Eja, Më Ndiq
14–20 Dhjetor. “‘Unë ju Kam Dashur’, Thotë Zoti”: Malakia


“14–20 Dhjetor. ‘Unë ju Kam Dashur’, Thotë Zoti”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“14–20 Dhjetor. ‘Unë ju Kam Dashur’, Thotë Zoti”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026

një statujë e Jezusit përpara një qielli me yje

14–20 Dhjetor: “‘Unë ju Kam Dashur’, Thotë Zoti”

Malakia

“Unë ju kam dashur”, – i tha Zoti popullit të Tij nëpërmjet profetit Malakia. Por izraelitët, që kishin vuajtur për breza të tërë mundime dhe robëri, pyetën: “Si na ke dashur?” (Malakia 1:2.) Pas gjithçkaje që Izraeli kishte kaluar, ata mund të kenë pyetur veten nëse historia e tyre është me të vërtetë një histori e dashurisë së Perëndisë për popullin e Tij të besëlidhjes. Në disa mënyra është më e lehtë që ajo të shihet si një histori e dobësisë dhe rebelimit njerëzor. Prapëseprapë, gjatë gjithë kësaj, Perëndia nuk rreshti kurrë së ndihmuari me dashuri. Kur bijtë e Jakobit e keqtrajtuan vëllanë e tyre Jozefin, Zoti prapëseprapë i shpëtoi nga zija e bukës (shihni te Zanafilla 45:4–8). Kur izraelitët mërmëritën në vendin e shkretë, Ai i ushqeu me mana (shihni tek Eksodi 16:1–4). Madje kur Izraeli u kthye drejt perëndive të tjera dhe u shpërnda, Perëndia premtoi që, në qoftë se ata do të pendoheshin, Ai do t’i mblidhte dhe shëlbonte “me dhembshuri të pamasë” (shihni tek Isaia 54:7). Në të vërtetë, Dhiata e Vjetër është historia e dashurisë së duruar, afatgjatë të Perëndisë. Dhe kjo histori vazhdon sot. Jezu Krishti, “[D]ielli i [D]rejtësisë”, siç e quajti Malakia Atë, ka ardhur “me shërimin në krahët e tij” (Malakia 4:2). Ai është prova më e madhe e dashurisë së Perëndisë për Izraelin e lashtë dhe për të gjithë ne.

Për më shumë informacion rreth librit Malakia, shihni zërin “Malakia” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Malakia 1–4

“Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem tek ju.”

Në kohën e Malakias, izraelitët tashmë e kishin rindërtuar tempullin në Jerusalem, por si popull ata kishin ende nevojë të rindërtonin marrëdhënien e tyre me Zotin. Ndërsa e studioni librin e profetit Malakia, kërkoni pyetjet që Zoti u bëri izraelitëve ose që ata i bënë Atij. Merreni parasysh t’i bëni vetes pyetje të ngjashme (disa shembuj sugjerohen më poshtë) për t’ju ndihmuar të vlerësoni marrëdhënien tuaj me Zotin dhe të vini më pranë Tij.

  • Si e kam ndier dashurinë e Zotit për mua? (Shihni te Malakia 1:2.)

  • A e nderojnë vërtet Zotin ofertat e mia ndaj Tij? (Shihni te Malakia 1:6–11.)

  • Në çfarë mënyrash më nevojitet të “kthehem” te Zoti? (Shihni te Malakia 3:7.)

  • A po e vjedh Perëndinë në ndonjë mënyrë? (Shihni te Malakia 3:8–11.)

  • Si i pasqyron qëndrimi im gjatë kohëve të vështira ndjenjat e mia ndaj Zotit? (Shihni te Malakia 3:13–15; shihni edhe te 2:17.)

Malakia 1:6–14

Zoti kërkon “një blatim [të] pastër”.

