Eja, Më Ndiq
14–20 Shtator. “Perëndia Është Shpëtimi Im”: Isaia 1–12


“14–20 Shtator. ‘Perëndia Është Shpëtimi Im’: Isaia 1–12”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“14–20 Shtator. ‘Zoti Është Shpëtim Im’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026

Isaia duke shkruar në një rrotull pergamene

The Prophet Isaiah Foretells Christ’s Birth [Profeti Isaia Parashikon Lindjen e Krishtit], nga Harry Anderson

14–20 Shtator: “Perëndia Është Shpëtimi Im”

Isaia 1–12

Edhe nëse kjo është hera e parë që e lexoni librin e profetit Isaia, mund të gjeni fragmente që ju duken të njohura. Kjo ndodh pasi, nga të gjithë profetët e Dhiatës së Vjetër, Isaia është ai që citohet më shpesh në librat e tjerë të shkrimeve të shenjta, përfshirë edhe nga Vetë Shpëtimtari. Fjalët e Isaias gjithashtu shfaqen shpesh në himne dhe muzikë tjetër të shenjtë.

Përse Isaia citohet kaq shpesh? Me siguri një arsye është se Isaia kishte dhunti për ta shprehur fjalën e Perëndisë me një gjuhë të gjallë dhe të paharrueshme. Por është më shumë se kaq. Isaia ka frymëzuar profetë për breza të tërë sepse të vërtetat që ai dha mësim, e tejkaluan vetë brezin e tij (midis viteve 740 dhe 701 pr.K.). Ai shkroi për veprën e madhërishme të Perëndisë për shëlbimin, e cila është shumë më e madhe se një komb ose një periudhë kohore. Nga Isaia, Nefi mësoi se ai dhe populli i tij, ndonëse të ndarë nga pjesa tjetër e Izraelit, ishin ende pjesë e popullit të besëlidhjes së Perëndisë. Tek Isaia, shkruesit e Dhiatës së Re gjetën profeci rreth Mesias që po përmbusheshin pikërisht përpara syve të tyre. Dhe tek Isaia, Jozef Smithi gjeti frymëzim për punën e mbledhjes së Izraelit në ditët e mëvonshme dhe për ndërtimin e Sionit. Kur e lexoni librin e Isaias, çfarë do të gjeni?

Për më shumë rreth Isaias dhe shkrimeve të tij, shihni tek “Isaia” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Për informacion rreth kohës kur jetoi Isaia, shihni te 2 Mbretërve 15–20 dhe 2 Kronikave 26–32.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Isaia 1–12

Fjalët e Isaias do të përmbushen të gjitha.

Shpëtimtari dha mësim se “të gjitha gjërat që tha [Isaia], janë vërtetuar dhe do të vërtetohen, madje, sipas fjalëve që ai tha” (3 Nefi 23:3). Teksa studioni librin Isaia, merrni parasysh të bëni një tabelë të profecive me tituj si këta: Koha e Isaias, Shërbesa e Shpëtimtarit në vdekshmëri dhe Ditët e mëvonshme. Vini re se shumë prej profecive të Isaias janë përmbushur në më shumë se një mënyrë (shihni tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Isaia”).

Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Libri i Isaias përmban profeci të shumta të cilat duket se kanë përmbushje të shumëfishta. Një duket se përfshin njerëzit e kohës së Isaias ose rrethanat e brezit tjetër. Një tjetër kuptim, shpesh simbolik, duket se iu referohet ngjarjeve në meridianin e kohës, kur Jerusalemi ishte shkatërruar dhe njerëzit e tij ishin shpërndarë pas kryqëzimit të Birit të Perëndisë. Prapë një tjetër kuptim apo përmbushje e së njëjtës profeci duket se lidhet me ngjarjet që shoqërojnë Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Fakti që shumë nga këto profeci mund të kenë domethënie të shumëfishta, thekson rëndësinë e përpjekjes sonë për zbulesë nga Fryma e Shenjtë që të na ndihmojë t’i interpretojmë ato” (“Scripture Reading and Revelation”, Ensign, janar 1995, f. 8).

Të kuptuarit e Isaias. Shpëtimtari tha: “T’i kërkoni këto gjëra me zell; pasi të mëdha janë fjalët e Isaias” (3 Nefi 23:1; shihni edhe vargjet 2–3). Megjithatë, për shumë njerëz Isaia mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar. Idetë vijuese mund të ndihmojnë:

  • Përsiatini simbolet dhe metaforat që përdori Isaia.

