.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Njohja me ty
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke i ftuar nxënësit t’i bëjnë një pyetje një shoku ose shoqeje të klasës që do t’i ndihmonte ta njihnin personin më mirë. Për shembull, ata mund të bëjnë pyetjen: “Çfarë është diçka që të pëlqen të bësh në kohën tënde të lirë?”
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për të folur me një shok ose shoqe të klasës, mund të diskutoni për sa vijon:
Mendo për personin që ndien se e njeh më mirë.
-
Çfarë të ka ndihmuar të arrish ta njohësh këtë person aq mirë?
Ftojini nxënësit të përsiatin në heshtje se sa mirë ndiejnë se e njohin Jezu Krishtin dhe atë që po bëjnë aktualisht që të arrijnë ta njohin Atë më mirë.
Në librin Doktrina e Besëlidhje, Jezu Krishti përshkroi disa nga mënyrat se si mund të arrijmë ta njohim Atë më mirë dhe na premtoi një bekim që mund të marrim për bërjen e kësaj.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 19:23–24, duke kërkuar ftesat e Shpëtimtarit dhe premtimin që bëri Ai.
-
Si mendon se mund të na ndihmojnë ftesat e Shpëtimtarit në këto vargje që të arrijmë ta njohim Atë më mirë?
-
Çfarë mund të mësojmë për Shpëtimtarin nga fjalët e Tij në këto vargje?
Merreni parasysh të vini në dukje premtimin e Shpëtimtarit te vargu 23 që ne mund ta përjetojmë paqen e Tij teksa mësojmë për Të dhe i dëgjojmë fjalët e Tij. Mund të jetë e dobishme t’i ftoni nxënësit të mendohen më thellë rreth këtij premtimi. Mund t’u kërkoni atyre të vlerësojnë se sa shpesh e ndiejnë paqen që vjen nga Jezu Krishti dhe se si mund të ndikohet jeta e tyre po të ndienin më shumë paqe.
Studimi i librit Doktrina e Besëlidhje
Këtë vit do të kesh mundësi ta studiosh librin Doktrina e Besëlidhje në shtëpi, në kishë dhe në seminar. Ndërsa studion, do të kesh mundësi të shumta për të mësuar për Jezu Krishtin dhe për t’i dëgjuar fjalët e Tij. Kjo mund të të ndihmojë që të arrish ta njohësh Atë më plotësisht dhe të përjetosh paqen që premton Ai.
-
Çfarë di tashmë për librin Doktrina e Besëlidhje?
Disa nxënës mund të kenë fragmente nga libri Doktrina e Besëlidhje që janë veçanërisht kuptimplota për ta. Mund t’u kërkoni disa nxënësve të gatshëm t’i tregojnë këto fragmente dhe të shpjegojnë pse janë kuptimplota. Mund edhe të tregoni disa nga fragmentet tuaja të parapëlqyera.
Më pas ftojini nxënësit t’i hapin shkrimet e tyre të shenjta te parathënia për librin Doktrina e Besëlidhje.
Te parathënia për librin Doktrina e Besëlidhje, lexoji paragrafët 1–3 dhe fjalinë e fundit te paragrafi 8. Ndërsa lexon, kërko fraza rreth mënyrës se si studimi i librit Doktrina e Besëlidhje mund të të ndihmojë të arrish ta njohësh Jezu Krishtin më plotësisht.
-
Çfarë mësove rreth faktit se ku ndryshon libri Doktrina e Besëlidhje nga librat e tjerë të shkrimeve të shenjta?
-
Çfarë e bën librin Doktrina e Besëlidhje “me vlerë të madhe”?
Zëri i Shpëtimtarit në librin Doktrina e Besëlidhje
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këta paragrafë, është se ndërsa e studiojmë librin Doktrina e Besëlidhje, mund të dëgjojmë zërin e Shpëtimtarit të na flasë në kohën tonë dhe të mësojmë më shumë për Të.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 18:33–36, duke kërkuar mësime nga Shpëtimtari që lidhen më këtë të vërtetë.
Mund të jetë e dobishme t’u jepni kohë nxënësve për të gjetur disa shembuj të tjerë kur është duke folur Jezu Krishti në librin Doktrina e Besëlidhje. Mund t’i ftoni ata t’i hapin shkrimet e shenjta në cilindo seksion të librit Doktrina e Besëlidhje dhe të kërkojnë shembuj kur është duke folur Zoti.
-
Si mendon se mund ta bekojë jetën tënde leximi i fjalëve të Shpëtimtarit te Doktrina e Besëlidhje?
