“30 Nëntor – 6 Dhjetor. ‘I Pëlqen të Jetë i Mëshirshëm’: Mikea; Nahum; Habakuk; Sofonia”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“30 Nëntor – 6 Dhjetor. ‘I Pëlqen të Jetë i Mëshirshëm’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
In the Beginning Was the Word [Në Fillim Ishte Fjala], nga Eva Timothy
30 Nëntor – 6 Dhjetor: “I Pëlqen të Jetë i Mëshirshëm”
Mikea; Nahum; Habakuk; Sofonia
Të lexoni Dhiatën e Vjetër shpesh do të thotë të lexoni profecitë rreth shkatërrimit. Zoti shpesh thirri profetë për t’i paralajmëruar të ligjtë rreth gjykimeve të Tij. Shërbesat e Mikeas, Nahumit, Habakukut dhe Sofonias janë shembuj të mirë. Me hollësi të frikshme, këta profetë parashikuan rënien e qyteteve që, në atë kohë, dukeshin të forta dhe të fuqishme: Ninivesë, Babilonisë dhe Jerusalemit. Por kjo ndodhi mijëra vite më parë. Përse ka vlerë që t’i lexojmë këto profeci sot?
Edhe pse ato qytete krenare dhe të liga u shkatërruan, ligësia krenare vazhdon. Madje mund të zbulojmë gjurmë të saj në vetë zemrat tona. Profetët e Dhiatës së Vjetër zbulojnë se si ne mund të largohemi prej këtyre të ligave. Ndoshta kjo është një arsye përse akoma i lexojmë fjalët e tyre sot. Ata nuk ishin thjesht profetë që parashikuan fatkeqësitë – ata ishin profetë që parashikuan çlirimin. Përshkrimet e shkatërrimit zbuten nga ftesat për të ardhur te Krishti dhe për të marrë faljen e Tij. Siç tha Mikea, Zoti nuk kënaqet duke na dënuar, por Atij “i pëlqen të jetë i mëshirshëm” (Mikea 7:18). Kjo ishte mënyra e Zotit në kohët e lashta dhe kjo është mënyra e Tij sot. “Rrugët e tij janë të përjetshme” (Habakuk 3:6).
Për vështrime të përgjithshme mbi këto libra, shihni zërat “Mikea”, “Nahum”, “Habakuk” dhe “Sofonia” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Mikea 6:1–8
“Çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti?”
Mikea na fton të përfytyrojmë se si mund të jetë të “vij[më] përpara Zotit dhe … të përkulem[i] përpara Perëndisë së lartë” (Mikea 6:6). Çfarë ju sugjerojnë vargjet 6–8 rreth asaj se çfarë është e rëndësishme për Zotin ndërsa Ai vlerëson jetën tuaj?
Shihni edhe te Dejll G. Renland, “Të Zbatosh Drejtësinë, të Duash Mëshirën dhe të Ecësh Përulësisht me Perëndinë”, Liahona, nëntor 2020, f. 109–112.
“Zoti është i mirë, është një fortesë në ditën e fatkeqësisë” (Nahum 1:7).
Nahum 1
Zoti është edhe i fuqishëm edhe i mëshirshëm.
Misioni i Nahumit ishte të parashikonte shkatërrimin e Ninivesë, kryeqytetit të perandorisë së dhunshme asiriane, që e kishte shpërndarë Izraelin dhe e kishte shkatërruar brutalisht Judën. Nahumi filloi duke përshkruar zemërimin dhe fuqinë e pangjashme të Perëndisë, por Ai foli gjithashtu për mëshirën dhe mirësinë e Perëndisë. Kërkoni vargjet te kapitulli 1 që ju ndihmojnë të kuptoni secilën nga këto cilësi – dhe cilësi të tjera të Perëndisë që i vini re. Si mendoni, përse është e rëndësishme që ta dimë secilën prej këtyre gjërave rreth Zotit?
Habakuku
Unë mund t’u mirëbesoj vullnetit të Zotit dhe kohës së Tij.
