Eja, Më Ndiq
7–13 Shtator. “Ai do të Drejtojë Shtigjet e Tua”: Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12


“7–13 Shtator. ‘Ai do të Drejtojë Shtigjet e Tua’: Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“7–13 Shtator. ‘Ai do të Drejtojë Shtigjet e Tua’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026

Jezusi me fëmijët

Jesus with Children [Jezusi me Fëmijët], nga Dilleen Marsh

7–13 Shtator: “Ai do të Drejtojë Shtigjet e Tua”

Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12

Ju mund të mendoni për librin Fjalët e Urta si një koleksion këshillash të urta nga prindër të dashur (shihni te Fjalët e Urta 1:8). Mesazhi kryesor i tij është që, në qoftë se kërkoni urtësi, veçanërisht urtësinë e Perëndisë, jeta do të shkojë mirë. Por libri Fjalët e Urta ndiqet nga libri i Predikuesit, që duket se thotë: “Nuk është dhe aq e thjeshtë”. Predikuesi i cituar te libri i Predikuesit, vërejti se ai e “kushto[i] zemrën [e vet] për të njohur diturinë”, por prapë kuptoi se ky ishte një “kërkim për të kapur erën” dhe “shumë shqetësim” (Predikuesit 1:17–18). Në mënyra të larmishme, libri shtron pyetjen: “A mund të ketë kuptim të vërtetë në një botë ku gjithçka duket e kotë, e përkohshme dhe e pasigurt?”

Prapëseprapë, ndërsa të dy librat e shohin jetën në këndvështrime të ndryshme, na mësojnë të vërteta të ngjashme. Libri i Predikuesit shpall: “Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: ‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është [detyra] tërës[ore] e njeriut’” (Predikuesit 12:13). Ky është i njëjti parim që gjendet në të gjithë librin Fjalët e Urta: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër” (Fjalët e Urta 3:5; shihni edhe vargun 7). Jeta është gjithmonë më e mirë, ndonëse jo gjithmonë e përsosur, kur mirëbesojmë te Zoti Jezu Krisht dhe e ndjekim Atë.

Për një vështrim të përgjithshëm të këtyre librave, shihni zërat “Fjalë e Urtë” dhe “Predikues(it)” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Fjalët e Urta 1–4; 15–16; Predikuesit 1–3; 11–12

“Duke i vënë veshin diturisë.”

Librat Fjalët e Urta dhe Predikuesit janë të mbushur me ide rreth diturisë. Merrni parasysh të shënjoni fjalët “dituri”, “urtësi” dhe fjalë të lidhura me to si “njohje”, “dije”, “arsye”, “gjykim” dhe “mend”, “mençuri”, “mendja”, “i zgjuar”, ndërsa i gjeni te Fjalët e Urta 1–4; 15–16; Predikuesit 1–3; 11–12. Si ndikojnë këta kapituj në mënyrën se si ju mendoni për diturinë? Bazuar tek ato që gjeni, si do ta përshkruanit diturinë që “Zoti jep”? (Fjalët e Urta 2:6.) Çfarë bekimesh vijnë nga dituria e Perëndisë?

Shihni edhe te Mateu 7:24–27; 25:1–13.

Ndihmojini nxënësit që të flasin për atë që po mësojnë. “J[epuni] nxënësve mundësi për t’ia treguar njëri‑tjetrit atë që po mësojnë për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij. Bërja e kësaj do t’i ndihmojë ata t’i përvetësojnë të vërtetat që u janë dhënë mësim, dhe t’i shprehin ato. Do t’i ndihmojë gjithashtu që të fitojnë vetëbesim tek aftësia e tyre për t’i treguar të vërtetat në mjedise të tjera” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 27). Për shembull, ju mund t’i ftoni nxënësit që të shkruajnë disa referenca nga librat Fjalët e Urta ose Predikuesit ku gjetën ide rreth diturisë së Perëndisë. Më pas ftojini nxënësit që të flasin për atë që mësuan.

Fjalët e Urta 1:7; 2:5; 3:7; 15:33; 16:6; 31:30; Predikuesit 12:13

“Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti.”