  • Pyeteni veten: “Çfarë po mësoj rreth Jezu Krishtit?” (Shihni te 1 Nefi 19:23.)

  • Kërkoni tema që duken të rëndësishme për kohën tonë.

  • Përdorni ndihmat për studimin, të tilla si një fjalor, shënimet në fund të faqes [në Biblën në anglisht], krerët e kapitujve dhe Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta.

Isaia 1; 3–5

ikona e seminarit
Profetët paralajmërojnë rreth mëkatit dhe premtojnë shpresë nëpërmjet pendimit.

Si profetët e të gjitha kohëve, Isaia vazhdimisht i paralajmëroi njerëzit rreth gjendjes së tyre shpirtërore. Ndërsa lexoni tek Isaia 1; 35, kërkoni fraza që përshkruajnë se si ishin shpirtërisht njerëzit (shihni, për shembull, tek Isaia 1:2–4, 21–23; 3:9, 16–17; 5:11–12, 20–23). Çfarë problemesh të ngjashme shihni në kohën tonë? Gjithashtu mund të kërkoni vargje që paralajmërojnë rreth pasojave të gjendjes shpirtërore të izraelitëve (të tilla si tek Isaia 1:7; 3:17–26; 5:5–7, 13–15).

Përveç paralajmërimeve, Isaia dha mesazhe shprese për shëlbimin nëpërmjet Shpëtimtarit (shihni, për shembull, tek Isaia 1:16–19, 25–27; 3:104). Çfarë mësoni rreth Zotit nga këto mesazhe? Si është mesazhi i Zotit në këto vargje i ndryshëm nga ajo që Satani dëshiron që ne të besojmë?

Si Isaia, profetët sot na paralajmërojnë për mëkatin dhe pasojat e tij dhe japin mesazhe shprese nëpërmjet Jezu Krishtit. Për çfarë shembujsh mund të mendoni? Mund të dëshironi të shqyrtoni një mesazh nga një konferencë e përgjithshme e kaluar, duke kërkuar paralajmërimet dhe premtimet.

Isaia 2; 4; 11–12

Perëndia do të bëjë një vepër të madhe në ditët e mëvonshme.

Shumë nga profecitë e Isaias kanë domethënie të veçantë për kohën tonë. Për t’i gjetur ato, kërkoni folje në kohën e ardhme (të tilla si “do të” ose “do të vijnë”). Për shembull, kërkoni këto folje ndërsa lexoni tek Isaia 2; 4; 11–12. Madje mund t’i zëvendësoni ato me folje në kohën e tashme (të tilla si është ose po ndodh). Cilat profeci janë veçanërisht frymëzuese për ju? Çfarë mësoni nga këto profeci rreth Sionit, ndërtimit të tempujve dhe mbledhjes së Izraelit?

Isaia 2:2–3 është veçanërisht domethënëse për shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Si po përmbushen këto profeci? Çfarë mësoni për “rrugët” dhe “shtigjet” e Zotit në shtëpinë e Tij? (Vargu 3.)

Shihni edhe tek Isaia 5:26; “Maj’ Malit Atje Lart”, Himne, nr. 5.

Isaia 6

Profetët thirren nga Perëndia.

Tek Isaia 6, Isaia ritregoi për thirrjen e tij që të ishte profet. Ndërkohë që e lexoni këtë kapitull, çfarë ju bën përshtypje rreth përvojës së Isaias? Si ndikon ky kapitull në mënyrën se si mendoni për Zotin, profetët e Tij dhe punën që ata janë thirrur të bëjnë?

Maria duke mbajtur foshnjën Jezus

“Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë” (Isaia 9:6).

Isaia 7–9

Perëndia premtoi të dërgonte Jezu Krishtin që të jetë Shpëtimtari im.

Gjatë shërbesës së Isaias, Izraeli bëri aleancë me Sirinë për t’u mbrojtur kundër Asirisë. Izraeli dhe Siria donin ta detyronin Ashazin, mbretin e Judës, të bashkohej me ta. Por Isaia profetizoi se aleanca nuk do të arrihej dhe e këshilloi Ashazin që të mirëbesonte te Zoti (Isaia 7:7–9; 8:12–13).