Ndërsa lexoni rreth blatimeve [ofertave] të përshkruara te Malakia 1, çfarë vini re rreth flijimeve që po ofronin priftërinjtë? Çfarë sugjerojnë këto flijime për ndjenjat e priftërinjve kundrejt Zotit? (Shihni te Malakia 1:13.) Merreni parasysh të bëni një listë të blatimeve, ose flijimeve, që i bëni Zotit. Për çdo zë në listë, përsiatni se çfarë mund ta bëjë atë një blatim “të ndotur” ose një blatim “[të] pastër” (Malakia 1:7, 11).

Malakia 3:8–12

ikona e seminarit
Zoti i hap pragjet e qiellit kur unë e tregoj besimin tim nëpërmjet pagimit të së dhjetës.

Imagjinoni sikur keni një mik/e që sapo mësoi se ju paguani të dhjetën. “Përse e bën këtë gjë?” – pyet miku/ja juaj. Mendoni për këtë ndërsa lexoni te Malakia 3:8–12. Çfarë gjeni atje që mund të ndihmojë për t’iu përgjigjur pyetjes së mikut/es tuaj/suaj? Çfarë tjetër do të doni që të kuptojë miku/ja juaj rreth së dhjetës? Për më shumë ndihmë, mund të shqyrtoni mesazhin e Plakut Nil L. Andersen “E Dhjeta: Hapja e Pragjeve të Qiellit” (Liahona, nëntor 2023, f. 32–35), duke kërkuar përgjigje si këto:

  • Përse dëshiron Zoti që ne ta paguajmë të dhjetën?

  • Çfarë mund ta pengojë dikë që ta paguajë të dhjetën dhe si mund t’i kapërcejmë ato pengesa?

  • Si e forcon pagimi i së dhjetës besimin tonë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?

Gjithashtu mund t’i tregoni mikut/es tuaj/suaj se si Zoti ju ka bekuar kur e paguani të dhjetën. Mund të gjeni ide në pjesën e titulluar “Mësimi Numër 1 – Bekime Domethënëse, por të Padukshme” në mesazhin e Plakut Dejvid A. Bednar “Pragjet e Qiellit” (Liahona, nëntor 2013, f. 17–19). Çfarë lloj njerëzish bëhemi duke e paguar të dhjetën?

Si mendoni, çfarë kuptimi mund të ketë fraza “hap pragjet e qiellit” (vargu 10)? Ndoshta mund të shihni jashtë një pragu [ose dritareje] dhe të mendoni rreth qëllimeve të pragjeve [ose dritareve]. Përse është fraza “pragjet e qiellit” një mënyrë e mirë për të përshkruar se si Zoti na bekon kur e paguajmë të dhjetën?

Jezusi që i shfaqet Jozef Smithit në Tempullin e Kirtlandit

Vision in the Kirtland Temple [Vegim në Tempullin e Kirtlandit], nga Gary E. Smith

Malakia 4:5–6

“Unë do t’ju dërgoj Elian, profetin.”

Kur Moroni i citoi Jozef Smithit vargjet te Malakia 4:5–6, ai e bëri këtë “me pak ndryshim nga mënyra se si lexohet” në Bibël (Joseph Smith – Historia 1:36–39). Çfarë kuptueshmërie shtesë merrni për këtë profeci nga varianti i Moronit? Në veçanti përsiatni pyetje si këto:

  • Kush janë “etër[it]”? (Shihni te Ligji i Përtërirë 29:13.) Çfarë premtimesh u janë bërë atyre? (Shihni tek Abraham 2:9–11.) Si ndihmoni që të përmbushen këto premtime?

  • Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar që ta ktheni zemrën tuaj drejt paraardhësve tuaj? Përse është kjo kaq e rëndësishme për planin e Atit Qiellor?

Për të lexuar më shumë rreth ardhjes së Elijas dhe se si kjo profeci po përmbushet sot, shihni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 110:13–16 dhe te D. Tod Kristoferson, “Fuqia Vulosëse” (Liahona, nëntor 2023, f. 19–22). Përse jeni mirënjohës që Elija ka ardhur?

Shihni edhe te Gerit W. Gong, “Secili Prej Nesh e Ka një Histori”, Liahona, maj 2022, f. 43–46; “Zemrat Ktheni”, Himne, nr. 188; “The Sealing Power” [“Fuqia Vulosëse”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

3:38

The Sealing Power

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Malakia 1:2

Zoti më do.