Edhe profetët ndonjëherë kanë pyetje rreth rrugëve të Zotit. Habakuku, i cili jetoi në një kohë të ligësisë së përhapur gjerësisht në Judë, e filloi analin e tij me pyetje drejtuar Zotit (shihni te Habakuk 1:1–4). Si do t’i përmblidhnit shqetësimet e Habakukut? Çfarë pyetjesh të ngjashme bëjnë njerëzit rreth Perëndisë sot? A keni pasur ndonjëherë ndjenja të ngjashme? Ju gjithashtu mund t’i krahasoni pyetjet e tij me pyetje të tjera në shkrimet e shenjta, të tilla si ato që gjenden te Marku 4:37–38 dhe Doktrina e Besëlidhje 121:1–6.
Zoti iu përgjigj pyetjeve të Habakukut duke thënë se Ai do të dërgonte kaldeasit (babilonasit) për ta ndëshkuar Judën (shihni te Habakuk 1:5–11). Por Habakuku ishte ende i trazuar, pasi i dukej e padrejtë që Zoti të rrinte duarkryq “kur i ligu [Babilonia] gllabëron atë që është më i drejtë [Judën]” (shihni vargjet 12–17). Çfarë gjeni te Habakuk 2:1–4 që ju frymëzon të mirëbesoni te Zoti kur keni pyetje që nuk keni marrë përgjigje? (Shihni edhe te Marku 4:39–40; Doktrina e Besëlidhje 121:7–8; “God Will Lift Us Up” [“Perëndia do të Na Lartësojë”] [material filmik], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).
God Will Lift Us Up
Kapitulli 3 është një lutje përlëvdimi dhe besimi e Habakukut. Si është toni i Habakukut te kapitulli 3 i ndryshëm nga kapitulli 1? Këtu keni një ide për t’ju ndihmuar që të përsiatni vargjet 17–19: Bëni një listë të bekimeve materiale dhe shpirtërore që jua ka dhënë Perëndia. Më pas përfytyroni sikur i humbët bekimet materiale. Si mund t’ju bëjë kjo të ndiheni rreth bekimeve të tjera? Përse mund të jetë e vështirë që të “ngazëllohem[i] tek Zoti” (vargu 18) gjatë vështirësive si ato që përshkruhen te vargu 17? Përsiatni se si mund të zhvilloni besim më të madh te Perëndia, edhe kur jeta duket e padrejtë.
Shihni edhe te Gerit W. Gong, “Të Gjitha Gjërat për të Mirën Tonë”, Liahona, maj 2024, f. 41–45; “Drit’, më Drejto”, Himne, nr. 50; Tema dhe Pyetje, “Seeking Answers to Questions” [“Të Kërkuarit e Përgjigjeve për Pyetjet”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Jini i duruar. Ndonjëherë ne i duam menjëherë përgjigjet për pyetjet tona, por idetë shpirtërore kërkojnë kohë dhe nuk mund të kërkohen me detyrim. Ashtu si Zoti i tha Habakukut: “Prite, sepse me siguri do të vijë” (Habakuk 2:3).
Sofonia
“Kërkoni Zotin ju të gjithë, të përulurit e dheut.”
Ndërsa i lexoni profecitë e Sofonias, vini re qëndrimet dhe sjelljet që e çuan drejt shkatërrimit – shihni veçanërisht vargjet te Sofonia 1:4–6, 12; 2:8, 10, 15; 3:1–4. Më pas kërkoni karakteristikat e popullit që Perëndia do të ruante – shihni te Sofonia 2:1–3; 3:12–13, 18–19. Çfarë mesazhi mendoni se ka Zoti për ju në këto vargje?
Sofonia 3:14–20
Zoti do të gëzohet me popullin e Tij në Sion.
