“‘Shpresa e Izraelit’: Studimi i Mësimeve të Udhëheqësve të Kishës”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“‘Shpresa e Izraelit’: Studimi i Mësimeve të Udhëheqësve të Kishës”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Mësime të Udhëheqësve të Kishës: Mësimi 208
“Shpresa e Izraelit”
Studimi i Mësimeve të Udhëheqësve të Kishës
Gjatë gjithë vitit, nxënësit do të kenë disa mundësi për të studiuar mesazhet e Zotit të dhëna nga udhëheqësit e Tij të frymëzuar. Dokumenti “Model i Gatshëm për Mësimdhënien e Mesazheve nga Udhëheqësit e Kishës” është një mjet që mund ta përdorni për t’ju ndihmuar që t’i udhërrëfeni nxënësit teksa i studiojnë këto mesazhe. Ky mësim jep një shembull të mënyrës se si mund ta përdorni modelin e gatshëm për ta dhënë mësim bisedën e Presidentit Nelson “Shpresa e Izraelit” ([takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të veprojnë sipas ftesave të Presidentit Nelson.
Përgatitja e nxënësve: Jepuni nxënësve titullin e bisedës së Presidentit Nelson “Shpresa e Izraelit”. Inkurajojini ata ta lexojnë, shikojnë ose dëgjojnë të gjithë bisedën ose një pjesë të saj para orës mësimore. Ftojini ata ta përgatitin zemrën plot lutje që Fryma e Shenjtë t’u mësojë ndërsa i studiojnë mesazhet e shërbëtorëve të Jezu Krishtit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Shënim: Ky mësim jep një shembull të mënyrës se si mësuesit mund ta përdorin dokumentin “Model i Gatshëm për Mësimdhënien e Mesazheve nga Udhëheqësit e Kishës” për t’i ndihmuar nxënësit t’i studiojnë mesazhet nga udhëheqësit e Kishës. Ju mund t’i përshtatni idetë në këtë mësim, të përdorni një ndërthurje të ndryshme idesh nga modeli i gatshëm, ose të përdorni idetë tuaja vetjake që do t’i plotësonin më mirë nevojat e nxënësve tuaj.
Fillojeni mësimin
Fillojeni mësimin në një mënyrë që ngjall interes në mendjen dhe zemrën e nxënësve për t’i ndihmuar të përgatiten për përvojën e të mësuarit. Merreni parasysh të përdorni idenë tuaj vetjake ose idenë vijuese te “Pyetje rreth temës” në pjesën “Metoda për të filluar mësimin” e modelit të gatshëm.
Paraqiteni thënien vijuese. Merreni parasysh të shenjoni ose nënvijëzoni frazën Izraeli të mblidhet.
Presidenti Rasëll M. Nelson tha sa vijon:
“Rinia ime e dashur dhe e jashtëzakonshme, ju u dërguat në tokë pikërisht në këtë kohë, në kohën më vendimtare në historinë e botës, që të ndihmoni që Izraeli të mblidhet. Nuk ka asgjë tjetër që po ndodh në tokë tani që është më e rëndësishme se ajo. Nuk ka asgjë me pasoja më të mëdha se ajo. Absolutisht asgjë. (“Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit])
Nxënësit mund ta diskutojnë pyetjen vijuese në dyshe ose grupe të vogla. Ose ata mund të shkruajnë individualisht pyetje të mundshme në ditarin e tyre.
-
Çfarë pyetjesh ke ti ose të tjerët në lidhje me mbledhjen e Izraelit – ngjarjen që Presidenti Nelson e quan gjënë më të rëndësishme “që po ndodh në tokë tani”?
Ftojini nxënësit t’i tregojnë pyetjet që u erdhën. Ata mund të përgjigjen me një sërë pyetjesh, duke përfshirë sa vijon:
-
Çfarë është mbledhja e Izraelit?
-
Pse mbledhja është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot?
-
Pse mund të dua të marr pjesë në mbledhjen e Izraelit?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të shkruajnë në tabelë pyetjet që u erdhën, duke lënë hapësirë nën secilën pyetje.