  • Si do t’i përgjigjeshit ju dhe fëmijët tuaj pyetjes te Malakia 1:2: “Si na k[a] dashur [Zoti]?” Tregojini njëri‑tjetrit arsye të tjera që e dini se Ai ju do. Ndoshta fëmijët tuaj mund të vizatojnë figura që u kujtojnë dashurinë e Tij.

Përfshijini fëmijët në diskutimet për ungjillin. Nëse po u jepni mësim fëmijëve më të vegjël, mund t’ju nevojitet të mendoni për mënyra krijuese që t’i përfshini ata në diskutimet për ungjillin. Për shembull, fëmijët tuaj mund të kalojnë dorë më dorë një top; kur të jenë duke e mbajtur topin, mund të thonë një arsye që e dinë se Jezusi i do.

prindër dhe një djalë i vogël duke parë nga dritarja

Malakia 3:8–12

Zoti do të më bekojë kur e paguaj të dhjetën.

  • Si do t’i ndihmoni fëmijët tuaj që të mësojnë për të dhjetën? Mund t’u kërkoni atyre që të numërojnë 10 sende të vogla, të tilla si monedhat në faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Më pas ata mund ta veçojnë njërin nga sendet prej të tjerëve – kjo është sa i japim Zotit si të dhjetë. Sipas vargjeve te Malakia 3:8–12, përse dëshiron Zoti që ne ta paguajmë të dhjetën? (Shihni edhe te “Malakia, Profeti” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 171–172; “First Things First!” [“Të Parat Gjërat Parësore!”] [material filmik], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

    0:58

    Malachi the Prophet

    1:18

    First Things First!

  • Ndërsa lexoni së bashku te Malakia 3:10, mund t’i ftoni fëmijët tuaj të qëndrojnë pranë një dritareje kur të lexoni frazën “pragjet e qiellit”. Ose mund të shtini ujë në një gotë derisa të derdhet jashtë për të ilustruar frazën “sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini”. Tregojuni fëmijëve për bekimet që Perëndia ju ka dhënë kur e paguani të dhjetën. Fëmijët tuaj mund të vizatojnë figura që përfaqësojnë këto bekime dhe t’i varin ato në një dritare ose pranë saj në shtëpinë tuaj.

Malakia 4:5–6

Elija erdhi për t’i kthyer zemrat tona drejt familjeve tona.

  • Te Malakia 4:5–6, fëmijët tuaj mund të kërkojnë përgjigje për pyetjet vijuese rreth profecisë së Malakias: Cilin premtoi Zoti të dërgonte? Kur tha Ai se do të vinte ky person? Çfarë tha Zoti se do të bënte ky person? Përse do të ishte e nevojshme që të vinte ky person? Ku u përmbush kjo profeci? (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:13–16.)

  • Për të zbuluar se si u përmbush premtimi te Malakia 4:5, gjithashtu mund të shqyrtoni mësimin “Jozefi dhe Oliveri Marrin Çelësat e Priftërisë” te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 26–30. Një këngë si “The Hearts of the Children” [“Zemrat e Fëmijëve”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 92) mund t’i ndihmojë fëmijët tuaj të mësojnë se përse ishte kaq e rëndësishme që të vinte Elija. Gjithashtu mund të vizitoni FamilySearch.org/discovery, programin kompjuterik Pema Familjare në FamilySearch ose broshurën Familja Ime për veprimtari që mund t’ju ndihmojnë ju dhe fëmijët tuaj për t’i kthyer zemrat tuaja te paraardhësit tuaj.

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

një grua duke valëvitur një shami të bardhë

Mourning’s Hosanna [Hosanaja e Mourning‑ut], nga Rose Datoc Dall. Një grua e quajtur Mourning [E Pikëlluara], qëndron në botën e shpirtrave, e rrethuar nga paraardhësit e saj. Ajo feston çlirimin e tyre nga robëria shpirtërore.

faqja e veprimtarisë së Fillores: Zoti më bekon kur e paguaj të dhjetën