Pas leximit të vargjeve te Sofonia 3:14–20, shihni se në sa mënyra mund ta plotësoni këtë fjali: “Gëzohu dhe ngazëllo me gjithë zemër” sepse … Përse është e rëndësishme që të dini rreth këtyre arsyeve për t’u gëzuar? Mund t’i krahasoni këto vargje me përvojat që përshkruhen tek 3 Nefi 17 dhe të përsiatni se si ndihet Jezu Krishti për popullin e Tij, përfshirë edhe ju.
Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Mikea 5:2
Jezu Krishti lindi në Bethlehem.
-
Fëmijët tuaj mund të mos e dinë se ishte një profeci nga Mikea që i ndihmoi Dijetarët ta gjenin foshnjën Jezus në Bethlehem. Duke përdorur vargjet te Mikea 5:2 dhe Mateu 2:1–6, ndoshta fëmijët tuaj mund të riluajnë me role përvojën e tyre. Më pas mund të flisni rreth arsyeve përse lindja e Jezusit ishte aq e rëndësishme, saqë profetët kishin dijeni për të shumë vite përpara se Ai të lindte.
The Holy Child Is Born [Fëmija i Shenjtë Lindi], nga Dana Wood
Nahum 1:7
“Zoti është i mirë, është një fortesë në ditën e fatkeqësisë.”
-
Pas leximit te Nahum 1:7, fëmijët tuaj mund të ndërtojnë ose vizatojnë një “fortesë” ose kala të thjeshtë (ka një figurë të një fortese në këtë përvijim). Cilat janë disa arsye se përse njerëzit mund të kenë nevojë për një fortesë? Çfarë e bën ditën tonë një “ditë … fatkeqësi[e]”? Në ç’mënyrë është Jezu Krishti si një fortesë për ne?
Habakuk 2:3
Perëndia do t’i përmbushë gjithmonë premtimet e Tij.
-
Për të paraqitur vargun te Habakuk 2:3, ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth gjërave që janë të mira, por vetëm pasi të presim – si fruta ose brumi që ka nevojë të piqet. Çfarë do të ndodhte po të përpiqeshim ta hanim frutën ose brumin përpara se të ishte gati për t’u ngrënë? Më pas mund të flisni rreth profetit Habakuk, i cili donte të dinte kohën kur Zoti do ta ndalte ligësinë në botë. Lexoni përgjigjen e Zotit te Habakuk 2:3. Mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të mendojnë për gjëra që i ka premtuar Perëndia. Me secilin shembull mund të thoni së bashku: “Prite, sepse me siguri do të vijë”.
Habakuk 2:14
Unë mund të ndihmoj për ta mbushur tokën me dituri për Jezu Krishtin.
-
Për ta ilustruar vargun te Habakuk 2:14, ju dhe fëmijët tuaj mund të mbushni një kavanoz ose një enë tjetër me figura ose fjalë që përfaqësojnë gjërat që bëri ose dha mësim Jezusi. Si mund të ndihmojmë për ta mbushur botën me dituri për Zotin?
-
Gjithashtu mund t’u tregoni fëmijëve tuaj një hartë të botës (shihni te Hartat e Historisë së Kishës, nr. 7, “Harta e Botës”). Ndihmojini të gjejnë vendin ku jetojnë dhe vendet ku kanë shërbyer misionarët që njohin. Mund të këndoni së bashku një këngë rreth shpërndarjes së ungjillit, të tillë si “T’Vërtetën t’Sjellim n’Bot’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 92–93). Çfarë mund t’u tregojmë të tjerëve rreth Jezu Krishtit?
Sofonia 3:14–20
Jezu Krishti gëzohet me ata që e ndjekin Atë.
-
Te Sofonia 3:14–20 fëmijët tuaj mund të kërkojnë diçka që i bën të dëshirojnë të “lësho[jnë] britma gëzimi, … [të] gëzoh[en] dhe ngazëll[ehen] me gjithë zemër”. Ndoshta mund të këndoni së bashku disa himne ose këngë të gëzueshme dhe të flisni rreth gëzimit që gjeni tek ungjilli i Jezu Krishtit.
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.