Nëse nevojitet, vini në dukje se ka shumë gjëra që mund të mësojmë rreth Shpëtimtarit ndërsa i studiojmë fjalët e Tij. Ne mund të kuptojmë më shumë rreth karakterit të Tij, dëshirave të Tij dhe asaj që është e rëndësishme për Të. Do të ishte gjithashtu e dobishme të vinit në dukje se Jezu Krishti dhe Ati Qiellor janë të ngjashëm në përsosurinë dhe tiparet e Tyre dhe janë të bashkuar në qëllimin e Tyre. Prandaj, teksa nxënësit arrijnë ta njohin Jezu Krishtin, ata po mësojnë më shumë edhe për Atin Qiellor (shihni te Gjoni 14:9).
Arritja që ta njohim Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin mund të na e shtojë dashurinë për Ta dhe të na ndihmojë të përjetojmë paqen që vetëm Ata mund ta ofrojnë.
Gjatë gjithë studimit tënd të librit Doktrina e Besëlidhje, përqendrohu tek ajo që po mëson rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Mund të jetë madje e dobishme që ta organizosh një pjesëz të ditarit tënd të studimit ose të krijosh një shënim në programin tënd Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për të mbajtur shënim pikëpamjet që merr rreth Tyre. Mund të shtosh gjëra në listën tënde të pikëpamjeve gjatë gjithë vitit. Merr parasysh se si ndikon ajo që mëson rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, te dashuria jote për Ta dhe mirëbesimi yt tek Ata.
Veprimtaria vijuese e studimit mund t’i ndihmojë nxënësit të dallojnë shembuj të asaj që mund të mësojnë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga fjalët e Shpëtimtarit në librin Doktrina e Besëlidhje. Mund të jetë e dobishme t’i ndani nxënësit në grupe dhe t’i caktoni secilit grup një ose më shumë fragmente për t’i studiuar.
Studioji fjalët e Shpëtimtarit në disa prej fragmenteve vijuese nga libri Doktrina e Besëlidhje. Kushtoji vëmendje asaj që mund të mësosh rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga vargjet që studion.
Merreni parasysh t’i renditni në tabelë përgjigjet e nxënësve për pyetjen e parë nga pyetjet vijuese. Ose mund të ftoni nxënës të ndryshëm të vijnë në tabelë dhe t’i shkruajnë pikëpamjet e tyre.
-
Çfarë të ndihmojnë këto fragmente të kuptosh për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Si mendon, përse është e rëndësishme që t’i dimë këto gjëra rreth Tyre?
-
Si mund të të ndihmojnë ato që mësove rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit në këto vargje, që të përjetosh paqe?
Vendos një synim për studimin e shkrimeve të shenjta
Tregoni sa vijon, duke u dhënë kohë nxënësve për të krijuar një synim që lidhet me studimin e tyre të librit Doktrina e Besëlidhje këtë vit.
Për më shumë trajnim mbi mënyrën se si t’i inkurajoni nxënësit ta studiojnë ungjillin çdo ditë, shihni trajnimin me titull “Ndihmojini nxënësit të krijojnë një synim të studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta” që gjendet në trajnimin Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Ftojeni të Mësuarit me Zell.
Një qëllim i seminarit është të të ndihmojë të afrohesh më shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin nëpërmjet studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta. Kërko frymëzim nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të vendosur një synim që lidhet me studimin tënd të librit Doktrina e Besëlidhje. Mund të mendosh për pyetjet vijuese ndërsa vendos një synim:
-
Kur dhe ku mund t’i studioja shkrimet e shenjta çdo ditë?
-
Sa kohë do të studioj çdo ditë?
-
Çfarë mund të bëj për ta ftuar Frymën e Shenjtë më plotësisht në përvojën time?
Shënoje synimin tënd në ditarin tënd të studimit.
Nëse dëshironi, mund t’i vini nxënësit t’i japin përgjigjet e tyre për disa ose të gjitha pyetjet e mëparshme pasi të kenë mbaruar së shkruari.
Inkurajojini nxënësit të punojnë për arritjen e synimit të tyre. Premtojuni atyre se bërja e kësaj do t’i ndihmojë ta dëgjojnë zërin e Shpëtimtarit dhe të marrin udhërrëfim prej Tij. Gjeni kohë gjatë gjithë vitit për t’ua kujtuar nxënësve synimin e tyre, duke u dhënë mundësi ta vlerësojnë përparimin e tyre.