“Mësimi 2 – Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 2: Proklamata mbi Rivendosjen
“Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”
Më 5 prill 2020, Presidenti Rasëll M. Nelson lexoi “fjalë të proklamatës solemne dhe të shenjtë” (“Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 90) për të përkujtuar përvjetorin e 200-të të Vegimit të Parë. Kjo deklaratë u shënua te dokumenti “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës” (ChurchofJesusChrist.org). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e Rivendosjes së vazhdueshme të ungjillit të Jezu Krishtit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përkujtimi i njerëzve ose ngjarjeve të mëdha
Të përkujtosh një person ose një ngjarje do të thotë të tregosh mirënjohje, nder dhe respekt. Kjo shpesh bëhet nëpërmjet krijimit të diçkaje që na ndihmon ta kujtojmë personin ose ngjarjen.
Merreni parasysh të diskutoni ngjarje dhe njerëz që janë përkujtuar. Mund të paraqitni disa figura monumentesh në zonën tuaj që përkujtojnë ngjarje ose njerëz të cilët nxënësit tuaj mund t’i njohin. Mund t’i ftoni nxënësit të tregojnë se për cilat janë në dijeni ose i kanë vizituar.
Për t’i ndihmuar nxënësit të lidhen në një nivel personal, mund edhe t’i ftoni ata të mendojnë për ngjarje madhore që kanë ndodhur në familjen e tyre të afërt ose të largët. Kërkojuni atyre të japin ide rreth asaj që mund të bëjnë po t’u kërkohej të ndërtonin diçka për të përkujtuar njërën nga këto ngjarje.
Sill ndër mend se pas vdekjes së Apostujve të Jezu Krishtit, pati një periudhë që njihet si Braktisja e Madhe. Kjo ishte një kohë kur ungjilli dhe autoriteti i priftërisë i Jezu Krishtit nuk qenë në tokë. Në pranverën e vitit 1820, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e filluan Rivendosjen e ungjillit në tokë kur Ata iu shfaqën Jozef Smithit.
Në vitin 2020, për të përkujtuar përvjetorin e 200-të të Vegimit të Parë të Jozef Smithit, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve shkruan një proklamatë. Ajo titullohet “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”. Presidenti Rasëll M. Nelson tha këtë rreth saj:
“Vramë mendjen a duhej të ndërtohej një monument. Por teksa e morëm parasysh ndikimin e pashoq historik dhe ndërkombëtar të atij Vegimi të Parë, ndiem përshtypjen që të krijonim një monument jo prej graniti apo guri, por prej fjalësh – fjalë të proklamatës solemne dhe të shenjtë – shkruar, jo që të skaliten mbi ‘rrasa guri’, por më tepër që të gdhenden mbi ‘rrasa … mishi’ të zemrës sonë.” (Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 90)
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë rreth asaj që dinë për Vegimin e Parë të Jozef Smithit dhe pse kjo mund t’ia vlejë të përkujtohet prej tyre personalisht. Disa nxënës të gatshëm mund t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.
Studioje proklamatën mbi Rivendosjen
Tregojuni nxënësve se ku mund ta gjejnë proklamatën mbi Rivendosjen në ditarin e tyre të studimit ose në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Mund edhe t’u jepni një kopje në letër të proklamatës. Gjatë gjithë orës mësimore, ftojini nxënësit të shenjojnë pjesë të Rivendosjes që ndiejnë se ia vlejnë të përkujtohen.
Një mënyrë për t’i vënë re bekimet që Perëndia ka vënë në dispozicion për ty, është duke bërë një listë. Mund të renditësh fjalë ose fraza që e përshkruajnë atë që u rivendos. Më pas mendo se çfarë bekimesh gëzon tani, ose do të gëzosh në të ardhmen, për shkak të asaj që rivendosi Perëndia.
Lejojini nxënësit ta studiojnë proklamatën për disa minuta. Kërkojuni atyre të bëjnë një listë në tabelë me fjalë ose fraza që i konsiderojnë domethënëse. Zgjidhni disa dhe kërkojuni nxënësve të shpjegojnë se pse iu dukën domethënëse ato fjalë.
-
Cilat fjalë ose fraza të ndihmojnë ta dallosh atë që rivendosi Perëndia?
-
Cilat nga këto bekime të rivendosura janë më kuptimplotat për ty? Përse?
Ndalu një çast për të përsiatur se çfarë të ndihmojnë të kuptosh këto bekime të rivendosura, rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
-
Cilat janë disa të vërteta që të ndihmon kjo proklamatë të përcaktosh rreth Tyre?
Nxënësit me shpresë do të përcaktojnë shumë të vërteta të ndryshme. Lejojini t’i tregojnë. Ja dy të vërteta që mund të theksoni: Ati Qiellor dhe Jezu Krishti filluan ta rivendosin plotësinë e ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit vazhdon në kohën tonë.
Përkujtoji bekimet e Rivendosjes
Zgjidh një element të Rivendosjes për të cilin je veçanërisht mirënjohës/e. Mendo për atë që mund të bësh për ta përkujtuar këtë bekim nga Perëndia ose për t’ua treguar të tjerëve. Mbaj mend se të përkujtosh do të thotë të tregosh mirënjohje, nderim dhe respekt.
Jepuni kohë nxënësve në orën mësimore që të zgjedhin dhe të punojnë për një mënyrë se si ta përkujtojnë një bekim të Rivendosjes. Për t’i ndihmuar nxënësit, mund të shkruani disa mundësi si ajo në vijim në tabelë. Nxënësit mund të mendojnë edhe për një mënyrë të tyren.
-
Fillo duke mësuar përmendsh një pjesë të proklamatës mbi Rivendosjen.
-
Shkruaj një mendim të shkurtër shpirtëror për një aspekt të Rivendosjes që t’ia tregosh familjes sate.
-
Krijo një publikim në mediat shoqërore për të treguar mirënjohjen tënde për një bekim nga Rivendosja.
-
Shkruaj dëshminë tënde për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit. Mund të japësh dëshminë tënde në një mbledhje të ardhshme të Kishës.
Merreni parasysh të lini kohë të mjaftueshme në fund të orës mësimore për t’u lejuar nxënësve t’i tregojnë një partneri atë për të cilën punuan ose po punojnë. Mund t’i ftoni disa nxënës t’ia tregojnë të gjithë klasës.