Ndërsa kërkon përgjigje për këto pyetje sot, mendo se si një njohuri për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij mund të të ndihmojë t’u përgjigjesh pyetjeve.
Studioje mesazhin
Qëllimi i kësaj pjese është t’i ndihmojë nxënësit të studiojnë pjesët nga biseda e Presidentit Nelson “Shpresa e Izraelit”. Merreni parasysh të përdorni idenë tuaj vetjake ose idenë vijuese te “Kërko: Përgjigje për pyetjet ose shqetësimet” nga pjesa “Metoda për të studiuar mesazhin” të modelit të gatshëm.
Nëse nxënësit tuaj nuk kanë qasje në një variant të shtypur ose digjital të bisedës, merrni parasysh t’ia shpërndani fletushkën “Mbledhja e Izraelit” secilit nxënës. Kjo fletushkë përmban një pjesë të shkruar të bisedës që do të trajtohet në këtë mësim. Mund t’i ftoni gjithashtu nxënësit ta shikojnë këtë pjesë të bisedës te materiali filmik “Shpresa e Izraelit” në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 30:26 deri në 33:37.
Nëse nxënësit e kanë vështirë të lexojnë ose dëgjojnë pjesë shumë të gjata të një bisede, merreni parasysh të jepni një ose dy paragrafë nga fletushka dhe t’i ftoni ata të vizatojnë ose shkruajnë se çfarë do të thotë mbledhja e Izraelit për ta.
Studioji përzgjedhjet e dhëna nga kjo bisedë, duke kërkuar përgjigje për cilëndo nga pyetjet e renditura në tabelë. Mund të shenjosh në bisedë çdo përgjigje që gjen. Mund të marrësh parasysh shenjimin e përgjigjeve për secilën pyetje në një mënyrë që është e ndryshme nga pyetjet e tjera. Për shembull, mund të qarkosh përgjigjet e një pyetjeje dhe të nënvizosh përgjigjet për një tjetër, ose mund t’i shenjosh të gjitha me ngjyra të ndryshme.
Pasi nxënësit t’i kenë studiuar pjesët e bisedës që keni përzgjedhur, merreni parasysh t’i organizoni ata në dyshe për të diskutuar pyetjet vijuese.
-
Cilat pyetje mendon se morën përgjigje nga pjesët e fjalimit të Presidentit Nelson që studiove? Si morën përgjigje ato?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të shkruajnë përgjigjet e tyre në tabelë poshtë pyetjes që iu përgjigjën. Pastaj mund t’i ftoni nxënësit të shpjegojnë përgjigjet e tyre.
Zbatimi i mesazhit të Presidentit Nelson
Qëllimi i kësaj pjese është t’i ndihmojë nxënësit të vënë në zbatim ftesat e Presidentit Nelson për të mbledhur Izraelin. Merreni parasysh të përdorni idenë tuaj ose idenë vijuese te “Përcaktoji dhe vëri në zbatim ftesat” nga pjesa “Metoda për të vënë në zbatim mesazhin” e modelit të gatshëm.
Shpërndajuani fletushkën e titulluar “Ftesat për t’u Rekrutuar në Mbledhjen e Izraelit” të gjithë nxënësve. Merreni parasysh t’i ftoni ata ta studiojnë këtë faqe individualisht.
Përsiati mendimet ose nxitjet nga Fryma e Shenjtë që të erdhën në mendje ose në zemër ndërsa studiove ftesat e Presidentit Nelson për të rinjtë. Merr parasysh me lutje se cilën ftesë ndien se Zoti do të donte që ta pranoje dhe ta ndiqje për t’u rekrutuar në mbledhjen e Izraelit. Mund të ndiesh mbresën për të vepruar sipas më shumë se një ftese.
Shkruaje këtë ftesë në ditarin tënd të studimit. Mund të shkruash edhe se si veprimi sipas asaj ftese mund të të ndihmojë të afrohesh më shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për të vërtetat e dhëna mësim nga Presidenti Nelson. Inkurajojini nxënësit që të veprojnë sipas nxitjeve që mund të kenë ndier.