Ndërsa Isaia e këshillonte Ashazin, ai bëri disa profeci të mirënjohura, të tilla si ato që gjenden tek Isaia 7:14; 8:13–14; 9:2, 6–7. Çfarëdo që të nënkuptonin këto profeci për Ashazin, ato gjejnë zbatim qartësisht për Jezu Krishtin (shihni edhe te Mateu 1:21–23; 4:16; 21:44; Lluka 1:31–33). Përse është “Emanuel” një titull i mirë për Shpëtimtarin? (Shihni te Mateu 1:23.) Si ka qenë Ai një “Këshilltar” ose “Princ i paqes” për ju? (Isaia 9:6.) Çfarë mësoni tjetër rreth Shpëtimtarit nga këto vargje?

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Isaia 1:2–4, 16–19

Për shkak të Jezu Krishtit, unë mund të pendohem dhe të pastrohem.

  • Tek Isaia 1:2–4 ju dhe fëmijët tuaj mund të gjeni arsyet pse Zoti nuk ishte i lumtur me njerëzit. Vëreni krahasimin me kafshët te vargu 3 – kush është “zotëri[a]” ynë? Si e tregojmë se e njohim Atë?

  • Për të përfytyruar vargjet tek Isaia 1:16–18, ju dhe fëmijët tuaj mund të shihni diçka me ngjyrë të kuqe të shndritshme dhe diçka me ngjyrë të bardhë të pastër. Ose ndoshta mund të punoni së bashku për ta larë diçka. Në ç’mënyrë bëhemi të papastër shpirtërisht? Si na ndihmon Jezusi që të bëhemi të pastër? Çfarë mësojmë për Shpëtimtarin nga këto vargje? Tregojuni fëmijëve se si ndiheni rreth Atij dhe çfarë ka bërë Ai për ju.

Isaia 2:2–4

Në tempull mësoj rreth Jezu Krishtit.

  • Isaia parashikoi një kohë kur “mali ku ndodhet shtëpia e Zotit”, do të tërhiqte njerëz nga “tërë kombet” (Isaia 2:2). Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj që të ndihen të emocionuar rreth vajtjes në shtëpinë e Zotit? Mund t’i ftoni të bëjnë një vizatim të shtëpisë së tyre. Më pas lexoni së bashku tek Isaia 2:2 dhe ftojini ata të bëjnë një vizatim të “shtëpi[së së] Zotit”, e cila është një tempull. Lexoni së bashku tek Isaia 2:3. Ftojini të shtojnë në vizatimet e tyre shumë njerëz duke ardhur në tempull, përfshirë familjet e tyre.

  • Gjithashtu mund të lexoni së bashku tek Isaia 2:2–3 dhe të përcaktoni diçka që ju frymëzon ju dhe fëmijët tuaj që të shkoni në tempull. Pastaj, pasi të lexoni së bashku tek Isaia 2:4, mund të diskutoni se si tempulli u sjell atyre paqe. Merrni parasysh të këndoni një këngë për tempullin, të tillë si “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99). Ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë fjalë në këngë që na mësojnë se çfarë është tempulli dhe çfarë bëjmë atje.

Tempulli i Solt‑Lejkut në muzg

Tempulli i Solt‑Lejkut

Isaia 7:14; 9:6–7

Jezu Krishti erdhi në tokë që të ishte Shpëtimtari im.

  • Për t’i paraqitur profecitë e Isaias për Krishtin, ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth titujve të njerëzve, të tilla si president, peshkop ose mësues. Çfarë na tregojnë këta tituj rreth këtyre njerëzve? Ndihmojini fëmijët tuaj që të gjejnë tituj për Jezu Krishtin tek Isaia 7:14 dhe 9:6–7 (shihni edhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Çfarë na mëson secili prej këtyre titujve për Të? Çfarë mësojmë tjetër nga këto vargje rreth Jezu Krishtit?

  • Gjithashtu mund t’u tregoni fëmijëve tuaj tregimin “Isaia, Profeti” (tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 150–151). Ndaloni herë pas here për të pyetur se çfarë dinte Isaia rreth Jezu Krishtit shumë vjet përpara se Ai të lindte. Më pas mund të përdorni vargjet te Mateu 1:21–23; Lluka 1:31–33 për të folur rreth mënyrës se si u përmbushën profecitë e Isaias tek Isaia 7:14; 9:6–7.

    1:18

    Isaiah the Prophet

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

një rrufe në qiellin mbi një tempull

Isaia dha mësim se tempulli do të ishte një “strehë” dhe “mbrojtje kundër furtunës dhe shiut” (Isaia 4:6). Tempulli i Ajdaho‑Follsit, Ajdaho

faqja e veprimtarisë së Fillores: Isaia profetizoi për Jezu Krishtin