Një temë tjetër që gjendet gjatë gjithë librave Fjalët e Urta dhe Predikuesit, është “frik[a] nga Zoti”. Vëzhgoni për këtë frazë ndërsa lexoni. Çfarë mendoni se do të thotë të kesh frikë Zotin? Kërkoni ide në mesazhin e Plakut Dejvid A. Bednar, “Prandaj, Ata e Përmbajtën Frikën” (Liahona, maj 2015, f. 46–49). Si është frika nga Zoti e ndryshme nga llojet e tjera të frikës?

Shihni edhe te Fjalët e Urta 8:13.

Fjalët e Urta 3:5–74

ikona e seminarit
“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër.”

Si do të përpiqeshit ta bindnit dikë që është më mirë të ketë “besim tek Zoti” sesa të “mbështet[et] në gjykimin [e vet]”? (Fjalët e Urta 3:5.) Çfarë krahasimesh ose mësimesh me sende do të përdornit? Ndërsa përsiatni vargjet te Fjalët e Urta 3:5–7, mendoni për mënyrat se si mund t’i plotësoni fjalitë si këto: Mirëbesimi te Zoti është si … Mbështetja në vetë gjykimin tonë është si …

Përse është diçka jo e urtë që të mbështetemi në vetë gjykimin tonë? Si e keni zbuluar që Zoti është i besueshëm?

Megjithëkëtë, me raste mund ta kemi të vështirë të mirëbesojmë te Zoti. Përse ndodh kjo? Plaku Gerit W. Gong sugjeron disa arsye së bashku me këshillën e dobishme, te “Mirëbesoni Sërish” (Liahona, nëntor 2021, f. 97–99). Çfarë historish ose mësimesh gjeni në këtë mesazh që mund ta ndihmojë dikë për ta rivendosur mirëbesimin e vet te Zoti?

Si e krahasojnë Fjalët e Urta 3:6 dhe Fjalët e Urta 4 jetën me një “shteg” ose një “udhë”. Si mendoni, çfarë do të thotë ta lini Zotin “të drejtojë shtigjet [tuaja]”? (Fjalët e Urta 3:6.) Çfarë gjeni te kapitulli 4 që ju ndihmon të “shesho[ni] shtegun e këmbëve të tua”? (Vargu 26.) Për shembull, çfarë na mësojnë vargjet 11–12 dhe 18–19 rreth bekimeve të ndjekjes së shtegut të duhur? Çfarë domethënie kanë për ju vargjet 26–27?

Shihni edhe te 2 Nefi 31:18–21; “Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek”, Himne, nr. 137.

Fjalët e Urta 15; 16:24–32

“Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin.”

Disa nga idetë te Fjalët e Urta 15–16 mund t’ju frymëzojnë ta përmirësoni mënyrën se si komunikoni me të tjerët, sidomos me njerëzit tuaj të dashur. Për shembull, mendoni rreth rasteve të caktuara kur “përgjigja e ëmbël” ndihmoi për ta “fashit[ur] zemërimin” (Fjalët e Urta 15:1).

Gjithashtu mund të mendoni për raste kur Shpëtimtari ishte shembull i mësimeve te Fjalët e Urta 15:1–4, 18 (shihni te Marku 12:13–17; Gjoni 8:1–11). Si mund ta ndiqni shembullin e Tij kur ndërveproni me të tjerët?

Si mund të gjejë zbatim këshilla te Fjalët e Urta 15; 16:24–32 në komunikimin e sotëm elektronik? Shihni nëse mund të gjeni një varg në këta kapituj që mund ta riformuloni si këshillë rreth ndërveprimit në mediat shoqërore ose nëpërmjet mesazheve në celular.

Shihni edhe te Nil L. Andersen, “Ndjekja e Jezusit: Të Qenit Paqebërës”, Liahona, maj 2022, f. 17–21; Ronald A. Rasband, “Fjalët Kanë Rëndësi”, Liahona, maj 2024, f. 70, 75–77; Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022), f. 11–12.

një grua dhe pulëbardhat

Who Can Find a Virtuous Woman? [Kush Mund të Gjejë një Grua të Virtytshme?] II, nga Louise Parker

Fjalët e Urta 31:10–31

“Gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.”

