“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Profetët dhe Profecia”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“Profetët dhe Profecia”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh
Profetët dhe Profecia
Sipas ndarjes tradicionale të krishterë të Dhiatës së Vjetër, pjesa e fundit (nga Isaia deri te Malakia) quhet Profetët. Kjo pjesë, rreth një e katërta e Dhiatës së Vjetër, përmban fjalët e shërbëtorëve të autorizuar të Perëndisë, që folën me Zotin dhe më pas folën për Të, duke e përhapur mesazhin e Tij te njerëzit përafërsisht midis viteve 900 dhe 500 pr.K.
Profetët Komunikojnë Vullnetin e Perëndisë
Profetët dhe profecia luajnë rol kryesor në të gjithë Dhiatën e Vjetër. Abrahami, Isaku dhe Jakobi panë vegime dhe folën me lajmëtarë qiellorë. Moisiu foli me Perëndinë ballë për ballë dhe ua komunikoi vullnetin e Tij fëmijëve të Izraelit. Libri i parë dhe i dytë i Mbretërve tregojnë veprat dhe mesazhet e paharrueshme të profetëve Elija dhe Eliseu. Dhiata e Vjetër flet gjithashtu për profetesha si Miriami dhe Debora, së bashku me gra të tjera të bekuara me shpirtin e profecisë, të tilla si Rebeka dhe Ana. Ndonëse libri i Psalmeve nuk është shkruar nga profetë zyrtarë, psalmet gjithashtu janë të mbushur me shpirtin e profecisë, veçanërisht kur tregojnë për ardhjen e Mesias.
Asnjë e tillë nuk vjen si e papritur për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në fakt, ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit na mëson se profetët nuk janë vetëm figura interesante të historisë, por një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë. Megjithëse disa mund t’i shohin profetët si unikë për kohët e Dhiatës së Vjetër, ne i shohim si diçka që e kemi të përbashkët me kohët e Dhiatës së Vjetër.
Por të lexosh një kapitull nga libri i profetit Isaia ose profetit Ezekiel, mund të duket ndryshe nga leximi i një mesazhi të konferencës së përgjithshme nga Presidenti aktual i Kishës. Ndonjëherë është e vështirë të kuptohet se profetët e lashtë kishin diçka për të na thënë. Mbi të gjitha, bota në të cilën jetojmë sot, është mjaft e ndryshme nga bota ku ata predikuan e profetizuan. Fakti që ne vërtet kemi një profet të gjallë, mund të ngrejë një pyetje: “Përse ia vlen përpjekja – dhe kërkohet përpjekje – për t’i lexuar fjalët e profetëve të lashtë?”
Fulness of Times [Plotësia e Kohëve], nga Greg Olsen
Profetët e Lashtë Kanë Diçka për të na Thënë
Për pjesën më të madhe, njerëzit sot nuk janë publiku kryesor i profetëve të Dhiatës së Vjetër. Ata profetë kishin shqetësime aktuale që iu drejtoheshin kohës dhe vendit të tyre – ashtu sikurse profetët tanë të ditëve të mëvonshme iu drejtohen shqetësimeve tona aktuale sot.
Në të njëjtën kohë, profetët gjithashtu mund të shohin përtej shqetësimeve aktuale. Ata na mësojnë të vërteta të përjetshme, domethënëse për çfarëdo kohe dhe vendi. Të bekuar me zbulesë, ata shohin këndvështrimin më të gjerë të veprës së Perëndisë. Për shembull, Isaia i paralajmëroi njerëzit e kohës së tij rreth mëkateve të tyre. Ai gjithashtu shkroi për çlirimin e izraelitëve që do të jetonin 200 vjet më pas në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, ai dha mësim rreth çlirimit që kërkojnë të gjithë njerëzit e Perëndisë. Ai shkroi profeci që, edhe sot, ende po presin që të përmbushen – si premtimet e “një tok[e] të re” (Isaia 65:17) që do të “mbushet me njohurinë e Zotit” (Isaia 11:9), ku do të mblidhen fiset e humbura të Izraelit dhe ku “kombe[t]” nuk do ta “mësojnë më luftën” (Isaia 2:4). Pjesë e gëzimit dhe frymëzimit që vjen nga leximi i fjalëve të profetëve të Dhiatës së Vjetër si Isaia, është të kuptuarit se ne luajmë një rol në ditën e lavdishme që ata parashikuan.
Prandaj, kur i lexoni profecitë e lashta, mund të ndihmojë që të mësoni për kontekstin në të cilin u shkruan – por gjithashtu duhet të shihni veten në to, ose t’i “përshtatni te vetja juaj” (1 Nefi 19:24; shihni edhe vargun 23). Ndonjëherë, kjo do të thotë ta dalloni Babiloninë si një simbol të mëkatit dhe krenarisë, jo thjesht si një qytet të lashtë. Mund të thotë që ta kuptoni Izraelin si popullin e Perëndisë në çdo kohë e vend. Ose mund të thotë që ta shihni Sionin si kauzën e ditëve të mëvonshme, të cilën populli i Perëndisë e përqafon, në vend që ta shihni atë thjesht si një fjalë tjetër për Jerusalemin.
Ne mund t’i krahasojmë shkrimet e shenjta me jetën tonë sepse e kuptojmë që një profeci mund të përmbushet në shumë mënyra. Një shembull i mirë është profecia tek Isaia 40:3: “Zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: ‘Shtroni udhën e Zotit’”. Për judenjtë e robëruar në Babiloni, kjo deklaratë mund t’i ishte referuar Zotit që siguron një rrugëdalje nga robëria dhe rikthimin në Jerusalem. Për Mateun, Markun dhe Llukën, kjo profeci iu referua Gjon Pagëzorit, i cili përgatiti udhën për shërbesën e Shpëtimtarit në vdekshmëri. Jozef Smithi mori zbulesë se kjo profeci është ende duke u përmbushur sot si përgatitje për shërbesën mijëvjeçare të Krishtit. Profetët e lashtë vërtet na folën në mënyra që ende po arrijmë t’i kuptojmë. Ata dhanë mësim shumë të vërteta të çmuara e të përjetshme që janë po aq të përshtatshme për ne sa ishin për Izraelin e lashtë.
Profetët e Lashtë Dëshmuan për Jezu Krishtin
Ndoshta edhe më e rëndësishme sesa të shohësh veten te profecitë e Dhiatës së Vjetër, është të shohësh Jezu Krishtin në to. Nëse e kërkoni Atë, ju do ta gjeni, edhe nëse Ai nuk përmendet me emër. Mund t’ju ndihmojë të mbani parasysh se Perëndia i Dhiatës së Vjetër, Zoti Jehova, është Jezu Krishti. Çdo herë që profetët përshkruajnë se çfarë po bën Zoti ose çfarë do të bëjë Ai, ata po flasin për Shpëtimtarin.
The Lord Appearing unto Abraham [Zoti duke iu Shfaqur Abrahamit], nga Keith Larson
Gjithashtu do të gjeni referenca për një Të Vajosur, një Shëlbues dhe një Mbret të ardhshëm nga linja e Davidit. Këto janë të gjitha profeci për Jezu Krishtin. Më në përgjithësi, ju do të lexoni rreth çlirimit, faljes, shëlbimit dhe rivendosjes. Me Shpëtimtarin në mendje dhe zemër, këto profeci natyrshëm do t’ju drejtojnë te Biri i Perëndisë. Mbi të gjitha, mënyra më e mirë për ta kuptuar profecinë është të kemi “frymë[n] e profecisë” për të cilën Gjoni na thotë se është “dëshmi[a] e Jezusit” (Zbulesa 19:10).