Vargjet te Fjalët e Urta 31:10–31 përshkruajnë “një grua … të virtytshme” ose një grua me forcë, aftësi dhe ndikim të madh shpirtëror. Ju mund të përpiqeni ta përmblidhni me vetë fjalët tuaja atë që thotë secili prej këtyre vargjeve rreth grave të virtytshme. Cilat prej këtyre tipareve mund të merrni si shembull për veten tuaj?

Predikuesit 1–312

Jeta në vdekshmëri është e përkohshme.

Përse ka vlerë që ju të mbani mend se shumë gjëra në këtë botë, siç pohohet te Predikuesit 1–2, janë “kotësi” (ose të përkohshme dhe shpesh të parëndësishme)? Çfarë gjeni te Predikuesit 12 që i jep jetës vlerë të përjetshme?

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Fjalët e Urta 1:7; 2:5; 15:33; 16:6; Predikuesit 12:13

Të kesh “frikë nga Perëndia” do të thotë ta duash e t’i bindesh Atij.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj që t’i kuptojnë fragmentet rreth të pasurit frikë nga Perëndia, mund ta zëvendësoni fjalën “frikë” me fjalë si nderim, dashuri ose bindje (shihni edhe te Hebrenjve 12:28). Si ndikon kjo te mënyra se si ne mendojmë rreth këtyre vargjeve? Si e tregojmë se e kemi frikë Zotin?

Fjalët e Urta 3:5–7

Unë mund të kem besim te Zoti me gjithë zemër.

  • Ju dhe fëmijët tuaj mund të krijoni veprime që u përshtaten vargjeve te Fjalët e Urta 3:5–7, si bërjen e një zemre me duar, përkuljen në njërën anë, ecjen në vend dhe të treguarit me gisht drejt syve. Si mund ta tregojmë se i mirëbesojmë Jezu Krishtit me gjithë zemër?

  • Për të treguar se ç’do të thotë fraza “mos u mbështet në gjykimin tënd” (Fjalët e Urta 3:5), merreni parasysh t’i ftoni fëmijët të mbështeten te diçka e fortë dhe e qëndrueshme, si një mur. Më pas, ata mund të përpiqen të mbështeten te diçka që nuk është e fortë, si një fshesë. Ose mund të përpiqen të mbështetin një kunj ose laps te sende me fortësi të ndryshme, të tilla si te një libër ose një fletë letre. Përse është e rëndësishme të kemi “besim tek Zoti” (vargu 5) dhe jo tek “gjykimi [ynë]”?

një grua e zhytur në mendime me një lule

Learning to Trust the Lord [Të Mësojmë që të Kemi Besim te Zoti], nga Kathleen Peterson

Fjalët e Urta 15:1, 18

Unë mund të përdor fjalë dashamirëse.

  • Mbase ju dhe fëmijët tuaj mund të mendoni për situata kur ju ose ata mund të ndiheni të zemëruar. Lexoni së bashku te Fjalët e Urta 15:1 dhe ndihmojini fëmijët tuaj që ta zbatojnë këtë varg te situatat për të cilat menduan. Ndoshta mund të ushtrojnë disa “përgjigj[e të] ëmb[la]”. Një këngë rreth dashamirësisë, e tillë si “Dashuri Këtu Ka” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 102–103), mund ta përforcojë këtë parim.

  • Për të mësuar se ç’do të thotë të mos “zemërohe[sh] shpejt” (Fjalët e Urta 15:18), ju dhe fëmijët tuaj mund të tregoni për raste kur ju (ose dikush që e njihni) u ndiet të zemëruar, por zgjodhët të tregoheshit dashamirës. Ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë për gjëra që ne mund t’i bëjmë shpejt, në qoftë se “nuk zemërohe[mi] shpejt”. Për shembull, ata mund të mendojnë shpejt rreth Jezusit, t’i kërkojnë Atit Qiellor ndihmë, të mendojnë për një këngë të Fillores ose, po të jetë e mundur, të largohen me të shpejtë.

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Jezusi duke drejtuar dy dele

“Pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:6). He Leadeth Me [Ai më Drejton], nga Yongsung Kim. Figura me mirësinë e havenlight.com

faqja e veprimtarisë së Fillores: Unë mund të përdor fjalë dashamirëse